RAMIZ BOJAJ: SHEKULLI I KRENARISË SHQIPTARE

(Prishtinë, 26. 11. 2012) – “Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi dhe gjuhe të pashkruar që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu”, Faik Konica. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Shqipëria në 100 Vjetorin e Pavarësisë është anëtare e NATO-s, ndërkaq Kosova ka shënuar 13 vjetorin e çlirimit dhe 5 vjetorin e Pavarësisë. Shteti unik nacional edhe sot vazhdon formësimin e vet real.
Njëqind vjetët e shtetit të Shqipërisë, shënojnë po kaq vjet sakrificë, luftë e përpjekje për lirinë e kombit shqiptar, të mbetur padrejtësisht jashtë ombrellës së shtetit nacional. Pavarësisht sfidave, për një shekull të plotë, shqiptarët nuk ndalën përpjekjet për realizimin ëndrrave të Ismail Qemajlit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Azem Bejtës, Shaban Polluzhës, Ibrahim Rugovës, Zahir Pajazitit e Adem Jasharit dhe gjithë atyre bijve dhe bijave që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës (-formësimin e shtetit real shqiptar). Lufta për çlirimin e Kosovës, Çmerisë, Kosovës Lindore, Shkupit e Ulqinit, vazhdoi pa u ndalë nën simbolin e flamurit tonë kombëtar, të Gjergj Kastriotit e Ismail Qemailit. Pa shtetësinë e Shqipërisë, nuk do ta kishim as Kosovën e Pavarur. Të dyja shtetet shqiptare janë trarët e bërjes së Shqipërisë reale me trojet tjera etnike qe akoma jetojnë nën zgjedhën sllavo-greke.“Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi dhe një gjuhe të pashkruar që mund ta kuptoj syri dhe zemra e çdo njeriu. Nuk janë kujtime goditjesh kundër fqinjëve, nuk janë kujtime lakmish dhe rrëmbimesh: janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimëri të gjata e të forta që kanë lënë gjurmë tek të gjithë popujt r qytetëruar. Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është një nga më të vjetrit e botës, është dhe një nga më të drejtët”, Faik Konica.

Skënderbeu vuri themelet e mëvetësisë
28 Nëntori i vitit 1443, ishte epiqendra e formësimit të mëvetësisë shqiptare, duke simbolizuar simbiozën e vetëmbrojtjes së qenies shqiptare, përballë pushtimeve të egra, spastrimeve dhe grabitjeve ekspansioniste nga të huajt. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, për herë të parë në historinë e këtij kombi ngriti Flamurin me shqiponjën dykrenore në Kalanë e Krujës, i cili valoi përplot 25 vjet me radhë duke ruajtur, po kaq vjet, lirinë dhe identitetin nacional, etikën dhe etninë shqiptare. Nëntori i dytë më 1912, (ngritja e flamurit të pavarësisë së Shqipërisë, (nga plaku Ismail Qemaili) shënoi themelet e Shqipërisë e sotme (londineze), e cila mbushi plot 99-vjet jetësi, duke prezantuar anekënd botës, identitetin autentik shqiptar. Flamuri kombëtar shqiptar, nuk është vetëm simbolikë, por edhe frymëzim zgjimi për luftë, liri dhe rezistencë. Veçmas për shqiptarët të cilët padrejtësisht mbetën jashtë shtetit amë, Shqipërisë. Njëzetetetë nëntori i 1912-ës, shëroi një plagë shqiptare, (Pavarësia e Shqipërisë), por la të hapura plagë tjera të cilat kullonin në zgjedhën e të huajve, serbo-sllave e greko-helene.
Të mbledhur rreth Shqipërisë amë (flamurit kombëtar), shqiptarët gjetën gjithmonë ngrohtësi dhe frymim për luftë dhe bashkim kombëtar. Edhe pse Shqipëria e dergjur nën petkun e diktaturës komuniste (gjysmë shekulli monizëm, duke anatemuar pjesë vitale të historisë dhe figurave të mëdha kombëtare), shqiptarët nuk u ndalën kurrë në rrugën e lirisë së plotë. Me flamurin dykrenor të Skënderbeut e Ismail Qemailit(Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit etj), shqiptarët u bashkuan gjithmonë rreth sofrës së madhe kombëtare, (rreth flamurit), duke ngritur shqiponjën tonë, në tërë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri dhe kudo në mërgatën tonë, duke proklamuar të vetmin mesazh: Shqiptarët u ndanë në kufij me gjemba, por askush s’mund të vë kufij në shpirtin dhe zemrën e tyre të madhe.
Flamuri kombëtar i Ismail Qemailit, mbështolli dekada me radhë heronjtë e Kosovës, të cilët, po për këtë flamur u vranë, u burgosën dhe u internuan në kazamatet sllave e greke. Po ky flamur, bashkoi dhe rreshtoi ushtarët e lirisë së Kosovës, UÇK, të cilët e mbajtën të palëkundur, deri në fitoren e madhe të vitit 1999. Epokë kjo që shënon edhe fundin e pushtimit serb në këtë anë të Arbërisë (Dardanisë), të quajtur Republika e Kosovës.
Kosova pas shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008, prezantoi flamurin e vet shtetëror, pa ngjyrime kombëtare, por flamuri kombëtar (shqiponja dykrenore), mbetet gjithmonë i pazëvendësueshëm dhe i palëkundur, në mendjen, shpirtin dhe në identitetin shqiptar të Kosovës. Flamuri kombëtar, mbetet i lidhur mishërisht me rrugën dhe mbrojtjen e etnitetit tonë kombëtar, në vite dekada e shekuj. Dhe si i tillë do të jetojë gjithmonë, aq sa do të jetojnë shqiptarët.
28 Nëntori, simbioza shqiptare
Simbolika kuq e zi, dallon shqiptarët nga kombet e tjera. Andaj, devijimi nga simbolikat kombëtare, do të thotë lajthitje nga qenësia nacionale. Dhe nëse ndodh kjo, do të thotë asimilim, ose tjetërsim. Shqiptarët nuk ndihen ndryshe, përveçse shqiptarë, me frymën dhe shpirtin arbëror. Flamuri shqiptar u la me gjak shekuj me radhë. Kjo për faktin se ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë simbolizon fitoren gjithëshqiptare, nga të gjitha trojet etnike. Liria shqiptare, mblodhi pas vete, Çamërinë, Kosovën, Shkupin dhe Kosovën Lindore.
Andaj, nëntori shqiptar(100 vjetori) mbledh rreth sofrës arbërore të gjithë shqiptarët kudo qe janë, me të vetmin kushtrim: bërjen e Shqipërisë reale. Tingëllonin tejet të pakuptimta versionet përçarëse se ne cilin qytet duhet zgjedhur për 100 vjetor. Historia jonë është e mbushur përplot me data të rëndësishme të luftës dhe lirisë. Andaj për shqiptaret është i rëndësishëm dhe i shtrenjtë çdo qytet e fshat shqiptar, pra çdo cep i etnisë sonë.
Tirana, Vlora, Shkupi, Prishtina, Prizreni, Manastiri, Ulqini, Presheva, Janina, Prekazi dhe çdo qytet a fshat shqiptar (pa përjashtuar diasporën), i mbështeten plot krenari, festës së madhe për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo për faktin se çdo shqiptar e ndjen ne zemër e gjak krenarinë shekullore të identitetit shtetëror shqiptar. Festa e 100 vjetorit duhet t’i bashkojë e frymëzojë me shumë se kurrë shqiptarët ne ecjen e vet drejt bashkimit dhe integrimit.
Uniteti nuk mungoi kurrë
Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave etnike, që dërguan përfaqësuesit e tyre në këtë kuvend. Kuvendi i Vlorës e proklamoi Shqipërinë etnike si një trupë të vetme, unike e të pandarë. Po me këtë përbërje doli edhe qeveria shqiptare e Ismail Qemalit duke rreshtuar përfaqësues nga e gjithë etnia shqiptare.
Sot dy shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëri-Kosovë, mbajnë për barrë ruajtjen dhe mbrojtjen e tërë etnikumit shqiptar. Në dekadën e fundit, Kosova, mbylli një plagë të madhe nacionale, por plagët tjera lëngojnë. Kosova Lindore, vuan nën terrorin e egër sllav, maqedonasit vazhdojnë shpifjet dhe trillimet kundër shqiptarëve, ndërsa në Mal të Zi, diskriminimi dhe asimilimi i heshtur ndaj bashkëkombësve tanë vazhdon. Duke formësuar një pjesë të shtetit të pavarur shqiptar (Shqipëria londineze), kjo mbeti simbolikë e rrugës për liri të plotë kombëtare, mbajti gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave tona etnike dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan.
28 Nëntori i 1912-ës, ishte pikënisje për formimin nacional e shtetëror shqiptar, projekt qe duhet të vazhdojnë deri në finalizimin e aspiratave për bashkim kombëtar. “Qëllimi ynë si komb duhet të jetë ndërtimi i shtëpisë sonë nën një çati të përbashkët. Bashkimin nuk mund ta ndalë askush”. Filozofia etike shqiptare pasqyron objektivisht strategjinë nacionale të zgjimit kombëtar, duke u nisur frontalisht nga Shqipëria londineze, për të zbarkuar në Kosovë, e herët a vonë edhe në Kosovë Lindore, Çamëri dhe tërë hapësirën etnike shqiptare. Realisht, ky ishte synim edhe i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ismail Qemalit, dr. Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit, Zahirit, Luanit dhe gjithë shqiptarëve të rreshtuar në kushtrimin e lirisë shqiptare.
“Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo, mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për liri, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga rreziqet e shumta, për të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik”. Prandaj, kjo filozofi e sheh 28 nëntorin e 1912-ës si nismë të bërjes së shtetit real shqiptar, e jo mbyllje të çështjes shqiptare. Kësaj nisme nuk mund t’i vihet pikë as me pavarësinë e Kosovës. Realisht dy shtetet shqiptare në Ballkan, janë vetëm trarët e ndërtimit të shtetit real, nën kulmin e të cilit rritën brezat e lirë arbëror.
Mesazhet e figurave më të larta botërore, si Barack Obama, e Hillary Clinton, për 100 vjetorin e pavarësisë dëshmojnë për rolin dhe peshën qe ka kombi ynë, duke u matur me aleatët e mëdhenj. Obama: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euro-atlantike. SHBA-të, vlerësojnë mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj misionit të NATO-s në Afganistan ku ushtarakët shqiptarë shërbejnë me trimëri krah për krah me aleatët dhe partnerët e ISAF-it”.
Sot në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe simbolin e Flamurit tonë kombëtar, shqiptarët anekënd botës shënojnë edhe ditën e lirisë së Kosovës, ngase shqiptarët kanë vetëm një ditëlindje, 28-Nëntorin. Në këtë ditë feste, shqiptarët në përgjithësi janë më të fuqishëm, më unikë e më të bashkuar se kurrë më parë. Shqipëria në NATO, dhe rrugëtimin e saj drejt BE-së, me Kosovën e pavarur, mbesin dy shtylla në të cilat duhet mbështetur edhe degëzimet tjera të etnisë shqiptare, si në Çamëri, Kosovë Lindore, por edhe bashkëkombësit tanë në Maqedoni e Mal të Zi. Të gjithëve tok na bashkon flamuri me shqiponjën dykrenore, i cili na jep zemër e shpresë. 28 nëntori i vitit 1912 shkroi themelet e lirisë dhe dinjitetit nacional, ngase pa Shqipërinë e sotme, nuk do ta kishim as Kosovën e pavarur e sovrane, pa shtetin e Kosovës, nuk do ta kishim kurrë as bashkimin kombëtar me pjesën tjetër të etnikumit tonë etnohistorik e nacional.
– Autori është publicist.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura