(Pashtriku.org, 25. 11. 2012) – Nuk ka asnjë dyshim se përvjetori i 100-të i pavarësisë së Shqipërisë është ngjarja më kulmore e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, është pasaporta identifikuese e shqiptarëve si komb. Për këtë ngjarje dhe fitore të madhe u angazhuan breza të tërë të ndërgjegjshëm veprimtarësh atdhetarë. Se si është shfrytëzuar gjatë këtyre 100 vjetëve kjo pasaportë e lavdisë së shtrenjtë të shtetit shqiptar është diçka që lë shumë për të dëshiruar. Rruga që përshkuan shqiptarët deri te pavarësia jo vetëm që ishte e gjatë, me hone e golle, me të pritura e të papritura, por edhe me pengesa të shumta e përpjekje mbinjerëzore.
28 Nëntori 1912 është datë themeluese e shtetit të kombit shqiptar – Shqipërisë së katër vilajeteve – të cilit shtet Fuqitë e Mëdha ia lanë vetëm 28.748 km2, të njohur ndryshe edhe si Shqipëria Londineze. Së këndejmi, pavarësia e shpallur nga Ismail Qemali ishte pavarësi e të gjithë shqiptarëve që jetonin me shumicë në të katër vilajetet e Perandorisë Osmane. Asaj Shqipërie e cila shtrihej në mbi 90.000 km2, së cilës Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër nuk ia lanë as një të tretën e asaj hapësire gjeografike. Sigurisht që shqiptarët nuk ishin shumicë në të gjitha këto troje, por në pjesën dërrmuese të tyre pa dyshim që ishin shumicë. Këtë më së miri e konfirmon edhe prania e sotme e shqiptarëve në ato troje, ku shqiptarët vazhdojnë të jenë shumicë, duke përfshirë edhe Çamërinë e shpopulluar me hekur e barot, me terror e masakra me qëllimin e fundit – spastrimin etnik të saj nga shqiptarët. Përgjatë 100 vjetësh nga ato treva historikisht të banuara me shqiptarë janë ndërmarrë nga pushtuesit valë pas vale dyndje, shpërngulje e zhvendosje.
………………………………………….
Sikur të realizohej më 28 Nëntor 1912 e drejta e natyrshme e popullit shqiptar për një Shqipëri të tërë sot më pak do të flisnim për rolin e popullit shqiptar të Kosovës në krijimin e shtetit shqiptar – Shqipërisë. Ne shqiptarët shpesh mbështetemi në drejtësi, por drejtësia nuk i krijon shtetet. Shtetet janë krijuar nga forca e organizuar e kombeve. Është e vërtetë, madje e vërtetë e hidhur se edhe gjatë 100 vjetësh ku më shumë e ku më pak janë shfaqur e ndonjëherë edhe kanë dominuar individë e grupe me kërkesa provincialiste ose thënë ndryshe bajraktariste. Këto kërkesa në formën më të ashpër do të shfaqen pas pavarësisë së Shqipërisë. Ideatorët dhe ideologët e kombit shqiptar, rilindësit tanë të urtë janë më meritorët për krijimin e kombit shqiptar dhe hartimin e Programit kombëtar nga Sami Frashëri. Atyre iu desh të kalonin sfida të shumta e të ashpra sa politike po aq dhe fetare, duke përjetuar ndjekje të shumta, helmime të pabesa, vrasje e djegie nga kisha e shteti deri te kristalizimi i një kombi me një gjuhë, një fe (shqiptarinë) dhe një atdhe – Shqipërinë. Për fatin tonë të keq, ndjekjet e atdhetarëve që kishin shkrirë pasuri e katandi për Shqipërinë independente vazhduan edhe në vitet e Shqipërisë së pavarur, kur pushteti u grabit nga feudalët e Shqipërisë së Mesme e të Jugut. Pra, pushteti u grabit nga po ajo kategori e njerëzve që 1001 të zeza ia kishin bërë Shqipërisë e i patën shkaktuar aq të këqija popullit shqiptar në kohën kur ishin pjesë e makanizmit të pushtetit të huaj në Shqipëri. Nuk ka dyshim, feudalëve që konsoliduan pushtetin në Shqipëri, ju mundësua kjo jo vetëm nga ndihma që mori nga jashtë, por edhe nga fakti se jashtë shtetit shqiptar – Shqipërisë – mbetën jo pak treva që kishin mbi shpatulla barrën kryesore të kryengritjeve antiosmane të viteve 1908-1912. Kosova ishte njëra nga këto treva, ndër më kryengritëset që nga vitet e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryetar i së cilës ishte Ymer Prizreni me komandantin e Forcave të Armatosura të Lidhjes Sulejman Vokshin dhe Abdyl Frashërin, ideologun dhe unifikuesin e të gjitha trevave të Shqipërisë.
Për të folur e shkruar për rolin e popullit shqiptar të Kosovës për pavarësinë e Shqipërisë është mirë që krahas tij të trajtojmë edhe arsyet pse Kosova që nga Lidhja Shqiptare ishte epiqendër e kryengritjeve sa nacionale po aq çlirimtare shqiptare. Ndoshta që në fillim duhet sqaruar se kryengritjet dhe ngjarjet e ndryshme janë zhvilluar në një territor që i tejkalonte kufijtë e sotëm të Republikës së Kosovës, që nga disa autorë të huaj e shqiptarë është quajtur Shqipëri e Epërme. Pra, me këtë emër janë përfshirë trojet shqiptare në Maqedoninë e sotme, ato të jugut të Serbisë, pastaj Kosova, Malësia e Gjakovës, ajo e Mbishkodrës dhe trojet shqiptare në Mal të Zi deri edhe Sanxhaku e Tutini. I gjithë ky territor ishte i banuar me shumicë shqiptare. Dhe kjo është thënë jo një herë nga autorë, studiues, udhëpërshkrues, konsuj e nënkonsuj të huaj. Madje edhe atëherë kur nuk kanë qenë të disponuar pozitivisht për shqiptarët nuk kanë mundur ta mohojnë praninë e dukshme shqiptare në këto treva.
Konsideroj se arsyen kryesore pse Shqipëria e Epërme ishte qendra e kryengritjeve antiosmane duhet kërkuar së pari te pushtimi i gjatë, shfrytëzimi i egër, administrimi i huaj dhe në gjuhë të huaj, mohimi i gjuhës e i kombit shqiptar, mungesa e shkollimit në gjuhën shqipe, në kohën kur çuditërisht në Kosovë ekzistonin gazeta e shkolla në gjuhën serbe për atëpakicë më se simbolike serbe. Së dyti, duhet kërkuar te fakti se mu ajo pjesë e tokave të Shqipërisë po rrezikohej për t’u copëtuar nga shtetet sllave të Ballkanit dhe Greqia. Ky rrezik në formën e tij më të ashpër u pa në Konferencën e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit, kur tokat shqiptare u përdorën si monedhë kusuritjeje. Përveç kësaj, ishte edhe Projekti serb i Garashaninit i vitit 1844. Ky rrezikim i tokave shqiptare, së bashku me qëndrimin e Fuqive të Mëdha evropiane, shtronte domosdoshmërinë e një mobilizimi të krahinave të rrezikuara të Shqipërisë. Se treti, ishte vetëdija e konsoliduar kombëtare që ishte rezultat i përpjekjeve të rilindësve dhe përkrahësve të atyre ideve dritëdhënëse në Kosovë. Së katërti, popullsia shqiptare e këtyre trevave ishte mjaft kompakte dhe e gatshme për t’u mobilizuar për kryengritje çlirimtare. Së pesti, në këto treva nuk kishte një klasë të konsoliduar feudale të lidhur ngusht me Stambollin, siç ishin feudalët e Shqipërisë së Jugut dhe asaj të Mesme, që kishin interesa të shumta që lidheshin me Portën e Lartë. Ky fakt popullsinë vendëse të Shqipërisë së Epërme e ka bërë më të pakompromis ndaj forcave pushtuese. Ishin po ata feudalë e trevave të përmendura që menjëherë pas pavarësisë së Shqipërisë nuk ngurruan të hidheshin kundër Ismail Qemalit, edhe pse ishin pjesë e po asaj qeverie. Dhe kur konsoliduan shtetin, nuk ngurruan t’i ndiqnin e t’i vritnin atdhetarët më të devotshëm të pavarësisë e të demokracisë në Shqipëri. I dhimbshëm është arsyetimi që u bëjnë disa qarqe atyre veprimeve makabre vetëm pse është krijuar një distancë kohore. Dikush mund të thotë se edhe kompaktësia fetare e ka pasur rolin e saj. Nuk jam i prirur t’i besoj shumë këtij mendimi, pasi feja ka qenë në të shumtën e rasteve pengesë për depërtimin e ideve kombëtare e çlirimtare në gjithë hapësirën shqiptare. Kujtojmë vetëm marrëveshjen Shqiptaro – Turke të gushtit 1912 në Prishtinë, me ç’rast disa krerë u bënë më turq se turqit, siç pati thënë Luigj Gurakuqi. Ndoshta, një arsye tjetër është se udhëheqësit e kryengritjeve në Kosovë ishin më të lidhur me popullsinë kryengritëse dhe mund të mobilizonin deri dhe qindra mijëra kryengritës, në të kundërtën nuk do të zhvilloheshin kryengritje vit pas viti. Pra, kishte shumë arsye që Kosova të ishte qendra e kryengritjeve që çuan pashmangshëm në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Natyrisht, Kosova ose Shqipëria e Epërme, nuk ka qenë në asnjë kohë e vetme. Kosova nga viti 1908 deri në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 ka qenë jo vetëm arenë e luftimeve të ashpra, por edhe vend ku janë mbajtur kuvende të rëndësishme kombëtare si ai i Verrave të Llukës, i Junikut dhe i Ferizajt (14 Pikat e Hasan Prishtinës), kur Perandoria Osmane qe detyruar ta njohë autonominë e Shqipërisë së katër vilajeteve por luftërat ballkanike nuk e lejuan realizimin e saj. Kryengritjet e Kosovës e posaçërisht Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare e vitit 1912 duhet parë si një ndihmesë e fuqishme e dhënë edhe për Shqipërinë londineze, e cila ishte produkt i Konferencës së Ambasadorëve të Londrës.
Kishte arsye të qëndrueshme pse shqiptarët në fillim kërkuan autonomi dhe jo pavarësi sepse, në kohën kur u njoh autonomia pas Marrëveshjes Shqiptaro-Osmane të gushtit 1912, as Perandoria Osmane e as shqiptarët nuk qenë në gjendje t’u bënin ballë ushtrive të Aleancës Ballkanike të cilat kishin mbështetjen e disa nga Fuqitë e Mëdha të Evropës së kohës me shumë ndikim dhe vendimmarrje.
Ne sot, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë shkencor, pas 100 vjetësh, në të shumtën po mjaftohemi me mbijetesën e shtetit shqiptar – Shqipërisë. Do të duhej që së paku si studiues të hulumtonim më shumë se cili ishte deklarimi apo kualiteti i jetës së popullit tonë në kohën kur ata e jetuan jetën, sa ishin të pajtueshëm me rrëmbyesit e pushtetit që doli nga një luftë e gjatë dhe e vështirë e brezave luftëtarë, sa e si ata njerëz përmbushnin nevojat e tyre jetësore në atë pjesë të atdheut të lirë. Është lehtë të themi se ata që sunduan, sidomos pas Kongresit të Lushnjës dhe rinjohjes së Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha dhe Lidhjes së Kombeve, i bënë do ligje të mira. Ne duhet të shikojmë sa u zbatuan në kohën e tyre ato ligje, në shërbim të kujt ishin dhe sa ndikuan në mirëqenien e qytetarëve të Shqipërisë sepse letrat e arkivave për këtë nuk thonë gjë. Ne kemi të drejtë ta legjitimojmë pushtetin sot, sepse po e përjetojmë, se po i përjetojmë frytet e tij qofshin të ëmbla apo herë-herë të hidhura, por nuk e kemi asnjë të drejtë ta zbukurojmë, ta shëmtojmë apo legjitimojmë të djeshmen e etërve tanë. Ajo jetë ka qenë e atyre brezave dhe si e tillë nuk ka qenë e lehtë meqenëse edhe në kohën tonë po miratojmë ligje dhe po bëjmë ligje të mira, të standardeve evropiane, por a po vlejnë për të gjithë këto ligje. Se sa është e saktë sintagma “askush mbi ligjin” kjo pastaj është diçka tjetër. Sigurisht që njerëzit tanë kanë nevojë për ligje të mira, por ata kërkojnë një kualitet tjetër të jetës. Ndoshta letërsia e kohës, shtypi i kohës, sidomos ai opozitar, trashëgimia materiale, infrastruktura ekonomike, bujqësia e blegtoria, me një fjalë agrokultura, pastaj infastruktura rrugore, shkollat, spitalet, cilat kanë qenë buxhetet e ndara për secilin segment të jetës etj. etj. më së miri do të na japnin shkallën e “komoditet” të atyre viteve deri në ditët tona. Ne, si studiues të paktën duhet të mëshirohemi me malësorin e Migjenit, me fshatarin e Myzeqesë, me punëtorin e mëditësin, me lirinë dhe emancipimin e gruas e të motrave tona pastaj të bëhemi simpatizantë të këtij apo të atij pushteti, të këtij apo të atij personaliteti. Thjesht, letrat e pluhurosura të arkivave, të cilat shtrëngohemi t’i thërrasim të shpeshtën në ndihmë, nuk mjaftojnë për të pasur një pasqyrë reale për ato vite. As arkivat e huaja nuk i thonë të gjitha. Pse ne duhet ta shkruajmë historinë tonë mbi raportet e ambasadorëve, të konsujve e nënkonsujve të huaj, kur ata në ato raporte kanë mbrojtur edhe mbrojnë jo vetëm interesat e vendeve të tyre, por edhe të individëve të caktuar të udhëheqësve shqiptarë nëpër kohë? Për të folur e shkruar saktë lypset jo pak punë, mund e sinqeritet. Jo me kot populli ynë thotë: “Më vështirë është me folë hakun se me luejt çarkun”. Ne jo vetëm që duhet të flasim shqip, por edhe të bëjmë ekzaminimin e saktë të rrugës sonë 100-vjeçare, duke mos e anashkaluar edhe të sotmen. Ne nuk po e vlerësojmë si duhet si të djeshmen, ashtu edhe të sotmen dhe kjo nuk është shenjë e mirë. Në këtë 100 vjetor nuk duhet të knaqemi vetëm me ditën e shpalljes së pavarësisë e as me Ditën e Flamurit, anipse edhe ato e kanë madhështinë e tyre, e kanë simbolikën e tyre, bile tepër të fuqishme. Ne duhet t’i analizojmë gjithanshëm dhe në mënyrë shteruese të gjitha zhvillimet e këtij shekulli historik po qe se duam të nxjerrim mësimet e duhura për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Veçanërisht studiuesit, por edhe politikanët natyrisht që duhet ta analizojnë dhe zbërthejnë esull edhe kohën tonë, duhet t’i analizojnë pa komplekse si anët e mira, si ato që nuk do të duhej assesi të ndodhnin. Nëse dëshirojmë të ecim përpara, dhe unë besoj fuqishëm se e dëshirojmë këtë, duhet të merremi jo shumë me të kalurën, sepse ç’është e vërteta, atë edhe nuk mund ta ndryshojmë. Ne mundemi dhe duhet ta ndryshojmë të sotmen po qe se dëshirojmë të nxjerrim mësimin e duhur nga 100 vjetët e shtetit shqiptar.
– Autori ëshët Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës
– Kumtesë e lexuar në Konferenca shkencore “Roli i Kosovës në krijimin e shtetit Shqiptar”, e organizuar më 19. XI. 2012 – nga Ambasada e Kosovës në Tiranë.