DR.AVZI MUSTAFA: KUFIRI NDËRMJET KULTURAVE TË NDRYSHME, VËSHTRUAR PËRMES ROMANIT ‘BALLKANBABILONASIT’ TË LUAN STAROVËS

Shkup, 26 janar 2019: Kur nisa që të bëje fjalë për kulturën e sidomos multikulturën, kisha një ndjenjë hezitimi se a duhet t`i rrekem kësaj teme apo ta lejë fare. Аsociacioni i parë që më zgjoi tema në fjalë ishte mendimi i linguistit Villiams, i cili thotë se të “flasësh për kulturën është një punë me përgjegjësi”.
Unë nuk dua që sot para jush të jap përkufizime se ç`nënkuptojmë me nocionet: kulturë, multikulturë, interkulturë, akulturim ose të ndalem në teoritë e ndryshme të sociologëve ose sociolinguistëve të njohur, por do të doja të them diçka për jetën e njerëzve që jetojnë në kufij të kulturave të ndryshme.
Duke mëtuar që të përcaktohem për një shkrimtar të njohur që do të kishte mundur ta tipizojë idenë e kum¬tesës sime, u përcaktova për shkrimtarin tonë të njohur në përmasa botërore, Luan Starovën. Me këtë rast, pa dashur ta luaj rolin e promovuesit, do t’i referohem romanit të tij me titull “Ballkan¬babilonasit” (Romani” Ballkanobabilonasit” u botua më vitin 2014 nga ASHM dhe u shpall si roman i vitit), një nga romanet e fundit të Starovës që, me të drejtë, është vlerësuar si roman – bibliotekë, roman – oqean, roman – enciklopedi. Bëhet fjalë për një roman shumë¬shtresor që ndalet në temën e Ballkanit dhe raportit Ballkan –Evropë, për roman që trajton një çështje filologjike, siç është tema e purizmit gjuhësor, gjithmonë duke pas parasysh tabanin e labirintit të mentali¬tetit ballkanik.
Sigurisht, nuk e ndjej të nevojshme, në këtë rast, të citoj apo parafrazoj vlerësimet e mendimtarëve, kritikëve e shkrimta¬rëve me përmasa botërore për veprën e Luanit, por kësaj shumësie të vlerësimeve, do t`ia kisha shtuar mendimin tim modest se Luan Staro¬va i ka flatrat më të mëdha se ç`e ka folenë. Ai, si gjithë krijuesit e mëdhenj, nuk i takon vetëm atdheut të tij, qoftë ai atdheu i tij i parë ose i dytë, por i takon letërsisë së përbotshme.

Në studimet e ndryshme, jorastësisht theksohet se kufijtë kultu¬ro¬rë janë më të qëndrueshëm seç pretendon nacionalizmi, etnia e raca, sepse ato janë kufij të krijuar nga kolektiviteti i shpërndarë në sisteme shoqërore, të cilat ndikohen në atë që ne e quajmë kulturë.
Kur bëhet fjalë për kulturën, gjithsesi duhet të ndalemi tek disa premisa, që janë të lidhura drejtpërsëdrejti me përkufizimin e disa koncepteve që dalin nga romani, siç është identiteti kulturor, akultu¬rimi dhe habitusi.
Siç dihet, identiteti kulturor është një derivat i identiteti shoqëror dhe përkufizohet si gërshetim i kontaktit personal dhe kulturor brenda aksionit shoqëror. Njeriu, si individ, duke jetuar në mesin e kulturave të ndryshme, nuk mund t’i ikë akulturimit, i cili vepron në dy mënyra: së pari, janë ndryshimet kulturore dhe, së dyti, janë ato psikologjike, në rastet kur dy ose më shumë grupe të ndryshme kulturore ndërvep¬rojnë me njëri-tjetrin. Akulturimi po ashtu është një proces, i cili zgjat dhe zhvillohet për aq kohë, sa dy grupe kulturalisht të ndryshme janë në ndërveprim shoqëror me njëri-tjetrin. Kjo ilustrohet me fragmentin në vijim: “E ëma, Hasbija, shpresonte se familja do të shpërngulet në Turqi, ku ajo kish familjen e saj. Kushë¬riri i saj i parë Ali Feti Okjar ishte ambasador i Turqisë në Angli. Më 1937, ajo shkoi për punë pasurie në Stamboll dhe pasi u kthye e lodhur, u bind se djemtë e saj nuk do të shkojnë në Stamboll. Ajo gjatë kësaj vizite e kishte pasur të vështirë komunikimin me motrat, meqë ajo fliste në gjuhën osmanishte, kurse ato në gjuhën e re turke, të pastruar me reformat radikale të Ataturkut. Ajo përdorte madje, pa vetëdije, edhe fjalë shqipe.”
Sociologët e përdorin termin “HABITUS” për të nënkuptuar urën midis hapësirës shoqërore dhe kapitalit kulturor. Habitusi për¬bren¬dë¬sohet tek individët, jo thjesht vetëm në aspektin e veshjes, të fo¬lurit, të ushqyerit, por edhe në kulturën dhe sjelljen. Këtë do ta ilus¬troj me personazhin kryesor të romanit, Babain. Ai një pjesë të shko¬llimit e ka kryer në gjuhën turke. Lidhjet e tij me kulturën dhe traditën turke, që lidhen me qëndrimin dhe studimet e mbaruara në Starmboll, me librat e shumtë që kishte sjellë nga kryeqendra otomane, nga mi¬që¬sitë që kish krijuar atje, nuk e shkulën atë një rrënjët e identitetit të tij shqiptar dhe nga gjuha e vendit, nga i cili vinte. Këtë e shohim shu¬më qartë në këtë fragment: “Ai kishte pasur fatin që në shtëpinë e dajës së tij, Ali Feti Okjar, të takohet me Ataturkun, babanë e Turqisë së re, i cili i pat thënë se Turqisë i duhen më shumë se kurrë jurist të rinj. Por, Babai duke u gjendur para rubikonit të identitetit të tij shqiptar…’ nuk e pranoi ofertën joshëse”.
Kultura përfshin besimin tonë, mënyrën tonë si e perceptojmë rrethin ku gjendemi dhe jetojmë. Në këtë frymë është edhe thënia jonë shqipe “Sipas vendit bëhet edhe kuvendi” ose ajo latine “Në Romë – romak”.
Në anën tjetër, në këtë kontekst, një term tjetër i rëndësishëm është edhe difuzioni kulturor, që nënkupton përhapjen e kulturës nga një grup ose individ në një grup (individ) tjetër. Ky difuzion varet nga vazhdimësia dhe intensiteti i kontaktit kulturor.
Jeta në kulturat e ndryshme
Çdo nënkupton të jetosh ndërmjet dy e më shumë kulturave? Është fare lehtë kur jeton brenda kufijve kulturorë të grupit ku bën pjesë. Kjo do të thotë të trashëgosh ose ta zhvillosh kulturën, gjuhën, fenë e trashëguar. . , por të jetosh midis kufijve ndërkulturorë, paraqet një situara kur vetvetiu përballesh me fenomenin e akultu¬raci¬onit. Jete¬sa mes dy kulturave paraqet mundësi për gërshetim të elemen¬teve kulturore nga dy sistemet kulturore, se këtejmi ata që jetojnë ne mjedise të tilla nuk humbin asgjë, por e rrisin kapitalin e tyre kulturor.
Ja si e përshkruan shkrimtari ynë këtë në romanin “Ballkan¬ba¬bi¬lo¬nasit”: “Babai, i cili i kishte studiuar në Turqi shkencat juridike, e kishte mësuar edhe osmanishten edhe turqishten e re të reformuar, por edhe shkencat islame…
Jeta e Babait në Maqedoni
Për shkak të denoncimit nga të vetët dhe mospajtimit me rretha¬nat në Shqipërinë e kohës, Babai kishte qenë i detyruar që të emigrojë në Maqedoni. Ai brenda natës u gjend në një mjedis tjetër kulturor që, gjithsesi, i paraqiste vështirësi. Ja si përshkruhet kjo situ¬atë: “E kishte të vështirë më vonë ta mësojë maqedonishten, si gjuhë sllave, dhe kjo i pengoi në karrierë. Punoi një kohë të shkurtër si gjykatës komunal në lëndë të delikteve të pylltarisë”.
Të jetosh midis kulturave, sipas sociologut amerikan J. Vasi¬lev¬ski, nënkupton: “ta zhvillosh këndvështrimin e kufijve kulturorë në aspektin e aplikimit pragmatik, siç janë ritualet dhe strategjitë e mënyrës së të jetuarit dhe ndërvepruarit në një sistem të ri afeksionesh dhe mendimesh”.
Nën ndikimin e modeleve dominuese kulturore, vetvetiu je i kushtëzuar të krijosh kode të caktuara nënkul¬tu¬rore, siç janë: toleranca, respekti i ndërsjellë, zakonet, mënyra e të jetuarit, të cilat i ndihmojnë këto grupe etnokulturore ta realizojnë procesin e përshtatjes dhe integrimit sociokulturor. Ndër to, vend të veçantë zë përshtatja dhe integrimi në kulturën e re. Prandaj, vendosja e komunikimit me ato që nuk i njeh apo nuk të njohin, është e vësh¬tirë. Kjo bën, shpesh, që njeriu të mbyllet në botën imagjinare të lirisë së brendshme. Por njeriu është qenie sociale, ai ka nevojë për komuni¬kim, për hapje ndaj të tjerëve, në radhë të parë ndaj fqinjit , ndaj njeriut me të cilin ndan hapësirën e njëjtë. Kështu edhe heroi i veprës, Babai, filloi të krijojë miq në mjedisin e ri. Ai kishte nevojë edhe për: “ një parti pokeri në çardakun e shtëpisë, me miqtë e tij turq Afëz B dhe Mustafa S”.
“Luanin me pagesë simbolike, 1 denar për grosh. S`kishin partner të katërt të besuar. Atë e ndë¬rronin dhe e konsideronin si “të huaj”. Nuk ishte nga soji i tyre. Meqë ato vite të pasluftës njeriu mund ta pësonte për një fjalë goje, ata ishin të kujdesshëm në zgjedhjen e partnerit të katërt.”
Fatet, toleranca dhe bashkëjetesa
Babai ishte më tolerant, jeta e kishte bërë të tillë. Ai mendonte se bashkëjetesa e njerëzve nënkupton edhe një lloj bashkëjetese të fon¬dit leksikor. Ai i kishte të zhvilluara të gjithë format e tolerancës, duke filluar nga ajo etnike, gjuhësore, fetare. Kështu, pavarësisht se i takonte besimit islam, Babai respektonte respektonte kultet dhe objek¬tet fetare të tjetrit, siç ishte rasti me Shën Naumin, të cilit i luteshin jo vetëm të krishterët, por edhe myslimanët e dervi¬shët.
“Njohja e dobët e gjuhës dhe mosantarësimi në Parti e shpëtuan nga karriera juridike, që me siguri s`do të mbaronte mirë për një emigrant të dyshimtë shqiptar. Punoi si përkthyes nga osmanishtja në maqedonisht në Institutin e Historisë Nacionale të Republikës së Maqedonisë. Aty gjendeshin sixhilet, librat e vjetër nga osmanishtja. Madje, zbulimi i sixhileve manas¬tira¬se (nga shek, XVI-XIX) e shënoi edhe fundin e odiseadës ballkanike të Babait dhe të familjes”.
Në lojën e ardhshme, lojtari i katër, ishte njeriu i librave, Kli¬ment Kamilski, që do të bëhet miku më i mirë i Babait. Ai kishte qenë profesor universitar, por e kishin shpallur informbyroist. Kishte der¬gjur burgun famëkeq të Goli Otokut. Jeton¬te për librat dhe me librat. Të gjithë u habitën nga lojtari i ri. Në të vërtetë, ai kishte ardhur për t`i parë librat e Babait dhe për t`i sjellë në dorëshkrim tre libra të osma¬¬nishtes. Babai kishte dëgjuar për emrin e tij. Ai, si një ndër të rrallët nga Maqedonia, kishte marrë pjesë në luftën e Spanjës, kishte dok¬to¬ruar në Paris dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, pritej të ketë karrierë të bujshme në Maqedoni. Mund të kishte mbetur në Paris, por i prirë nga sindromi i kthimit, si ai i Babait, që qe kthyer nga Stambo¬lli, edhe ai ishte kthyer. Pra, të dy kishin pasur fat të ngjashëm. Për të dy, pas shanseve të lëshuara të karrierës së tyre, libri ishte i vetmi ngushëllim. Duke pasur parasysh famën dhe shkollimin që kishte, Kamilskit i ishte besuar puna në Institutin e Folklorit, sa mos të mbe¬tej në rrugë (pas kthimit nga Goli Otoku).
Ai pranoi të luajë, edhe pse nuk e dinte mirë lojën – kështu u shpreh në fillim – por lojtarët vërejtën se ai shpejt e mësoi atë. Ai u tregoi se në Paris kishte luajtur me shumë pasion dhe se i kishte premtuar vetes se do ta ruante pasionin tjetër – atë për librat dhe fjalën e kishte mbajtur deri në këtë lojë.
Babai dhe Kamilski, edhe pse u takonin besimeve të ndryshme, kuptoheshin mirë mes vete. Pas kthimit nga burgu, Kamilskit nuk i lejuan të kthehet në katedrën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik, të cilën vet ai e kishte themeluar, por e emëruan drejtor të Institutit të Folklorit, pastaj e larguan edhe nga ky funksion, por jo edhe nga lib¬rat. Të dy miqtë ballkanikë ishin moshatarë, kishin lindur në 1898, dhe, çuditërisht, vdiqën në të njëjtin vit, më 1976.
Labirintet ballkanike
Babai synonte ta kuptojë labirintin e bibliotekës, të librave e – me këtë – edhe të Ballkanit. Ai e kërkonte identitetin e tij, që lidhej me një vend hermetikisht të mbyllur dhe me një popull, të vetmin në Ballkan, që e ruante këngën polifonike me katër zëra.
Të dy, pra ai dhe Kamilski, deshën ta shpëtojnë Ballkanin nga mendjet e ngushta dhe të kufizuara, që e rrezikonin ardh¬më¬rinë e fëmi¬jëve të tyre. Babai mendonte se labirinti më i madh, labirinti i labi¬rin¬teve, veçmas në Ballkan, ishte historia. Ballkani ishte i mallku¬ar, sepse këtu historia vazhdonte në labirint. Ndërkaq Kamilski shpje¬gon¬te se, derisa kishte qëndruar në Francë, Spanjë e Belgjikë, kishte dëgjuar për paragjy¬kimet për Ballkanin, veçmas në fushën e gju¬hës, se këtu ka shumë gjuhë, dialekte dhe se bëhet fjalë për zonë, ku mall¬kimi i Babilonit është i shprehur më shumë se gjithkund.
Kjo ide do ta largojë Ballkanin nga rrethet linguistike evropiane, që e konceptonin atë si të komplikuar dhe të pakuptuar.
Kultura e gjuhës
Gjuha është një nga elementët më të rëndësishëm të identitetit etnik. Nëpërmjet saj, anëtarët e grupit etnik i kuptojnë vlerat, besimet, ideologjitë dhe aspektet e tjera të paprekshme të kulturës. Thuhet se gjuha, si mjet komunikimi për individët e grupeve shoqërore, nuk kon¬si¬derohet si e ndarë nga kultura.
Nisur nga kjo, ata dy ndërmorën nismën e përbashkët për “Lar¬gi¬min e fjalëve turke” me konotacion negativ nga gjuhët e tyre amta¬re. Pesë turcizmat e para të rrezikshme, sipas Kamilskit, ishin: jeniçer, kurban, bashibozuk, zandane dhe kodosh. Ndërkaq, sipas Babait, fjala më e rrezikshme, jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë, ishte fjala jeniçer.
Fjala e dytë, që u diskutua, qe fjala kurban, që përdoret në shu¬më gjuhë e kultura, por që është veçmas karakteristike për Ballka¬nin. Sipas Kamilskit, “Ballkanasit janë të vetëdij¬shëm se i konsi¬derojnë si ‘të tjerë’, edhe pse me shekuj e kanë në fatin e njëjtë në të njëjtin konti¬nent evropian, si hapësirë të popujve që nuk arrijnë të mbijetojnë as si Orient i vërtetë, e as si pjesë e barabartë e Perën¬dimit. Ata gjithmonë mbesin botë-kurban-kufi, pra përgjith¬mo¬në të ndarë”.
Në listën e Babait, që përfshinte pesë fjalë jo të rrezikshme ishin fjalët: ajde, javash, kadi, tabiat dhe milet. Fjalët ajde” dhe javash e shpjegoi me filozofinë e zopoasterimit, që botën e kupton si pasojë të konfliktit të përhershëm mes së mirës dhe së keqes (Jing dhe Jang).
Ndërkaq fjalët e radhës te Kamilskit ishin: inat, sevap, atër, rysh¬fet dhe kallaus, kurse të Babait ishin: kurbet, syrgjyn, gajret, tapi, qerpiç dhe çaush..
Babai u ndal veçmas në fjalët kurbet dhe syrgjyn, si forma të ekzilit dhe të qenit në një mes të huaj.
Kalaja si kufi
Derisa kalaja për Kamilskin ishte simbol i ndarjes mes njerëzve, për Babain “… kalaja ishte kufi në ekzilin e tij me familjen”.
Të dy, në fund, u bindën se nëse e fitojnë betejën e tyre me hua¬zimet osmano-turke, “do t`i varfëroj¬në gjuhët e tyre dhe të ardhmen e tyre, si edhe të ardhmen e trashëgimtarëve të vet.”
Romani “Ballkanbabilonasit” i L. Starovës, që në qendër të vëmen¬¬djes e ka çështjen e orientalizmave, gjegjësisht turqizmave në shqip e në maqedonisht, e mbron tezën se gjuhë të pastruar nga fjalët e huaja nuk ka dhe se purizmi i tepruar në gjuhë është i dëmshëm, tezë kjo që e ka mbrojtur edhe Faik Konica.
Në fund do të më lejoni të përfundoj duke iu referuar mendimit të linguistit me origjinë shqiptare, gjegjësisht arbëreshe, Bruni, se gjuhët ruajnë histori dhe qytetërime. Sigurisht, prania e fjalëve turke në gjuhët ballkanike, si në shqip e maqedonisht, është rezultat i të kaluarës otomane të popujve që flasin këto gjuhë, e kaluar kjo që nuk mund dhe nuk duhet të injorohet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura