ARDIAN RAMADANI: DISHEPUJT E NAҪERTANIJES PROVOKOJNË PAQEN NË BALLKAN, E NE SHQIPTARËT FLASIM PËR INTERGRIME

(Shkup, 17. 11. 2012) – Është bërë rutinë që partitë politike shqiptare, e posaçërisht ata që janë pjesë e institucioneve në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri të na lodhin kokën me refrenet patetike dhe eufemizmat «procese integruese dhe euroatlantike». Jo që këto procese nuk janë të mirëseardhura dhe të nevojshme, por ama në kohën kur fqinjët e shqiptarëve militarizohen çdo ditë e më shumë, ne pacifizohemi pa nevojë, në kohën kur fqinjët tanë investojnë në ushtri dhe në polici, e në mjete të sofistikuara ushtarake, ne flasim për integrime dhe liberalizime. Thuaja se i kemi kryer të gjitha gjërat në planin domestik, e tashi na ka mbetur aspekti i jashtëm i zgjidhjes së problemeve rajonale. Shqiptarët me pavarësinë e Kosovës dhe me integrimin e Shqipërisë në NATO është fakt që janë faktorizuar tej mase, duke kaluar nga faktorë pasiv në faktorë aktiv, por edhe kyç në qenësimin e paqes.
Mirëpo, në vend se shtetet tona shqiptare të interesohen për militarizim, dëgjojmë çdo ditë për dekadencën dhe mjerimin e faktorit ushtarak. Si rast konkret kemi Shqipërinë, e cila edhe pse në NATO, ende ballafaqohet me atrofizim si dhe teknologji jo të mjaftueshme ushtarake për ti bërë ballë sulmit eventual.

Baza ushtarake serbe në Cepotin, afër Bujanocit –

njëra nga bazat më të mëdha në regjion!

……………………………………………….

Kësisoj nëse marrim shembuj konkret do të bindemi në këtë që e themi. Ja ilustrimi konkret. Serbia sipas statistikave më të fundit investon në ushtri pjesën më të madhe të buxhetit të saj, respektivisht rreth 95 % ndërsa vetëm 5 % në administratën shtetërore. Më vitin 2005 u nënshkrua kontrata serbe dhe izraelite për marrjen e satelitit me qira «Image sat» për përgjim të Kosovës me satelitë përgjues të tipit ‘EROS A’ dhe ‘EROS B’, me një vlerë prej 45 milionë eurosh. Në kohën kur flitet për dialog dhe për status plus për veriun e Kosovës, Serbia ndërton bazën ushtarake në Cepotin me rreth 35 hektarë, 22 000 m2, 66 objekte ushtarake, edhe atë vetëm 15 km larg Bujanocit. Se sa sofistikohen mjetet ushtarake dhe se sa investon Serbia në militarizimin e saj kemi edhe një rast tjetër. Në maj 2010 serbët ndërtuan fluturaken spiunuese VRBAC (shqip Vremçi), e cila është 3 herë më e lirë se ajo izraelite «Orbitër». Fluturon në lartësi 500 m si dhe ka një radius prej 12 km. Kjo fluturake është e aftë të dallojë çdo ndryshim temperature të organizmit të njeriut. Sa i përket angazhimit në ushtri dhe polici shifrat janë shokuese. Numri i pjesëtarëve aktiv të ushtrisë serbe janë 30 000 veta. Serbia ka 37 000 pjesëtarë rezervë, 100 000 rezervist. Buxheti i saj është 675 milionë euro në vit (2011). Ka një strukturë me 4 brigada me 10 batalione, 3 brigada ndihmëse, 2 batalione të policisë ushtarake. Në vitin 2009ka eksportuar armatim me vlerë prej 500 000 $. Ndërsa MPB serbe ka 45 000 punonjës.
Kur krahasojmë këto shifra me Kosovën, kjo e fundit në aspektin militar megjithë prezencën e NATO’s, është si fluskë në krahasim me serbët. SHPK ka 8000 pjesëtarë të uniformuar, 1100 staf civil, ndërsa FSK ka 2500 pjesëtarë të rregullt si dhe 800 pjesëtarë rezerv. Po mos të ishte KFOR’i, vaj halli. KFOR’i në Kosovë ka 5790 pjesëtarë nga 29 shtete të ndryshme ku vetëm Gjermania ka 1349 trupa ushtarake. Kësisoj është utopike të imagjinohet çfarëdo reagimi efikas i shqiptarëve në rast të sulmit eventual serb. Shifra tjetër ëshët shokuese, Serbia në Kosovë nga 1999 gjer tani më 2012 ka investuar 5 miliard euro. Shifër shokuese për ata pseudoanalistë që mëtojnë ta paraqesn shtetin serb të falimentuar.
Kur të krahasohemi me shtetet e tjera ballkanike, ne si shqiptarë gjendemi në gjendje jo të mirë vaj medet. Kësisoj nëse e marrim Turqinë si faktor të fortë ushtarak në rajon ajo ka 615 000 ushtarë, Kosova 2500 ushtarë, Rumania 75 000 plus 15 000 civilë ushtarakë në kohë paqe, Greqia « europiane dhe faktor i paqes » posedon 180 000 ushtarë, e 24 në botë për shpenzime ushtarake, si dhe e 11 në botë për import ushtarak). Serbia pamë se kishte 37 000 pjesëtarë, Maqedonia që shpesh e llogarisim si të brishtë është në hap shumë të mirë ka 10 000 pjesëtarë, Mali i Zi ka 3100 pjesëtarë, Sllovenia 7600 pjesëtarë, Kroacia 19 000 pjesëtarë të ushtrisë, ndërsa Shqipëria ka 14 500 plus 2000 civil, e në fund Bosnja dhe Hercegovina ka 13 500 pjesëtarë.
Vlen të përmendet se së fundi Maqedonia po investon tepër në sektorin ushtarak dhe atë të mbrojtjes, por edhe atë policor. MPB maqedonase disponon me fluturaken pa pilot, ndërsa vetëm në 2009 buxheti shtetëror maqedonas ka siguruar 40 milionë euro shtesë për Drejtorinë e sigurimit dhe kundërzbulimit.
Besoj se me këto shifra kemi të qartë gjithçka. Përderisa ne flasim për paqe, shtetet fqinje avansojnë dhe ngrisin kapacitetet ushtarake, policore dhe ato mbrojtëse. Ndërsa ne flasim për integrime, euroatlantizëm, thuaja se jemi avokat dhe se prej nesh varet euroatlantizmi.
Krejt kjo që u tha më lart ka një qëllim, të jemi vigjilent dhe të gatshëm për sfida se më kot nuk bëhet ky militarizim grandioz. Dishepujt e Millosheviqit, ithtarët e Megalidhesë, Nçertanies dhe pasuesit dhe ndjekësit e Blazhe Ristevskit janë aktiv dhe tejet të rrezikshëm. Andaj më shumë se kurrë na duhet unifikimi, koordinimi dhe lënia anash e mërive dh einateve politike, krahinore… Por edhe mos të nxitojmë, sepse siç do të shprehej një historian për ne «Shqiptarët janë populli i vetëm që gabojnë dhe vonohen duke u nxituar».
– Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura