DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (6)

Prishtinë, 18 Maj 2020: Arkeologji/Trashëgimi Kulturore
JANJEVA QENDËR QYTETËRIMI QË NGA MBRETËRIA DARDANE
Janjeva ruan lokalitete, galeri të vjetra dhe zgjyrë metalesh. Në Janjevë, në lagjen e Vogoqincëve, më 02.06,2003, u zbulua një galeri e vjetër, në kodrinën e quajtur “Grab”, pronë e Lutfi Bikliqit. Ramadan Berisha, po ashtu banor i kësaj lagjeje, në vitin 2008, bëri gërmime për ta rrafshuar oborrin e tij dhe hasi në një hyrje tjetër të galerisë, e cila ndahej në 2 korridore. Në podrumin e shtëpisë së Haki Berishës është sonda vertikale e minierës në thellësi rreth 20m. Një hyrje tjetër del në pusin e Elmaz Berishës. Po ashtu, në oborrin e Ruzhdi Berishës është një sondë vertikale. Galeri të vjetra ka në Gradinën e Janjevës dhe disa galeri nën kalanë e Janjevës. Gjurmë të galerive të vjetra ka edhe në Janjevën e vjetër dhe në fshatrat për rreth e sidomos në fshatin Shashkoc. Në fshatin Akllap, para hyrjes në minierë, është një kishë eremite e që mendohet së është adaptuar më vonë si kishë. Hyrje të galerive ka edhe në fshatin Vogoqincë.

Në Gradinë vëreheshin muret rrethuese, zgjyrë metalesh dhe disa fragmente qeramike të periudhës së antikës.
Prej Gradine, në drejtim të fshatit Shushicë, një burim i vjetër uji nga banorët lokal quhet Alban-qeshme, kurse burimi tjetër, më poshtë, quhet Nallban- qeshme. Si toponime tjera veçohen: Pojatishta, Harmanllak, ndërsa mbi Gushtericë të epërme, nën Akllap dhe nën Janjevë, në vendin e quajtur Trohale (Troje QN), ka qeramikë dhe gjurmë të një vendbanimi të lashtë.

Prej Akllapit, në drejtim të fshatit Vogoqincë vërehen gjurmët e vendbanimit të hershem dhe mesjetar. Në këtë zonë janë hasur gjurmë të objekteve të banimit, qeramikë, zgjyrë e metaleve, objekte të kultit, varreza si dhe fortifikime. Ndër toponimet që veçohen në fshatin Akllap janë: Te kisha, Lugu i Kishës, Lugu i Varrit, Quka e Hashanve, Quka e Sllovisë etj. Përgjatë rrjedhës së lumit prej Akllapi e deri në Vigoqincë edhe sot vërehen mbetje të mëdha të zgjyrës që dëshmon për zhvillimi ekonomik të kësaj treve. Është me rëndësi të dihet se edhe nga fshati Vogoqincë dhe fshatrat tjera të afërta, pas Luftës së Dytë Botërore është bartur sasia e zgjyrës së metaleve deri në fshatin Babushë, dhe nga Babushi është dërguar në shkritoret e Serbisë për tu përpunuar.
Në qendër të fshatit Akllap edhe sot ruhet kisha askete e ndërtuar në shkëmb, dhe në anën lindore pranë kësaj kishe janë hasur varreza dhe mbetje njerëzore. Në anën perëndimore të kështjellës së Vogoqincës, ka shumë zgjyrë të metaleve, dhe vendi quhet Selishtë, por edhe Samaklovë. Në këtë lokalitet ka varreza të vjetra të murosura me gurë, dhe lokaliteti quhet Lugu i Varrezave. Po ashtu në fshatin Vogoqincë pranë kështjellës te Lugu i kishës nga banorët lokal flitet për ekzistimin e një kishe. Themelet e një kishe tjetër po ashtu ruhen mbi qukën e Vogoqincës në drejtim të Vërbicës në arën e Marjan Gashit, dhe ajo lagje quhet Qukollët. Mbi Kështjellën e Vogoqincës është “Gurra e Hajdukut. Në Vogoqincë ekzistojnë sonda vertikale që dëshmojnë për nxjerrjen e mineraleve.

Foto 21. Vendbanimi i lashtë në vendin e quajtur Trole

Në fshatin Vogoqincë edhe sot ruhen themelet e Gradinës së Vjetër, Kështjellës së fshatit dhe Qukës si fortifikim vrojtues mbi Kështjellë. Kështjella e Vogoqincës ishte vendbanim i fortifikuar urban, në Kodrinën që ngrihej pranë lumit në qendër të fshatit. Jashtë mureve të kështjellës shtriheshin lagjet e banuara apo si quheshin në ato kohë Varoshi. Gjatë aktiviteteve të ndryshme bujqësore në Varoshin e Kështjellës janë gjetur gjurmë të themeleve të objekteve të banimit, qeramikë, monedha dhe gjetje të punuara nga metalet.
Në anën veriore të kështjellës është lugina e Palit (Paliqit). Në Vogoçincë qytetarët kanë hasur të identifikojnë edhe varrezat e vjetra të murosura me gurë. Për këto varreza ka njohuri Bahtijar Berisha, banor i Janjevës.
Gjurmë të fortifikimeve, minierave dhe kishave vazhdojnë edhe prej fshatit Vërbicë po thuaj në të gjitha fshatrat tjera të kësaj malësie që në aspektin administrativ ju përkasin komunave: Lipjan, Ferizaj, Viti dhe Gjilan.
Gjurmë të themeleve të kishave dhe fortifikimeve ekzistojnë edhe në fshatrat tjera në rrethinën e Janjevës. Në fshatin Hanroc ekzistojnë dy kisha dhe kështjella te Lajthia e Egër në Bukovishtë.

Foto, 22, Gradina, Kështjella dhe qukat në fshatin Vogoçincë

Përfundim
Nga gjithë kjo që u tha më lart mund të argumentojmë se bazuar në gjetjet arkeologjike dhe gjurmët e civilizimit, Janjeva si vendbanim, daton që nga mbretëria dardane para erës së re. Dëshmitë arkeologjike po ashtu dëshmojnë se përveç Janjevës, ka gjurmë të hershme para romake dhe romake edhe në disa lokalitetet tjera, në rrethinën e Janjevës.
Janjeva nuk ishte vendbanim i mbyllur, por nëpër Janjevë kalonte rruga që vinte prej qytetit të Ulpianës, rruga prej Artanës kalonte nëpër Janjevë, për tu lidhur me rrugët tjera në rrafshin e Kosovës, rruga që vinte prej Vogoçincës, një tjetër rrugë prej Hanrocit, po ashtu, edhe rruga që prej Ulpianës shkonte për qytetin e Shkupit, kalonte nëpër Gushtericë, që është fshati i parë afër Janjevës.
Gjatë mesjetës, Janjeva ishte e populluar me banorë autokton, andaj nuk qëndron mendimi se këtë vendbanim e kanë themeluar saksonët. Se Janjeva ishte e banuar me popullatë shqiptare dëshmon edhe fakti se në shekullin XVII, Janjeva e kishte shkollën e vet kishtare në gjuhën shqipe.
Popullata Janjevës deri në fillim të shekullit XIX, ishte me përkatësi etnike shqiptare, ndërsa prej këtij shekulli, popullata e besimit ortodoks në fshatrat për rreth Janjevës janë serbizuar, ndërsa popullata katolike prej fillimit të shekullit XX, nga presionet e mëdha të pushtetit, fillojnë të sllavizohen dhe regjistrohen si komunitet kroat.
– FUND-
PS. Fusnotat janë të njohura për redaksinë, dhe janë hequr me lejen e autorit.

__________
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (1)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10019
***
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10020
***
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (3)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10033
***
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (4)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10036
***
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (5)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10046

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura