(Würburg, 30. 10. 2012) – Thirrjet e kryeministrit Thaçi që dialogu politik të kthehet në Kuvend, janë thirrje hipokrizie dhe krejtësisht të pamoralshme, sepse ai dhe qeveria e tij po e kontrollojnë tërësisht dhe në vazhdimësi Kuvendin dhe kësisoj po e ngulfasin dhe mbysin debatin e mirëfilltë demokratik.
Zhvillimet e fundit përveç që do të duhej të na shqetësojnë nga ajo që pamë në sheshin “Nëna Terezë” (ku policia ushtroi dhunë mbi qytetarët e këtij vendi të cilët po shprehnin pakënaqësinë dhe shqetësimin e tyre legjitim për një proces të stërzgjatur, të padrejtë dhe krejtësisht të imponuar), do të duhej ta nxisnin debatin e kësaj shoqërie në nivel vendi mbi propagandën linçuese, etiketimet e ndryshme… Këto etiketime deri në atë shkallë sa që një forcë politike e treta në Kuvendin e Kosovës u krahasua me kundërshtarët e pavarësisë, e që aludohej në shtetin serb, kryeministrin e të cilit e takoi në Bruksel mu ai nga goja e të cilit po dilnin këto fjalë tepër të rënda dhe të papeshuara.
Isha i tmerruar dhe po mendoja se çka mund ta shtyj një kryeministër që qytetarët e vet me mendim ndryshe t’i fyej aq rëndë. Më shumë se sa ta kërkoja një përgjigje me këmbëngulje, cilado çoftë ajo, më kishte kapluar frika se ky shtet që në themelet e tij ka shumë sakrifica, angazhime, punë dhe atë lëngun e kuq trupor; gjakun e qindra e mijëra dëshmorëve të rënë për liri, mund të rrëshqas shumë shpejt drejt një anarkie totale me pasoja të paparashikueshme.
Hashim Thaçi ka vlerësuar se zëri i Albin Kurtit është në përputhje me agjendën e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që ishte takuar më 19 tetor, dhe pritet të takohet edhe shumë herë me Milloshin e vogël – Daciq, i cili gjatë luftës në Kosovë ishtë krye’zëri i kryebarbarit Millosheviq!
…………………………………..
Mendësia e këtij pushteti dhe përkufizimi i tij për mendimin ndryshe është dhe ka të bëj kryekëput me interesat e ngushta politike të tyre. Nga ky prizëm shihen ata që guxojnë të mendojnë dhe mendimet e tyre t’i pasojnë me veprime konkrete.
Gjykuar në zhvillimet e fundit por edhe të më hershmet, pushteti dhe grupet e interesit të lidhura me të, jo që nuk e durojnë dot mendimin ndryshe, por ata duan që qytetarët të mos mendojnë hiq fare. Vetëm kur qytetarët nuk mendojnë, ata mund të mbetën sigurt në skenën politike në vend, duke u thirrur gjithmonë dhe gjithnjë në interes të shtetit dhe qytetarëve.
Duhet të thuhet hapur se sado që mund të jemi për apo kundër qëndrimeve dhe veprimeve politike të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo Lëvizje po tregohet shumë dinamike dhe po i kap shpejt dhe seriozisht proceset politike, duke mos ndryshuar edhe pas hyrjes në Kuvendin e Kosovës.
Ndryshe nga dy partitë e tjera në opozitë që qëndrimet e tyre politike i kanë jo të qëndrueshme, kjo Lëvizje po i qëndron në mënyrë konstante qëndrimeve të saja politike, duke i bërë shumë mirë mendimit ndryshe në shoqërinë tonë dhe vetë proceseve që ka kaluar dhe po kalon Kosova.
Nuk duhet të harrohet se edhe në faza të ndryshme historike sikur që ishin 1968-a, 1981-a dhe vitet vendimtare para luftës dhe daljen e UÇK-së në skenë, njerëzit me mendim dhe veprim ndryshe janë etiketuar dhe linçuar si më së keqi. Janë individët ata që e krijojnë mendimin, e jo masa, e cila në të shumtën e rasteve keqpërdoret nga pushteti, siç e pamë edhe keqpërdorimin e saj nga ana e kryeministrit Thaçi.
Sa do që është e ditur për opinionin publik se si ka ardhur deri te kjo gjendje shpërthyese vendi ynë, është e domosdoshme të ritheksohet se fajtori dhe përgjegjësi kryesor është vetë kryeministri Thaçi dhe pushteti i tij me vota të vjedhura. Nuk është e as që ka mundësi që zoti Kurti të jetë gjithmonë fajtori kujdestar, ku pushteti gjithmonë e drejton gishtin ndaj tij.
Thirrjet e kryeministrit Thaçi që dialogu politik të kthehet në Kuvend, janë thirrje hipokrizie dhe krejtësisht të pamoralshme, sepse ai dhe qeveria e tij po e kontrollojnë tërësisht dhe në vazhdimësi Kuvendin dhe kësisoj po e ngulfasin dhe mbysin debatin e mirëfilltë demokratik.
Vetë dita në të cilën u miratua Rezoluta për bisedime dëshmon se atë ditë Kuvendi ishte rrethuar nga forca të shumta dhe krejtësisht të panevojshme policore, duke ja kujtuar shqiptarëve të kaluarën e hidhur historike. Vetë injorimi që kryeministri ja bëri kryekuvendarit Krasniqi mbas kthimit të tij nga Brukseli, duke mos e takuar siç bëri me presidenten dhe disa parti në opozitë, tregon se ata që përpiqen dhe guxojnë të mendojnë ndryshe injorohen dhe etiketohen. Nuk është zoti Kurti dhe lëvizja e tij politike ata që po nxisin dhunën, është qeveria e cila është krejtësisht jo transparente dhe klandestine në veprimet e saja politike. Dëshmi për këtë është takimi që ndodhi një ditë pas miratimit të rezolutës ku kryeministri nuk tha para deputetëve se ai do të takohet me homologun e tij serb, Daçiq.
Duhet të thuhet se kjo që po ndodh në skenën politike dhe dialogu me Serbinë në Bruksel, nuk është një lojë fëmijësh, por është një gjendje shumë serioze që kërkon maturi dhe zgjuarsi, duke reflektuar i gjithë spektri politik dhe institucional.
Duhet të mësohemi me mendimin ndryshe dhe llojllojshmërinë e ideve, sepse të gjitha shoqëritë e zhvilluara kanë ecur dhe përparuar duke qenë aktive dhe duke mos u bë urë për pushtetet diktatoriale dhe të korruptuara.
………………………………….
(Ilustrimi është i pashtriku.org)