ELIFE LUZHA: TË MOS HARROHET HISTORIA – DEMONSTRATAT E VITIT 1981, RRËNUAN THEMELET E JUGOSLLAVISË

Prishtinë, 05. 05. 2016: (Me brigadat e flijimtarëve të vitit 1981) – Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë ishin vazhdim i veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare që padrejtësisht Fuqitë e Mëdha i dhuruan Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Më 1912 Shqipëria u shpall e pavarur por 55% e tokave të saj si Kosova dhe Çamëria mbetën jashtë shtetit shqiptar. Kjo çoi, veç të tjerash, në themelimin e ‘Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ më 1 maj 1918 me qëllimin e mbrojtjes së tokave tona të shenjta. Shqiptarët nuk mund të pranonin robërinë me poshtërimin më të rëndë që u bëhej atyre. Me instiktin gjenetik të lirisë dhe krenarisë ata u detyruan të organizojnë forma të ndryshme qëndrese kombëtare e njerëzore, së pari për mbijetesë.
Veprimtaria e vazhdueshme kundër dhunës, ilegale dhe legale sipas rrethanave, kulmoi sidomos në vitin 1945 me legjendarin Shaban Polluzha me shokë; pastaj në vazhdimësi me pishtarin Adem Demaçi. Viti 1945 shënon ripushtimin e tretë të Kosovës nga Jugosllavia kur dhe u instalua pushteti ushtarak sllavo-komunist (më 8 shkurt 1945 – Sh.B). Për 6 muaj kulmoi tragjedia shekspiriane, nën petkun e fitimtarëve vranë 48.000 shqiptarë, zhdukën 10.000 të tjerë dhe dëbuan për në Turqi 350 mijë shqiptarë etnikë (në kohën e Rankoviçit u dëbuan edhe 250 mijë). Kombi shqiptar në vatrën ilire të tij përjetonte Natën mesjetare të Shën Bartolomeut. Gjithëçka ishte e lejuar kundër tyre e në sy të Evropës, ata vriteshin, plaçkiteshin, dëboheshin e zhdukeshin brenda natës. Por masakra gjenocidiale serbosllave nuk i trembi dot atdhetarët e Lëvizjes Kombëtare. Terrori vetëm sa u shtonte trimërinë e qëndresën. Bashkë me lirinë synohej dhe bashkimin me Shqipërinë amë, lumenjë gjaku rodhën për të dy qëllimet.

– Shaban Polluzha dhe Adem Demaçi –

Në Kosovë sapo ishte lejuar shqipja, pasi serbosllavët edhe zyrtarisht e kishin ndaluar. ‘Rilindja’ si gazetë e parë shqipe në Kosovë doli më 12 shkurt 1945 (më 1957 njihet si organ i LSPPK’s), por bazuar në censurën që ushtrohej mbi çdo gjë që flitej dhe shkruhej shqip, shtypi i asaj kohe ende ishte larg të përfaqësuarit të mendimit shqiptar. Megjithatë pena e atdhetarëve, e mendjeve më të ndritura dhe më me ndikim të kohës, nëpërmjet shtypit ilegal publikoi artikuj me përmbajtje kombëtare duke edukuar, bashkuar dhe ngritur vetëdijen politike e kombëtare për liri dhe bashkim. Për këtë ata, ndiqeshin e burgoseshin si Adem Demaçi që ridënohej në burgun e dytë ende pa u liruar nga i pari. Por as proceset e montuara politike, as terrori rankoviçian nuk mundën ta ndalin shpërthimin e demonstratave studentore për liri dhe barazi të njohura si demonstratat e ‘68’ës. Ato koinçiduan me demostratat në Evropë dhe botë, por që dallonin për nga motivet e thella të krimeve sllave dhe karakteri çlirimtar i tyre. ‘Të ndalet diskriminimi i shqiptarëve’, ‘Vetëvendosje’ dhe ‘Kosova Republikë’, ishin kërkesat më të zëshme në demonstratat e shqiptarëve të vitit 1968.
Që në ditën e parë të tyre më 27 Nëntor u vra me armë zjarri nxënësi Murat Mehmeti. Shumë demonstrues u burgosën bashkë me prijësit e tyre si Osman Dumoshi, Kadri Halimi, Halil Alidemi, e shumë të tjerë. Ishin vite tepër të rënda për Kosovën e tradhtuar, dhunuar e terrorizuar, kurse paria e vendit, siç thoshte Jusuf Gërvalla, nuk bëzante e tulatur nga pagat e majme dhe kolltukët e butë ku me kohë i kish ledhatuar Serbia. Ata me duart e tyre ua dorëzuan xhelatëve serb bijtë më të mirë të popullit, bile duke proklamuar me gojën e propagandës shovene, se shqiptarët i paskan të gjitha të drejtat, dhe se Kosova ‘vetëm emrin nuk ka Republikë’!
Do të kalojnë tetë vite derisa në Brion të Kroacisë të miratohen ndryshimet e pritura të kushtetutës jugosllave të vitit 1974. Por statusi i Republikës së Kosovës u hesht. Paria e vendit dështoi t’i dilte zot popullit dhe vendit të vet. Kosova prapë mbeti nën dhunë e poshtërim, duke u përforcuar edhe më, si autonomi konstituive e federatës. Vetëm pas dy vitesh intelektualët serb bënë të njohur daljen e librit të kaltër. Me një fjalë Serbia nën rrogoz po përgatiste procese të mbrapështa frenuese jo vetëm kundër shqiptarëve por dhe popujve të tjerë të ish’Jugosllavisë, për t’ua hequr edhe ato pak të drejta të garantuara me kushtetutë për të cilat bijtë e Kosovës ende dergjeshin burgjeve. Megjithatë ‘aspirata e popullit shqiptar në vitet e ’70 vetëm sa rritej’, kujton Mehmet Hajrizi, prijës i ilegales në vitet e ’80. Lëvizja Kombëtare e zgjeroi edhe më aktivitetin e saj kombëtar tani më në ilegalitet të thellë. Kurse organizatat dhe shtypi ilegal shqiptar vetëm sa u shtuan, në veçanti pas formimit të Grupit Revolucionar të Kosovës (GRK) më 1973. Udhëheqësi i grupit Kadri Osmani thoshte: ‘Edhe nëntëdhjetë e nëntë herë të na zhdukin, ne do të luftojmë të ringjallur për lirinë e Kosovës’. GRK’ja, nga 1975 u quajt ‘Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës’ OMLK, dhe nga viti 1974 deri më 1982 (kur pushoi së vepruari), është udhëhequr nga Mehmet Hajrizi. Të kujtosh veprimtarinë atdhetare të OMLK’së, që ështe organizatore e demonstratave 1981 do të thotë të kujtosh atdhetarizmin e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, trimërinë, besën, guximin, solidaritetin e sakrificën deri në vetëmohim, vlera këto të trashëguara brez pas brezi ndër shqiptarët.
Si kriter për t’u anëtarësuar në këtë organizatë vlerësohej atdhedashuria, guximi, zgjuarsia dhe në veçanti aftësia e ruajtjes së konspiracionit. Përparësi u jepej punëtorëve dhe fshatarëve pasi ‘ata ishin të vetëdijshëm se ky grupim është pjesa më e shtypur dhe më e pa kënaqur me robërinë’, gjykon Sabile Basha. Ky fakt na kujton gjykimin e anëtarëve të kësaj organizate të arrestuar nga sigurimi serb më 1982, (‘për t’ia këputur kokën e thyer kurrizin’ çirrej vasali S. Hasani) në mesin e tyre edhe nxënësin e shquar të gjimnazit matematikor, Kadri Luzhën. Edhe pse në moshën 19 vjeçare, gjatë hetimeve ai përballoi torturuat më mesjetare satanike. Në qelinë e tij nga dritarja me grila si në pamje legjende edhe në kohë dimri hynte borë e lagështi në shtratin prej dërrase akull. Përkundër të gjitha torturave para trupit gjykues kur po dënohej bashkë edhe me tetëmbëdhjetë shokë të tij më 10 korrik 1982, Kadri Luzha me guxim Prometeu deklaron: ‘Jam më i riu dhe pa përvojë, por juve dhe pushtuesit e popullit tim që ju mbajnë, ju betohem që do t’ju luftoj tërë jetën’ (kështu kujton udhëheqësi i grupit, dhe bashkëdënuesi me Kadriun, Mehmet Hajrizi)  /Lexoni në fund-shtojcën e pashtrikut – Sh.B/

Në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, Korrik 1982: Nga e djathta në të majtë – Nazmi Hoxha, Bejtullah Tahiri, Basri Musmurati, Naim Salihu dhe Shemsi Hoxha. Në këtë grup janë dënuar 16 pjestarë të OMLK’së.

Ky frymëzim atdhetar që prushonte në zemrat e rinisë së Kosovës, pushtuar nga ndjenjë e dashurisë për liri dhe demokraci, demonstrata e Pranverës së Madhe të vitit 1981, i shndërroi në kryengritje popullore duke tundur për vdekje themelet e federatës jugosllave. Filluan me 11 mars për të mos përfunduar deri në vitet e ’90, kur përgjegjësinë për t’i dal zot Kosovës e mori UÇK’ja. Demonstratat e 26 marsit ishin uverturë e atyre të 1, 2 dhe 3 prillit, kur të bashkuar nxënës, student, mësues, punëtor e fshatar, pushtuan rrugët e mbarë qyteteve të Kosovës me kërkesën ‘Kosova Republikë’.
’Në Ballkan e Evropë Lindore, nuk ishin parë demonstrata aq masive që nga pas LDB’ – gjykon Sabile Basha. Ata të gjithë i ngjasonin njëri tjetrit, me vrullin, solidaritetin, vendosmërinë dhe qëllimin e tyre. Mbi ta u gjuajt me armë zjarri nga policët, tanket, aeroplanët. Ra edhe dëshmori i parë i Pranverës së Madhe, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. U plagosën mbi qindra demonstrues ndërsa u vranë me dhjetra të tjerë. Populli mbante dyert e hapura me adhurim për bijtë e tij më të mirë. Nënat, motrat e nuset u kujdesën për plagët e krushqve të lirisë. Liria e Kosovës qe kryefjala dhe kallzuesi i të gjithëve. Me trupat e tyre ngrinin barrikada para kordonëve policore për ta penguar marshin e tyre gjakësor. Vashat si luanesha hidheshin mbi tanket serbe dhe në tytat e tyre vendosnin flamurin kombëtar. Të bashkuar nxënës e studentë çarmatosnin policët që gjuanin me plumba mbi ta.

– Pamje nga demonstrata e pranverës 1981 –

Policia kriminale e pushtuesit u gjet e papërgatitur para ortekut demonstrues. Në ndihmë u erdhën ushtria me njësitë speciale nga Beogradi, dhe shpallën gjendje lufte. I mbyllën shkollat, fakultetet e ndërmarrjet, kurse ndër medie i kurdisën altoparlantët e shantazheve dhe propagandës antishqiptare. Edhe kësaj here paria e vendit u pozicionua me turpin. Përkrah armikut demonstruesit i quajtën: ‘armiq’, ‘reaksionar të egër’, ‘nacionalist të ashpër’, ‘do t’i fusim në vrimat e minjëve’ e çfarë jo tjetër. E tërë Kosova ziente nga bastisjet dhe shfryrjet sadiste të ardhacakëve serbë mbi shqiptarët etnikë. U publikuan për herë të parë të dhënat ku tregohej se nga 1979 deri më 1980 ishin zbuluar dhe dënuar 8 grupe nacionaliste me 680 anëtarët e tyre; 4 vite pas demonstratave të vitit ’81 u dënuan 4.000 veta, dhe u shqiptuan 5 shekuj burg. Nga viti 1981-1990 u dënuan edhe 1346 ushtarë shqiptar që shërbenin në ushtrinë jugosllave, ndërsa në mënyra të ndryshme u vranë edhe 63 të tjerë. Me një fjalë në Kosovë që nga viti 1945 e deri më 1999, për veprimtari politike janë shqiptuar 666 shekuj burg për shqiptarët etnik.

Gjithsesi kryengritja e Pranverës së Madhe më 1981 shënoi kthesë të madhe në historinë më të re shqiptare dhe fillimin e fundit të robërisë në Kosovë. ‘Brezi i artë’, apo ‘brigadat e flijimtarëve’ të vitit ’81, ishin pishtarët e parë të lirisë dhe demokracisë. ‘Të gjitha vitet e ndihmuan historinë, por viti’81 e ndryshoi atë’ gjykonte i paharruari Mr. Ukshin Hoti. Përderisa Sekretarja e shtetit amerikan Hillari Klinton për këto ngjarje në ditarin e saj kujton: ‘Dardanët kosovarë që janë vetëm shqiptarë, në vitet e ’80 me protestat dhe gjakun e tyre i bënë të njohur edhe shqiptarët e Shqipërisë’. Bota e qytetëruar demokratike fuqishëm i përkrahu demonstratat në Kosovën e vitit 1981 e për këtë më mirë flasin dhjetëra artikuj të botuar nëpër mediet më të fuqishme botërore. Edhe shumë atdhetarë në shtetin amë, duke i përkrahur demonstratat e vëllezërve kosovar, u thoshin popujve në ish’jugosllavi dhe më gjerë që të solidarizohen me shqiptarët dhe kërkesat e tyre legjitime ngase ‘Dora e fortë serbe që po godet Kosovën, shpejt do të ngjitet edhe në Bosnje, Kroaci e Slloveni’. Atdhetarizmi shqiptar është një vij e ndritshme që eci nëpër histori me guximin e bijve më të përkushtuar. Kulmi qe legjenda e përjetëshme e Adem Jasharit që u flet të gjitha brezave me zërin e lirisë e të flijimit për shqiptarinë. Shqiptarët e Kosovës me luftën heroike të UÇK’së më 1999, e realizuan ëndërrën njëqindvjeçare për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Sot Republika Kosovës, ngadalë por e sigurt po ecën drejt finalizimit të kauzës kombëtare duke e çuar në vend kështu amanetin e mija shqiptarëve të rënë, për liri dhe bashkim kombëtar. Ashtu çoftë!
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY – Prishtinë, Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.
(Kjo Kumtesë u lexua në Akademinë – kushtuar 30 vjetorit të demonstratës së 5 majit 1981 në Kaçanik)
***

ELIFE LUZHA: PËRJASHTIMI NGA SHKOLLA DHE BURGOSJA IME!
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=5298

______________
(*) SHTOJCË E EDITORIT TË PASHTRIKU.ORG
Kadri Luzha, u arrestua nga UDB’a famëkqe më 10 shkurt 1982 (me ndihmën e spiunëve të saj) dhe sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori NJAZI BURGIDEVA, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me Trupin Gjykues, të kryesuar nga gjykatësi ISAK NISHEVCI…, në bazë të aktgjykimit: P.nr. 69/82 datë 10 korrik 1982, dhe “në emër të popullit” u dënua me pesë (5) vjet burg.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, 10 korrik 1982: Nga e djathta në të majtë – Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Gani Sylaj, Nezir Myrtaj dhe Berat Luzha. Ky është grupi i parë prej 19 anëtarëve të OMLK’së. Në foto mungon Hydajet Hyseni, i cili nuk u paraqitë në gjykim me arsyetimin e Trupit Gjykues se ai është i sëmurë. Drejtuesit e grupit protestuan, duke e bërë të pamundur mbajtjen e seancës së parë, sepse ëshët dyshuar se Hydajeti është vrarë…
* * *
Në këtë proces gjyqësor u dënuan këta veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare:
1. HYDAJET HYSENI, me 15 vjet burg,
2. JAKUP KRASNIQI, me 15 vjet burg;
3. MEHMET HAJRIZI, me 12 vjet burg;
4. GANI SYLA, me 15 vjet burg;
5. NEZIR MYRTAJ, me 12 vjet burg;
6. BERTA LUZHA, me 12 vjet burg;
7. SHERAFEDIN BERISHA, me 5 vjet burg;
8. ISMAIL SYLA, me 12 vjert burg;
9. JAHIR HAJRIZI, me 11 vjet burg;
10. SHEQIR ZENELI, me 4 vjet burg;
11. FEHMI PLAKIQI, me 5 vjet burg;
12. AZEM SYLA, me 5 vjet burg;
13. XHEVDET SYLA, me 4 vjet burg;
14. FATMIR KRASNIQI, me 4 vjet burg;
15. FERID ÇOLLAKU, me 8 vjet burg;
16. HYSNI HOTI, me 6 vjet burg;
17. KADRI LUZHA, me 5 vjet burg;
18. MUSTAFË ADEMI, me 6 vjet burg;
19. JASHAR ALIJAJ, me 6 vjet burg;
( … )
Këtë dënim Kadri Luzhës Gjykata Supreme e Kosovës, ia plotëfuqizon – më 25 nëntor 1983, me aktgjykimin A.p – nr. 135/83.1., të shpallur nga Trupi gjykues:
1. AQIF TUHINA – kryetar i trupit gjykues,
2. TADEJ RODIQI – anëtër i trupit gjykues,
3. SHEFQET BYTYQI – anëtar i trupit gjykues,
4. MIODRAG BËRKLAQ – anëtar i trupit gjykues,
5. HALIL HALILAJ – anëtarë i trupit gjykues.
***
Në vazhdim lexoni faqen e parë të Aktgjykimit A.p – nr. 135/83 të shpallur nga Gjykata Supreme e Kosovës.
NË EMËR TË POPULLIT
A.p – nr. 135/83
Gjykata Supreme e Kosovës – kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Aqif Tuhina, kryetar, Tadej Rodiqi, Shefqet Qytyqi, Miodrag Bërklaq dhe Halil Halilaj, anëtarë, me bashkëpunëtorin profesional Qerim Metaj, procesmbajtës, në lëndën penale të të akuzuarve: Jakup Krasniqi nga Negrovci, Mehmet Hajrizi nga Prishtina, Gani Syla nga Kishnareka, Nebih Murtaj nga Prishtina, Berat Luzha nga Begraca, Sherafedin Berisha nga Prishtina, Ismail Syla nga Kishnareka dheJahir Hajrizi nga Prishtina, për veprën penale të bashkimit për veprimtari armiqësore të parashikuar nga neni 136 par. 1 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ dhe të akuzuarve: Sheqir Zeneli nga Prapashtica, Fehmi Plakiçi nga Nekovci, Azem Syla nga Kishnareka, Xhevdet Syla nga Prishtina, Fatmir Krasniqi nga Tërpezi, Ferit Qollaku nga Gajra, Hysni Hoti nga Caralluka, Kadri Luzha nga Begraca, Mustafa Ademi nga Prishtina dhe Jashar Alijaj nga Kovraga, për veprën penale të bashkimit për veprimtari armiqësore, të parashikuar nga neni 136 par. 2 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ.

( … )

Për më tepër, lexoni faksimilet e faqes 3, 4 të këtij Aktgjykimi

Ky trup gjykues dhe shumë prokurorë e gjyqtarë tjerë të këtij soji, që kanë punuar në gjykatën supreme të Kosovës, por edhe në gjykatat e qarkut nëpër komuna të Kosovës, gjatë viteve të 70-80’ta kanë denuar mijëra intelektualë shqiptarë, vetëm pse janë angazhuar për realizimin e kërkesës “KOSOVA REPUBLIKË!”, për çudi këto relikte të së kaluarës edhe sot punojnë në të gjitha nivelet e gjykatave të Republikës së Kosovës !!!

/Editori – Sheradin Berisha/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura