Tiranë, 1 nëntor 2018: Autori Vasil Vasili, – eseist i kultivuar dhe i mprehtë,- në librin tij “Përkthimet e Kohës – Poetika e Moikom Z.“ (Shtëpia Botuese WEST PRINT, 2018), me anë të cilit trajton Poetikën e Moikom Zeqos, shkruan se:
“Moikom Zeqo e bën fije-fije fjalën, merr një fije dhe e bën Pemë Parajse në Purgator“.
Diku tjetër po ky autor shkruan se:
“Moikomi është poet pa popull që ka mbirë në të ardhmen. Kjo nuk është fatkeqësi“.
Sa e goditur e gjitha kjo, autori e di fare mirë se Moikom Zeqo nuk mund të përshkruhet, por, veçse mund të kuptohet nëpërmjet stilit letrar që ka krijuar.
Moikom Zeqo është gjithçka intriguese por mbi të gjitha është Makabe Zaharia,- kipçi i tij, si personazh i dyzuar, paralel, dialogues, përballues, intrigues, që sëbashku me të përbën kuptimin e shumëfishtë në të njëjtin dimension.
Kush është Makabe Zaharia?
Ai është gjysma,- pa të cilën Moikom Zeqo letrarisht i plotë s’mund të jetë.
Moikomi s’mund të paraqitet si gjysmë shkrimtar, kur Makabe përbën gjysmën tjetër.
Moikom Zaharia është poet i shënjëzimit dhe semantikës i të gjitha kohërave, por mbi të gjitha ai është rrëfimtari polifonik, skeptik, polemizues , por edhe mistik i përtej jetës.
Moikom Zaharia është ”Sub Aeternitats”, i lidhur përjetësisht, pashmangshmërisht, metodikisht me prespektivën universale, intimen, humane, paradoksalen dhe dialektiken.
Moikomi Zaharia ka pranuar të “shpëtojë“ një Kohë,- që gjendjet mbrapa Kohës së tij.
Një i përkohshëm ka krijuar “Gjithkohësinë“ në veprën e tij për një shoqëri të mbetur në kohësi.
Kjo duket e dhimbshme dhe prekëse, por për autorin e dyemërtuar kjo ngacmon frymëzim të pandalshëm firdusian dhe faustian,- që le pas një trashgimi shpirtërore të përmasave etno-simboliste.
Moikom Zaharisë kjo kohë dhe kjo shoqëri po i bën një nder; – nuk po e vlerëson atë,- sepse në një kohë tjetër ai pritet të përjetësohet.
A gjendet në trojet shqiptare sot një autor që shkruan për gjithçka, që ka prozën më të fuqishme ku thyen rregullsinë gjuhësore tradicionale dhe narracionin e thjeshtëzuar linear?
Ai përdor fjalinë më të çuditshme, që çlirohet nga kuptimi i saj i vetëm.
Moikomi loz me fjalët në mënyrë filozofike, eseist i skalitur dhe brilant, që për ta kuptuar atë duhen kataklizma shpirtërore, mendore, ekzistenciale, që janë zhvilluar dhunshëm dhe për një kohë të gjatë.
Po ç’farë ka ngelur pa shkruar apo përmendur alegorisht Moikom Makabe Zeqo Zaharia?!
Vedat, Talmudin, Kabalën, Shkrimet Sumere, Biblën, apo Kuranin ?
Edhe këto i ka trajtuar në mënyrën e tij kodike, ai e ka riqasur të gjithë mistikën përcjellëse të këtyre veprave.
Duke qenë një ngacmues universal i koshiencave dashuronjëse të Njohjes, ai bëhet tek ne ndoshta narratori më i madh i kohës.
Këtë guxim eruditiv, çmendurak, iluminues, s’mund ta ndërrmarrë tjetërkush përveçse Moikom Zaharisë.
Moikom Zaharia është ngritur mbi sfida që i kanë humbur shumë të tjerë, është ngritur mbi plagët e shpirtit të tij, është ngritur mbi plagët e intelektit të tij.
Ai e ka kuptuar kohën profetike, që është Koha Artistike e Letërsisë,- e cila zhvillohet në një vend, ku Hapësira është Semantika e Kohës dhe ndërsjelltas.
Si Shërbëtori i Përkorë i Fjalës, nga i cili të gjithë mbajmë sytë, Moikomi zgjedh të zbulojnë dhe të tregojnë rreth profetëve të shkuar dhe kujtesave të fosilizuara të këtij vendi.
Në këto kohë kryqëzatash shpirtërore dhe intelektuale Letërsia dhe Njohja janë ”shpëtimi” sipas Moikom Zaharias.
Dialektikisht dhe estetikisht Moikom Zaharia krijon dhe zhvillon pa rreshtur perfeksionizmin letrar me një rregullsi matematikore, si teoria e të kundërtave, të cilat nuk mund të ekzistojnë dot pa njëra-tjetrën, jo vetëm simetrike, por edhe asimetrike.
Po a mund të ekzistojnë Matematika pa Letërsinë dhe Letërsia pa Matematikën në një kuptim sinkretik ?
Dhe a ka një sintezë, sui generis, të tyre ?
Si një plotësim energjik në lëvizjen e Mendimit ?
Kjo është temë gjenezike, përtej kohërave dhe harresave, për të cilën Moikom Zaharia ka dekada që rrëmon letrarisht.
Me ç’farë prespektive është e lidhur kjo?
Me universalen?!
Jo, kjo sipas Moikom Zaharisë është e lidhur me prespektivën njerëzore, që e bën edhe “Zotin Të Zbresë Një Kat Më Poshtë“, për ta bërë të gjithën përjetësuese.
Moikom Zaharia është kozmopolitani përtej horizonteve,-po me orgjinë të pamohueshme dot- nga Shqipëria,- krijues që shpërthen “lëvozhgën“ linguistike native.
Panteoni i tij është i ndërtuar nga miliona grimca-shkronjash, të cilat janë vendosur në vendin e tyre,- pas gdhendjesh të pafundme mendimesh.
Ato marrin forma njohurish, që mbushin mendjet dhe shpirtrat e njerëzve të zakonshëm.
Sa më shumë futesh në errësirën e Panteonit të stërmadh të Moikom Zaharisë aq më shumë ndriçohesh, aq më shumë çlirohesh.
Në fund të thellësirave të Panteonit të errët dhe të ndriçuar gjendet Moikom Zaharia duke kërkuar ankthshëm dhe bindshëm të gdhendë në Panteonin e tij të shkronjave,- bastin e jetës së tij,-“Historinë E Totemit Të Perëndimit”.
Atë histori“Totemike”, që e mbajtën në përkrenare duke e zhvilluar dhe mbrojtur Leka i Madh, Pirroja i Epirit dhe Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.
Kjo është Fitorja e përtej Jetës dhe Vdekjes.
Kjo nuk është profeci, kjo është Përjetësi dhe këtë Moikom Zaharia e di.