Berlin, 10 shkurt 2020: (Shqiptari që mund të ndryshonte botën)
1.
Ai hynte lehtësisht në zyrën e tij. Ishte i gjatë, elegant dhe kishte mirësjellje mondane. Vetësigurinë ia jepte tashmë një karrierë e bujshme në shërbimin delikat që krijonte njohje e puplajë kujtimesh…
Ishte ky Iliaz Bazna, që me emrin e koduar “Cicero”, kje pajtuar shërbyes dhome në kancelerinë e ambasadorit britanik, Hughe Montgomery, në Ankara. Kisha lexuar dhe më parë historinë e tij. Por filmi artistik kushtuar kësaj prapaskene të rrallë lufte që pashë një mbrëmje, do më cyste për të shkruar pak fjalë.
2.
Iliaz Bazna është lindur në Prishtinë (viti 1904), por në prak të luftës së parë botërore do shpërngulej familjarisht në Stamboll. Meqë në rininë e hershme pati bërë ca të pamira, arrestohet dhe do vuaj dënimin trevjeçar në një kamp pune Francë. Mandej, kur bota lëkundej m’një fije bari mes ariozofisë dhe libertarëve, do gjendej sërish në Turki. Ashtu si Lumi i Heraklitit, ndryshonte ai role e imazh vazhdimisht…Një kohë u përpoq të muzikonte. Ndiqte mësime këndimi tek një profesor gjerman. Por koncerti i dështuar, do t’a çonte pranë Atasheut ushtarak amerikan. Shpejt më pas, do punonte për një biznesmen gjerman dhe së mbrami, i rekrutuar nga Shërbimi i sigurisë së Führerit (SS) në Berlin, nga tetori 1943 deri në mars 1944, përfundoi në selinë e britëve armiq…
3.
Ndërkaq filmi, si punë arti, hidhte ca gurëz të bukur në rindërtimin e sfondit ku zhvillohej drama e fshehtë. Ekzistencën e “Cicero”-s e dinin të gjithë. Ai sillej si fantazmë mes tyre. Po askush nuk e njihte njeriun që hijesonte pas tij. Madje, për çudi, as vetë eksponentët e shërbimit gjerman. Ndaj dhe atasheu i Reichut, Moyzisch, (përgjegjës i SD në Ankara) do t’i ngarkonte zonjës Kornelia Kap misionin e vështirë: të zbulonte “Cicero”-n enigmatik! Kjo pjesë jetëshkrimore, ndërkaq, më kujtonte Schopenhauerin (“Metafizika e dashurisë”). Dhe, natyrisht, distancën time ndaj hipotezës së tij. Dashuria nuk ekziston, shkruante ai. Edhe ai dreq instinkti fizik i species – sa dëmsor është! Sepse, shpjegon tutje, huton mendje të ndritura, turbullon burra shtetesh, prish fate kombesh, thurë përbetime mashtruese, gatit prita keqdashëse, përvijon fletëza e gërsheta floknaje në portofole ministrash e dorëshkrime filozofësh, këput lidhje të ngushta, sakrifikon jetë e lumturi…E pra një demon armik që shëmb gjithçka. Në fakt, ata u bënë dashnorë. Do tÃâ thoshje, duhej të ishte një dashuri arturjane: e stisur, aktruar dhe hipokrite. Po me gjasë, lidhje e tyre vente përtej urdhërit, profesionit a salloneve të ftohtë… E pra, ndryshe nga ç’pohonte autori i “Metafizikës…”, kjo damë bjondine, e bukura Kornelie, edhepse arriti t’a dekonspironte, kurrë nuk ia tha shërbimit të vet emrin e tij.
4.
Ankara. Në një nga netët prehëse tÃâ Anadollit, larg fronteve të luftës, Bazna hapi portën e jashtme ku rezidonte Shkëlqesia e tij. Ngjiti shkallët qetësisht e, ndërsa ai bënte një gjumë të thellë, fotografoi dokumenta jetikë. Afro 400 tyresh do i niste menjëherë për auroritetet që i prisnin në Berlin. Operacioni i “Cicero”-s i quajtur “Overlord”, posa e ishte kryer. Mesazhi përcaktonte drejtimin që do merrte bota midis jetës a vdekjes: aleatët (datë, 4 qershor 1944) do zbarkonin në Normandi! Ndërkohë, për të mashtruar Wehrmacht-in, anglezët kishin lëshuar ujrave bregdetar trupin e një briti të vrarë. Në xhep mbante një ditar. Plot dhimbje e mall jete, ai shkruante sesi mezi pret të mbarojë kjo luftë e mallkuar, tani që aleatët do hynin papritur e furishëm në Europë. Por – e kjo është poenta dinake – jo aty ku informatori Bazna faktonte pretendimin e vet.
5.
Berlin. Ministri i jashtëm Ribenntrop endej i mëdyshur në zyrën e tij. Ulej në skrivani. Ngrihej prapë e vështronte përhumbshëm në dritare. Po nga horizonti i hirtë nuk i vinte asnjë shenjë. Ç’ishte ky raport? Real dhe Rajhu do t’kapte në beft, për t’i shpartalluar ushtritë armike, apo ndoshta truk çorientues i britëve? Sa më gjatë vriste mendjen, aq më tepër anonte nga padehma e parë. Por s’kish pse të mërzitej. Priste fjalën e fundme të Führerit të lavdishëm. E ajo erdhi shpejt, sepse koha nuk priste. Shqiptarët e Kosovës, kishte porositur ai, s’ishin etni e besueshme dhe, prandaj, relacioni i Baznës nuk do merrej në konsideratë… Megjithatë, i dhanë atij paratë e premtuara. Një shumë marramendëse funtash prej një milion dollarësh me vlerën e sotme. Mirëpo, për t’a përmyllur lojën, monedhat ishin të rreme. Meqë, sipas tyre, shërbimi doli i dyshimtë e i papërdorshëm, edhe lekët ashtu do ishin: ca letra të ngjyrosura si lodra fëmijësh…
6.
I deshpëruar thellë, spiuni i pafat Iliaz Bazna emigron në Gjermani. I shkruan një letër Konrad Adenauerit ku i kërkonte zhdëmtim, por përgjigja nuk do i vinte kurrë. E si mund të merrte përsipër Kancelari i parë i Gjermanisë pasnaciste detyrimet e pista të Rajhut të thyer? Bazna pastaj shkroi një libër kujtimesh me titull “Isha unë Cicero”, por eprori i tij anglez i Ankarasë, zgjodhi heshtjen. Për t’mos i bërë librit publicitet? Nuk i përballonte dot sedra e tij dhe dinjiteti anglez dëshmitë e parrëzueshme të Baznës? Por, më herët, gjatë ditësh të
zjarrta, ai do qarkullonte lajmin se britët paskëshin qenë në dijeni të tij. Taktika e hollë i paraqiste dokumentat një kurth të aleatëve. Që këtej, si do thuhej, Bazna kishte dërguar në Berlin kopjet, e jo origjinalin e dokumentave sekretë.
Po ç’rëndësi kishte kjo?
Fundja, nëse ishte ashtu, aherë pse Franklin Roosevelt i shkruante me shqetësim Churchillit se Berlini është saktësisht i informuar mbi Konferencën e Kajros, mbajtur me datë 22 – 24 nëntor të vitit 1943?!
Kumti që arriti në ambientet e nëndhéshme të Reichut, ishte absolutisht i vërtetë. Këtë do t’a provojnë dosjetë dhe kronikat e tevonshme. Po t’a dëgjonin Baznën, aleatët nuk do zbarkonin të gjallë në Normandi dhe sundimi i Europës do shtyhej tmerrsisht ndër vite…
E aherë do mbetej vetëm shpresa e një bombe rrënimtare amerikane… Robert Oppenhauer, edhe vetë emigrant gjerman, ngutej t’a prodhonte atë para fizikantëve rivalë të Hitlerit, sundtarit që i digjej dhéu nën këmbë. Por epilogu i shpejtësisë nuk dihej dhe bota jetonte ankthin e Apokalipsës…
7.
Iliaz Bazna vdes në vitin 1970. Varroset në Perlacher Forst, Mynih. Ndryshe nga biografë të tij, filmi niset e mbaron me një nëntitull sugjestiv: turku që ndryshoi botën.
Ç’lajthitje e marrë!
E para, ai nuk e ndryshoi, por, sikur të klasifikohej seriozisht informacioni i tij, mund t’a ndryshonte botën.
Dhe e dyta, nuk ishte turk, por shqiptar i Kosovës, lindur në Prishtinë.
Nuk është se Bazna stolis krenarinë time kombëtare, por prapë e sërish: përse kjo prirje mohimi ndaj shqiptarëve? Literatura gënjente prorë. Gënjen dhe sot. Kudo qÃâ shquheshin për bëma të mëdha, shqiptarët do të portretohen biografikisht të largët, të huaj. Madje, qendra e autorë shpifës, dhe në vetë truallin arbnor rrëmojnë për të gjetur prejardhje të errtë për njerëz historik shqiptar.
U desh, fjala vjen, Sebag Simon Montefiore të shpallte se Mehmed Ali Pasha, themelues i dinastisë së Egjiptit, nuk ishte turk. Ishte shqiptar.
Sa i lumtur jam ndjerë kur, teksa shfletoja librin e tij “Jerusalemi, një biografi”, do gjeja më të dashurin kapitull “Pushtimi shqiptar” (“ALBANISCHE EROBERUNG”) i Jerusalemit!
Të tjerë identifikohen, ose mburren me mite agjentësh të mëdhenj. Pavarësisht shërbesës së tyre: për atdheun apo, si mercenarë t’një kauze të huaj. E Bazna ynë flitet të ketë thënë: e bëj këtë favor sepse urrej britët dhe adhuroj paratë. Tani, megjithëse indiferent ndaj tiranisë, gjakut dhe vdekjes, a nuk do ishte e ligjshme për mua një ndjesi e ngrohtë ngazëllimi: edhe për të vërtetën mahnitëse edhe për identitetin e Cicero-s, më të famshmit spiun të Luftës së dytë botërore?
E shoh të natyrshme të drejtën time për këtë!
Gjithmonë!