Tetovë, 20 tetor 2019: – Arif Kapedani nga Tetova ishte zv/komandant i forcave nacionaliste shqiptare pranë Xhemë Hasës nga Gostivari. -Ai, me gjashtë bashkëluftëtarë të tjerë, pas ardhjes së partizanëve (nëntor 1944) dhe një kurthi që u ishte kurdisur, janë vrarë në afërsi të fshatit Zhelinë, nja 8 km. në lindje të Tetovës. -Të gjithë ata, paraprakisht, kishin dhënë betimin mbi flamurin kombëtar, armëve dhe bukës, se kurrë s’do t’i lëshojnë trojet e veta
***
Tetovarët e më gjerë njohin Isen Berishën (bacën Isen), si një valltar virtuoz në përbërjen e SHKASH “Xheladin Zeqiri”, që luante si rrallë dikush tjetër, me ritmin e tupanit dhe të krismave, në shumë festivale folklorike në vend dhe jashtë tij, duke mos hequr as sot e kësaj dite plisin e bardhë nga koka. Por, pak kush e di historinë e familjes së tij. Isen Berisha ishte i biri i Arif Kapedanit nga Tetova, zëvendëskomandant i Xhemë Gostivarit (1941-1944), njërit ndër luftëtarët më të njohur nacionalistë të asaj kohe. Në një bisedë me bacën Isen, shumë vite më parë, ai zbuloi tërë katrahurën e familjes së tij, sidomos pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai rrëfen për ngjarjet e tmerrit që i ka përjetuar babai i tij dhe shqiptarët e anës së Tetovës nga partizanët komunistë.
“Kam qenë 10 vjeç kur erdhën partizanët në Tetovë. Propagandonin vëllazërim-bashkimin dhe dikush i besonte kësaj propagande. Kur hynë partizanët në Tetovë, i mblodhën të gjithë burrat dhe i mbyllën në Monopol. Atë ditë vjeshte të vitit 1944, partizanët erdhën edhe në shtëpinë tonë, prej nga e morën gjyshin tim plak dhe e çuan në Monopol, ku në mesin e 700-800 të tjerëve, masakruan edhe atë”, thotë baca Isen.
Në atë kohë, babai i Isenit, Arif Kapedani, krahu i djathtë i Xhemës, luftonte kundër partizanëve në zonat e Karadakut të Shkupit, bashkë me komandantët e tjerë, si Mefail Zajazi, Xhemë Hasa, Sulë Hotla i Kumanovës, Aqif Reçani, Bajram Dobërdolli e të tjerë. Në Tetovë, partizanët ishin pritur me lule, duke bërë kështu tradhti për luftën e forcave nacionaliste shqiptare, për t’i mbrojtur territoret shqiptare. Kjo ishte arritur në saje të propagandës mashtruese të “vëllazërim-bashkimit dhe barazisë së plotë”.
Pasi kishin kaluar katër ditë nga hyrja e partizanëve në Tetovë, Arif Kapedani kishte ardhur nga Karadaku nëpër rrugën e Kaçanikut. Në rrugë afër Porojit, i del përpara një fshatar që e quanin Neim Çaushi, i cili i drejtohet Arif Kapedanit, duke e pyetur se ku ishte nisur, ndërsa ai i përgjigjet se po vinte nga Karadaku që të shohë se si qëndron puna me Tetovën, që pastaj të kthehej prapë. Tetova ishte zaptuar nga partizanët, të cilët kishin hyrë para katër ditësh si në “ditë të pazarit”, pa krisur asnjë plumb, sepse s’kishte pasur kush ta mbronte qytetin.
“Familja jonë iku në malësi, sepse do të na bënin masakër. Partizanët kishin ardhur në shtëpinë tonë dhe kishin plaçkitur tërë pasurinë, shtatë hektarë tokë, bagëtinë e të tjera”, kujtohet baca Isen, duke shtuar se atëherë babai i tij kishte qenë në malet e Sharrit. Ai i kishte gjetur strehim familjes në fshatin malor Lisec, mbi Tetovën, në shtëpinë e malësorit bujar e trim, i cili quhej Nazif Liseci.
“Pas një kohe zbritëm në qytet dhe u kthyem në shtëpi, ku i gjetëm vetëm muret. Dy vjet kemi fjetur te fqinjët, sepse natën vinin partizanët dhe kërkonin babanë”, kujtohet baca Cen.
Arif Kapedani kishte kaluar katër vjet nëpër malet e Sharrit, duke shtegtuar nga fshati Jezerc i Kosovës, deri në malet e Qafëthanës. “Një ditë ishte nisur një grup i bashkëluftëtarëve të babait, me anëtarë të familjeve, për të ikur nga vendi, duke kaluar kufirin e Greqisë, ndaj dhe kishin ftuar edhe babanë që t’i bashkohet këtij grupi”, vazhdon rrëfimin i biri i Kapedanit, ashtu si kishte dëgjuar prej atyre që i kishin shpëtuar vdekjes. Kishte udhëtuar Arif Kapedani disa ditë nëpër male, derisa nuk ishte takuar me grupin që ishte përgatitur për arratisje, ku kishin qenë edhe Isen Tërpeza, Xhelil Kalishti, Hafës Jusufi i Dobroshtit etj. Pasi ishte takuar me ta, kishte kundërshtuar që të braktisë vendin, si e kishin ndërmend ata. Ai i kishte kujtuar për kushtrimin që e kishin dhënë në Tiranë.
“Keni harruar ato dhjetë ditë që i kaluam në Tiranë, ku na mbante ligjërata Xhafer Deva, kryekomandanti qendror i Ballit Kombëtar, bashkë me Mithat Frashërin, Abaz Kupin, Hisni Rudin, Mehmet Bushin etj., të cilët thoshin se ku duhej të ishin kufijtë e Shqiptarisë, që duhej të shtriheshin deri në Nish”, u kishte thënë bashkëluftëtarëve të vet, Arif Kapedani, duke shtuar se në tavolinën e madhe të mbuluar me flamurin shqiptar, mbi të cilin ishte vënë një bukë e vrugtë, ndërsa përreth ishin vendosur kallashët, jepej betimi “në flamur, bukë dhe armë” se nuk do t’i lëshojnë këto troje.
Arif Kapedani ishte kthyer tek malësia e Sharrit, prej nga një ditë dimri të egër, me fërfëllizë, kishte zbritur në Tetovë. U kishte propozuar shokëve të luftës që përkohësisht të strehoheshin te një mik i tij në fshatin Zhelinë të Malit të Thatë, që pastaj të ktheheshin përsëri në malësinë e Sharrit.
Kështu edhe kishin vepruar. Por, për fat të keq, kishin ftuar kobin e vdekjes. UDB-a e atëhershme kishte zbuluar se ku ishte strehuar Arif Kapedani, me shtatë bashkëluftëtarë. Kjo organizatë famëkeqe e kishte detyruar Gajur Derallën, i cili ishte në Burgun e Shkupit, që të shkruante një letër “mashtruese”, të kurdisur, me shkronja arabe, në të cilën ftohej Arif Kapedani që të kishte edhe pak durim. “Ke ndenjur dhjetë ditë e dhjetë net, bën gajret edhe tre net, se jemi organizuar që t’ju transferojmë në një vend më të sigurt”, shkruante në letër që ishte lexuar nga një hoxhë që dinte shkrimin e osmanishtes së vjetër.
Arif Kapedani nuk kishte dyshuar në këtë letër të shkruar me shkronja arabe, ndaj dhe ishte gëzuar që do të gjejë një shteg shpëtimi. Ai me luftëtarët e vet mbetet edhe tri net në shtëpinë e mikut të vet në Zhelinë. Por, në fakt, kjo ishte koha e mjaftueshme për përgatitje të një shtetrrethimi nga ushtria partizane. Spiuni i panjohur kishte thënë në Shkup se Arif Kapedani është me 40 mushka armatim, ndërsa ata kishin menduar se për atë armatim duhej të ishin 300 ballistë. Kësisoj edhe ishin përgatitur dhe e kishin sajuar strategjinë e kapjes së tyre.
Në mëngjesin e ditës së tretë, kishte ardhur urdhri që ishin të rrethuar. Arif Kapedani u thotë bashkëluftëtarëve të vet që të jenë të guximshëm dhe të dalin jashtë shtëpisë në kolonë, pa shikuar djathtas-majtas, por kur ta jepte shenjën, të hidheshin në sulm.
Sipas fjalëve të fshatarit që i kishte strehuar në shtëpinë e vet, kolona e luftëtarëve të Arif Kapedanit kur ishte larguar nja 100 metra, ishte hedhur në sulm istikameve të partizanëve përreth shtëpisë, ku ishin vrarë shumë prej tyre. Por ishin vrarë edhe luftëtarët e Arif Kapedanit. Këtë luftë të pabarabartë e kishte shikuar nga dritarja e vet, pronari i shtëpisë që i kishte strehuar këta luftëtarë shqiptarë. Në fund, mbeten vetëm dy luftëtarë, Arif Kapedani dhe një tjetër i plagosur. Kapedani nuk mund ta linte në pamëshirë shokun e luftës dhe kthehet që ta marrë në krah, por atëherë qëllohen që të dy nga partizanët e pozicionuar. Varri i Arif Kapedanit dhe i gjashtë bashkëluftëtarëve të tij gjendet në një skaj të fshatit Zhelinë, nja tetë kilometra në lindje të Tetovës.
Arif Kapedani – Dragomaci me uniformë
Rruga e vjetër te Ura e Zhelinës ku janë bërë luftimet