SHERADIN BERISHA: MONUMENTI I GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT NË SHESHIN ‘SKËNDERBEU’, NË QENDËR TË TIRANËS

Pashtriku, 9 mars 2020: Sheshi ‘Skënderbeu’ shtrihet në qendër të Tiranës dhe është sheshi më i madh në Shqipëri. Këtë emër e mori në vitin 1968 kur u vendos Monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së tij (17 Janar 1468), duke zëvendësuar shtatoren e Stalinit. Është vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paço. Sheshi rrethohet nga Pallati i Kulturës, Hotel Tirana, Muzeu Historik Kombëtar dhe Banka Qëndrore e Shqipërisë.

***
SI LINDI BULEVARDI QË SOT PËRBËN ZEMRËN E TIRANËS
TV – Vizon Plus ka bërë një historik për Bulevardin e Tiranës. “Kjo ka qenë pamja e Bulevardit “Zogu i Parë” 82 vite më parë, më 1931 një vit pas punimeve për ndërtimin e tij.” kështu thuhet në fillim të emisionit Vizon Plus. Dhe pastaj vijon: “Në këto foto të vjetra të qytetit tregohet si ka qenë dikur Sheshi “Skenderbej”, Bashkia dhe kompleksi në nisje të Bulevardit. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u quajt fillimisht “Zogu i Parë”, ndërsa në periudhën e komunizmit pjesa nga sheshi “Skenderbej” deri tek Stacioni i Trenit mori emrin Bulevardi “Stalin”. Qendra e Tiranës u projektua nga arkitektët e njohur italianë të asaj kohe, Florestano De Fausto dhe Armando Brasini. Por për të ardhur deri në 1930 koha e ndërtimit të Bulevardit kryesor të Tiranës, qyteti numëron katër plane rregulluese, duke nisur që nga i pari në 1923 nga inxhinierë austriakë. Me ardhjen në pushtet të qeverisë së Zogut, i bëhet ftesë arkitektit Italian Brasini, i cili hartoi edhe idenë e parë të Bulevardit që konsistonte në një grup me 6 ndërtesa ministrish dhe një Bulevardi qëndror, ide kjo që u realizua më vonë me ndryshime nga italiani tjetër De Fausto. Ai projektoi një kompleks me 6 ministri, Bashkinë e Tiranës, Bankën Kombëtare, Lulishten e kompleksit qendror me shatërvan dhe Parkun “Rinia”.
Të gjitha projektet për Tiranën, bashkoheshin në një pikë: krijimin e aksit veri jug të qytetit që do të kishte si bosht Bulevardin “Zogu i Parë”. Madje aq shumë ju mëshua konceptit të tij, sa në botimet e kohës theksohet përshtypja e një arkitekti francez që pasi vizitoi Tiranën u shpreh: “Pashë një bulevard pa qytet”. Çdo marrëdhënie e mirë e Shqipërisë me aleatët ndër vite është projektuar me një ndërtesë në këtë Bulevard.
– Pallati i Kulturës u ndërtua në 1963 sipas stilit rus dhe tulla e parë u vendos nga ish presidenti sovjetik Nikita Hrushov.
– “15 katëshi” u ideua në kohën e artë Shqipëri – Kinë.
Deri në vitet 90 bulevardi ruajti të paprekur pamjen e tij, ku nga çdo pikë mund të shihje kodrat e qytetit. Më pas vendin e tyre e zunë ndërtesat e larta dhe ndryshimet e pjesshme të qendrës së qytetit.
Tetë dekada pas ndërtimit të tij, Bulevardi do të zgjatet në drejtim të lumit të Tiranës, por ashtu siç pranojnë edhe vetë arkitektët e studios fituese “Grimshou”, kjo pjesë do të jetë krejt ndryshe.
Zgjatimi i Bulevardit është konceptuar me 3 sheshe kryesore, ku Pallati i Drejtësisë do të jetë ndërtesa më e lartë. Në gjatësinë prej 1.8 km dhe gjerësinë 60 metër do të ndërtohen edhe dy sheshe të tjera, ai i Kulturës me kinema e galeri dhe sheshi i Pazarit me Qendra Tregtare.”
__________
Burimi:
Historiku i Bulevardit të Tiranës – News, Lajme – Vizion Plus
https://www.youtube.com/watch?v=AMxBz-6DubA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura