Tiranë, 1 Gusht 2019: Gjeneza e një qyteti të motshëm si Durrësi nis që në brymë të shekujve shumë më përpara kronikës së tij. Ajo është e konservuar në themelet e tij, “në katin e nëndheshëm”, në fundtokën muzeore, ku sekretet e enigmat e lashtësisë, ndonëse nuk janë akoma të skeduara si në një arkiv, prapëseprapë, duke dalë herë pas here në sipërfaqe, mbartin mesazhin e shekujve, të shtresëzuar mbi njëri-tjetrin, mes Anonimatit.
Sipas kronikës, përpara themelimit të qytetit nga kolonët dorikë në vitin 627 para erës sonë, ka ekzistuar vendbanimi ilir, ndoshta në forcën e një Emporiumi, – të një stacioni ndërmesdhetar të lundrimeve detare e marëdhënieve me pastokën ilire në brëndësi.
Binomi Tokë-Det përbën mugullin e Gjenezës së Qytetit, përcaktuar nga pozicioni topografik i favorizuar dhe kyç.
Para afro 80 vjetëve, gjatë punimeve për thellimin e portit të ri, draga nxorri një çekan tipi-guri e copëra qeramike parahistorike.
Kjo dëshmi jashëtzakonisht e rëndësishme e një kohe të skajshme, që e shtyn kronologjinë në prehistori, flet për vazhdimësi jete në këto brigje shumë më përpara se të konceptohej e të ngrihej qyteti antik.
Gjithashtu duhet thënë se kjo dëshmi ka dalë nga thelbi i zonës urbane e pozicioni i qytetit përgjithësisht gjatë shekujve.
Çështja e përcaktimit të saktë topografik të qytetit të Durrësit ka qenë objekt diskutimesh e studimesh të shumta.
Ajo përmblidhet në pyetjet: ku, në ç’pikë u ngrit qyteti fillestar, si kanë qenë lëvizjet e tij në hapësirë dhe në kohë?
Arkeologjia ka dhënë materjale të mjaftueshme për t’iu përgjigjur drejt këtyre pyetjeve.
Një studiues hedh tezën se ka mundësi të kenë ekzistuar dy qytete Durrahu dhe Epidamni – si dy qytete ilire të veçanta,- relativisht jo afër njëri-tjetrit.
Durrësi – Epidamni
Duke e mbërthyer këtë tezë, e cakton Epidamnin në Kepin e Lagit, pikërisht në kodrën e vogël ku ka qenë kalaja e Turrës, kurse Durrahun në pozicionin e sotëm të Durrësit.
Argumenti se rrënjën “damn” të emrit Epidamn mund ta gjejmë në emrin e fshatit Domn, në afërsi të Kavajës, mendojmë se nuk qëndron as nga pikëpamja linguistiek e as nga pikëpamja historike.
Mjafton të përmëndim se emrin Domn ose Domën e kanë shumë fshatra të Shqipërisë nga jugu në veri (mendojmë se ky emër ka mbetur te ne që nga sundimi anzhuin e lidhet me frëngjishten” domaine”, dmth, çiflig, pronë), kurse “Epidamn ka pasur vetëm një në Shqipëri; prandaj afërsitë e tilla fonetike të jashtëme nuk besojnë se mund të jenë argumente të sigurta.
Por le t’i referohemi burimeve historike. Kronikhistorianët e vjetër e me autoritet të antikitetit Tukididi, Polibi, Diodori i Siqilisë Tit Livi etj përmendin qytetin me emrin Epidamn, që është dhe emri më i parë në kohë i qytetit.
Straboni, i cili jetoi në vitet 63-20 para erës së re, thotë se:
“… pas qytetit Rizon dhe Lis vjen Epidamni.
Ky qytet sot quhet Dyrrah dhe e mori këtë emër nga gadishulli mbi të cilin është ndërtuar” (dmth nga Gadishulli Durraion, siç e quan Stefan Bizantini i shekullit VI të erës sonë).
Lukiani, Jul Cezari, Cuceroni e quajnë qytetin vetëm me emrin Durrah; Dion Kasi (155-235 era jonë) e quajnë edhe Epidamn edhe Durrah njëkohësisht (po kështu edhe Ptolemeu i Aleksandrisë).
Nga këto burime kryesore të informacionit për qytetin del se Epidamn në fillim duhet të jetë quajtur limani e bërthama e qytetit, kurse Durrah quhej gadishulli.
Emri Epidamn me sa duket është ilir.
Sipas dijetarit I.Rossut pjesa e përparme “epi” që ka karakter indoeuropian, do të thotë “mbi”, kurse “damn” vjen nga një rrënjë e vjetër “dama” – “me ndërtue”’e ka emri i qytetit tjetër ilir, Damastion), pra Epidamn do të thotë “ndërtim i sipërm”.
Me kalimin e kohës emri Durrah nisi të mbizotërojë, ai bashkëjetoi ca kohë me emrin e parë të qytetit, po më vonë u bë emri i vetëm përfaqësues, emri i sotëm.
E vërteta është se Epidamni përmendet si emër i qytetit edhe në shekullin XVI në dokumentet ku bëhet fjalë për një shtypshkronjë të tipave Polidor Korgiumi, por thjesht si një kujtim i vjetër i një emri relikë që s’përdorej më.
Tërë dokumentacioni historik si dhe zbulimet arkeologjike vërtetojnë se Epidamni dhe Durrahu janë dy emëra të të njënjtit qytet•
Për ta bërë më të qartë çështjen duhet parë lëvizja e qytetit në shekuj• Durrësi nuk ka qëndruar në një pikë, ai ka lëvizur nga veriu në jug, ku është ngulitur rreth zemrës së tij: portit.
Shuflai ka folur për lëvizjen e pozicionit të Durrësit; Lisit, Vlorës, Shkodrës e të qyteteve të tjera antike shqiptare në Mesjetë e më vonë.
Kështu shpjegohet se ç’kuptonte Pauzania kur shënonte se qyteti i vjetër qe braktisur nga banorët, të cilët qenë vendosur më në Jug.
Edhe thëniet e Ana Komnenës e Gulielmit të Apuljes për gërmadhat e qytetit më të lashtë dhe qytetin e ri s’duhen interpretuar aspak sikur kemi të bëjmë me dy qytete.
Është i njënjti qytet që ka lëvizur brenda kufijve të vet.
Nga ana e tij, Leon Hezej që në vitin 1876 e trajton drejt çështjen e mësipërme•
Ai shkruan:
“Ky qytet (Durrësi) kishte fatin e rrallë të kish dy emra, nga të cilët njëri tingëllonte keq në veshët e helenëve e tjetri në veshët e latinëve”.
Duke hedhur posht mendimin se gjoja dy emrat paraqesin pozicione të ndryshme”, ai shton:
“edhe sot mund të shikohet gjatë gjithë bregut të Greqisë e Turqisë qytete që paraqiten në shkallët e të njëjëtit dyzim fillestar”.
Hezej e ndan Durrësin antik në pjesën e sipërme (akropolin) në pjesën e poshtme (limanin).
Legjenda durrahase që tregon Apiani është padyshim me interes të madh për mitografinë.
Ajo nën veshjen mitologjike, pasqyron në fakt jo ekzistencën e dy qyteteve të veçanta, por proçesin e lëvizjes së qytetit në dy kohë të ndryshme.
A vërtetohet kjo nga gërmimet arkeologjike?
Po.
Pika e fortifikuar e Portezës në Veri të qytetit të sotëm dëshmon për një skaj të qytetit të vjetër.
Gjetjet e një nekropoli të lashtë në zonën e kënetës përcaktojnë përmasat e urbanistikës së qytetit, i cili përqëndrohet rreth bërthamës së vet: pikës ku janë gjetur mozaiku i “Bukuroshes së Durrësit”, termat, Amfiteatri.
Si një strukturë arketipale e nëndheshme e qytetit përgjithësisht na shërben sistemi i kanaleve të tij, vepër e rëndësishme inxhinierike e higjeno-sanitare.
Këto fakte nuk janë në dobi të tezës së dy qyteteve të veçanta.
Nga ana tjetër, në se në numizmatikë e qytetit përmendet sigla Dyr, edhe emri Epidamn gjendet në shumë dokumente të tjera.
Kështu, pllaka e Sur Epidamnit (që sot ndodhet në Luver) u gjet te Porta e Kalorësit, në fokus të qytetit të sotëm (po të qe Epidamni në Kalanë e Turrës ky dokument do të qe pak i çuditshëm dhe s’kish pse të gjendej në Durrës).
Kalaja e Turrës nuk i ka as gjeografikisht e as historikisht atributet e Epidamnit të lashtë.
Referimi i lumit antik Palamni, pranë të cilit ndodhej Epidamni, duke e lidhur me Shkumbinin është një referim në përgjithësi që nuk vërteton praninë e dy qyteteve në një hapësirë ndarëse të madhe midis tyre.
Edhe interpretimi i historisë politike të lashtë të qytetit (lufta civile në Epidamn që lidhet me luftën e Peloponezit, shteti ilir, Durrahu si kryeqytet i ilirëve taulantë me Gloukian e Monunin në krye etj), flet për marëdhënie të vendasve me kolonët e ardhur, si dhe për atë që palca kryesore e popullsisë së Durrësit kanë qenë ilirët.
Taulantët kanë pasur edhe qytete të tjera veç Durrësit si Sesareti e Arnisa dhe në Luftën Civile të Epidamnit kolonët, që u dëbuan nga qyteti nuk shkuan në një qytet tjetër të quajtur Durrah, por në brëndësinë ilire, si dhe në Korkyrë.
Së fundi, teza e dy qyteteve të veçanta e paralele nuk është vërtetuar deri sot as arkeologjikisht, as historikisht e sa gjuhësisht.
Në komedinë e lashtë e të famëshme të kimediografit të madh Plaut “Menehmët”, subjekti i së cilës zhvillohet në Epidamn (është përkthyer dhe në shqip), flitet për motivin e kipsit, dmth, të ngjashmërisë së dy binjakëve që kishin të njënjtin Menehm.
Në rastin e Durrësit kemi një lloj kipsi tjetër: është fjala për dy emra “binjakë” të të njënjtit qytet.(1980)
LEGJENDAT ILIRE PËR DETET ADIATIK DHE JON
Ilirët e motshëm kanë qenë një nga popujt e mëdhenj , kryesorë të Evropës së vjetër.
Ata kanë jetuar gjithashtu ndanë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, dy dete për të cilët ruhen edhe legjenda e gojëdhëna ilire, të regjistruara edhe nga autorët antikë.
Ilirët kanë qenë detarë të spikatur e mjeshtër të anijeve shpejta, si dhe lundimtarë të pasionuar e të guximshëm.
Në veprën e dijetarit Stefan Bizantini i shekullit VI të erës sonë të quajtur “Urbibus et popules” (Qutetet e popujt) jepen disa të dhëna me interes për lidhjen e ilirëve me detet Adriatik dhe Jon.
Kështu, Stefan Bizantini në shpjegimin e zërit Adria në fjalorin e tij gjeografik e historik shënon: Adria, qytet dhe pranë tij gjiri i Arias si dhe lumin me të njënjtin emër, sipas Hekateut.
“Qytetari dhe banori adrianas, sipas Asianit, U thonë edhe adriates dhe detit – Adriatik”.
Pra deti Adriatik është quajtur kështu nga qyteti ilir Adria.
Stefan Bizantini kur shkruan për fisin ilir të abrejve shton se ky fis banon “pranë Adrias, së taulantëve” pra Adria vetë i përkiste fisit të madh të taulantëve.
Kur Stefan Bizantini shpjegon emrin e detit Jon thekson se ky emër sipas disave “rrjedh nga iliri i quajtur Jon”.
Sipas legjndës tipike ilire që përmënd nga Apiani, Joni ishte biri i Dyrrahut, i cili u vra në luftë gabimisht nga Herakliu dhe trupin e tij e hodhën në detin, i cili mori emrin e Jonit.
Durrahu është, nga ana tjetër; djali i vajzës së Epidamnit e quajtur Melisa, e cila ra në dashuri me perëndinë e detrave, Poseidonin e lindi me të Dyrrahut.
Sipas legjendës, të cilën e ka regjistruar edhe Stefan Bizantini, “prej saj (d.m.th. Melisë) në Epidamn ka një vend që quhet Melisonis, ku Poseidoni u dashurua me të” pra kemi të bëjmë me një vend kulti të nderuar nga detarët ilirë.
Shpjegimi i emrit të detit Jon me anë të legjendës ilire është krejt në kundërshtim me atë të mitologjisë klasike greke dhe romake.
Eskili në tragjedine “Prometeu i lidhur” e shpjegon detit Jon siaps emrit të Jonës cila – u shëndërrua nga Zeusi në mushqerrë për të shpëtuar nga Hera që e ndiqte, lundoi nëpër det dhe nga kjo deti u quajt Jon.
Për shpjegimin e emrit të detit Jon ka shkruar edhe Straboni.
Stefani citon një tjetër autor, Theopompin, sipas të cilit emri rrjedh nga Joni, mbret i Isës, i cili sundoi në viset anëdetare, brigjet e të cilëve i lagte deti që mori emrin e tij.
Një autor tjetër Semitoloja, thotë se ky emër rrodhi nga Kaonët, që i indentifikon me Jaonët dhe Aonët.
Siç shihet, si në rastin e Jonit të ishullit Isa e të qytetit me po të njënjtin emër, si dhe në rastet e tjera, del se emërtimi i detit ka lidhje me ilirët e mjedisin ilir.
Shtojmë se sipas Skylasit (shekulli i VI para erës sonë) është njohur dhe një emër tjetër, ai i Detit të Molosisë, i cili është mbiquajtur nga fisi ilir i molosëve.
Tek thesprotët, sipas Ptolemeut (shekulli i dytë i erës sonë), ka qenë edhe kepi me emrin Poseidon, emër i hyut të ujërave e detrave.
Klaud Eliani (shekulli i dytë i erës sonë) vë në dukje se “në pellgun e Jonit, afër Epidamnit, ku banojnë edhe taulantët, është një ishull që qyhet i Athinasë tregon se ka qenë edhe vend kulti.
Stefan Bizantini kur shkruan për fisin ilir të liburnëve shton se:
“kështu janë emëruar nga një i quajtur Liburn Atiku. Janë shpikësit e shijeve liburnika”.
Pra, kemi edhe traditën e madhe ilire të anijerisë e detarisë në shekuj.
Sipas një gojëdhëne tjetër, në krahinën ilire të Epirit të quajtur Tragasi (vemë në dukje se pranë Orikut sot është edhe toponimi Tragjas), Poseidoni bëri për herë të parë krypën.
Prandaj edhe krypa quhej “krypa tragase”, siç e përmënd edhe Helaniku në “Testianët”, libri i parë.
Po me mjedisin detar lidhet një proverb i banorëve të lashtë të Epidamnit, të cilin e tregon në formë ngjarjeje Diodori (shekulli i parë para erës sonë).
Diodori shënon:
“Fjala e urtë: “Mos e tepro” do të thotë që të duhet të kesh masë në çdo gjë dhe që në çështje njerëzore nuk duhet të shkosh deri në pikën e fundit sikurse e bënë epidamnasit.
Këta banonin në brigjet e Adriatikut dhe ishin në luftë me njëri-tjetrin, ata hodhën në det një tok hekura të skuqura dhe u betuan se nuk do t’i jepnin fund armiqësive të tyre përderisa të nxirrnin nga deti akoma të nxehtë hekurat.
Betim i kotë dhe në kundërshtim me fjalën e urtë “Mos e tepro”.
Rrethanat i detyruan më vonë epidamnasit të arrijnë në një marrëveshje dhe t’i lenë të ftohen hekurat në thellësitë e humnerës.”
Siç u pa më sipër detet Adriatik dhe Jon kanë qenë të lidhur me historinë shumëshekullore të fiseve ilire.
Mitet e legjendat ilire që përmendin detet, perënditë e ujërave etj flasin qartë për rëndësinë e deteve e të mjedisit të tyre në jetën ekonomike, kulturore e legjenddare të të parëve tanë.(1981 )