MONIKA STAFA: NË BUDAPEST, NË KRYEQYTETIN E MBRETËRESHËS SË PAPËRFOLUR

(Reportazh, 24. 03. 2012) – Mëngjesi në Budapest, në Bud-im-Pesht, domethënë në njërin nga dy qytetet që Danubi (“Dunav”, sipas emërtimit vendas) i bashkon dhe i ndan si një “limes” – në fakt ende nuk e di nëse gjendem në Buda apo në Pesht – është i butë, por pa diell. Ajri i pastër, megjithëse në një megapolis, sikur të shpon hundët. Udhëtoj me tram për të arritur në orën e parë të ligjëratës dhe të bashkëbisedimeve në Central European University, ku do të jem për një javë për studime fellowship për hebrenjtë në Shqipëri gjatë luftës. Në fakt tema është më e gjerë: është një kurs special për holokaustin (“Shoah”) në Europë dhe terapinë e shoqërisë së sotme për t’u shpëtuar krimeve masive.
Rrugët janë madhështore dhe në të dyja anët ka statuja të mëdha të mrekullueshme. Duket një qytet më shumë perëndimor se lindor, një qytet ku ka lënë gjurmën e vet monumentale perandoria e Habsburgëve. Ngado që të hedhësh sytë, në çdo hap të lind një mendim. Ky është kryeqyteti i aleatit më të madh të Gjergj Kastriotit, Janosh Huniadi, i cili e meritonte një përmendore në Tiranë. Duhet të sigurohem që një përmendore e tillë ekziston për Gjergj Kastriotin në Hungari. Ky është gjithashtu dhe qyteti i mbretëreshës së papërfolur të shqiptarëve, Geraldine Aponny, vila familjare e së cilës njihet nga të gjithë dhe thuajse kudo ka dylbi për ta futur në objektiv. E papërfolur, duke llogaritur se sa llum është hedhur mbi të shoqin, Ahmet Zogun. Një mbretëreshë që e mbajti kurorën në krye si mbretëreshë e vërtetë vetëm për një vit dhe iku nga atdheu i dytë i saj në ditën e dytë të lehonisë. Një mbretëreshë që, megjithatë, gjatë një gjysmë shekulli, nuk tha kurrë një fjalë të keqe për Shqipërinë. Edhe atëherë kur ishte e detyruar të shiste bizhuteritë, tinës të shoqit, me një çmim qesharak, për të përballuar jetesën. Nuk jam e sigurt nëse vërtet kjo ka lidhje me fisnikërinë e shqiptarëve, apo me qëndrimin që ata mbajnë ndaj të huajve. Nuk po them për ndonjë kompleks përulësie, por së paku për sjelljen kanunore ndaj mikut.

Budapesti: Central European University

Befas më vjen në mendje një episod thuajse i panjohur në shkrimet shqip. Në vitet 1930 në Shqipëri erdhi për gërmime arkeologu i njohur frëng Leon Rey, zbuluesi i vërtetë i Apolonisë, së bashku me Cekën Senior. Ishte një sinjor i vërtetë, ashtu si dhe bashkëpunëtori i vet në Tiranë. Ndryshe prej Ugolinit, i cili zbulimet e veta më të rëndësishme në Butrint i çoi në muzetë e Italisë, Leon Rey ua blinte me paratë e veta myzeqarëve gjetjet arkeologjike që zbulonin duke gërmuar tokën dhe pati arritur të themelonte në Vlorë një muze arkeologjik me mbi një mijë objekte. Në shenjë nderimi për mbretëreshën, kur u bë baba në vitin 1938, e pagëzoi vajzën me emrin Geraldine. Dhe ndoshta pikërisht emri i mbretëreshës u bë shkas që ai të dëbohej nga Shqipëria, ku u kthye menjëherë pas luftës për të vazhduar kërkimet e veta. Erdhi me avion pa kërkuar vizë, duke menduar se mendja e tij do të çmohej, por E. Hoxha urdhëroi të mos i lejohej hyrja. I dëshpëruar, Leon Rey u kthye në Francë me të njëjtin avion që kishte ardhur dhe nuk i shkoi më në mendje të merrej me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Emri i Geraldinës më vjen jo rastësisht në mendje. Jo vetëm pse ndodhem në Buda a në Pesht (sot me siguri do ta marr vesh). Jo vetëm për faktin që shqiptarët mund ta përmendin lirisht emrin e saj si dëshmi se janë të sjellshëm. Por mbi të gjitha sepse Geraldina gjatë jetës që kaloi në Shqipëri ishte i rrethuar me hebrenj. Mjeku i saj personal quhej Swarovskij, njësoj si emri i kristalit të çmuar. Swarovskij e stolisi si nuse me bizhuteritë e veta. Njerëz të pashkolluar, emrin e tij në dokumentet arkivore, e kanë deshifruar në forma nga më të habitshmet: Ofrinovski, Ourinovski, Svorinovski. Fotografi personal i mbretit dhe mbretëreshës quhej Weitzman, njësoj si njëri prej presidentëve themelues të Izraelit. Ai mori shtetësi shqiptare së bashku me familjen e gjerë prej rreth 20 personash me një dekret mbretëror kur u shfaq në horizont rreziku nazist. Ambasada italiane i raportonte Franesina-s se familja mbretërore kishte lidhje shumë të afërta me hebrenjtë, madje i kishin edhe në oborrin e tyre. Dhe unë do të jem këtu, në Central European University, pikërisht me një fellowship për hebrenjtë dhe Shoah.
Universiteti është me akreditim të dyfishtë: nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shteti hungarez. Habitesh me larminë e licencave, diplomave, specialiteteve, degëve: ka tituj që njeriu nuk i shkon në mendje. Në princip mbështetet në Kartën e Bolonjës, por pa e fetishizuar dhe jo në mënyrë fanatike. Një e treta e studentëve janë si dhe unë, në proces doktorate. Gjysma janë në studime të shkallës master. Në nivelin e parë, të licencës (bachelor), ka shumë pak. Me një fjalë, është një universitet jo aq formues, se riformues dhe profesionalizues.
Kursi, në zhargonin e studentëve, njihet me emrin “Jewish Studies”, por kjo përfshin edhe aspektin fetar “Jewish religion, hebraism”. Ka një dallim në mënyrën si e identifikojnë veten hebrenjtë. “I’m Jew”, ka kuptimin e etnicitetit, kurse “I’m Hebrew” ka kuptimin e besimit. Megjithëse hebraizmi është e vetmja fe që bashkohet e shkrihet me kombësinë, mësoj këtu se ka dhe sekte të vogla hebrenjsh që nuk janë hebrenj në kuptimin fetar, por me një anim nga bektashizmi. Ndër ta edhe autori i ekspozitës “Besa – a honnour code of Albanian moslems”, H. Gershman. Të tillë ishin dhe hebrenjtë sabatazevistë, të quajtur “dönme”, që erdhën e u strehuan në hapësirën shqiptare pas “vitit të djallit 1666”.
Kursi është dypjesësh. Në fillim bëhet kërkim i pavarur në fondet zanore, në figurë dhe në dorëshkrim; në bibliotekën e pasur të CEU, në mediatekën e tij. Në një fazë të dytë vjen “të nxënit”, por jo si në një shkollë tradicionale. “Të nxënit” këtu ka kuptimin jo vetëm të mësohesh, por dhe të mësosh të tjerët. Më konkretisht: pjesëmarrja në këtë kurs studimi nuk vlerësohet e suksesshme nëse nuk arrin të propozosh një syllabus, një modul, një program formimi për temën e zgjedhur, për ciklin master e lart, me të gjitha kërkesat e një syllabus-i: titujt e ligjëratave, titujt e bashkëbisedimeve, bibliografinë themelore, bibliografinë e këshilluar, qëllimin, objektivat, rezultatet, impaktin.
Nga diskutimet midis kolegeve të Ukrainës dhe të Polonisë kuptova se këto dy vende konkurrojnë njëri-tjetrin për numrin e madh të hebrenjve që kishin para lufte, duke e paraqitur këtë si dëshmi të mungesës së antisemitizmit. Dhe ndërsa ndjek me vëmendje diskutimin e tyre, më kujtohet një dokument që kam këshilluar në arkivat e Shqipërisë. Dokumenti i takon fondit “Legazione d’Italia” dhe përmban raportin e një informatori të saj të ngarkuar për të mbledhur të dhëna rreth pranisë së hebrenjve në Shqipëri. “Sot, si çdo ditë, shkruan ai në raportin e tij, hyra në kafe “Kursal”, që është kthyer në një qendër të kontakteve dhe të solidaritetit të hebrenjve me njëri-tjetrin, për të mësuar të rejat më të fundme. Por befas në kafe hyri një hebreo-polake shumë e bukur, por aq e bukur sa unë mbeta pa gojë dhe sot nuk kam asgjë të re për të raportuar”. Një italian i vërtetë!
CEU është një universitet i ri dhe dinamik, që financohet nga Open Society Foundation, që në Shqipëri thirret thjesht “Soros”. Qëllimi i universitetit është shprehur në sloganin “mendje e hapur në shoqëri të hapur”. Në fakt unë do t’u kisha rekomanduar thënien lapidare të Soren Kierkegard, një filozof modern postmarksist, i cili shprehet pak a shumë kështu: “Mendja mund të krahasohet me një parachute: nëse ajo hapet, të shpëton nga vdekja, nëse nuk hapet, ç’e do?”.
Këshillimi i mediatekës është falas, madje kemi të drejtë të zgjedhim libra që i shërbejnë tezës së doktoratës deri në shumën prej 150 eurosh. Në fakt, këtu të gjitha shërbimet bëhen me paranë e vendit, forinta, kështu që për saktësi duhet të them se kemi në dispozicion një shumë prej rreth 55 forintash për të porositur libra. Dhe janë paper-book, jo e-Book, siç e mendonim. Kjo është gjëja e parë që më gëzon. Për të tjerat nuk mund të them se kisha një ditë të gëzueshme. Së pari, sepse në të gjitha institucionet e CEU: në librari, në bibliotekë, në arkiv, në mediatekë, nuk gjeta më shumë se dy artikuj për shpëtimin e hebrenjve të Shqipërisë. Provova të njëjtin dëshpërim sikur u njoha me udhërrëfyesin e koleksioneve rajonale për shpëtimin e hebrenjve, copyright i Memorial Museum of Holocaust of Washington, ku përveç një koleksioni dhuruar nga AQSH në vitin 2004 nuk gjendej asgjë tjetër. Pikërisht asgjë tjetër. E kjo më kujton pastaj se deri në vitin 1990 vetëm një familje shqiptare ishte shpallur “The Righteous between the Nations” prej Yad Vashem-it, për arsyen e thjeshtë se duket shumë qartë që shqiptarët nuk i kushtojnë aspak vëmendje imazhit të tyre, ose më mirë pajtohen me imazhin që ua krijojnë vizitorët europianë, ekzotikë e të ekzaltuar prej prapambetjes, të entuziazmuar në kulm, kur gjejnë se në këtë vend ende ekzistoka urdhri i “Le vergine giurate” apo i amazonave.
Në CEU nuk ekziston distanca midis profesoratit dhe kandidatëve. Me një fjalë, nuk duhet të habitesh duke parë një profesore që, për të qenë më afër nesh, kapërcen si një atlete “murin” që kanë krijuar rastësisht karriget e vendosura në çrregull, duke mos u shqetësuar as për fundin që mund t’i shqepej, dhe mua më vjen pak për të qeshur, sepse menjëherë më vjen ndërmend ajo folësja e BBC-së, që, e pakënaqur prej buletinit të lajmeve që i kishin dhënë për të lexuar, trillane siç njihej, duke qenë në transmetim të drejtpërdrejtë, kapërceu përmbi tryezë, duke çuditur teleshikuesit. Këtu profesorët quhen të dështuar nëse nuk e mbajnë vëmendjen e auditorit deri në fund, dhe për këtë rrëfejnë nga jeta e tyre, bëjnë lidhje ngjarjesh interesante me teorinë, hidhen pupthi, imitojnë autorët që u referohen, hyjnë në komunikim të drejtpërdrejtë me një prej kandidatëve, pastaj me gjithë grupin, dhe ti mëson jo vetëm dije, por edhe sjellje e mirësjellje, sidomos liri komunikimi dhe ndërveprimi, oratori e retorikë, për më tepër, si të përdorësh kompetencat e tua në mënyrë të lirshme për të bërë sa më shumë përshtypje. Sa shumë dallohen këta prej kolegeve të mia që kanë ardhur kryesisht nga shtete të dala prej shpërbërjes së ish-BRSS. Atyre duket sikur ua kanë fshirë shqisën e bashkëbisedimit. Duken si bunkerë. Incom. Mezi hyjnë në bisedë, nuk flasin shumë, janë të ftohta dhe unë mendoj se sa shumë duhet të kenë gënjyer shqiptarët e viteve 1960 për dashuritë e tyre të zjarrta me ruset, bjelloruset, ukrainaset, nëse temperamenti i tyre është ky i përvojës sime. Me aq pak fjalë që këmbeva me përtesë e ndoshta dhe me bezdi prej tyre kuptova se janë edhe të varfër. Gjatë drekës, kur shihja se me ç’kursim e bënin porosinë (shuma në dispozicion për qëndrimin na u dha në dorë), më dukeshin si protagonistët e reportazheve të mia në periferitë e Shqipërisë. Madje një prej tyre më kujton edhe fizikisht portretin e njërit prej njerëzve që kisha intervistuar në fshatin Dunicë të Pogradecit. Dallohen shumë edhe për shqiptimin e keq të anglishtes. Njëra, me emrin Olga, me flokët e verdhë dhe sytë e hapët, më kujton një grua nga Kukësi dhe më vjen keq që mirësjellja e saj ngjan më shumë si provincializëm. Një tjetër, me mollëza të fryra dhe sy të e vegjël si sy pule, më lidhet në mendje me një grua nga Gramshi. Ndoshta të gjitha këto lidhen edhe me gjurmën e leksionit të sapombyllur prej profesores atlete, që ishte për dukuri antropologjike: njeriu si qenie planetare, etnocentrizmi dhe kozmocentrizmi, etnocentrizmi dhe europeizmi, ndryshimi si diskriminim, identiteti dhe etnotipet.
Pata një bashkëbisedim me profesoren për tezën time të doktoratës. Më pyeti se cili ishte argumenti themelor i doktoratës dhe i shpjegova që ka një paradoks: në vendin tim nuk iu dorëzua nazistëve asnjë hebre dhe megjithatë kjo është doktorata e parë në proces mbrojtjeje. Përse, më pyeti, çfarë bëjnë studiuesit në vendin tënd? Jo, ka studiues shumë të mirë te ne, që kanë botuar libra me rëndësi mbi këtë çështje, por qeveria nuk bën asgjë për t’i promovuar arritjet në gjuhë të lexueshme prej të gjithëve, anglisht për shembull; apo për të nxitur studimet jashtë. E njëjta gjendje, sipas një kandidateje nga Ukraina, ekziston dhe atje. Ajo flet për një mosvëmendje politike, deri te harrimi i Ditës së Kujtesës, dhe në këtë çast nuk më mbetet tjetër veçse të ul kokën, sepse kjo ndodh rregullisht edhe në Tiranë. Ndoshta ngaqë politikës nuk i intereson kjo çështje? – pyet profesorja. Vërej të njëjtin shqetësim nga të gjithë kandidatët që vijnë prej vendeve të Lindjes. Pastaj m’u drejtua mua: më thuaj, me se mund të të ndihmoj. Me libra dhe me arkivat, iu përgjigja. Pastaj ajo më lidhi me një librare të universitetit, që është jo panair, por një qytet më vete, ku mund të gjesh libra edhe për fatin e hebrenjve në ishujt Saschel, por jo për Shqipërinë. Unë mund të fotokopjoj deri në njëqind faqe të librave, jo më shumë, sepse supozohet që dëmtohet e drejta e autorit. Mund të shkarkoj gjithashtu me qindra libra falas në formatin e-Book, sepse profesorja me mirësi më instrukton si të anëtarësohem si bashkëpunëtore e jashtme e CEU. Vetëm gjatë një ore pune praktike, që iu kushtua këshillimit të koleksionit “The USC Shoah Foundation Institute – visual history archive” gjenden 52 mijë dëshmi vizuale nga 56 vende të ndryshme, në 32 gjuhë. Por shqip nuk ka. Sepse askush nuk është kujdesur të memorizojë kujtesën gojore, kujtesën e trashëgimtarëve të atyre që shpëtuan hebrenjtë gjatë luftës, kujtesën e vetë hebrenjve që rrojtën në Shqipëri deri më 1990-n.
Sot është dita e seancës “Si të ndërtojmë një syllabus akademik” – “Backward design for learning”, që nënkupton që secili nga ne të hartojë një kurs të plotë leksionesh të lidhur me temën e doktoratës. Mua më takon të propozoj një kurs leksionesh për temën “Shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës në Shqipëri”. Profesorët janë shumë të kujdesshëm në parashtrimin e instruksioneve. Vazhdimisht risjellin në dialog frazën: “Ne nuk duam të ndryshojmë metodat akademike të arsimit në vendin tuaj, por ne duam të bëjmë një hap para apo dy – kjo varet nga ju – të ndihmojmë në përmirësimin e mësimnxënies te studentët”. Kryefjala e gjithë këtij dialogu është e shprehur në idiomën “deep-learning”. Ndërsa skicoj syllabus-in që kam ndërmend të propozoj, e përfytyroj veten si mësuese dhe më vjen në mendje filmi “Monalisa’s smile”, që më inkurajon në punën time.
Duhet të propozoj diçka të denjë për Shqipërinë. Ndër 15 titujt e leksioneve duhet të ketë diçka për dy mijë vjet prani kulturore hebraike në Shqipëri, për ardhjen e hebrenjve safardikë pas inkuizicionit, për vendosjen e hebrenjve sabatazevistë nën vëmendjen e klanit Qyprilli, për hebrenjtë romaniotë dhe për hebrenjtë ashkënazi për hebrenjtë dönme, për Ismail Qemalin që u kujdes të shuante sherret e perandorisë me jahudinjtë duke qenë funksionar i ish-perandorisë osmane, për fatin e ushtrisë së thyer serbo-malazeze në Shqipëri pas mbarimit të luftës ballkanike, për fatin e mbrojtur të një ushtrie të mundur, si ajo e Italisë fashiste (mbi 20 mijë ushtarë italianë u strehuan midis popullit dhe u mbrojtën nga nazistët), për ligjin e monarkisë zogiste që hebrenjve t’u njihej e drejta e komunitetit fetar dhe etnik, për mbikëqyrjen italiane të pranisë hebraike në Shqipëri gjatë viteve 1930, për marrëveshjen Konitza-Bernstein, për misionin e Leo Elton dhe bisedimet e tij me qeverinë mbretërore, për projektin e izraelitizimit të Shqipërisë dhe të kthimit të saj në një atdhe rezervë për hebrenjtë në rrezik, për mosdorëzimin e listave të hebrenjve ushtrisë naziste nga qeveria kolaboracioniste, për të ashtuquajturin implikim të divizionit “Skanderbeg” në holokaust dhe “dy qëndrimet e shqiptarëve”, për numrin e hebrenjve të shpëtuar dhe vendet e tyre të origjinës, për Schindler-ët shqiptarë dhe listën e “The Righteous from Albania”, për arsyet pse kjo çështje nuk është njohur botërisht, për hebrenjtë dhe shqiptarët si popullsi të padëshiruara në Greqinë fqinje dhe për probleme të tjera më të përgjithshme, si etnofobia, judeofobia, antisemitizmi, holokausti, “Shoah”, gjenocidi, etnocidi, shpërnguljet e programuara, racizmi, diskriminimi, krimet masive etj.
Syllabus-i, megjithëse disi i pakuptueshëm për mjedisin, sepse të gjitha temat e propozuara kanë të bëjnë me shkaqet e zhdukjes së hebrenjve në vendet nga kanë ardhur kandidatët, pra, me të kundërtën, merr miratimin e profesoratit dhe marr kënaqësi nga vlerësimi, sidomos nga debati shkencor që u zhvillua, por kënaqësia nuk zgjat shumë, sepse menjëherë më del para pyetja: vërtet një syllabus i vlefshëm për CEU, por cili universitet në Tiranë do të tregonte interes për të? Paradoks i vërtetë: një universitet që ka marrë përsipër të ndryshojë mendësinë e njeriut është i gatshëm të miratojë syllabus-in e propozuar nga unë, një syllabus në fund të fundit për të ndryshuar dhe imazhin e shqiptarëve në botë, megjithëse në Shqipëri përtojnë të flasin për këtë temë ose e kanë më komode të dalin kundër.
Me lejen që më është dhënë nga autoritetet e CEU kam të drejtën të këshilloj e të shkarkoj nga rrjeti intranet edhe studimet master e punët e pavarura të studentëve shqiptarë që kanë ardhur para meje këtu. Shumë prej tyre sot janë emra që i dëgjojmë në buletinin e shtypit të përditshëm. Por një dëshpërim i madh më zë kur provoj të njihem me përmbajtjen e këtyre temave, të cilat, meqë ra fjala, i shkarkova të gjitha: ngjarjet e 21 janarit në shtypin shqiptar, protestë apo kryengritje, zgjedhjet në Shqipëri dhe raporti i OSBE-së, drejtësia në Shqipëri dhe problemet e pavarësimit, rasti i rritjes ekonomike në Shqipëri, 12 pikat e BE-së dhe Shqipëria, Himara si problem, arumunët dhe dy shoqatat e tyre, shelfi detar si problem shqiptaro-grek. Me të vërtetë tituj për editorialë në të përditshmet dhe jo për kërkim shkencor.
Mund të mësosh edhe nga dita e shopping-ut. Sidomos duke krahasuar sjelljet e njerëzve me paranë. Ruset, ukrainaset, bjelloruset, vazhdimisht ankohen për dietën e ulët (par diem), vazhdimisht mendojnë se sa para do të kursejnë e do të kthejnë në shtëpi, vazhdimisht habiten kur më shohin duke blerë (sidomos kur u them se i dua për dhurata). Shpesh më ngjajnë se jetojnë si në ushtri edhe në shtëpitë e tyre. Nga ato pak fjalë që këmbeva me njërën prej tyre, besoj gjyshe tashmë, në vendin e saj paga më e madhe mujore e një mësuesi është vetëm 100 dollarë. Vetëm dy prej tyre punonin në universitete, si të jashtme, që të plotësonin pagën e tyre.
Ndërsa kaloja nga një pavijon shitjesh në tjetrin, ruset më shihnin si të hutuara, dhe tani besoj se e kam kuptuar pse. “Monika, what did you buy? Oh, sweaters, a dress, a pair of boots, some colourful stuff like that, because colours miss in garderoube of the albanian people”. Ato buzëqeshën në heshtje dhe nuk shtuan asnjë fjalë më shumë. Në mëngjesin e ndarjes do të kisha një shpjegim më të qartë për dallimet në gjendjen ekonomike me vende të tjera të Lindjes, pikërisht nga një kolege moldave. Shumë ankohen shqiptarët për mospasjen, varfërinë, prapambetjen, por …paska dhe më keq, rimendova në heshtje duke çapur rrugëve të Peshtit drejt tramit të përminutshëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura