BEHXHET SH.SHALA – BAJGORA: PËR ÇFARË MERCENARIZMI PO FLITNI O JU TË SHITUR E TË STËRSHITUR

Prishtinë, 14. 05. 2015 – (Pse heshtej kur çdo gjë dihej) – Shteti pa emër dhe me një identitet të rikrijuar të rremë fetar, kulturor, kombëtar dhe politik që njihet si FYROM është në rrugën e theqafjes për të cilën ka kontribuar 24 orë, sikur të ishte një qendër e madhe tregtare apo pikë karburanti. Para disa muajve, një mik imi më pyeti se kush qëndron prapa disa emrave që pastaj u përfolën si të vrarë apo të arrestuar në Betejën e Kumanovës. Këta të përfolur paskan organizuar grupe të armatosura të cilat, në momentin e caktuar do ta nisnin një luftë të re në këtë krijesë shtetërore duke mos dyshuar fare se do të ketë luftë dhe të cilës nuk do i dihej fundi. Argumentet e mia se nuk mund të ketë luftë dhe se askujt nuk i duhet lufta në këto çaste nuk e bindën mikun tim i cili me një siguri thuaja 100% i mbronte qëndrimet e tija, ndonëse edhe ai ishte kundër luftës. Ishte e fshehtë publike se në FYROM kishte persona apo grupe të armatosura dhe të organizuara e që nuk pajtoheshin me gjendjen aktuale të shqiptarëve atje e as me të ashtuquajturën Marrëveshjen e Ohrit e cila nuk u zbatua kurrë dhe, madje flitet si teksti origjinal i kësaj marrëveshjeje qenka zhdukur dhe mbase tani punohet me fotokopje sikur ato dokumentet kadastrale (origjinali është në Serbi) që i merr me postë nga Beogradi “negociatorja“ e përjetshme, mondanja me para të shtetit, Edita (Fjolla) Tahiri.
Edha bashkësia ndërkombëtare kishte informata për zhvillimet në këtë shtet dhe sigurisht se ka ndikuar për ecurinë, dinamikën, mënyrën dhe rezultatin e pjesës së parë në Kumanovë, ndërsa vetëm mund të paragjykohet se cili do të jetë përfundimi i këtyre zhvillimeve të orkestruara dhe mirë të planifikuara. Para Betejës së Kumanovës flitej se qeveria e Gruevskit ka ndarë miliona euro për ta nisur luftën dhe se kjo ishte ajo fija e kashtës për të cilën po kapej Gruevski, para se të mbytej nga opoziat e Zaevit, me ato bombat e përgjimeve. Gruevski luante një lojë prej finoku në politikë duke fjetur në shtratin e Europës, ndërsa hamshorin e kishte nga Rusia. Luante me kartën që BE-në ta shantazhojë me një afrim të mundshëm me Rusinë në kohën kur me Serbinë thuaja kishte ndërtuar bashkëpunim konfederal. Gruevski kishte ndërtuar një shtet personal të cilin e udhëhiqte me njerëz që u besonte ndërsa politikanët shqiptarë i mbante thjesht si “ vlerë e shtuar“ e demokracisë. Për shkak të standardeve europiane dhe demokratike të cilat i shkilte ndaj 98% të shqiptarëve në mënyrën më flagrante të mundshme. FYROM u shndërrua në një kështjellë policore dhe të shërbimeve informative dhe kundërinformative ku shqiptarët nuk kishin qasje në nivelet vendimmarrëse përjashtuar rastet kur shërbenin si informatorë apo zbatues të politikave diskriminuese antishqiptare. Në këto nivele ishin edhe politikanë të niveleve të larta në FYROM sikur që ndodhë edhe në Kosovë. Problem i dëshmuar gjithshqiptarë kur është fjala për marrje apo ruajtje të pushtetit frerët e të cilit janë në duart e të tjerëve e që nuk janë shqiptarë!

Budallenjt e mençur apo të mençurit budallenj
Deri më sot shqiptarët as të drejtën më të vogël nuk e kanë fituar me mjete politike dhe pa derdhur gjak. Pastaj, pas përfundimit të betejave të shumta shumë shqiptarë u shndërruan në ”gjeneralë të politikës” duke “analizuar“ zhvillimet dhe duke dënuar ata (shqiptarët ) që shkaktuan “viktima të panevojshme”. Kështu dikur e akuzonin Azem Bejtën se: “ia paska parë sherrin e tërë Drenica“ pasi vet nuk kishin guxim, vullnet as gatishmëri të bënin diçka në luftë për liri. Apo shkaku se kishin bashkëpunuar me ata kundër të cilëve luftonte Azem Bejta me Shotë Galicën e që është shumë afër të vërtetës. Edhe për luftën heroike që e bëri Shaban Polluzha, Mehmet Gradica dhe shumë atdhetarë të tjerë fajësoheshin këta që u martirizuan e jo ata që bënë krime dhe kërrdi në Drenicë, Tivar, Srem, Novi Pazar, Gjilan, Llap, Dukagjin, Mitrovicë që udhëhiqeshin nga çetnikët e ushtrisë jugosllave, disa brigade të Shqipërisë dhe mercenarët e Fadil Hoxhës, Ali Shukrisë dhe të tjerëve që më vonë u shërbyen qençe Jugosllavisë dhe Srbisë duke mos bërë asgjë për popullin gjuhën e të cilëve për fat të keq e flisnin dhe e konsideronin si gjuhë amtare. Kishte më parë dyshime edhe për Isa Boletinin dhe Hasan Prishtinën. Këta të sotit nuk po kanë guxim që eshtrat e Isa Boletinit t’i rivarrosin në vendin ku i kishte rrënjët e që sot është pjesa e okupuar e Kosovës. Që të mos provokohen serbët dhe të mos rrezikohet bashkëpunimi me “miqtë” ndërkombëtarë ! Sa të poshtër që janë! Po është një e mirë që Isa Boletinin po e dërgojnë në Vlorë kur edhe mund ta vizitojmë. Paramendojeni ta kishin dërguar në Pakistan apo Kazakistan?! Problem do të ishte. Akuzohej pastaj edhe Baca Adem Demaçi që bëri afërsisht 30 vite burgje për lirinë edhe të këtyre që e shajnë dhe që nuk e meritojnë sakrificën e tij dhe të tjerëve pse:”i mori në çafë të rinjtë që u burgosën dhe u dënuan me shekuj e shekuj vuajtje dënimi nëpër llogoret e ish Jugosllavisë shkaku që e donin lirinë“. Nuk fajësoheshin kriminelët jugosllavë dhe serbë sepse ishin pjesë e tyre dhe jetonin në paqe dhe mirëqenie së bashku me familjet e tyre që sot, bijtë dhe bijat e tyre po e vazhdojnë traditën e tyre të shërbëtorëve qoftë ndaj Serbisë apo pjesës së “miqve“ ndërkombëtarë që për Kosovën u kërcet aq sa për borën e para dhjetë viteve të cilës nuk i ka mbetur as një fjollë editiane e vetme. Dhe, paturpësia, pafytyrësia, poshtërsia, serviliteti dhe urrejtja e këtyre rrogëtarëve të gjitha sistemeve dhe okupatorëve ishte “solidarizimi dhe dhembja për vrasjen e panevojshme të fëmijëve apo të moshuarve të familjes Jashari në Prekaz “duke e bërë përgjegjës Komandantin Legjendar të UÇK-së dhe të Pavdekshmin Adem Jashari i cili paska pasur të drejtë ta sakrifikojë veten por jo edhe anëtarët e familjes !!!! Këtë “ dhembshuri“ e shprehnin ata që edhe sot mendjen dhe shpirtin e kanë në Beograd kurse trupin në Kosovë . Të tillët edhe sot të martirizuarit në Betejën e Kumanovës i shpallin mercenarë që i kanë shërbyer Gruevskit, Rusisë dhe Serbisë ndërsa e paskan dëmtuar interesin e shqiptarëve!!! Po të ishte kështu dhe po të luftonin për para (mercenarë) atëherë do të ishte shumë më e leverdishme të luftonin në Siri, Ukrainë apo të luftonin për kartelet e Sinaloas apo Gjirit në Meksikë ose në Kolumbi. Apo, po të ishin terroristë ata do të sulmonin civilë maqedonas e që nuk e kanë bërë. As që e kanë pasur mendjen ta bëjnë. Ata kanë qenë atdhetarë të dëshmuar duke luftuar në Kosovë, Luginën e Preshevës dhe FYROM (Maqedoni). Ata kanë luftuar për një interes kombëtar që i ka tejkaluar intereset lokale dhe nuk ka dyshim se kanë qenë për bashkimin e trojeve etnike gjë që është synim krejtësisht normal dhe se ky bashkim pashmangshëm do të ndodhë. Është proces i pandalshëm i cili do ta gjejë realizimin e vet sikur që uji, përkundër shumë pengesave që i bëhen e gjenë rrugën për ta vazhduar rrjedhën deri aty ku duhet të përfundojë. Nuk është hera e parë e as e fundit që të martirizuarit për çështje kombëtare fyhen aq paturpësisht por që pastaj vlerësohen drejtë sikur që po ndodhë me rastin e fundit dhe që do të ndodhë më vonë pasi të largohet mjegulla që po i mbulon zhvillimet e fundit.
Mund të konsiderohet se kjo ngjarje i ka shërbyer Gruevskit dhe se është në dëm të shqiptarëve. Se i ka ndihmuar Serbisë dhe Rusisë për gazsjellësin rus. Apo se i ka luhatur marrëdhëniet e “mira“ me “miqtë“ ndërkombëtarë. Apo se është bërë për ta penguar formimin e një Gjykate Speciale në Kosovë. Ose se mund t’i ndihmojë Zaevit në luftë për pushtet me Gruevskin. Realisht politika shqiptare në FYROM ka dështuar dhe si shkak por edhe pasojë e kemi Kumanovën dhe do të kemi edhe raste të tjera. Pozita e rëndë e shqiptarëve të cilët, së paku do të duhej t’i kishin disa kantone apo të jenë njësi e barabartë në këtë shtet të dhunshëm do të jetë burim i përhershëm i pasigurisë dhe konflikteve të mundshme në të ardhmën. Gruevskin e mbajnë në pushtet ndërkombëtarët të cilët nuk duan ta largojnë nga pushteti por ta fusin nën kontrollë të tyre, Zaevi i cili nuk ka kapacitet ta rrëzojë Gruevskin dhe i cili për shqiptarët nuk do të jetë aspak më i mirë sepse po lufton për pushtet dhe shtet dhe politikanët talibanë shqiptarë që duan t’i nxjerrin sytë njëri – tjetrit për një bythë karrike! Politika maqedonase kundër shqiptarëve nuk mbanë vulën e një individi por është politikë e një sistemi të ndërtuar para dhe me bekimin e “miqve“ ndërkombëtarë prandaj lufta kundër një individi është luftë e Don Kishotit kundër mullinjve të erës. Nëse shqiptarët nuk do të jenë të barabartë me maqedonët, kurrë nuk do të ketë qetësi. Mbjellja e kryqeve dhe kishave ortodokse edhe në mjediset me shumicë shqiptare dhe përpjekja për ndryshim të përbërjes etnike të Shkupit përmes masakrimit urbanistik ortodoks, në prani të ndërkombëtare është një sinjal se ky shtet nuk e ka gjatë dhe se do të ndahet prandaj po bënë përpjekje të marrë sa më shumë territore të shqiptarëve duke i diskriminuar dhe shpërngulur ata. Politikanët shqiptarët po e luajnë rolin e makushit duke e futur kokën nën rërë duke luftuar për interese dhe mbijetesë personale.
Tash, pas betejës të gjithë po bëhen të mençur në komentimet dhe analizat e tyre. Jo pse janë futur të gjithë ata që luftuan në dy shtëpi, jo pse kanë hyrë në qytet në mesin e popullatës civile, jo se qenkan tradhëtuar nga politikanët shqiptarë dhe banorët shqiptarë të Kumanovës etj.etj.
Për fund, jam i sigurt se pas një kohe askush nuk do të flasë mirë për politikanët që kanë bërë miliona duke vjedhur e që kanë punuar kundër intereseve të kombit në emër të cilit janë në pushtet por lavdia dhe përjetësia do t’ju takojnë atyre që e dhanë jetën e tyre për çështjen e pazgjidhur kombëtare të shqiptarëve siç ishte rasti i të martirizuarve në Betejën e Kumanovës .
Jam shumë i sigurt se pas kësaj ngjarjeje në Kumanovë fituesit më të mëdhenj do të jenë shqiptarët sepse e drejta është në anën e tyre dhe se po luftojnë për të drejtat e ligjshme të tyre, deri në sakrifikim dhe martirizim! Duke mos luftuar kundër të drejtave të tjerëve dhe duke mos ua mohuar këto të drejta të tjerëve. Shihni trupat e masakruar të shqiptarëve të ekzekutuar (mbase edhe pasi janë zënë të gjallë), shtëpitë e djegura dhe të rrafshuara të shqiptarëve në Kumanovë, sjellja e policisë pas arrestimit dhe shumë veprime të tjera pastaj bëni “analiza“ në restorantet luksoze apo në studiot televizive e ta merrni guximin të akuzoni të martirizuarit si mercenarë, terroristë apo tradhëtarë të çështjes kombëtare! A mos është e kundërta e saj dhe ju jeni të tillë, të shitur dhe stërshitur!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura