Prishtinë, 15 qershor 2020:
3. DOKUMENTI QË DËSHMON DIFERENCIMIN NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS, MË 1981
Informatë lidhur me aktivitetin për stabilizimin e gjendjes në Universitetin e Prishtinës (1)
Në vazhdim po japim informacionin e dhënë nga KEK të KSA të Kosovës, për të njoftuar qytetarët mbi aktivitetet e zhvilluara në Universitetin e Kosovës:
“Në fakultetet dhe shkollat e larta të Universitetit u intensifikua puna rreth zbatimit të detyrave që dalin nga Plani Operativ i Komisionit të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës për stabilizimin e gjendjes në Universitet dhe Pleqësisë së Universitetit. Mirëpo, ndonëse ka kaluar një kohë mjaft e gjatë nga aprovimi i Programit aksionar të LK të Kosovës, ende nuk kanë mundur të përballohen të gjitha vështirësitë dhe të zgjidhen ato probleme në Universitet që janë vlerësuar si prioritare për normalizimin e gjendjes në të deri në fillim të vitit të ri shkollor. Ende po ndryshohen ngadalë shprehitë dhe qëndrimi ndaj detyrave që shtrohen para punonjësve të Universitetit, kurse përgjegjësia e tyre nuk është në nivelin e situatës së ndërlikuar, për ç’shkak nuk ka vullnet të mjaftueshëm për t’i analizuar dhe vlerësuar në mënyrë kritike dukuritë dhe problemet konkrete. Për këtë ka qasje të përcipta, improvizime dhe formalizëm në zgjidhjen e çështjeve të caktuara. Prandaj kryerja e detyrave të përcaktuara në Planin operativ të Komisionit dhe të Pleqësisë së Universitetit nuk shkon sipas dinamikës së planifikuar dhe afateve të caktuara. Kështu për shembull, vlerësimi kritik i politikës së kuadrove në shkollat e larta e fakultetet, që ka qenë parashikuar të shqyrtohet në Pleqësinë e Universitetit nga mbarimi i qershorit, nuk është bërë për shkak se disa fakultete nuk i kanë dërguar me kohë vlerësimet e veta lidhur me këtë çështje. Ose, p.sh. ndonëse Rektorati dhe Bashkësia Vetëqeverisëse Krahinore e Interesit e Arsimit dhe Edukimit kanë kërkuar nga secili fakultet që të caktojë dhe të dërgojë numrin e saktë të studentëve të rregullt, të cilët këtë status e kanë sipas ligjit mbi shkollat e larta e fakultetet, të cilët këtë status e kanë sipas ligjit mbi shkollat e larta e fakultetet dhe sipas statuteve të veta, si dhe pasqyrën e tyre sipas strukturës kombëtare e sociale dhe përkatësisë territoriale, disa fakultete kanë dërguar vetëm listën e emrave, e disa as këtë nuk e kanë bërë”.
3. 1. Diferencimet në fakultete dhe në shkollat e larta në Kosovë
Aktiviteti i organizatave të LK-së në fakultete dhe shkolla të larta rreth diferencimit ideopolitik nuk po zhvillohet në mënyrë të thelluar. Për më tepër, ekziston përshtypja se ky aktivitet, kohët e fundit, po dobësohet. Deri më tani në Fakultetin Filozofik u pushua nga puna një mësimdhënës, kurse gjashtë studentë u përjashtuan nga fakulteti, ndaj 49 studentëve-pjesëmarrës në demonstratat-po zhvillohet procedurë disiplinore, ndërsa 96 studentë anëtar të LK-së, u shlyen nga evidenca. Numri i përgjithshëm i personave të shlyer nga evidenca e LK, duke përfshirë këtu edhe numrin e përmendur më sipër, është 360. Në fakultetet dhe shkollat e tjera të larta nuk ka masa konkrete partiake ose masa për konstatimin e përgjegjësisë. Organet në nivelin universitar, e sidomos rektorët dhe prorektorët, kanë futur një dinamikë në intensifikimin e aktivitetit rreth kryerjes së detyrave për stabilizimin e gjendjes në Universitet.
3. 2. Detyrat e përcaktuara në Universitetin e Kosovës
U kryen provimet pranuese dhe kualifikuese sipas planeve dhe kritereve të përcaktuara. Në këtë afat të regjistrimit në fakultetet dhe shkollat e larta u paraqitën gjithsejt 7.951 studentë të rregullt dhe 380 me korrespodencë nga 8.580 studentë të rregullt dhe 5.195 studentë me korrespodencë sa kanë qenë të planifikuar. Përveç mjekësisë, elektronikës dhe arkitekturës (në Fakultetin Teknik), edhe sivjet ekziston tendenca e orientimit të kandidatëve nga shkencat shoqërore dhe humanitare. Në shkollat e larta pedagogjike është i vogël numri i atyre që janë orientuar për mësim në klasa të ulëta të tetëvjeçares. Po ashtu pak kandidatë janë paraqitur për mësim në gjuhën serbokroate. Në nivelin e Universitetit ende nuk është bërë një pasqyrë e kandidatëve të paraqitur sipas përkatësisë kombëtare gjë që duhet bërë këto ditë, në mënyrë që në afatin e dytë dhe të tretë plotësues të regjistrimit të realizohet politika e përcaktuar e regjistrimit të studentëve sipas përkatësisë kombëtare, e jo vetëm sipas gjuhës mësimore. Lista e kandidatëve që në bazë të provimeve pranuese, përkatësisht kualifikuese dhe kritereve të tjera i kanë plotësuar kushtet për regjistrim në vitin e parë të studimeve, sipas ranglistës, do t’u dërgohet këto ditë komunave në mënyrë që ato, deri më 25 të këtij muaji, të japin mendimin e vet për përshtatshmërinë ideopolitike të secilit kandidat, ndërsa mendimi për kandidatët jashtë Krahinës (nga RS e Maqedonisë, RS e Malit të ZI dhe nga rajoni i ngushtë i RS të Serbisë) do të kërkohet nga organet përkatëse republikane të arsimit dhe të edukimit.
Duke qenë se nuk është bërë diferencimi ideopolitik i studentëve në Universitet, Konferenca Krahinore e Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës ka kërkuar nga të gjitha komunat listën e atyre studentëve të cilët, për shkak të papërshtatshmërisë ideopolitike, nuk do të mund t’i vazhdojnë studimet e mëtejshme.
Rektorati ka marrë masa që të bëhet i mundshëm regjistrimi i studentëve nga Kosova në fakultetet e qendrave të tjera universitare të vendit për ato profile që nuk shkollohen në Universitetin e Kosovës. Kështu, për shembull, është arritur pëlqimi dhe janë kryer provimet pranuese për regjistrimin e 10 studentëve në Fakultetin Farmaceutik të Sarajevës.
1. Në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta është shqyrtuar vlerësimi i politikës së kuadrove, ndërsa po ky vlerësim, në nivelin e Universitetit do të shqyrtohet në mbledhjen e Pleqësisë së Universitetit më 21 të këtij muaji. Në këtë mbledhje do të shqyrtohet edhe politika e kreditimit dhe bursat e Universitetit. Sipas propozimit në materialin për këtë mbledhje propozohet decentralizimi i Fondit të kredive të studentëve nëpër komuna, në mënyrë që ato, në pajtim me nevojat e veta për kuadro dhe me kriteret e tjera, të vendosnin për dhënien e kredive.
2. Analiza kritike e planeve, programeve mësimore dhe e teksteve si dhe e literaturës tjetër, me një vështrim të veçantë mbi ato nga Shqipëria, për lëndët e historisë, të gjuhës e të letërsisë, të marksizmit e të sociologjisë, është shqyrtuar nga organet e Fakultetit Filozofik, ndërsa analiza e tërësishme lidhur me këtë do të shqyrtohet në mbledhjen e Pleqësisë të Universitetit më 25 të këtij muaji.
3. Organet e fakultetit po shqyrtojnë analizën kritike të bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit, me një vështrim të veçantë mbi bashkëpunimin me Universitetet Shtetërore të Tiranës, ndërsa Pleqësia e Universitetit këtë çështje do ta shqyrtojë deri në fund të këtij muaji.
4. Komisioni, Rektorati dhe Drejtoria e emëruar e Qendrës së Studentëve janë angazhuar – si një nga detyrat prioritare – stabilizimi i gjendjes në këtë Qendër.
5. Nga problemet e shumta që ekzistojnë në Qendrën e studentëve, deri më tani për zgjidhjen e tyre është bërë sa vijon:
– është aftësuar restoranti i studentëve, kështu që deri në fillim të vitit të ri shkollor do të funksionojnë shtatë në vend të dy, e nga ndonjë herë katër shirita sa kanë funksionuar deri më tani, gjë që do të sigurojë shërbimin efikas dhe të shpejtë. Për këtë qëllim janë blerë dhe janë montuar të gjitha instalimet e nevojshme.
– deri më 25 gusht do të përfundojë puna në rinovimin e plotë të të gjitha konvikteve ekzistuese;
– janë marrë të gjitha masat që të kryen punimet në konviktin e ri (me kapacitet prej 1.000 shtretërish) deri më 25 të këtij muaji, në mënyrë që pranimi teknik dhe dorëzimi i tij në përdorim të bëhet para fillimit të vitit të ri shkollor;
– ka filluar renovimi i dy barakave ekzistuese për vendosjen e studentëve, ndërsa e treta do të adaptohet për aktivitetet shoqërore të studentëve;
– janë marrë masat për shpërnguljen e banuesve nga Qendra Shëndetësore e Studentëve, ku përveç mbrojtjes së deritashme shëndetësore, në të ardhmen do të bëhen edhe vizitat e specialiteteve;
– Drejtoria deri tani u ka ndërprerë marrëdhëniet e punës 34 punëtorëve, kurse këto ditë do të pushojë nga puna të gjithë portierët e deritanishëm (20 të tillë), ndërsa zgjedhja e portierëve të rinj do të bëhet në konsultim me komisionet kadrovike të Kuvendit Krahinor të KK, nga radhët e kandidatëve që janë paraqitur për konkurs në Sekretariatin Krahinor të Punëve të Brendshme. Kandidatët e zgjedhur do të aftësohen në mënyrë të veçantë;
– është bërë sistematizimi i ri i vendeve të punës dhe është bërë orari për njerëzit sipas kualifikimeve dhe aftësive të tyre;
– është shpallur konkursi për plotësimin e vendeve të zbrazëta udhëheqëse të punës;
– është përpiluar propozimi i kritereve për pranimin e studentëve në konvikte, i cili është dhënë në diskutim në fakultetet, komuna, Kryesinë e Lidhjes Socialiste të Rinisë së Kosovës dhe Bashkësinë Krahinore Vetëqeverisëse të interesit të arsimit dhe edukimit;
– duke shfrytëzuar përvojat e qendrave të reja të studentëve në vend, është përpiluar rendi shtëpiak dhe organizimi i tërësishëm i jetës e punës së studentëve në konvikte, që- përveç tjerash parashikon formimin e kuvendeve të pleqësive të konvikteve, në të cilat, përveç studentëve, do të jenë edhe arsimtarët e delegatët e mjediseve shoqërore.
3. 3. Çdo gjë survejohej nga pushtetarët
– do të vendoset kartoteka për të gjithë studentët e pranuar në konvikte, kështu që do të jetë e mundur përcjellja e vazhdueshme e gjendjes në konvikte. Çdo student në konvikt dhe abonent në restorantin e studentëve do të ketë legjitimacion. Është marrë vendim që çdo student që është vendosur në konvikt patjetër të jetë edhe abonent i restorantit të studentëve;
– është porositur projekti për stacionin e altoparlantëve që do të ketë Këshillin e vet programor dhe përmbajtjen programore;
– është përpiluar propozimi i listës së çmimeve për vendosje e ushqim e cila do të shqyrtohet në Këshillin Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës, kurse definitivisht për këtë vendoset në organet e Bashkësisë Krahinore Vetëqeverisëse të interesit të Arsimit e të Edukimit;
– Konkursin për pranimin e studentëve në Qendrën e Studentëve do ta shpalli Rektorati i Universitetit në shtator, ndërsa paraqitja dhe verifikimi i kandidatëve do të bëhet në komuna;
– po punohet në hartimin e akteve të reja normative, që do të sanksionojnë organizimin e këtillë dhe jetën e punën e studentëve në Qendrën Studentore.
6. Në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta janë formuar grupet punonjëse që punojnë në analizimin kritik të këtyre problemeve:
– vlerësimi i funksionimit të marrëdhënieve vetëqeverisëse dhe të sistemit të delegimit;
– vlerësimi i transformimit dhe dispersionit të mundshëm të institucioneve të shkollimit të lartë;
– vlerësimi kritik i temave të diplomës e të magjistraturës dhe të disertacioneve të doktoraturës si dhe të specializimeve në vend e në botën e jashtme;
– vlerësimi i funksionimit të sistemit të mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe të vetëmbrojtjes shoqërore të universitetit;
– hartimi i kritereve për fitim dhe ndarjen e të ardhurave në shkollat e larta, në fakultete e në Universitet. Këto çështje do të shqyrtohen në organet e fakultetit dhe Pleqësisë së Universitetit pas 15 gushtit. Komisioni konsideron se duhet të intensifikohet puna në organizatat themelore të Lidhjes së Komunistëve në fakultetet e në shkolla të larta, në mënyrë që të thellohet diferencimi i mëtejshëm ideo-politik nëpërmjet angazhimit konkret në zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe realizimin e detyrave të përcaktuara. Lidhur me këtë, është e nevojshme që anëtarët e aktivit politik, të angazhuar në shkollat e larta e fakultete, të aktivizohen edhe më tepër.
Gjithashtu është e domosdoshme që sektori i Komitetit Krahinor dhe Komiteti komunal të analizojnë dhe të përcaktohen për rregullimin organizativ dhe aksionar të Organizatës së LK të Universitetit. Gjithashtu, organet e Konferencës Krahinore të LRS të Kosovës dhe të Konferencës Komunale të LSR të Prishtinës duhet të shpejtojnë punën në rregullimin organizativ të rinisë në shkollat e larta e në fakultetet, si dhe në nivelin e Universitetit. Komisioni dhe Rektorati kanë marrë masa që të ndërprehen të gjitha shkuarjet në botën e jashtme për specializime dhe të kufizohet numri i atyre që marrin pjesë në simpoziume, seminare e kongrese me karakter ndërkombëtar. Ndërkaq, si problem paraqitet realizimi i bursës së Fullbrajtit që i është ndarë Kosovës, prandaj për këtë është e nevojshme që të merret vendim”. Kjo ishte informata që u shpërnda në lidhje me gjendjen dhe punën në shkollat e larta dhe në Universitet.
VIJON …
__________
Referenca:
1. ASHAK, K. 687, Predsednishtvo PK. SKK, 1981, d. sednica od 103-105.
***
PROF.DR.SABILE KEêMEZI-BASHA: MASAT MORALO-POLITIKE PËR REGJISTRIMIN E STUDENTËVE NË UNIVESITETIN E KOSOVËS (31)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10158