NOBELISTËT QË ANUAN NGA SERBIA E ZJARRVËNËSIT TË BALLKANIT

NOBELISTËT QË ANUAN NGA SERBIA E ZJARRVËNËSIT TË BALLKANIT

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 28. 10. 2022

Në vitin 1999, rreth një milion shqiptarë në Kosovë, u detyruan të largohen prej vatrave stërgjyshore. Për ta parandaluar një katastrofë humanitare përmasash biblike, spastrimin etnik dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës, më 24 mars të vitit 1999, aleanca veri-atlantike NATO ndërhyri ushtarakisht kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbo-çetnike* të piromanit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit.

Gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë (06.04.1992 – 14.12.1995), Serbia ka kryer gjenocid ndaj popullsisë myslimane (boshnjake).

Më 11 – 19 korrik 1995, serbët vranë në Srebrenicë mbi 8.000 myslimanë (boshnjakë) civilë. Kjo është ngjarja më e tmerrshme në historinë bashkëkohore të Evropës.

Masakra u krye:

– nga Ushtria e Republikës Serbe, nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq, tanimë të dënuar nga Gjykata e Hagës me dënim të përjetshëm; si dhe

– nga formacioni paramilitar “Shkorpioni” (Skorpionët – Akrepat), bashkë me disa qindra vullnetarë grekë dhe rusë.

Në vitet 1998 – 1999, Serbia e kasapit të Ballkanit – Millosheviqit, kreu krime dhe gjenocid edhe në Kosovë.

*   *   *

Përkundër krimeve makabre serbo-fashiste në Kosovë, katër laureatë të çmimit “Nobel” për letërsi u prononcuan kundër ndërhyrjes ushtarake të NATO-s ndaj makinerisë vrastare serbe.

Këta nobelistë janë:

– laureati i vitit 1970, prozatori rus Aleksandar Solzhenjicin (1918-2008);

– laureati i vitit 1997, dramaturgu italian Dario Fo (1926-2016);

– laureati i vitit 1998, romancieri portugez Zhuze Saramagu (José Saramago, 1922-2010);

– laureati i vitit 2005, dramaturgu anglez, nga babai çifut, Harold Pinter, pseudonimi David Baron (1930-2008); dhe

– laureati i vitit 2019, prozatori, dramaturgu dhe poeti austriak me prejardhje edhe sllovene, Peter Handke (1942- ).

Tre të parët, Aleksandar Solzhenjicini, Dario Fo dhe Zhuze Saramagu (José Saramago) ishin laureuar para ndërhyrjes së NATO-s, ndërsa dramaturgu anglez, nga babi çifut, Harold Pinter si dhe prozatori, dramaturgu dhe poeti austriak me prejardhje edhe sllovene, Peter Handke, ulaureuan gjashtë vjet, përkatësisht njëzet vjet pas ndërhyrjes së NATO-s.

*   *   *

Laureati i vitit 1999, dramaturgu dhe poeti gjerman Gynter Gras (Günter Grass, 1927-2015), e ka mbështetur ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.

Por, sipas burimeve serbe të datës 14.10.2019, në një intervistë dhënë javores “Vreme” të Beogradit, ky paska deklaruar se qenkësh penduar: “…sot do të isha përpjekur kundër bombardimeve…”

*   *   *

Është për t’u habitur se si nobelistët e sipërthënë të letërsisë – Dario Fo, Zhuze Saramagu (José Saramago) dhe Harold Pinter nuk u prononcuan kurrë lidhur me krimet e kryera serbe në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Me fjalë të tjera, nuk e dënuan me asnjë fjalë gjenocidin serb ndaj myslimanëve (boshnjakëve) dhe ndaj shqiptarëve. Laureatët e lartpërmendur nuk e çelën gojën dhe nuk shkruan as edhe një rresht të vetëm lidhur me ekzekutimin barbar të mbi 8.000 civilëve në Srebrenicë.    

*    *    *

Prononcimi i disidentit rus Aleksandar Solzhenjicin lidhur me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër makinerisë vrastare serbe është dhënë kur ai i kishte mbushur 90 vjeç, ndaj vetëm një Zot e di në është deklarata e tij autentike, apo është pjellë e propagandës gebelsiane serbe. Dy-tre muaj pas “prononcimit” të tij, ai vdiq.

Sa i përket shkrimtarit austriak, i cili ka edhe prejardhje sllovene, Peter Handke, nuk duhet të habitet kush. Ky, jo vetëm që ka dalë kundër ndërhyrjes së NATO-s, por edhe e ka mbrojtur dhe vazhdon ta mbrojë politikën fashiste serbe të kohës së Millosheviqit dhe të Vojisllav Sheshelit si dhe të pasardhësve të tyre – Aleksandar Vuçiqit me shokë.

Politikën serbe të krimit dhe të gjenocidit në Kosovë nuk e kanë dënuar, përkatësisht e kanë mbrojtur vetëm forcat më të errëta të rruzullit tokësor, si kryetari i Rusisë Vladimir Putin,ministrirusi Punëve të Jashtme Sergej Lavrov, kryetari i Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko, kryetari i Koresë së Veriut Kim Jong-un. Në mesin e tyre bën pjesë edhe shkrimtari nobelist Peter Handke.  Vlerësimi i tij me këtë çmim prestigjioz, s’i bën dot nder komitetit të “Nobelit” të Akademisë Mbretërore të Suedisë.

*   *   *

Shënim: Me shprehjen çetnik-ë nënkuptohen pjesëtarët e lëvizjes nacionaliste dhe shoviniste të ideologjisë serbomadhe. Gjatë historisë, fjala “çetnik” e ka ndryshuar domethënien. Është përdorur në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX – në Serbi dhe në Maqedoni, por edhe në Dalmaci dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Fjala “çetnik” sot ka kuptimin: “Anëtar i organizatës ushtarake serbe me synim nacionalist dhe shovinist, skajshëm serbomadh”.       

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura