Toronto (Kanada), 07 mars 2019. Të protestohet për mbrojtjen e godinës së Fakultetit Gjeologji-Miniera. Të protestohet kundër nxjerrjes së gjithë Shqipërisë në ankand tek kompanitë e huaja. Të shtetëzohet nafta, gazi dhe minierat. Kërkimet e naftës dhe të mineraleve t’i bëjnë vet gjeologët shqiptarë. Të protestohet kundër grabitjes së naftës dhe minierave me anë të koncesioneve me korrupsion. Të kërkohet Vetting për naftën dhe minierat.
***
Fakulteti Gjeologji-Miniera, gjatë 60 vjetve të ekzistencës së tij, ka nxjerrë shumë specialistë, që drejtuan me sukses punimet në fushën e naftës dhe të minierave. Pas vitit 1990 u mbyllën padrejtësisht studimet dhe kërkimet gjeologjike nga gjeologët shqiptarë në Shqipëri (kërkimet e naftës, gazit, mineraleve etj.). Gjeologve shqiptarë iu hoq mundësia e bërjes së kërkimeve gjeologjike. Vendburimet e naftës, dhe minierat, u dhanë me koncesione korruptive.
Qeveria “Rama-Meta”, në vitin 2014 vendosi: E gjithë Shqipëria (toka dhe deti) të nxirret në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Ky vendim antishqiptar ua heq naftën dhe gazin shqiptarve dhe ua jep të huajve. Ky vendim është në fuqi edhe në qeverinë e tanishme të Edi Ramës. Sipas këtij vendimi, Fakulteti Gjeologji-Miniera nuk është më i nevojshëm, sepse me naftën dhe minierat do të merren të huajt (grabitësit). Prandaj, në mbledhjen e 5 nëndorit 2014, qeveria “Rama-Meta” mori vendimin për godinën e fakultetit.
Sipas vendimit të qeverisë, godina e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, me të gjitha hapësirat e saj, kalon nga administrimi i Ministrisë së Arsimit dhe i Universitetit Politeknik në atë të Ministrisë së Drejtësisë. “Objekti do të përdoret në funksion të qëllimit dhe veprimtarisë së Gjykatës së Lartë”, thotë vendimi i Këshillit të Ministrave. Pra, Fakulteti Gjeologji-Miniera në Tiranë rrezikon të zhduket! Por studentët dhe pedagogët e kundërshtuan vendimin e qeverisë. Në vitin 2014 ata zhvilluan një protestë para godinës së qeverisë. Kërkesa e tyre e vetme ishte që të mos u merrej godina.
Kryeministri Rama i mashtroi studentët. Ai u tha: “Shkoni sqarohuni në Fakultet”. Në fakt, pas vitit 2014, godina po merret gradualisht nga Gjykata e Lartë. Atje po zhvillojnë mësimet studentët e Magjistraturës, që i përkasin Fakultetit të Drejtësisë.
Në dhjetor 2018 filluan protestat e studentve të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe të Universiteteve publike të rretheve. Ata bojkotuan leksionet. Kërkesat e tyre ishin vetëm ekonomike: Ulja e pagesës për studentët dhe shfuqizimi i ligjit për arsimin e lartë etj. Qeveria kërkoi dialog, por studentët nuk pranuan. Pastaj qeveria ushtroi presion ndaj studentve, me anë të policisë, por ata i vazhduan protestat dhe bojkotin edhe në janar 2019. Gjatë kësaj kohe studentët dhe pedagogët e Fakultetit Gjeologji-Miniera qëndruan indiferent. Ata nuk morën pjesë në protesta, megjithse fakulteti i tyre ishte goditur për vdekje nga qeveria “Rama”. Përkundrazi, më 17 dhjetor 2018 kryeministri Rama deklaroi se nisi dialogun me Fakultetin Gjeologji-Miniera. Dekani i Fakultetit Gjeologji-Minierta ishte i pari, që nisi dialogun mes qeverisë dhe studentve për çështjen e kërkesave. Dekani Hoxha tha, se ky fakultet ka si emergjencë çështjen e godinës. “Fakulteti ka një kërkesë: Kemi 4 vite që debatojmë për këtë kërkesë. Kemi problemin e godinës. Shprehja juaj e fundit ishte: Mos u merrni me çështje, që nuk janë çështje”. “Studentve u kam thënë që ditën e parë të protestës, iu thash që kryeministri na dha përgjigjen po, megjithse….”.
Pra, studentët dhe pedagogët e Fakultetit Gjeologji-Miniera jo vetëm nuk ishin iniciatorë të protestave të fundit, por dolën edhe si grevëthyesë. Dihet, qeveria ka njerzit e saj në krye të rektorateve dhe dekanateve.
Më në fund, kur protestat e studentve në fakultetet e tjera ishin duke u shuar, Fakulteti Gjeologji-Miniera u gjallërua. Më 22 janar 2019, fakulteti lajmëroi bojkot pa afat për godinën dhe studentët.
1- Bojkot pa afat të mësimit, nëse nuk shfuqizohet brenda 15 ditësh, vendimi i qeverisë, që e lë fakultetin pa godinë.
2- Asambleja mbështet protestën e studentve, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë. “Solidarizohet me APA të fakulteteve të tjera dhe mbështet idenë e një mbledhjeje të përgjithshme mes përfaqësuesve të fakulteteve”.
Përse ndodhën prapësitë, në rastin e protestave të studentve? Sepse ne i kapim gjërat nga bishti, dhe jo nga koka.
Studentët dhe pedagogët në përgjithësi kanë kërkesa ekonomike, dhe asnjë kërkesë politike. Ata nuk janë kundër varfërisë së popullit. Nuk janë kundër papunësisë, grabitjes, krimit, korrupsionit, keq qeverisjes….
Studentët dhe pedagogët e Fakultetit Gjeologji-Miniera kanë vetëm një kërkesë: Të mos u merret godina. Ata nuk kundërshtojnë shkakun, që u mori godinën. Ky shkak është vendimi armiqsor i qeverisë, për nxjerrjen e gjithë Shqipërisë në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Ka shumë arsye për të protestuar studentët dhe pedagogët e Fakultetit Gjeologji-Miniera:
Disa nga këto janë:
1- Të protestohet kundër nxjerrjes së gjithë Shqipërisë në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi.
2- Të protestohet kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e studimeve dhe kërkimeve gjeologjike nga gjeologët shqiptarë, për naftë dhe minerale…
3- Të kërkohet shtetëzimi i naftës dhe i gazit, kromit, bakër-arit…
4- Të protestohet kundër dhënies me koncesione korruptive të vendburimeve të naftës dhe minierave.
5- Të protestohet kundër grabitjes së naftës dhe minierave.
6- Të protestohet kundër ndotjes së mjedisit nga kompanitë e huaja, në vendburimin e naftës në Marinzës, Zharrëz, Delvinë.
7- Të kërkohet Vetting për koncesionet e naftës dhe të minierave.
8- Të kërkohet se ku shkoi i gjithë ari i vendburimit të Munellës?
9- Të protestohet kundër privatizimit të kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol etj.
Pedagogët e Fakultetit Gjeologji-Miniera janë ish punonjës dhe drejtuesë të Institutit të Kërkimeve të Naftës në Fier. Ata i din shumë mirë problemet e naftës dhe të minierave.
Pse nuk protestojnë për problemet e mësipërme?
Kanë frikë se i heqin nga puna?
Njësoj, Fakulteti dhe vendet e punës dalëngadalë po mbyllen. Ky është veprim armiqësor nga ana e qeverisë.
Është koha për të mbrojtur Shqipërinë, gjeologjinë shqiptare, arsimin, shkencën…. Nesër do të jetë vonë!