PROF.DR.AGIM ZOGAJ: PËRKËDHELJA E SERBISË

Prishtinë, 29 Mars 2020:
Nostalgjia për Lidhjen Sllave
Kosova, populli i Kosovës, përherë, në veçanti nga përfundimi i Luftës së Ftohë, ka pasur qëndrim pro evropian, perëndimor duke iu drejtuar qytetërimit evropian për mbështetje dhe për integrime. Shqipëria, Kosova, pra, kombi i mbarë shqiptar, me një edukatë të lartë politike, me qytetërim dhe me shpirtin politik, evro-perëndimor respektojnë standardet bazike të politikave të BE-së, bashkësi evropiane, për të cilën ne shqiptarët aspirojmë anëtarësimin. Por, jo me të njëjtat standarde, po vepron edhe BE, në veçanti, ndaj çështjes së Kosovës, dhe atë, jo vetëm në rastin e “lojërave” me hile dhe tinëzare sikur është çështja e liberalizimit.

Në këtë kuptim, sikur në vazhdimësi, Politika e Jashtme e BE-së, nga fillimi i procesit të dialogut Kosovë – Serbi, ka zhvilluar presion të shtuar ndaj përfaqësuesve të Kosovës. Kjo ka rrjedhë, edhe si rezultat i logjikës politike, sipas të cilës, në gjetjen e një marrëveshje ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë, fare nuk është marrë në konsideratë historia e luftës pushtuese, të Serbisë në Kosovë. Pra, pozicioni nismëtar i negociatave Kosovë – Serbi, për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore, gjithnjë sipas kritereve, standardeve të BE-së, ishte, bisedime midis dy shteteve, thuaja se, Serbia nuk ka zhvilluar luftë pushtuese ndaj popullit të Kosovës. Barazimi para historisë, para përgjegjësisë për luftën në Kosovë, midis dy shteteve në negociata, Kosovës dhe Serbisë, është hapi i parë i gabimit të Politikës së Jashtme të BE-së. Për më tepër, Politika e Jashtme e BE-së, fare nuk e ka nënvizuar faktin se, në bisedime ndërshtetërore, Kosova ka statusin e shtetit të pavarur. Kjo lojë politike, është bërë dhe vazhdohet të luhet, jo vetëm për të mos e “hidhëruar” “shqetësuar”, “trazuar” Serbinë, por edhe nga fakti se, katër shtete, anëtare të BE-së nuk e njohin shtetin e pavarur të Kosovës.

Ky fakt, pra, i mos theksimit të statusit të Kosovës, në bisedime me Serbinë, si shtet i pavarur, si dhe heshtja e Brukselit zyrtar ndaj qëndrimit të katër shteteve anëtare të BE-së, është me shumë rëndësi. Kjo, hap çështjen e respektimit ose jo të drejtës, edhe ndërkombëtare, jo vetëm natyrore, të popullit të Kosovës për çlirim nga sundimi, pushtimi serb dhe për themelimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Pra, si mund të interpretohet, mos njohja e pavarësisë së Kosovës nga katër shtete anëtare të BE-së?
Çfarë nënkupton, për demokracinë evropiane, për lirinë dhe qytetërimin evropian, fakti që, katër anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, pra, nuk e njohin të drejtën e popullit të Kosovës për liri, për çlirim dhe për shtet formim, themelim të shtetit?!
Edhe kjo e vërtetë, edhe ky qëndrim i katër shteteve anëtare të BE-së, është shumë domethënës. Kjo, ngase, qëndrimi i katër shteteve, anëtare të BE-së, në raport me njohjen e pavarësisë së Kosovës, reflekton, porosi edhe tek shtetet tjera që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ne, fare thjesht, mund ta shtrojmë pyetjen, cilat janë arsyetimet, shpjegimet e këtyre katër shteteve lidhur me mosnjohjen e pavarësisë së shtetit tonë?
Është çështje e politikave të sotme, që gjenezën e kanë në politikat, historikisht të njohura të shteteve sllave apo, reflektim i politikave të njohura të Lidhjes Sllave, Pansllavizmit?
BE e “braktis” Amerikën
Si ndodhi, pra, që BE-ja, ta propozojë, për Përfaqësues Special për rinisjen e dialogut ndërshtetëror, Kosovë-Serbi, ish Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, z.Mirollav Lajçak?
Z.Lajçak, është një diplomat i nderuar i shtetit, i cili shtet, vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, një diplomat, në kohën e të cilit, shteti i tij, Sllovakia ka votuar kundër anëtarësimit ë Kosovës në Interpol?
Ne shqiptarët, nuk mund t’i marrim si të thjeshtësuara, faktet e përmendura?
Pikërisht, faktet e përmendura, është dashur që, atyre që morën këtë vendim tua kthjellonte mendjen, për ta kuptuar se po marrin një vendim dhe një veprim jo të drejtë, politikisht, aspak të mençur! Si mendojnë diplomatët evropian, se, Lajçak, i cili vjen nga shteti, i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, lirinë e Kosovës, që, në raport me Serbinë do të jetë i pa anshëm?!
Për më tepër, Dokumenti BE-së, i cili i jep mandat Përfaqësuesit Special, nuk e përmend askund nevojën për njohjen e Kosovës nga Serbia, e madje, as anëtarësimin e Kosovë në OKB.
I përmendim këto dy objektiva të Kosovës, sepse, pikërisht mbi atë strategji mbështetet platforma politike e shtetit të Kosovës në dialogun, negociatat me Serbinë! Sërish pyesim: përse ndodh, kjo “fshehje”, mos shpallje, mospranim i këtyre dy objektivave themeltare të Kosovës, në raport me bisedimet me Serbinë? A mendojnë, autorët e këtij Dokumenti, se, me mos përmendjen e këtyre dy qëndrimeve të Kosovës, pala serbe në dialog, në bisedime do të jetë më bashkëpunuese, se, ajo nuk do të “shqetësohet”? Me këtë rast, nuk mjafton, madje, as shpjegimi, sipas të cilit, Serbia edhe ashtu e di se është në negociata me shtetin e pavarur të Serbisë, por se, për arsye të opinionit publik serb, Serbisë nuk duhet me ia trazuar “krenarinë”!?
Po ashtu, në Nenin 12, të Dokumentit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë Punëve të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, ku parashihet bashkëpunimi i Përfaqësuesit Special me protagonistët e tjerë, askund nuk përmendet bashkëpunimi me SHBA-të?!
Është ky një qëndrim, tani më zyrtar, i rastësishëm i hartuesve të Politikave të Jashtme të BE-së?
Apo, edhe ky formulim i shprehur në Nenin 12 të këtij Dokumenti shpërfaq, hapur tendencën e qarqeve të caktuara të Brukselit zyrtar që, në dialogun Kosovë-Serbi, të anashkalohet, ndoshta edhe të përjashtohet faktori – diplomacia amerikane?!
Si të shpjegohen, reagimet, aq të pa përmbajtura, të disa diplomatëve të BE-së, në veçanti, kundër deklaratave të ambasadorit amerikan në Kosovë, z. Kosnet!?
Ndërsa, për, përpjekjet, politikat që, Brukseli zyrtar të jetë alternativë e diplomacisë së SHBA-ve në dialogun Kosovë–Serbi, që, BE po synon ta merr rolin drejtues në gjetjen e një marrëveshje “historike” midis shtetit të Kosovës dhe fqinjit tonë, Serbisë, tjetër herë!

Total
0
Shares
9 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura