REXHEP KASUMAJ: GJAKU I TË PËRBUZURËVE

Berlin, 16 Mars 2020: (Kjo gurrë e letërsisë demoniake)
“Pas bombardimit të Jugosllavisë nga armët perëndimore, e drejta dhe drejtësia humbën përfundimisht kuptimin e vet”!
Kështu do t’shkruante kult – shkrimtari, kineasti e poeti kontradiktor frëng i ekziluar (Irlandë, Grafschaft Cork), Michel Houlebecq, në romanin “Platforma”, që kisha lexuar para ca vitesh
.
Admironte dhe, me gjasë, i mbante ison austriakut Handke, të cilit do t’i refuzohej çmimdhënja nga një teatër prestigjioz berlinez, pse kishte mbështetur ariozofin e vogël ballkanës Millosheviq dhe, madje, ishte shfaqur vetmitar me një fjalë pieteti në korteun e tij. Por ai, mjerisht, do laurohej më pas, viti 2019, njëj çmimi tjetër që i bashkonte në shpirtin kompromitues të dy bashkë: Akademinë suedeze dhe autorin etikrënë…I pyetur njëherë (sipas Kadaresë) pse ky rreshtim, i panatyrshëm për njeriun humanist të letrave, kishte thënë: ah, fama ime po tretet!
Anipse nuk kanë elaboruar manifeste (si pararendësi i tyre Andriq), ata tjerrin ftohtësisht dhimbje popujsh të robnuar. Houlebecq-u, që tund flamurin e arabofobisë (“Nënshtrimi”), mbase kishte pasur, poaq, referencë teorike gjermanin Sarracin, andej, bregut të Spresë, tek thotë i mneruar se, nëse nuk do sundohet, aherë Dhéu i tij (“Gjermania po vetëzhbëhet”) do idiotizohet nga ardhësit myslimanë, biologjikisht inferiorë.

Michel Houlebecq

Madje, shëmbull paralelizmi ilustrues do i shërbenin dhe kosovarët që paskëshin kolonizuar dikur tokat serbe…Ç’përversitet i pështirë! Është një përmbysje e pafat e të vërtetës, sepse ndërsa afroarabët ashtu si serbët, u dyndën emigrantë, shqiptarët janë rrënjës në truallin e tyre të lashtë. Kur ata mbërritën barbarisht në Gadishull, shqiptarët (si thotë Fishta) kishin kryer tashmë ciklin mijëvjeçar të qytetnisë.
Duke asimiluar, ndaj, këtë frymë, gjithnjë në gjurmë të doktrinës serbe, Houlebecq-u, edhe ai, herët e tërthoras njëjtësonte shqiptarët me fijet e krijimit të “Eurabisë” (tezë mbi arabizimin e Europës, hedhur nga Oriana Fallaci).
Kurse, si për të përplotësuar tabllonë defekte, Bernard-Henri Levy, filozof i largdëgjuar parisien, që kish dëshmuar një reflektim intelektual gjatë vitesh të vështira të funddekadës së 90-të, do të pohonte tevona (tek “Le Monde”) krejt vengërisht, se si europianët e krishterë kanë shpëtuar myslimanët e Kosovës. Thuase ata kishin bërë vdekjen për hiret religjioze që aty, në jetëhapsirën e tyre, gëzojnë harmoninë hyjnore. Por këtë qasje fetariste e rrëzon një tjetër luftë e po atij nënqielli të mugët. Që këtej, në ishte ashtu, aherë ç’kauzë, përpos çlirimtare, do të ketë pasur lufta e kroatëve kundër serbëve, kur të dyja palët ishtin të krishterë?
A nuk është kjo, së fundi, ena e vjetër jorealiste, ena e distancës përçmuese ndaj një kombi, të ndaluar qysh moti nga etërit e tyre në sallonet buzëqeshjeve të krimit?
E, pra, fragmenti i sipërcituar i tij, si një fantazmë Mefistoje, shpalos karakterialisht kredon demoniake. Dhe, ashtu, prek temën e përjetshme të kundërshtisë midis zejes së sedeftë estetike dhe misionit politik e oborrtar matanë lirisë së letrave të bukura: a mund të ketë magjepsje të epërme për njeriun, arti që ushqehet nga gjaku i të përbuzurve?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura