Tetovë, 5 dhjetor 2018: (Vështrim mbi monografinë “Thesari i Rexhep Pashës”) – Të rrallë mbeten librat studimor që sjellin para lexuesit një materie nga fusha e trashëgimisë dhe që shpalojnë me përgjegjësi shkencore informacion të bollshëm dhe vlera të qëndrueshme. I tillë është libri “Thesari i Rexhep Pashës” i autores, Luljeta Abazi dhe koautores, Zamira Abazi, i cili prezanton një erudicion të thellë. Ky libër fokusohet në vlerat e krijimtarisë kulturore, gjëgjësisht në atë që përfaqëson trashëgimi, traditë dhe identitet të një kombi në të kaluarën, sidomos në rrafshin e Pollogut. Autoret e librit shpërfaqin një njohje të thellë mbi këtë problematikë dhe ofrojnë një shumësi informacionesh mbi gjithë atë periudhë kohore dhe protagonistë të kësaj kohe që shënojnë historikun e familjes së Rexhep Pashës. Trajtimi i këtij historiku vjen nëpërmjet shpalimeve të historikut të Tetovës, thesarit të Rexhep Pashës, etnogjenezës dhe trungut familjar të tij.
Gjithashtu autoret fokusohen në gërmimet arkeologjike të pronave dhe objekteve të këtij thesari. Në këtë studim shpalohen objektet profane dhe ata sakrale të ilustruara me fotografi, ndërsa në fund të librit përfshihet edhe katalogu i fotografive të koleksionit të familjes Palloshi. Fare në fund autoret paraqesin edhe hartën gjenealogjike të familjes.
Mbi këtë bazament ngrihet dhe ndërtohet vepra studimore e dy autoreve. Libri strukturohet si një hulumtim me shumë të dhëna në brendinë e reformave të sundimit të pashave, si dhe në strukturën e ndërtimeve arkitektonike gjatë sundimit të Rexhep Pashës, duke dhënë një punim studimor serioz që nxit kureshtjen e lexuesit dhe studiuesve. Libri paraqet një vështrim gjithëpërfshirës me një bibliografi të gjerë dhe mbështetet në një kompozicion dhe strukturë të ndërtuar mbi bazë të parimeve dhe metodave shkencore.
Në fakt vepra, paraqet endje nëpër labirintet e të kaluarës së afërt dhe të pasurisë shpirtrore e kulturore, që sot ka mbetur në kujtesën historike të popullatës së këtij rajoni.
Përmbajtjet e studimit dhe ilustrimet janë eksplicite dhe domethënëse. Autoret në këtë studim bëjnë një prerje të së kaluarës dhe të sotmes, pasqyrojnë vlerat e trashëgimisë në zgjedhjen e materialeve, ngjyrave, formave, disejnimeve etj. Trashëgimia shpirtërore dhe kulturore e kësaj familje performohet në elemente që tradicionalisht i kanë përdorë.
Libri i autoreve Luljeta Abazi dhe Zamira Abazi, me përmbajtjen dhe ilustrimet paraqet një koleksion të rrallë. Ai do t’u shërbejë lexuesve si një lloj guide për të njohur bukuritë, madhështinë dhe vlerat e kësaj trashëgimie të pasur që vjen e shumëllojtë nëpër trazimet e kohës.
Kjo trashëgimi që trajtohet në këtë studim (historiku i Tetovës, figura e Rexhep Pashës, Kalaja e Tetovës, kompleksi i Teqes Harabati Baba, Xhamia e larme, Shtëpia e bejlerëve si dhe katalogu i ilustrimeve dhe harta gjenealogjike i koleksionit të familjes Palloshi) shpalon një kulturë të fortë dhe aktive, e cila funksiononte dikur, por jo edhe sot ne shekullin 21.
Autoret në mënyrë profesionale, shkencore dhe metodologjike kanë arritur që lexuesit përmes këtij botimi monografik t’i prezantojnë vlerat nga e kaluara e afërt dhe problemet me të cilat përballeshin. Autoret thjesht përmes këtij botimi, kanë bërë dokumentimin e trashëgimisë shpirtrore dhe kulturore të një periudhe kohore, kur edhe ngritet në vlerë të padiskutueshme prania dhe kultivimi qytetërues i ekzistencës së kësaj familjeje. Gjithsesi, autoret kanë arritur që me një stil të thjeshtë të bëjnë të kuptueshme e të njohur gjithë këtë vlerë të trashëgimisë tërësisht të lënë në harresën e kohës. Libri sjellë para lexuesit me sukses një histori familjare që në fakt degëzohet si histori qyteti dhe si substancë kulturore që i jep kuptim një kohe dhe kohëve që vijnë.
Tetovë, 03.12.2018
Dr. Hamdi Mediu-Dushi