LUTFI ALIA: TETË MEDALJONE ME PORTRETIN E GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT TË SHEKULLIT XV (I)

Siena – Itali, 10 qershor 2020: Në shekujt e mesjetës, populli ynë përjetoi qytetërimin perëndimor, respiroi kulturën europiane dhe ishte e mbetet pjesë integrale e Europës. Eqerem Çabej shkruan: “Dalmacia dhe Albania e më pas Ishujt Jonikë, janë vendet, që u hapën direkt e më tepër ndaj influencës kulturore të perëndimit”. Aleks Buda thekson: “Në mesjetë, Albania ishte e zhvilluar në nivelet e vendeve më të përparuara të europës”. Krahas rolit të fisnikëve arbëror, në lidhjen e Albanisë me perëndimin, luajti rol kisha katolike, si thotë M. Šufflai: “Me ndihmën e Selisë së Shenjtë, Tivari dhe më pas e gjitha Albania, u shndërruan në bazat operative të perëndimit, kundër ortodoksisë dhe kundër sllavizimit”; ndërsa L.Thallòczy shkruante: “Françeskanët ishin e vetmja rezervë e perëndimit, që qëndroi në Albania dhe kur interesat e Europës për këto vise u shterën krejtësisht”.
Si rezulton në dokumentat e shekullit XV, Gjergj Kastrioti, Princi i Matit, Zoti i Dibrës dhe i Krujës, nga viti 1443 Dominus Albaniae – Zoti i Albanisë, ashtu si gjithë fisnikët e asaj kohe, kishte stemën heraldike me shqiponjën dykrenore, sipër yllin me gjashtë cepa; kishte flamurin me sfond të artë dhe shqiponjën e kuqe, kishte vulën zyrtare dhe atë sekrete, që i përdorte në letrat dërguar miqëve, Papëve, në letrat kredenciale me mbretërit, princat, me fisnikët europianë dhe në letrat dërguar sulltan Mehmetit II.(1)

Stemat heraldike të dinastive fisnike dhe të shteteve arbërore, u shfaqen në fillimet e shekullit XII me princat Progoni të Shtetit të Arbërit, në shekullin XIII me Mbretërinë e Albanisë të Karlit I Anzhu dhe më pas në vazhdimësi në të gjitha familjet patronomike arbërore: Arianiti, Balsha, Topia, Kastrioti, Dukagjini, Muzaka, Engjëlli, Gazuli, Golemi, Gropa, Jonima, Manesi, Martaseos, Matranga, Shpata, Skura, Spani, Vrana, Zaharia, Zenebishti etj. Heraldika albanese ishte origjinale, përbërëse e heraldikës evropiane, me të gjitha karakteristikat. Krahas stemave heraldike dhe flamujve, fisnikëria europiane përdorte medaljone, të prodhuara për të prezantuar origjinën fisnike, pozicionet sociale, politike, ekonomike dhe ushtarake, dhe për qëllime përkujtimore, murale, honorifike. Medaljone kishin dhe fisnikët arbëror, disa ende ruhen, por shumica kanë humbur. Këto medaljone ishin shprehje artistike e binomit personazh – imazh, ishin vepra arti plastike, të cilat pasqyronin aspektet sociale dhe historike të personazhit të realizuar në ikonografi. Fillimisht, medaljonet ishin private, personale. Në vitet e më vonëshme, për vlerat artistike dhe historike që morën, përfunduan në muzeume dhe në koleksione private, kësisoj u bënë pjesë e historisë zyrtare të shteteve. Historianët, studiuesit e medaljonistikës dhe numimastikës, kanë botuar vepra të shumta, duke evidencuar vlerat e këtyre medaljoneve. Një ndër punimet me vlera historike dhe artistike për medaljonet, është vepra e studiuesit venecian Piero Voltolina: “Storia della Repubblica di Venezia attraverso le medaglie”, botuar ne vitin 1988 në Milano. (2)
Në vëllimin e parë të kësaj vepre (shekujt XIV – XVI), autori prezanton një koleksion të pasur, me 840 medaljone mbretërish, princash, papësh, klerikësh, fisnikësh, ushtarakësh dhe të institucioneve të shquara të asaj kohe, duke filluar nga Venecia, Roma, Vatikani dhe të shumë qyteteve italiane, duke vazhduar me Raguzën, Albaninë, Ishujt Jonikë e deri ne Qipro; nga kufiri me Austrinë, në Dalmaci e deri në Kretë, ku shtriheshin zotërimet e Venedikut, madje dhe personazhe të Perandorisë Osmane.
