ISMAIL ARSLLANI: SHEH MUSTAFË TETOVA, STRATEGU I LIDHJES SË PRIZRENIT (1878)

Tetovë, 2 nëntor 2018: Në gjurmë pas kolosit shqiptar, strategut dhe njeriut të dytë (nënkryetarit) të Lidhjes së Prizrenit (1878), Sheh Mustafë Tetova (1800-1893), do të gjejmë pasardhës edhe sot në Tetovë, të cilët vetëm që kanë dëgjuar se një stërgjysh i tyre kishte punuar me shumë sakrifica për çështjen kombëtare shqiptare. Suat Ramadani, pensionist nga Tetova, kujtohet për rrëfimet e nënës së tij, znj. Saime, e cila derisa ishte gjallë /2005/, me pietet fliste për stërgjyshin, i cili e kishte vendosur në Tetovë familjen e shpërngulur nga Fllorina e Çamërisë, në gjysmën e parë të shekullit XIX. Ky flet për Sheh Mustafë Tetovën si për një personalitet që shquhet për nga aftësitë e tij diplomatike, në një kohë shumë të vështirë për popullin shqiptar, kur trojet e shqiptarëve po copëtoheshin nga Fuqitë e Mëdha.
Stërnipi që mban emrin e Sheh Mustafës, i cili jetonte me familje në një lagje të Çarshisë së Epërme të Tetovës, asokohe (2006), kur bëmë një takim të shkurtër me të, ishte në moshë të shtyrë (80 vjeç) dhe i dobët me shëndet, u shpreh me keqardhje se asnjë dokument dhe as ndonjë fotografi nuk ka mbetur nga Sheh Mustafë Tetova, nga frika se mos i zbulonte regjimi komunist gjatë viteve të vështira dhe bastisjeve të shpeshta, kërcënimeve të vazhdueshme, represioneve ndaj atyre që ruanin kujtimet ose, edhe më keq, dokumentet për personalitetet e shquara kombëtare shqiptare, ndaj dhe ato një kohë janë fshehur, ndërsa më vonë edhe janë tretur diku pa gjurmë.
Ku treti biblioteka e pasur e Sheh Mustafës
Sheh Mustafa ka pasur në shtëpinë e tij në Tetovë një bibliotekë shumë të pasur të librave, që vështirë se i gjeje diku, të shumtën me shkrim osman /turqishte e vjetër/, me vlerë të lartë letrare, shkencore, historike e fetare, të cilat gjatë shumë vitesh ishin shkapërderdhur dhe grabitur nga persona që nuk i dimë as sot e kësaj dite, shprehej me dëshpërim, stërnipi i këtij atdhetari, plaku Mustafa.
Sipas Sabri Mustafës, djalit më të madh të Sheh Mustafës, Ruhi Nakshibendi, si quhej ndryshe shehu, kishte qenë nga fundi i jetës udhëheqës i një Teqeje në veriperëndim të Tetovës, që mund të shihet nga vula e shehut Mustafë në Teqenë Nakshibendi. Djali më i vogël i Sheh Mustafës ishte Hysniu, i cili kishte qenë shehu i fundit i këtij tarikati në këtë teqe.

Sheh Mustafë Tetova

Sipas disa të dhënave biografike turke, Sheh Mustafë Tetova, ishte i lindur në ishullin Gykçe (Gökçeada) të Egjeut (Imbros). Qysh si i ri ishte zhvendosur në qytetin e Kallkandelenit (Tetovë), i cili, në atë kohë i përkiste Vilajetit të Kosovës. Ai ishte njëri nga pjesëmarrësit e Lidhjes së Prizrenit, që krijoi bazat e nacionalizmit shqiptar dhe ky u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes. Në Tetovë jetoi deri në vitin 1881, kur me familje u shpërngul në Stamboll. Në vitin 1893, kur ndërron jetë, varroset në oborrin e mauzoleut “Jahja Efendi” (Yahya Efendi), në parkun e Pallatit Jëlldëz (Yildiz) të Stambollit.

Xhelal Husniu, për prangosjen e Sheh Mustafës nga Sulltani
Pas gjurmëve të Sheh Mustafë Tetovës, nënkryetarin e Lidhjes së Prizrenit, takojmë në Tetovë Xhelal Husniun, pinjollin e këtij personaliteti të shquar kombëtar, i cili ka marrë për mbiemër emrin e më të voglit prej dy djemve të Sheh Mustafës, atë të Husniut. Xhelali, stërnip pas shumë brezash i Sheh Mustafës, tjerr me ngadalë rrëfimet e babait të tij, Mustafës, që i mbajti në kujtesë ndër vite ndodhitë për jetën dhe veprimtarinë e Sheh Mustafës, emrin e të cilit mbante Mustafa i riu. Stërnipin, Xhelalin, sikur po e ndjek një instinkt për të zbuluar sa më shumë detaje për stërgjyshin e tij, duke gjurmuar nëpër arkiva në relacionin Prizren-Stamboll.
Prej tij dëgjojmë për herë të parë për emrin e babait të Sheh Mustafës (1800-1893), që quhej Sheh Numan Efendiu, i cili merr familjen e tij, duke qenë Sheh Mustafa në moshën rinore, për t’u shpërngulur nga Fllorina e Çamërisë për në Tetovë, diku në dekadat e para të shekullit 19. Sipas tij, Sheh Mustafa ka pasur dy djem: Sabriun dhe Husniun. Husniu ka pasur 3 djem: Hajriun, Abdylhalimin dhe Ibrahimuratin (ky i fundit nuk ka lënë trashëgimtar).

Mesxhiti i Sheh Mustafës në Çarshinë e Epërme të Tetovës

Sipas rrëfimeve të Hajri Efendiut, që i ka mbajtur në kujtesë stërnipi Mustafa, të cilat i ka përcjellë të birit të vet, Xhelalit, thuhet se në vitet e mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit, për veprimtarinë e ngjeshur politike të Sheh Mustafa Tetovës, përhapet opinioni se ky punuaka kundër interesave të Perandorisë osmane, ndaj dhe një ditë ushtarët e kësaj perandorie prangosin Sheh Mustafën në Tetovë dhe në pranga e dorëzojnë te Sulltan Abdylhamiti II në Stamboll. Sulltani e merr në pyetje dhe nga biseda që zhvillon me Sheh Mustafën, vëren që ky kishte qenë me një kapacitet mjaft mirë të ngjeshur intelektual, ndaj dhe i propozon që të mbetet pranë tij në Stamboll, si vezir i tij personal. “Haram më qoftë dita kur t’i kanë vënë ushtarët e mi këto pranga në duar e këmbë. Hidhi prangat dhe eja pranë meje të punosh si këshilltar!”, kishte thënë Sulltani.
Sheh Mustafë Tetova nuk pranon menjëherë ofertën për të qenë vezir i Sulltanit, me arsyetimin se kishte do punë të pakryera në Prizren dhe se ishte i detyruar që të kthehet. Sulltani lejon që të shkojë i lirë. Pas një kohe kthehet (1881) në Stamboll dhe aty mbetet deri në fund të jetës së tij.

Xhelal Husniu, pinjolli i familjes së Sheh Mustafës

Sheh Mustafa kishte lënë një pasuri të patundshme në Stamboll. Në gjysmën e parë të shekullit 20-të, nipi i tij, Abdylhalimi shkon në Stamboll, ndërsa vëllai i tij, Hajri Efendiu, po ashtu, në vitin 1937, bashkë me familjen shpërngulen nga Tetova për në Stamboll, ku priten mjaft mirë dhe gëzojnë shumë privilegje. Familja ishte vendosur në do pallate bregdetare, në rrugën “Sutlice sok.” nr. 8, në lagjen Balikeser të Stambollit. Hajri Efendiu, i cili ka qenë hoxhë, sikundër babai i tij Husniu, i biri i Sheh Mustafës, të cilët kanë nxjerrë shumë nxënës (talebe), përkundër jetës luksoze në Stamboll, nuk ka mundur të qëndrojë më gjatë kohë dhe pas 5 vjet qëndrimi në mërgim, vendos të kthehet në Tetovë me familjen në vitin 1942, për të vazhduar misionin e vet arsimues. Shumë ulema të Tetovës dhe të Vilajetit të Kosovës kanë dalë nga duart e Husni ef. dhe Hajri efendiut.
Ditari i pabotuar 500 faqesh i Sheh Mustafës
Në bisedë me Xhelal Husniun, mësojmë se Sheh Mustafa jo vetëm që ka pasur një bibliotekë të pasur me libra me shumë vlerë, por edhe vetë ka shkruar dhe ka botuar libra. Sipas tij, është mjaft me vlerë libri i pakryer, i titulluar “Ditari” apo “Kronika”, të cilin ai e ka shkruar në vazhdimësi gjatë jetës, duke shënuar ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Libri është shkruar në osmanishte (turqishten e vjetër) dhe është në pronë të trashëgimtarëve të sotëm në Tetovë. Xhelali thotë se ky libër prej afër 500 faqesh ka mbetur i pakryer, sepse pas shkrimeve të fundit kanë mbetur edhe shumë faqe të pashkruara.
Shumë libra nga biblioteka personale e Sheh Mustafës janë dorëzuar për ruajtje në Xhaminë e Madhe të Çarshisë së Epërme të Tetovës, sikundër edhe disa relikte fetare, si dhe një orë muri që ende ekziston. Në vitet e 30-ta të shekullit të kaluar, në shtëpinë e familjes Mustafa, pas disa gërmimeve, është gjetur statuja miniaturale ilire nga periudha e p.e.s., e cila është sekuestruar nga shteti, e njohur si “Menada tetovare”, figura e së cilës është vendosur në bankënotën 5 mijë denarësh.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura