Shkodër, 23 tetor 2019:
Viti i Skënderbeut
(1468-2018)
Për Konferencën shkencorë në 550 vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbe.
Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve “AAAS”
Këshilli Shqiptaro-Amerikan “AAC”.
Tema: Skënderbeu si personazh letrar
Dr. Ermira Ymeraj
[email protected]
Universiteti Filologjik “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
Argument: Rilindësit tanë, duke krijuar mitet e lashtësisë, duke krijuar shenjat e identitetit kombëtar, krijuan edhe mendësinë e atdheut, që deri atëherë mund të përkufizohej me identitetin tokë e të parëve, apo diçka e ngjashme. Por, që nga Jeronim de Rada e këndej, ata i kthehen me të madhe, për të mos thënë të gjithë, Mesjetës shqiptare, kohës së Motit të Madh, siç i thoshin arbëreshët, epokës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.
Rilindësit tanë e ndjenë të nevojshme t’i kthehen Mesjetës shqiptare, në të cilën figurë e përmasës kombëtare dhe evropiane ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Shkodrani i madh, Marin Barleti , me gjuhën e shkrimeve historike dhe letrare të kohës, që ishte latinishtja, u kishte folur kulturave evropiane për një ecje të veçantë rrënojave të historisë të një populli, prijës i të cilit ishte Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Duke luftuar me armë në dorë, me një ushtri të bashkuar nga princër të tjerë shqiptarë, ai përveç që ka mbrojtur tokat e vendit të tij, ka mbrojtur edhe lirinë dhe qytetërimin evropian, të cilin e kërcënonte me zhdukje Perandoria Osmane.
Skënderbeu mes mitit dhe destruktivizmit
Shkrimtarët shqiptarë, por edhe veprimtarëve të tjerë të çështjes kombëtare, krijimin i mitit të Skënderbeut e panë si bërthamën e identitetit kombëtar, krijimi i rrafshit të ngjashmërive historike, u duhej për të ndikuar në zgjimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarët e shekulli nëntëmbëdhjetë, që është shekulli i formimit të kombeve, duke gjetur të gjithë strukturën e elementeve që krijojnë mundësinë e forcimit të krenarisë kombëtare e, në këtë rrjedhë forcimin e dashurisë ndaj atdheut.
Për ndryshim nga romantikët evropianë, të cilët i ktheheshin së kaluarës së tyre historike, sidomos Mesjetës, nga shkaku që të shmangeshin dhe të iknin nga realiteti i kohës se tyre, me të cilën, ose ishin plotësisht të pakënaqur, ose ishin kundër, ose bënin përpjekje ta ndryshonin, edhe ata duke kërkuar shëmbëllimet të periudha kohore që bënin shenjat e lavdisë së historisë, apo kujtesës folklorike të atyre popujve.
Romantikët shqiptarë jetonin dhe krijonin në rrethana dhe në kushte krejt të tjera, shumë specifike dhe të veçanta. Pushtimi ishte shumë i gjatë, shumë i egër dhe anakronik. Luftërat e pandërprera e kishin dëmtuar edhe bërthamën e dijes së popullit shqiptar. Duke krijuar mitet, duke shndërruar në kulte figura të periudhave të ndryshme të lashtësisë shqiptare, ata kishin kujdes që edhe vetitë e tyre fizike dhe shpirtërore të ishin një mësim i madh për shenjat e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Nga këtu, fillojnë të krijohen shenjat kulturore të adhurimit të përkatësisë kombëtare. Shkrimtarët tanë të Rilindjes kombëtare, kush më shumë e kush më pak, kush më me vlerë e kush në nivelin e gjuhës publicistike, krijuan gjithë strukturën e tyre, në radhë të parë strukturën e tyre shpirtërore, por nuk harruan edhe pamjen e tyre, pra ndërtimin e strukturës fizike, duke dhënë kështu shëmbëllimin që e kishte e tërë letërsia evropiane e kësaj epoke stilistike. Në vetë aktin krijues të rilindësve tanë, në raport me kohën kur kanë krijuar, dhe me mënyrën e përkushtimit ndaj aktit krijues, ka ende për të thënë, sidomos kur bëhet fjalë për figurën historike të epokës së Skënderbeut.
Duke krijuar mitet, dhe duke shndërruar në kulte anët fizike e anët shpirtërore të tij ato do të ndikonin në vetëdijen e identitetit kombëtar të shqiptarëve të kohës së tyre, duke ringjallur disa prej karakteristikave themelore të mënyrës së jetës, që nga origjina e deri në ditët e kohës së tyre. Kësisoj, shkrimtarët shqiptarë të epokës stilistike të romantizmit, pa marrë parasysh gjykimin se ky ritëm stilistik është vonuar në letërsinë shqipe dhe në kulturën shqiptare, këta krijues, që nga Vinçenc Dorsa e deri te Sami Frashëri, që nga Jeronim de Rada e deri të Pashko Vasa, që nga Naim Frashëri e deri te Gjergj Fishta , përveç të tjerash, e panë të udhës t’i mësonin shqiptarët se ata ishin trashëgimtarë të një race që nuk u kishte hije të ishte e robëruar, që duhej të gjenin rrugët e bashkimit të tyre, për ta përballuar të keqen e madhe të pushtimit dhe për ta fituar lirinë dhe pavarësisë e shtetit të tyre. Prandaj, ata i mësonin shqiptarët, se ishin jo vetëm trima, por edhe të mençur, se ishin jo vetëm të pashëm, por edhe të ditur, se ishin jo vetëm luftëtarë të mirë e të guximshëm, deri në adhurim të guximshëm, por edhe atdhetarë të devotshëm, se duhet të ishin të gatshëm të sakrifikonin çdo gjë, edhe jetën në fund të fundit, për lirinë e atdheut.
Përkufizimi i këtillë i krijimit të shenjave dalluese kombëtare, miteve dhe kulteve që bëjnë të gjitha shtresimet e rrafshit të identitetit kombëtar të kulturës sonë kombëtare, rrjedhimisht edhe të popullit që është bartës i kësaj kulture, prijetarët e romantizmit në letërsinë shqipe, në një mënyrë, a në një tjetër, janë shndërruar edhe vetë në mite a mitema, në kulte adhurimi, që zakonisht nuk ndodh me kulturat e popujve të tjerë evropianë. Shkrimtarët tanë të Rilindjes kombëtare vunë bazat e krijimit të kombit shqiptar, si dhe krijuan edhe strukturën shpirtërore të këtyre shenjave të përkatësisë së identitetit kombëtar duke i shndërruar në mit e duke krijuar kultin e heroit për gjithë veçoritë e tij fizike dhe shpirtërore.
Miti i Gjergj Kastriotit u përhap në Europë e në Azi përmes kësaj letërsie, duke e bërë të njohur botën shqiptare prej Islandës në thellësitë kontinentale aziatike. Fillesa e njohjes dhe e përhapjes së mitit për figurën e Skënderbeut kishte dy burime. Burimi i parë dhe kryesor, ishte vepra e Marin Barletit, i cili ishte bashkëkohës i luftërave të udhëhequra nga Skënderbeu. Burimi i dytë është i të ashtuquajturës proveniencë kishtare e kulturës evropiane, e cila, edhe në epokën stilistike të romantizmit evropian ende kishte ndikimin e vetë në të gjitha llojet e krijimtarisë shpirtërore, sepse ajo ishte e para që e kishte pagëzuar si Atleti i Krishtit, ku figura e Skënderbeut merrej si mbrojtës i krishterimit evropian. Në këtë rrjedhë, në periudhën e romantizmit shqiptar, prania e mitit të Skënderbeut dhe të mesjetës shqiptare në Evropë, duhet kërkuar edhe të depërtimi i veprës së romantikëve shqiptarë të arbëreshëve të Italisë, siç ishin vepra e De Radës, e Dorsës, kurse për shtrirjen e mitit të Skënderbeut deri në Amerikë, do kërkuar edhe ndikimin e veprës dhe të personalitetit kulturore të Elena Gjikës. Vazhdimësia e pranisë së Mitit për Skënderbeun është më jetëgjatë në Evropë se sa në kulturën shqiptare,për arsyet që dihen historikisht, por nuk janë sqaruar në planin kulturor e letrar. Si model i qasjes për këtë ndryshim mund të përdoret prania e veprës së Barletit në Evropë, e sa shekuj pas tij, prania e veprës së Elena Gjikës deri edhe në Amerikë e në Kinë, ku jo vetëm është ruajtur por edhe është rikrijuar miti për figurën e Skënderbeut, veçojmë poemën e shkrimtarit të madh amerikan Llongfellou , të cilën e shqipëroi Noli.
Të çmitizosh figurën e Gjergj Kastriotit do të thotë: “të bësh sulm kundër konceptit të lirisë”. Çmitizimi i figurës së Gjergj Kastriotit, është një nga fajet e kombit shqiptar, ku disa autorë në emër të vërtetës janë përpjekur ta bëjnë këtë gjë. Të jesh kundër kësaj figure do të thotë të jesh kundër lirisë për robërinë.”
Në aspektin e mendësisë kulturologjike të një populli, përpjekjet e krijuesve të ndryshëm, për çmitizimin e një figure me përmasë kombëtare, që ruan edhe sot, në kohën e globalizmit shenjat e identitetit kombëtar, ndodh të jenë me efekt të kundërt. Duke bërë përpjekje të çmitizohen mite, kulte e shenja identifikuese kombëtare, atyre u shtohet një përmasë e re e shtrirjes në atë që quhet identitet kombëtar. Prandaj, edhe debatet e kësaj natyre, si ato pas librit të Oliver Shmid, por edhe ato në mes të Kadaresë dhe Qosjes, duhet marrë me rezervë, së paku në planin e trajtesave për sociologjinë e kulturës.
Duhet thënë se të dekonstruktosh një mit nuk do të thotë thjesht të jesh kundër tij, apo ta hedhësh poshtë atë (ndonëse edhe kjo mund të jetë), por të kuptosh se si e pse është ndërtuar ai. Në këtë kontekst, edhe dekonstruktimi i mitit të Skënderbeut, ka lidhje me njohjen e historisë së shekullit XV-të, dhe me njohjen e historisë së shekullit XIX-të, pra me tërë atë proces identitet ndërtues në shekullin XIX-të, që e nxori Skënderbeun nga historia nëpërmjet një procesi selektiviteti dhe e ktheu në mit e simbol. Vetë fakti që historia e Skënderbeut pranohet se mund të jetë e ndryshme nga ajo çka u është mësuar në kohën e realizmit socialist, është një hap edhe drejt dekonstruktimit, çka do të thotë një hap drejt njohjes së historisë shkencore të kohës së Skënderbeut dhe, po ashtu, të historisë së ngjizjes së mitit të tij në kohën e Rilindjes. Një hap drejt vetëdijesimit se tjetër është historia e tjetër është miti i nacionalizmit shqiptar; se për tjetër gjë na duhet historia e për tjetër gjë na ka shërbyer apo na shërben miti historik e prandaj koha e diturisë dhe e pjekurisë vlerëson për të përcaktuar drejt këndvështrimin e mitit dhe arsyet e shkatërrimit të tij.
Kemi dy skaje të së njëjtës temë, e krijimit dhe e dekrijimit të mitit,e mitit dhe e antimitit, duke marrë për model shenjën identitare të figurës së Skënderbeut krijuar nga Rilindja jonë. Sepse, krijimi i shenjave identifikuese, që ka vënë bazat e krijimit të mendësisë kombëtare, deri te lufta për çlirim dhe për njohje të kombit shqiptar, ndryshon rrënjësisht nga koha dhe përmasa e saj, qoftë edhe në trajtimin e figurës së Skënderbeut. Derisa në periudhën e Rilindjes, miti për Skënderbeun krijohej për të vënë në lëvizje mendësinë e shenjave të identitetit kombëtar të shqiptarëve, si dhe dashurinë për liri dhe luftën kundër robërisë, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, kudo në kulturën e shteteve të Lindjes, por edhe në kulturën e popujve të Evropës Perëndimore, mitet u krijuan sipas mendësisë ideologjike. Nëse merren dhe shqyrtohen vepra të krijuesve të mëdhenj, të ashtuquajturës letërsi sovjetike, e pas kësaj edhe e popujve të tjerë në anën lindore, atëherë duhet të merren dhe të shqyrtohen vepra të krijuesve francezë, italianë e të tjerë, pas Luftës së Dytë Botërore, ku në rrafshin e krijimit të miteve identitare të planit kombëtar, ndryshon vetëm përmasa e ideologjisë së sistemeve, thuajse asgjë tjetër. Është kjo kohë kur në Shqipërinë socialiste ende ishte e gjallë edhe letërsia e Rilindjes, edhe ajo e periudhës së Pavarësisë, edhe e depërtimi të madh të literaturës sovjetike, të cilën si letërsi Lasgushi ynë nuk e pranonte ekzistencën e saj. Pas viteve ’60 mund të flitet për ngrehinën e përmasës ideologjike të krijimit të kulturës shqiptare, andaj edhe të letërsisë si bartëse e shenjave të identitetit kombëtare të një kulture.
Dihet se mitet shërbejnë si fillesa përbashkuese frymëzuese, se ato i japin kuptim jetës së një komuniteti, i japin edhe identitet. Por, nga ana tjetër, edhe ky përbashkim në një identitet kolektiv ka rreziqet e veta që i ka provuar dhe vazhdon t’i provojë historia. Rreziku më i madh është se, duke u bërë pjesë e një komuniteti që ndan disa simbole identitare, njeriu rrezikon të humbasë lirinë e vet si individ.
Në letërsinë tonë të Rilindjes kombëtare, si dhe në atë të periudhës së Pavarësisë, kur janë të pranishme përherë e më shumë gjithë rrymat letrare në kulturën tonë, dilema e parë që hapet ka të bëjë me lirinë e individit dhe me lirinë e vendit të robëruar, gjë që nuk e kishin krijues të vendeve evropiane, as të bllokut të Lindjes, as ata të bllokut të Perëndimit. Në raste të këtilla, nëse përgjithësohen trajtimet e shumta teoretizuese, në radhë të parë dëshmon për daljen në plan të parë të koncepteve të përmbysura, ndaj doemos përzihen liria e individit dhe lufta kundër robërisë së kolektivitetit që i takon individi. Nuk mund të merret si e qëndrueshme qasja kur ngatërron e përzien nivele të këtilla të lirisë, sepse ato mund të quhen të tilla, vetëm kur janë të dyja, edhe liria e individit edhe ajo e kolektivitetit që i takon individi, gjë që është në kulturat e popujve të Evropës, e zor se mund të flasim se është ende edhe sot e kësaj dite në kulturën e popujve të robëruar, a të copëtuar, siç është rasti me kulturën shqiptare, e cila edhe sot është e copëtuar me kufij politikë, e që për fat të keq, studiuesve të ndryshëm i mjaftojnë gjysmat.
Shpesh njerëzit e kanë më të lehtë të strehohen tek identitete kolektive se sa të zhvillojnë individualitetin e tyre. Por kjo i bën shumë të vegjël si individë përpara kolektivitetit dhe heronjve që i simbolizojnë ata; krijon një ndarje të tillë saqë individi nuk bëhet dot më shpëtimtar i vetvetes, por e pret shpëtimin nga heronjtë imagjinarë që në jetën reale shpesh nuk i gjen askund. Ky është një nga rreziqet, por jo i vetmi. Sikurse thotë një antropolog i njohur italian “identiteti, i cilit çdo lloji qoftë (etnik, nacional, personal etj.) është një varfërim, një heqje e diçkaje, një reduktim i mundësive si për pupujt edhe për individët”.
Kjo kur identiteti shihet sipas një qasjeje esencialiste, si gjetje dhe ruajtje e një bërthame të pandryshueshme. Aftësimi i njeriut për të dalluar mitin nga e vërteta shkencore, ka të bëjë pikërisht me diturimin e tij, me fjalë të tjera me rritjen e pjekurinë e tij, prandaj edhe të lirisë së tij.
Disa mbrojtës të mosdekonstruktimit të mitit kanë hedhur idenë që të vërtetën shkencore duhet tua lemë akademikëve: E vetmja mënyrë që akademia t’i shkoqitë me urtësi mitet kombëtariste totalitare të trashëguara nga Rilindja dhe periudha komuniste, është që të lihet ta bëjë këtë në pavarësi të plotë nga shkolla, kultura popullore, simbolet kombëtare dhe përdorimi i rrëfenjave historike si instrumente të edukimit etik dhe qytetar të shtetasve.
Pavarësisht qëndrimeve letërsia flet me gjuhën e vet, e historia me të sajën, individi është i lirë të dokumentojë njërën dhe ta vërtetojë dhe të shijojë tjetrën apo të kuptojë funksionin e saj.
Mitet s’duhen dekonstruktuar edhe në emër të frymës së kohës kur jetojmë. Miti i Skënderbeut është një konstrukt historik i ndërtuar në një kohë të caktuar dhe në një kontekst të caktuar luftërash dhe urrejtjesh nacionale, ai është një mit i rimarrë i rikonstruktuar mese një herë. Ai është konstruktuar së pari si mit në emër të krishterimit, kur u mbiquajt “kalorës i krishterimit” , kurse dy tre shekuj më vonë u rimor në emër të nacionalizmit.
Por, përmasa e ideologjisë nacionaliste, sidomos ajo shqiptare, kur e rimori dhe e shndërroi në mit figurën Skënderbeut, në aspektin e jetës kombëtare kishte përpara vetëm dy mundësi, ose të mësohej që ta duronte robërinë dhe të zhdukej e asimilohej, ose të luftonte për lirinë e tij duke e hequr robërinë. Pa shqyrtimin objektiv të kësaj dileme, mund të bëhen shqyrtime teorike përgjithësuese, të mësuar nëpër kabinetet e studimeve evropiane, kur edhe përgjithësimi e përjashton mundësinë e njëjtësimit të aspekteve historike të zhvillimit të kulturës së popujve evropianë që kishin shtet, komb dhe liri dhe të popullit shqiptar që nuk i kishte asnjërën.
Letërsia e romantizmit, prej fillimeve të Rilindjes deri kur u përmbyll, krijoi dhe ajo mitet e veta, më shumë se çdo periudhë tjetër: mitin e “motit të madh” dhe të kryeheroit të saj; mitin e lavdisë së dikurshme të “dheut të Arbërit”; mitin e prejardhjes dhe të lashtësisë; mitin e gjuhës shqipe dhe të virtyteve shqiptare, duke përfshirë dhe mitin e Perëndimit . Për gati një shekull me radhë në atë letërsi miti i epopesë, i gojëdhënës kombëtare, sundoi zhvillimin e letërsisë shqipe, në të gjitha mjediset ku u zhvillua, prej kangjeleve të “Rapsodi e një poemi arbëresh” e “Istori e Skënderbeut”, deri tek eposi “Lahuta e Malcis”.
Të gjitha këto mite të romantizmit shqiptar kishin një frymë të përbashkët: etnocentrizmin, që u shpreh në mënyrë paqësore në vargjet e njohura: “Adhami dhé s’kishte lerë / në botë nuk kish të tjerë”. Por, ndryshe prej ideologjive dhe letërsive të romantizmit në vendet fqinje, që u prirën drejt demonizimit të vendit të vetëm ballkanik që priste të pavarësohej, letërsia shqipe e romantizmit nuk krijoi fobi dhe demonë të rinj. Ndërsa ideologjitë dhe letërsitë e këtyre vendeve prireshin drejt ekspansionit dhe mitit të epërsisë gjenetike si popuj të zgjedhur, letërsia romantike shqiptare nuk krijoi komplekse dhe as psikoza të tilla përdalluese.
Shkrimtarët janë ndërgjegjja e kombit, ata me veprat e tyre hodhën bazat doktrinare të nacionalizmit.
Naim Frashëri është një prej shkrimtarëve të rrallë të traditës letrare shqipe i cili ka shfaqur në shkrimet e tij pikëpamjet për rolin e mitologjisë në letërsi. Ndikimi i mitologjisë në krijimtarinë e tij shtrihet prej vjershave të përmbledhjes së parë dhe deri tek poemat e fundit. Po ndikimi më i dukshëm i mitologjisë në krijimtarinë e tij është tek poema “Istori e Skënderbeut” .
Më dukshëm sesa figurat e ndryshme mitologjike, për ndikimin e mitologjisë në krijimtarinë e Naim Frashërit rrëfejnë mitemat e ndryshme që përdor ai. Në këto bërthama të mitit shihen më fort lidhjet e krijimtarisë së tij me mitologjinë jo pse mund të jenë aq të shpeshta, por pse, si përfaqësuese të botëpërjetimit dhe të botëkuptimit mitologjik, rrëfejnë për ndikime më thelbësore të mitologjisë në krijimtarinë e tij. Në poemën heroike “Istori e Skënderbeut”, më shpesh sesa në vjershat dhe në poemat lirike, mund të gjenden disa pamje dhe situata, që të përkujtojnë mitema të ndryshme të lashta.
Ja si e ndërton mitin e Gjergj Kastriotit:
Në këngën II të “Istorisë së Skënderbeut” Naim Frashëri, marrja peng e bijve të Gjon Kastriotit, ndër të cilët është dhe më i vogli, Gjergji, duket si një riprodhim i mitemës mbi mërgimin e heroit mitologjik.
Në të njëjtën këngë të “Istorisë së Skënderbeut” kallëzohet dhe ëndrra e nënës së Skënderbeut, së cilës, në gjumë i kishte dalë, riprodhohet mitema e lashtë mbi luftën fitimtare të heroit mitologjik kundër kuçedrave dhe fuqive të tjera të errëta mbinatyrore.
Në këngën III – të, riprodhohet mitema, mbi lindjen e çuditshme dhe me shenja të çuditshme, të heroit mitologjik. Në këngën V-të, kallëzohet edhe për babanë e Skënderbeut, Gjonin, i cili, si hije çohet prej varrit dhe shkon në Azi që ta vërë në dijeni të birin, Gjergjin.
Ky rrëfim, pa dyshim, të përkujton mitemën mbi heroin mitologjik, që çohet prej varrit dhe u shkon në ndihmë të afërmve dhe njerëzve të tjerë, që gjenden në rrezik.
Në këtë këngë Naim Frashëri rrëfen për ngritjen e ëndërruar të Skënderbeut në qiell. Miti i lashtë në këtë këngë të poemës së Naim Frashërit është riprodhuar në mënyrë të anasjelltë: në vend që të zbresë në mbretërinë e vdekjes, heroi ngrihet në qiell. Megjithëse nxitjen krijuese për riprodhimin e mitemës mbi zbritjen e heronjve mitologjikë në botën nëntokësore e merr prej “Komedisë Hyjnore” të Dantes, anasjellën në të Naim Frashëri e bën nën ndikimin e mitologjisë fetare. Parafytyrimet mitologjike që krijon Naim Frashëri në poemën “Istori e Skënderbeut”, janë të dhëna artistike me të cilat ai përpiqet të arsyetojë ndërtimin mitologjik të personazheve të këtyre poemave. Mitologjia në krijimtarinë e Naim Frashërit ka vlerë simbolike. Duke e paraqitur botën si luftë ndërmjet së mirës dhe së keqes, dritës dhe errësirës, lindjes dhe vdekjes, gjithmonë fitojnë apo duhet të fitojnë e mira, drita, lindja, heroi.
Autori e shqiptari i madh, Fishta do t’i himnizojë mrekullisht virtytet shqiptare, shenjat identifikuese nacionale, gjuhën shqipe, flamurin kombëtar, trimërinë, figurat nacionale, të cilat i personifikon përmes heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu; portreti i së cilit do të endet në mënyrë funksionale dhe domethënëse në gjithë veprën e tij letrare, njohësi i Fishtës, Atë Daniel Gjeçaj shkruan: “S’do mend se janë të rrallë ata studiues që kur shkruajnë diçka për Fishtën të mos tronditën thellë e të mos i qasen me një kujdesie të veçantë veprës së tij, sepse portreti i tij është klasik e aq i lartë sa kishte për t’u dashtë me ardh një tjetër Fishtë për ta paraqitur si duhet pa ia deformuar profilin, pa ju vorgnue ngjyrat”.
Letërsia për Skënderbeun na jep çelësin për interpretime që mbeten themelore, pikërisht që të kuptojmë funksionin e asaj ideje kombëtare që e shoqëroi një letërsi të gjerë dhe mjaft shkrimtarë. Në të gjithë Shqipërinë kujtimi për Skënderbeun, ku më shumë e ku më pak, nderohet dhe është arsye mburrje – thotë Ernest Koliqi.
Fati i një vendi është fati i një qytetërimi. Ismail Kadare te Daullja e shiut , botuar në Tiranë më 1970 me titullin Kështjella, tregon epopenë e Skënderbeut, ku historia dhe legjenda janë gërshetuar duke vënë në qendër vetëdijen e një trashëgimie.
Skënderbeu në letërsinë shqipe është heroi-metaforë.
Një hero-simbol dhe një personazh kompleks i një kulture që përshkohet nga rreziku i arratisë.
“…Ata që do të jetojnë më vonë në këtë tokë, do ta kuptojnë se nuk ishte e lehtë të ngrihesh, në këtë luftë gjigante, ndaj përbindëshit më të frikshëm të epokës sonë. Atyre s’do u lëmë trashëgim as statuja, as kolona madhështore. Nuk patëm kohë t’i ndërtonim dhe me shumë gjasa, nuk do të kemi kohë as në çastet e qetësisë, midis furtunave që na presin. Në vend të tyre do lëmë këta gurë të rëndë të mureve tona, që shiu i betejave po i lag, në këtë mëngjes gri. Duket se stina e parë e luftës po i drejtohet fundit. Të tjera na presin. Retë po grumbullohen mbi qiellin tonë, në qiellin tonë të madh”.(Daullet e shiut) .
Letërsia figurën historike të Skënderbeut e lirizoi si metaforë e bashkimit dhe fat i qytetërimit.
Krijimet e para kushtuar Skënderbeut janë dy vjersha në latinisht, prej autorësh italianë, miq të Marin Barletit, i cili i vuri këto krijime në krye të veprës së tij për heroin. Në shek. XVI-të, shkruhen sonetet e poetëve të Rilindjes, francezi Pjer Ronsar (1576), anglezi E. Spenser (1596). Romani “Tmerri i turqve” (1548), shkruar nga italiani Antonio Posenti. Në shek. XVII, botohet në Romë më 1623, poema “Skënderbeiada”, nga Margerita Sarroki. Në gjermani Jakob Kokert, “Këngë mburrëse” (1643), në Francë, Zhan Bysier shkruan poemën “Skënderbeu” (1658). Drama “Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, e anglezit Kristofor Marlou, spanjolli Lopes de Vega, shkruan “Princi Skandërbeg”, komedi. Në shek. XVII-të, francezi Yrben Shevro, shkruan prozën “Skënderbeu”, 1644, si dhe drama për Skëndërbeun, botuar në Angli “Skënderbeu ose dashuri dhe liri” (1747) nga Tomas Uinkop, “Skënderbeu” i Uiljam Havardit, “Heroi i krishterë” nga Xhorxh Lilo.
Letërsia italiane dhe francezë, do botojë: “Trimëritë e princit Skënderbe, mundësit të Sulltan Muratit” (1730) nga Antonio Xamboni, “Skënderbeu princ i Shqipërisë” (1770) nga Mauricio Gerardini, “Skënderbeu” (1786) nga Pol Debyjsoni. Në Francë, heroi është personazh kryesor i dramave historike të autorit neoklasicist Gijom K. Perlyse dhe të Rogatien Forresë. Në shek. XIX-të botohen drama “Çlirimi i Greqisë” (1821) e gjermanit Karl Sondershaun; drama “Skënderbeu” (1835) nga suedezi F. G. Rudbek, “Skënderbeu, poemë heroike” (1824), nga gjermani Fridrih fon Nidda, Grigor Perliçev, maqedonas, shkroi dramën në vargje “Skënderbeu” (1861). Romani “Kapiteni i jeniçerëve” (1887) të anglezit Xh. Ludllou. Poema “Skënderbeu” e Henri Longfellout (1873), e përkthyer në shqip nga Fan S. Noli. Shtjefën Gjeçovi mblodhi në rrethet e Kurbinit dhe të Krujës 16 tregime popullore që shënojnë mbledhjen e parë të rëndësishme të gojëdhanave për Skëndërbeun.
Jeronim de Rada, poeti romantik arbëresh, shkroi “Skëndërbeu i pafan”, “Pasqyra e një jete njerëzore” dhe “Gjon Huniadi”. Gavril Dara i Riu, shkroi poemën “Kënga e sprasme e Balës”. Bernard Bilota shkroi poemën “Shpata e Skënderbeut në Dibër të Poshtme”, drama “Vdekja e Skëndërbeut” (1917), Kolë Mirdita. Në vitet 1912-1939 shkruhet “Historia e Skëndërbeut” nga Fan Nolit.
Në 500-vjetorit të vdekjes së heroit (1968) shkruhen poemat “Garda Krutane” e K. Jakovës, “Shkëmbi që theu dallgët” e Klara Kodrës, romani i Gjergj Zhejit “Muret e Krujës”, romani “Shqipja e kreshtave tona” i Skënder Drinit”, si dhe m vonë romani “Skëndërbeu” i Sabri Godos , vepër me dije të thella historike dhe mjeshtëri të lartë artistike.
_______________
DR.ERMIRA YMERAJ: EKSPOLRIMI I QENIES NË ‘VETMINË’ E FREDERIK RESHPJES
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=9105