Piero Voltolina, me këtë koleksion medaljonesh, ka paqyruar historinë e Venecias, me prestigjin, kulturën, artin, potencën politike, ekonomike, tregëtare dhe ushtarake të Serenissimës, ka ekspozuar një histori në këndvështrim specifik, nëpërmjet prezantimit të medaljoneve me imazhe të protagonistëve të kohës, të plotësuara me informacione sintetike, duke dhënë dëshmi interesante të shumë figurave të shquara jo vetëm të Venecies, por dhe të vendeve të tjera fqinje dhe të aleatëve të largët. Kjo vepër i dhuron lexuesve njohuri kulturore, artistike dhe historike, por dhe emocione e krenari, sepse njihen me figura historike të vendit dhe trevave të tyre, si ndodh me ne shqiptarët, kur në këtë vepër gjejmë dhe medaljonet me portretin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe të finikëve të tjerë shqiptarë si të Antonio Alfonso Kastrioti Granai, të Nicolò Leonik Tomeo dhe të Kostandin Arianit Komnenit. Përfshirja e medaljoneve të Gjergj Kastriotit në këtë vepër madhore, nuk lidhet vetëm me rrethanën se janë prodhuar në Itali, por dhe me faktin historik, se familja Kastrioti bënte pjesë në klasën e fisnikëve venedikas. Princi Gjon Kastrioti, ishte miku besnik dhe aleati i Venecias dhe bashkë me djemtë, kishte nënshkruar marrëveshje miqësie dhe bashkpunimi me Serenissimën. Në vitin 1413, Senati i Republikës së Venecias i dha princit Gjon Kastrioti titullin e trashëgueshëm “Qytetar Nderi i Veneto”, titull që e gëzonin dhe djemtë e tij. Dorit Raines (3) thekson se në vitin 1416, familja Kastrioti ishte në listën e patricëve të Venecias. Më 28 maj 1438, Senati i Venedikut i rinjeh Gjon Kastriotit të drejtat dhe privilegjet e patricit. [3, 4, 5]
Princi Gjon Kastrioti vdiq më 1442, Principata e Arbërit ra nën pushtimin ottoman.
Në vitin 1443, Gjergj Kastrioti u kthye në Krujë dhe rimori zotrimet e principatës të Arbërit, ndërsa tre djemtë e tjerë të Gjonit, vdiqën në moshë të re. Reposhi, murg në manastirin e Hilanderit në Malin të Shenjtë pranë Selanikut, kishte vdekur në vitin 1431; Stanisha vdiq në vitin 1446 dhe u varros në Manastirin e Shën Marisë Hyjlindëse në Martanesh (6); Kostandini e humbi jetën në rrethana të panjohura dhe para vitit 1443.[1]
Në 2 mars 1444, në qytetin e Lezhës, që aso kohe ishte në zotërim të Venedikut, u mblodh kuvendi i prijsave të Albanisë, të cilët krijuan aleancën politike – ushtarake për t’u mbrojtur atdheun ndaj sulmeve të hordhive otomane. Në krye të Lidhjes, princat zgjodhën Gjergj Kastriotin – Zoti i Albanisë dhe kryekomandant i ushtrisë arbërore. Për kontributet e shquara në rezistencën dhe luftimet kundër pushtuesve otomanë, në vitin 1445 Senati i Serenisima, e shpalli Gjergj Kastriotin “Qytetar Nderi i Veneto”. Në librin e Artë të patricëve të Serenissima të vitit 1463 “Le famiglie ammesse al Maggior Consiglio a titolo onorifico”, rezulton e regjistruar familja Castriotto-Kastrioti. Më 25 shtator 1463, Senati i Venedikut e shpalli qytetar nderi dhe anëtar të Këshillit të Lartë të Bujarëve Venedikas, Gjon II Kastriotin 8 vjeçar me diplomë të dhënë nga Dozha Kristoforo Moro, si e tregon Marin Sanudo, në veprën “Vitae dei Dogi 1423-1474” (Jetët e Dozheve): “A dì 25 settembrio 1463 fo preso parte in Gran Conseio che il magnifico e potente Juan Scandarbeg, fiol del signor Zorzi signore in l’Albania et sui eredi siano fatti del Mazor Conseio” “Ditën e 25 shtatorit 1463, mori pjesë në Këshillin e Madh, i madhërishmi dhe i fuqishmi Gjon Kastrioti, i biri i Gjergj Kastriotit, Zoti i Albanisë, si trashëgimtar i tij, u bë pjesë i Këshillit të Madh”. [4]
Më 13 dhjetor 1463, ambasadori i Albanisë në Venecia Pal Gaxulli, firmosi marrëveshjen me Këshillin e të Mençurve të Senatit Venecian, sipas të cilës, në rast se Albania pushtohej nga turqit dhe Gjergji me familjen e tij, detyroheshin të braktisnin atdheun, Serenissima i garantonte pension vjetor prej 500 dukate, mbrojtjen dhe jetesën e lirë në trojet e Venedikut: “Scanderbeg, cum uxore, liberi set famiglia honorifice vivere poterit”, me të drejtë të zgjidhte banimin në një nga ishujt, ose në vendin që dëshironte. (1, 5, 6)
E prezantova këtë aspekt të jetës të princit Gjergj Kastriotit, për të konfirmuar se nuk është rastësi, që medaljonet me portretin e tij u përfshinë në katalogun e Piero Voltolina, sepse Gjergj Kastrioti është pjesë e historisë së Italisë dhe e historisë të Serenissima, i renditur, në grupin e personaliteteve të Venecias në shekullin XV.
Në shekullin XV, në Itali janë prodhuar 8 medaljone me portretin e Gjergj Kastriotit.
Prodhimi i medaljoneve kërkonte aftësi të larta teknike dhe mjeshtëri në artin plastik, pra metalpunuesi duhej të ishte dhe artist. Mungojnë informacionet për këta mjeshtra mesjetarë, nuk njihen emërat e piktorëve, që i vizatuan portretet dhe as emërat e artistave që i prodhuan medaljonet e Gjergj Kastriotit.
Medaljonet me portretin e Gjergj Kastriotit janë renditur me numërat rendor 65, 66, 67 (faqe 85 – 87), me fotografi të origjinaleve dhe janë shoqëruar me skedën teknike dhe me një skedë historike, ku në mënyrë sintetike janë prezantuar të dhëna të shkurtëra bibliografike mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit. Të dhënat për Gjergj Kastriotin, autori Voltolina i ka marrë nga Enciklopedia Italiana Treccani (viti 1929) dhe nga vepra e Fan S. Noli: Scanderbeg, Lecce 1993. Vlen të preçizoj një pasaktësi të autorit Piero Voltolina, i cili shkruan Fan Sotir Noli, por në fakt emëri i të atit të Nolit është Stilian.

Kur u prodhua medaljoni i parë i Gjergj Kastriotit ?
Në periudhën e Rilindjes italiane, veprat e artit, sidomos portretet, gravurat, tabllotë, afresket, akuarelet, skicat, medaljonet apo miniaturat e kodikëve, realizoheshin nga artistë me porosi të veçantë dhe me pagesë.
Në shekullin e XV, mori zhvillim arti i prodhimit të medaljoneve, të destinuar për të nderuar personalitetet e kohës dhe figurat historike. Këto vepra artistike i dedikoheshin mbretërve e mbretreshave, princave, dozhëve, ushtarakëve, funksionarëve, fisnikëve dhe përdoreshin si element heraldik dhe si dhurata dhe nderime të protagonistëve. Medaljonet iu dorëzoheshin personave me ceremoni, ose i dërgoheshin të shoqëruar me letër-kredenciale, ose me diploma, ose me ndihmat materiale e financiare. Në kronikat dhe në dokumentat e asaj kohe, nuk është gjetur informacion i saktë dhe i plotë për medaljonet me portretin e kryetrimit Gjergj Kastrioti, nuk dimë kush e skicoi portretin dhe kush i prodhoi.
Medaljoni i parë me portretin e Gjergj Kastriotit daton në vitin 1449. Pas Beselidhjes së Lezhës, emëri i Skënderbeut ishte bërë i njohur në Europë për fitoret e korrura kundër osmanëve. Olivier de la Marche (6) në kronikën “Notice historique sur la Maison de Saint-Mauris”, tregon se në vitin 1448, një nga kështjellat në Savojë të Francës quhej “Fort de Scanderberg – Fortesa e Skënderbeut” ndërsa mbreti Filipi i Mirë i Francës, i dërgonte Skënderbeut ambasadorët me përgëzime për fitoren kundër hordhive osmane.
Aleatia natyrale, historike dhe besnike e arbërve, aso kohe ishte mbretëria e Napolit e Alfonsit V Aragona. Gjatë rrethimit të parë të Krujës nga hordhitë otomane të Sulltan Muratit II, mbreti Alfonsi V Aragona, i dërgoi Gjergjit ndihma me forca ushtarake dhe artileri. Raportet e miqësisë dhe të bashkpunimit në planin politik dhe ushtarak, shprehen qartë në letërkembimet e Alfonsit V me Gjergj Kastriotin, sidomos me aktin e 26 marsit të vitit 1451, kur u nënshkrua në Gaeta, traktati i miqësisë dhe i bashkë-punimit të Albanisë me Mbretërinë Aragoneze të Napolit. Alfonsi V, duke e ndjerë rrezikun osman në portat e mbretërisë së tij, u angazhua t’i dërgoi ndihma ushtarake dhe financiar Skënderbeut dhe në rastet në se rrezikohej froni i Alfonsit V, priste ndihmat ushtarake arbërore, ashtu si veproi Gjergj Kastrioti në vitin 1461, kur erdhi me 3000 kalorës në ndihmë të Ferdinandit II. (1, 7, 8)
Për të nderuar bashkëpunimin dhe miqësinë me Gjergj Kastriotin, Alfonsi V, në vitin 1449 i dhuroi medaljonin e fisnikërisë. Duke iu referuar ngjarjeve të viteve 1448 – 1451, Leonardo de Martino (OFM) sugjeron se autori i medaljonit me portretin më të hershëm të Gjergj Kastriotit është Pisanello (Antonio di Puccio Pisano, 1390 – 1455). Si thekson Giorgio Vasari (9), Pisanello, piktor i famshëm, eksponent i stilit gotik italian, medaljon-punues dhe miniaturist kodikësh, është i pari që shpiku llojin e medaljoneve me portretin në faqen e parë dhe tekstin simbolik në faqen e pasme. Në rastin konkret, medaljoni me portretin e Skënderbeut, mund të jenë porositur nga Alfonsi V Aragon, i cili ia kërkoi t’i prodhonte Pisanello. Kur ishte në Napoli, Pisanello kishte realizuar 4 medaljone me portretin e mbretit Alfonsi V Aragon, çka na nxit të hamendësojmë, se nga raportet që kishte krijuar me artistin toskan, Alfonsi V i kërkoi të prodhonte dhe medaljonet për Gjergj Kastriotin, mikun e tij të shquar. Ky opinion është bindës, por problemi shtrohet: Kush është piktori që vizatoi portretin e Gjergj Kastriotit? Pisanello nuk e kishte takuar Gjergjin, sepse asokohe Gjergj Kastrioti nuk e kishte vizituar Mbretërinë e Napolit, as Vatikanin dhe as Venecian. Atëhere shtrohet pyetja: Kush ishte piktori që skicoi portretin e Skenderbeut?

Pa abuzuar në interpretimet, duke arsyetuar, mund të them se nuk përjashtohet mundësia, që skica e parë e portretit të Gjergj Kastriotit të jetë bërë në Arbëri, ndofta vepër e ndonjë kleriku piktor, i cili gjatë udhëtimeve në Napoli, ose në takimet me Pal Kuka, ambasadorin e Albanisë në oborrin e Aragonezëve, në vitet 1448-1449, i kishin dorëzuar përfaqësuesve të Alfonsit V, skicën e portretit të Gjergjit, që Pisanello e përdori për prodhimin e dy medaljoneve. Ky mendim është sugjestionues, sepse kjo skicë ka shërbyer për modelimin dhe plastifikimin e imazhit të Gjergj Kastriotit për medaljonin e parë dhe për dy të tjerë, që kanë të njejtin portret. Nuk duhet të mohojmë faktet, se asikohe kishte dhe piktor arbëror të talentuar, si autori i tabllos së famëshme “Zonja e Këshillës së Mirë e Shkodrës”, të cilën dy murgj shkodranë e sollën në Itali në vitin 1467, për ta shpëtuar nga barbarët osman, që i digjnin ikonat dhe shkatërronin kishat. Nga rrethanat historike, mund të hamendësojmë se Alfonsi V Aragon, medaljonet e vitit 1449 ia dërgoi dhuratë mikut të tij Gjergj Kastriotit, për ta nderuar si Princi dhe Zoti i Albanisë (Dominus Albaniae), në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin dhe miqësinë, ndërsa të dytën ia dërgoi në nderim për marrëveshjen nënshkruar në Gaeta ne vitin 1451. Këto medaljone dhe të tjerët, padyshim ishin në pronësi të Gjergj Kastriotit dhe pas vdekjes së tij, ishin në pronësi të familjarëve, por gjatë shekullit XVII, pasardhësit e tij, të detyruar nga vështirësitë ekonomike filluan t’ua shesin koleksionistëve, muzeologëve të medaljonistikës dhe të numizmatikës medaljonet, armët, kodikët dhe objekte të tjera. Për kohë të gjatë, medaljonet e Gjergj Kastriotit, ishin pjesë e koleksionit të medaljonistikës në Muzeun e Paolo Xhiovio.(10)
Në vitin 1613, muzeu i Paolo Xhiovio u shpërbë, u mbyll. Shumë piktura, artefaktet, armët, monedhat dhe medaljonet u shitën privatëve, një pjesë u morën nga muzeumet e vendeve të ndryshme europiane, një pjesë u vodhën. Në muzeun e Xhiovio ndodhej dhe portreti i Gjergj Kastriotit si e tregon vete Xhiovio ne librin III: “Gli elogi degli uomini d’arme illustri”, faqe 636 ku shkruan: Sotto il ritratto di Giorgio Castriota Scanderbeg, principe d’Albania – nën portretin e Gjergj Kastriotit Princit të Albanisë.(10)
Në dizaventurën e këtij muzeu të famshëm që mbijetoi rreth 100 vite, u përfshinë portretet, kodiket, armët dhe medaljonet e Gjergj Kastriotit, kësisoj një nga medaljonet përfundoi në Muzeun historik të Zagrebit, tjetri në Muzeun Numismatik të Berlinit, tre në Romë dhe Venecia (koleksioni i Piero Voltolina) dhe tre të tjerë në British Museum në Londër. Ndër tetë medaljoneve të prodhuara në vitet 1449 – 1466, tre prej tyre jane identike, kanë të njëjtin portret të Gjergj Kastriotit, kanë përmasa të barabarta, të njëjtën grafikë, por shprehin disa diferenca në plastikë dhe në teknikën e prodhimit.

1. Medaljoni i Gjergj Kastriotit i vitit 1449 (?), në muzeun historik të Zagrebit
Medaljoni ka formë rrumbullake, me diametër 98 mm. Portreti i Gjergj Kastriotit është punuar me profil nga e majta, i vendosur në qendër, brenda një kronize rrethore. Si portrerti, korniza dhe sfondi i medaljonit, janë realizuar me plastikë dhe rifiniturë të dobët. Tiparet fizionomike të fytyres nuk janë të spikatura, kësisoj sytë nuk evidencohen qartë, ndërsa profili hundashkabë është i shprehur, mollëzat e faqeve janë pak të dala, berreta alla-Karamagnola është e lartë, mustaqet dhe mjekra e gjatë ondulante. Autori ka realizuar veshje me mantel me supiera, pa jakën e lartë, që ekspozon qafën e lirë. Portreti qarkohet me kornizë me riliev, ku është gdhendur GEORGIVS CASTRIOTT me mungesë të prapashtesës “US”, pasi në gjuhën latine shkruhet CASTRIOTTUS.
Teksti është realizuar me germa të sfumuara në buzët dhe të ngjeshura në emrin GEORGIVS dhe në fjalën përfundimtare INVICTISS, që sipas rregullave të drejtshkrimit latinisht, duhej shkruar INVICTISSIMVS. Gjithashtu, sfondi i kornizës rrethuese, emri në brendësi dhe sfondi i medaljonit, janë me riliev të ashpër, çka tregojnë për punim jo cilësor. Retro – faqia e pasme është e sheshtë, lisho.

Në kornizën rrethore është gdhendur emri:
GEORGIVS CASTRIOTT: DE SCANDERBEG • INVICTISS
GJERGJ KASTRIOTI : SKENDERBEU • I PATHYESHMI.
Vendi i prodhimit: Napoli
Autori: Pisanello (?)
Viti i prodhimit: 1449 (?)
Diametri: 98 mm
Forma e rrumbullakët.
Prodhuar me derdhje.
Metali: Aliazh metalesh (bronx dhe argjend).

Në vitin 1968, komuniteti i arbëreshëve të Palermos, e huazoi këtë medaljon nga Muzeu historik i
Zagrebit dhe për një javë e ekspozoi publikut gjatë aktiviteve të organizuara në përkujtim të 500 vjetorit të vdekjes të Gjergj Kastriotit.

2. Medaljoni i Gjergj Kastriotit i vitit 1451 (?), në Muzeun e Berlinit.
Medaljoni në Muzeun Numizmatik të Berlinit
Vendi i prodhimit: Napoli
Autori: Pisanello
Viti i prodhimit: 1451 (?)
Diametër 98 mm.
Forma e rrumbullakët, me kufirin skajor të jashtëm jo
të rregullt.
Prodhuar me derdhje.
Metali: Bakër.
Në kornizën rrethore është gdhendur emëri:
GEORGIVS CASTRIOTT : DE SCANDERBEG • INVICTISS•
GJERGJ KASTRIOTI : SKENDERBEU • I PATHYESHMI •
Portreti është realizuar me profil nga e majta, i vendosur në qendër të kronizës rrethore, ku është emri: GEORGIVS CASTRIOTT: DE SCANDERBEG • INVICTISS •
Forma, plastifikimi i portretit, korniza rrethuese, teksti dhe sfondi i medaljonit, janë njëlloj si në medaljonin e Zagrebit, por ndryshojnë nga përbërja metalit, pasi ky i Berlinit është prej bakëri dhe i realizuar teknikisht me cilësi më të mirë. Tiparet e fytyrës janë prezantuar të spikatura, sytë të qartë, mollëzat e faqeve preominente, mustaqet dhe mjekra e gjatë ondulante. Në kokë mbanë berretë alla-Karamagnola, me tre pjesë të niveluara; veshur me mantel me supiera, pa jakën e lartë, çka e ekspozon qafën e lirë, paraqitje jo e zakonëshme për një fisnik. Karakteristike dallues e këtij medaljoni, është se portreti i Gjergjit prezantohet me hundën të modifikuar, pasi nga hundëshkabë në medaljonin e Zagrebit, në këtë të Berlinit, hunda është me majë, e formës me çip (kurriz shtypur). Nuk mund të thuhet në se ky është difekt i modelit, ose i krijuar gjatë derdhjes në formë, apo gabim gjatë plastifikimit dhe rifiniturës të imazhit.
Portreti qarkohet me kornizë me riliev, ku është gdhendur GEORGIVS CASTRIOTT. Teksti është me germa në riliev dhe i realizuar teknikisht mirë, por fjala përfundimtare INVICTISS, sipas drejtshkrimit në gjuhë latine, duhej shkruar INVICTISSIMVS. Në pjesën e sipërme qëndrore të kornizës rrethuese, në vendin ku është shenja me dy pika, që ndanë mbiemrin CASTRIOTT me nyjen “DE”, është hapur një vrimë, çka dëshmon se kush e ka pasur në pronësi e ka përdorur medaljonin të varur në qafë.
Të gjitha gjasat sugjerojnë se këtë medaljon, mbreti Alfonsi V, ia dërgoi dhuratë mikut të tij Gjergj Kastriotit, në shenjë mirënjohje dhe miqësie, për marrëveshjen e nënshkruar në Gaeta ne vitin 1451.
3. Medaljoni i Gjergj Kastriotit, me Nr. 65 në koleksionin e Piero Voltolina.
Medalja e parë në rradhën e katalogut, në koleksionin personal të autorit Piero Voltolina, është prezantuar me numër rendor 65 dhe rezulton i prodhuar në Venecia.
Medaljoni i Venecias është identik me medaljonet e Zagrebit dhe të Berlinit, madje duket sikur i ka punuar i njejti mjeshtër artizan, me të njëjtën formë dhe me të njejtën teknikë derdhje dhe plastifikimi. Me gjithë ngjashmëritë, medaljoni i Venecias ka disa diferenca artistike dhe teknike si në prezantimin plastik të portretit të Gjergj Kastriotit, ashtu dhe në teknikën e derdhjes dhe të perpunimit.

Në skedën historike, Voltolina shkruan:
GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBEG (1403 – 1468)
CONDOTTIERO (prijës, udhëheqës, komandant, kapedan, kryetrim).
EROE NAZIONALE ALBANESE (Hero kombëtar albanez).
Vitin 1403 të lindjes të Gjergj Kastriotit, autori Voltolina, e ka marrë në Enciklopedinë Treccani (Trekani), botim i vitit 1929, ndërsa shumica e historianëve shkruajnë se ishte lindur në vitin 1405. Mendoj se ky aspekt, nuk ka rëndësi të veçantë, përderisa nuk është gjetur një dokument, që të dëshmoi vitin e saktë të lindjes dhe të pagëzimit të Gjergj Kastriotit.

Skeda e medaljonit N. 65
GEORGIVS CASTRIOTT (VS): DE SCANDERBEG •
INVICTISS (IMUS) •
GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU I PATHYESHMI •
Autori: Anonim
Vendi i prodhimit: Venecia.
Armand, III, p 165. E
Diemtri: 98 mm
Prodhuar me derdhje. Metali: AE (Argjendi)
Bibliografia e medaljonit. Koleksioni i Piero Voltolina.
Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001
Fan S. Noli, Scanderbeg, Lecce 1993.
Mungon emëri i mjeshtërit që e prodhoi medaljonin.
Pjesa e pasme e medaljes është lisho.
Medaljoni ka formë rrumbullake, me diametër 98 mm, me portretin në qendër, me profil nga e majta, me tipare fizionomike të spikatura, mustaqe dhe mjekër të gjatë, me berretë rrumbullake alla Karamagnola me buzë të palosura në pjesën e sipërme dhe të poshtëme, veshur me mantel me supiera, por pa jakën. Portreti qarkohet me kornizë me riliev, ku është gdhendur emëri GEORGIVS dhe mbiemëri në formë të shkurtuar CASTRIOTT, si praktikohej nga autorët e mesjetës, ndërsa në skedën e katalogut, Voltolina e plotëson, duke i shtuar germën A në kllapa: CASTRIOTT(A), si dhe plotëson cilësimin INVICTISS, në INVICTISS(IMUS).
Për emrin e Gjergj Kastriotit në kornizën e medaljes, artisti nuk e ka shfrytëzuar tërë hapsirën e rrethit qarkues, por e ka lënë bosh në pjesën bazale të bustit, njëlloj se në medaljen e Zagrebit dhe të Berlinit. Medalja është e argjendët, e derdhur në formën e riprodhuar sipas portretit të një pikture ekzistuese.
Ndonëse Voltolina thotë se autori është anonim, ky medaljon është impresionisht i ngjashëm me medaljonet e Zagrebit dhe të Berlinit, që konsiderohen vepra të Pisanello. Ndryshimi mes tyre është se dy të parët janë prodhuar nga artizanët napolitanë, që kanë përdorur aliazh argjendi me bronx dhe i dyti derdhje me bakër, ndërsa mjeshtri venecian ka përdor metal argjendi, si dhe e ka punuar dhe plastifikuar teknikisht më mirë. Tekstin, mjeshtëri e ka gdhendur në reliev, me germa të mëdha në gjuhën latine. Autori i medaljes, mbiemrin Kastrioti e shkruan me dy T, por në fakt ky nuk është gabim, pasi sipas rregullave të gjuhës latine, që të shqiptohej saktë duhen dy germa T, pasi Kastrioti me një T para germës I, në latinisht shqiptohet Kastrioci. Ndofta mjeshtëri metalpunues e dinte se mbiemri i Gjergjit ishte Kastrioti, andaj për të mos krijuar konfuzion në shqiptim, e gdhendi me dy T. Voltolina, në përshkrimin e tij, ka ndjekur rrugën e autorëve italianë, që e shkruajnë Castriota – Kastriota.
Këto të dhëna sugjerojnë se medaljoni nr. 65 i koleksionit Voltolina është prodhuar në vitin 1461, sipas modelit të Napolit të Pisanello, çka e dëshmon ngjashmëria me dy medaljonet preçedente. Ky medaljon duket se ishte i porositur nga Vatikani, pikërisht në vitin 1461, kur Gjergj Kastrioti shkoi në Romë dhe takoi Papën Pio II, i cili e mbështeti me ndihma, madje u impenjua për organizimin e kryqëzatës kundër perandorisë Otomane, por vdiq në Ankona, para se të nisehsin anijet me kryqëtaret.

VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura