Prishtinë, 14 prill 2019: Ish-kryetari i Serbisë në periudhën 1997-2002, Millan Millutinoviq, ishte i akuzuar për krime të luftës në Kosovë, në grupin e përbashkët me ish-kryetarin e Federatës Serbi-Mali Zi, Sllobodan Millosheviq, Nikolla Shainoviq, Dragolub Ojdaniq e Vllajko Stoilkoviq, grup, të cilin Tribunali i Hagës i pati cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Derisa të tjerët nga ai grup janë arrestuar dhe i janë ekstraduar Tribunalit me dhunë (përveç Stoilkoviqit, ministër i punëve të brendshme, i cili bëri vetëvrasje në shkallët para derës së Kuvendit të Serbisë), Millutinoviqi është paraqitur vet, “vullnetarisht” (janar, 2003) dhe pas dy vjet qëndrimi në paraburgim, në prill të vitit 2005 është liruar përkohësisht, ndërsa me rastin e gjykimit të grupit (shkurt 2009) ky ishte liruar i pafajshëm, sipas të gjitha pikave të aktakuzës, sepse trupi gjykues kishte vlerësuar se nuk ka pasur ndonjë rol faktik as në kryerjen as në parandalimin e krimeve për të cilat akuzohej, ngase nuk ka pasur kompetenca as kontrollë mbi forcat të cilat kanë kryer krime. Lirimi i Millutinoviqit nga përgjegjësia, ka lënë vend për dyshime të bashkëpunimit të tij me Tribunalin?
Millutinoviqi ishte një njeri që, siç thuhet, “nuk përzihej në punët e veta”, dmth. tjetërkush i ka diktuar se çfarë duhet të bënte, në rastin e tij ishte S.Millosheviqi. Ishte aq indolentë e “bogolinë”, i padukshëm në detyrën e tij, sa që karikaturisti i njohur serb me psuedonimin “Koraks”, në karikaturat e tij e paraqitte Millutinoviqin herë si peshk akuariumi e herë si “Fikus”, në zyrën e kryetarit!
Pas lirimit nga Tribunali i Hagës, ai është “pensionuar” edhe politikisht edhe në çdo aspekt dhe nuk është përzier më as në punët e të tjerëve. Për mediat serbe këto ditë, me rrëfimet e tij ka dhënë informacione nga të cilat është “shokuar” opinionin në Serbi. Nga informacionet e dhëna del se, pas Konferencës së Rambujes (1999), edhepse nominalisht ishte kryetar i Serbisë deri në dhjetor të vitit 2002, ai faktikisht ishte i izoluar, si në njëfar burgu shtëpiak.
Nebojsha Vujoviq, ish-shef i Misionit të RFJ-së në Vashington, tregon se në kohën e mbajtjës së Konferencës së Dejtonit (1995), në të cilën u nënshkrua Marrëveshja për Bosnje-Hercegovinën, diplomati amerikan Voren Kristofer i kishte ofruar Misionit jugosllav një projekt-marrëveshje edhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sipas së cilës parashihej një autonomi e gjërë për Shqiptarët dhe restaurimi i institucioneve të tyre, nga të cilat i kishe përzënë regjimi serb. Projekt-marrëveshja e ofruar kishte paraparë zvogëlimin e ndikimit të Beogradit mbi Kosovën, por megjithatë parashihej që Kosova të mbetej në kuadër të Serbisë. Asokohe Millutinoviqi ishte ministër i punëve të jashtme i Federatës Serbi-Mali Zi. Shefi i Misionit, Vujoviq, siç ishte rendi, atë projekt-marrëveshje të Kristoferit së pari ia kishte ofruar ministrit Millutinoviq. Sipas Vujoviqit, ministri vetëm e shikoi projektin dhe i tha: “A po do ti që Millosheviqi të më vrasë? Shko e dorëzoja vet dhe t’uroj fat”! Vujoviqi thotë se kur ia dorëzova Millosheviqit, ai e lexoi dhe hidhërueshëm u ngrit në këmbë, i shtypi letrat dhe m’i hodhi për kokë, duke bërtitur: “A po luajnë ata me mua, apo çka mendojnë se jam unë, kjo është çështje e brendshme e Serbisë, dhe nuk vjen në konsiderim një marrëveshje e tillë. Shko thuaju ti atyre miqëve tu në Vashington, se nuk vjen në kosnderim loja e tillë e mua…”.
Millutinoviqi në krye të Delegacionit serb në Rambuje
Me qëllim që çështjen e Kosovës ta trajtojë si çështje të brendshme të Serbisë, Millosheviqi që asokohe ishte kryetar i Federatës Serbi-Mali Zi, nuk ka dashur që të shkojë vet as të formojë Delegacion të nivelit të asaj Federate për Konferencën e Rambujesë, por delegacionin prej 11 anëtarësh e kishte formuar në emër të Serbisë, ndërsa kryetar i delegacionit – Millan Millutinoviq, kryetar i Republikës së Serbisë. Natyrisht, të “gjithë penjtë” e delegacionit i tërhiqte vet Millosheviqi, nga Beogradi. Verzioni i Marrëveshjes së Rambujesë, që iu ofrua palëve për nënshkrim, për të cilën ishin pajtuar Kristofer Hill (ShBA), Boris Majorski (Rusi) dhe Folfgang Petriq (në emër të BE-së), kishte paraparë një autonomi të gjërë për Kosovën në suaza të Serbisë, pa të drejtë të Shqiptarëve për referendum; qëndrimin e 2000 ushtarëve të RFJ-së për ruajtjën e kufirit dhe 3000 policë; mundësinë që të aplikohen dy sisteme juridike paralele, një për Serbët e tjetri për Shqiptarët. Sipas Marrëveshjës, kërkohej që RFJ të lejojë vendosjen e NATO-s në Kosovë, e cila do të çarmatoste UÇK-në dhe do qëndronte derisa Marrëveshja të funksionojë. Delegacioni serb, në krye të të cilit ishte Millutinoviqi, kukull, sipas instruksioneve të Millosheviqit e refuzoi tekstin e ofruar. Vuk Drashkoviqi, që asokohe ishte ministër i punëve të jashtme të RFJ-së, thotë se urgjent erdha nga Parisi dhe e luta Millosheviqin që t’i jepë leje Millutinoviqit ta nëshkruajë Marrëveshjen, por ai i ra tavolinës me grush dhe bërtiti: “Jo, kurrë çizmja e huaj nuk do të shkelë në Kosovën tonë”.
Millutinoviqi thotë se ka bërë përpjekje të mos vie deri te më e keqja (bombardimi), por të gjitha përjekjet i shkuan huq. Vetëm pesë ditë para fillimit të bombardimeve, Millutinoviqi ishte tërhequr nga pozita e anëtarit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes. Sipas mediave serbe, derisa Serbia zhvillonte luftë me Aleancën e NATO-s, Millutinoviqi “zhvillonte luftë” me Millosheviqin, i cili e mbante në njëfar burgu shtëpiak, nën dyshimin se po bashkëpunon me Tribunalin e Hagës, përmes një kumare të vet, diplomat në Hagë. Aktakuza kundër Millosheviqit dhe grupit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale është ngritur më 24 maj 1999. Millosheviqi u arrestua dhe u ekstradua në Hagë më 28 qershor 2001, ndërsa Millutinoviqi u dorëzua vet, në janar 2003.
Millutinoviqi thotë se gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim në Tribunalin e Hagës, vetëm dy-tri herë është takuar me Millosheviqin në korridor, sepse kanë qenë në kate të ndryshme dhe nuk kishin raste të shihen.
Por, Millutinoviqi doli shëndosh e mirë nga Haga,ndërsa Millosheviqi vdiq aty më 11 mars 2006, pa e pritur përfundimin e gjykimit, që sipas të gjitha gjasave do ta merrte dënimin kapital, me burgim të përjetshëm, sikur e mori Karaxhiqi, sepse nëse Karaxhiqi është shpallur fajtor për krime dhe gjenocid në Bosnje, Millosheviqi do të shpallej fajtor për ato në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë.