GJOKË DABAJ: 1 E 1000’ta PJESË E BANORËVET TË TIRANËS E KANË NË DORË FATIN E SHQIPËRISË

Durrës, 01. 04. 2014 – Ndër 1000 banorë të Tiranës, njëri prej tyre është veçanërisht i rëndësishëm. 999 të tjerët janë banorë të dorës së dytë, të dorës së tretë dhe të dorës së katërt, deri te ata që gërmojnë nëpër mbeturina. Ky 1 i 1000-ti është pikërisht personi, prej të cilit varet jo vetëm fati i Tiranës, por i krejt Shqipërisë. Duke e marrë Tiranën si një qytet me 700 mijë banorë (Se po shmangemi me 100 apo 300 mijë, nuk është fort e qenësishme.), del që 700 prej këtyre janë ata më të rëndësishmit. Kush janë këta 700 njerëz që e kanë kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë midis gishtavet?! Unë nuk njoh asnjërin prej tyre. (Ose: njoh, por s’më asgjë me ta, përveç fatit të Atdheut.) Di vetëm që janë më të pasurit e këtij vendi. S’e di në ç’mënyrë e kanë vënë pasurinë. S’e di cila është konkretisht sfera e veprimtarisë së tyre ekonomike. A merren me tregtimin e karburantevet? A merren me importin e miellit apo të makaronavet? A janë përpunues të mishit dhe prodhues të sallamevet? A menaxhojnë të quajturën industri fason? A blejnë e shesin kafe? A shfrytëzojnë qiellin si burimin më të mirë të të ardhuravet, që nga kompanitë mediatike audiovizive dhe ato të komunikimit elektronik, deri te aerotransporti? A blejnë e shesin ilaçe? A merren me industrinë e ndërtimevet? A e nxjerrin pasurinë nga nëntoka?

 Nuk di, por fundja as më intereson të di. Mua më intereson të di vetëm kaq: SA PATRIOTË JANË KËTA 700 BANORËT MË TË SUKSESHËM TË TIRANËS?! Sa e duan këta njerëz Tiranën?! Sa e duan Shqipërinë?! Çfarë japin këta banorë të fuqishëm të Tiranës për mbarëvajtjen e punëvet të KOMBIT të vet?!
Madje, unë nuk po di: Këta 700 banorët më të fuqishëm të Tiranës, a janë në shumicën e tyre shqiptarë, apo ka aty edhe pjesëtarë të kombevet të tjerë? Për pjesën që janë shqiptarë, ka shumë rëndësi: Cili është horizonti, në radhë të parë KOMBËTAR i tyre dhe pastaj, natyrshëm, ai rajonal, evropian dhe gjithnjerëzor? Ç’kapacitet kulturor kanë këta njerëz dhe cili është formimi MORAL i tyre?! Edhe kjo do të më interesonte.
Dihet dhe është plotësisht e arsyeshme që Kombi Shqiptar, pas dështimit të eksperimentit komunist (i cili e kish defektin në doktrinën e vet), duhet ta krijojë, madje sa më shpejt, klasën e vet kapitaliste. Pa klasë kapitaliste, nuk ka rend shoqëror kapitalist. Mirëpo, kjo klasë kapitaliste, duhet të jetë KOMBËTARE, ndryshe s’kemi gjë në vijë!
Ne, të 699 mijë e 300 banorët, që nuk jemi të pasur sa ç’janë ata të 700-t, duhet ta pranojmë këtë fakt si krejt të natyrshëm dhe nuk duhet të na vijë aspak keq që i kemi midis nesh këta 700 njerëz të pasur. E vetmja kërkesë e jona, është dhe do të mbetet kjo: Këta 700 njerëzit më të pasur të Tiranës duhet të jenë PATRIOTË. Nëse nuk janë tillë këta 700 banorë të Tiranës, Kombi Shqiptar nuk e ka të ardhmen të siguruar. Ne, të 699 mijë e 300 banorët e tjerë, mund të jemi shumë të gatshëm për ta çuar Kombin tonë në një shkallë më të lartë zhvillimi. Ne mund të duam dhe duam që ky vend, dmth Shqipëria, të bëhet një vend i pasur. Ne mund të duam dhe duam që këtu, në Shqipëri, të jetohet mirë dhe shqiptarët të mos kenë nevojë për t’u larguar këndej. Ne mund të duam dhe duam që, ashtu si pasuria, edhe historia, gjuha, kultura dhe arti ynë, të jenë burim krenarie për të gjithë ne. Mirëpo, po të mos jenë këta 700 bashkëbanorë të Tiranës të të njëjtëvet mendime me ne, është tepër e vështirë të arrihet atje ku po do apo mund të dojë shumica e këtij populli.
Çështja tani shtrohet: Ku do ta shikojnë shqiptarët, që këta 700 më të pasurit e kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë janë në të njëjtën linjë atdhedashurie me pjesën tjetër, të varfër, gjysmë të varfër apo mesatarisht të pasur?
Unë do të numëroj këtu disa nga shenjat më dalluese.
1.Kur të prodhojnë një mall, a kanë kujdes që ai mall të jetë i mirë, jo vetëm se duke qenë i mirë, shitet më mirë, por edhe sepse ai mall është një mall SHQIPTAR? Prodhoj një pije. Të thonë të tjerët: “Kjo është pije që vjen nga SHQIPËRIA! Është pije pa hilera. Është pije e klasit të parë.” Nxjerr jashtë një prodhim bujqësor. T’i thonë të tjerët njëri-tjetrit: “Merre këtë prodhim, sepse vjen nga SHQIPËRIA!” Ndërtoj një rrugë. Kur vijnë të huajt, të thonë: “Sa të bukura këto rrugët e SHQIPËRISË!” Që të arrihet kjo, do hequr, doemos, diç nga fitimi, por ia vlen, NË EMËR TË ATDHEUT. Ngre një kompleks ndërtesash banimi ose për ndonjë qëllim tjetër. Le të thonë të tjerët: “Ishim në SHQIPËRI! Pamë gjëra vërtet të bukura.” Nuk është lehtë. Duhet seriozitet i madh në punë. Duhen specialistë cilësorë, jo dosido. Do rritet edhe kostoja, por ia vlen, për hir të vendit që të ka lindur. Nuk do ta marrim me vete pasurinë. Këtu do ta lëmë krejt.
2.Kur importojnë mallra, a bëjnë kujdes këta të pasur të vendit tonë, që mallrat e tyre të lavdërohen prej blerësvet të vendit të tyre?! Sjell mish nga jashtë, por ai mish të pëlqehet prej konsumuesvet. Jo të thonë njerëzit: “Ky mish nuk hahet.” Është e vërtetë që, duke sjellë mall jo të mirë, mall “bono per albanezi”, mund të fitohen 1 milion euro më shumë, por fytyra e KOMBIT njolloset, KOMBI bëhet me turp. A s’do të ish më mirë që ai 1 milion euro të fitohet pak më me vështirësi, por dinjiteti i KOMBIT të mos cënohet?! Sjell një mall nga jashtë. E gjej atje më lirë, por lë pa shitur mallin vendës. A s’do të ish më e ndershme, më dinjitoze, të blesh mall vendi, qoftë edhe me një shkallë fitimi pak më të ulët?! Nëse të 700 njerëzit që i kemi në shqyrtim, nuk i kanë këto cilësi, kjo do të thotë që ata MORALISHT nuk janë atje ku duhet.
3.Këta 700 më të pasurit e Tiranës kanë në dorë të sjellin në qeveri njerëz që punojnë PËR SHQIPËRINË, por kanë në dorë të sjellin edhe njerëz që E DËMTOJNË SHQIPËRINË. A e kanë parasysh këta 700 më të pasurit e Tiranës këtë aspekt të politikës sonë KOMBËTARE? Duke i dhënë një spekullanti , një të korruptuari, karriken e qeveritarit, i çfarëdo niveli qoftë ai, biznesmeni mund të përfitojë diçka të çastit, diçka momentale, por KOMBI i tij, e bashkë me KOMBIN, edhe AI VETË, sa dëmtohen?! Sa dëmtohet imazhi i SHQIPËRISË, duke pasur në pushtet njerëz të korruptuar dhe, pasojisht, edhe vetë biznesi?! A janë kaq të arrirë MEDËRISHT e MORALISHT, këta 700 qytetarë të Tiranës, sa të mund t’i kuptojnë dhe t’i zbatojnë praktikisht këto gjëra?! Në mos qofshin, vajmedet për ne!
4.Këta 700 më të pasurit e Tiranës, në radhë të parë, a po përpiqen për të ngritur VETEN dhe familjen e vet në shkallën e duhur kulturore e arsimore? Jepet te Portokallia karikatura e një zonje të pasur. Sa po mundohen këta 700 më të pasurit e Tiranës t’i largohen asaj karikature, të mos i ngjajnë asaj, por të bëhen gjithnjë e më dinjitozë jo veç në para, por edhe në aspektin arsimor e kulturor? Sa e si po i ndihmojnë këta 700 më të pasurit e Tiranës, shkencën, artin dhe kulturën përfaqësuese të KOMBIT SHQIPTAR?! Ky KOMB i yni, ka shumë nevojë, në këtë kohë që e kanë quajtur Koha e Tranzicionit, për një afirmim më të fuqishëm në opinionin ndërkombëtar. Ka nevojë veçanërisht HISTORIA E KOMBIT tonë të njihet më mirë në shkallë botërore. Para pak ditësh, një diplomat amerikan gaboi duke pranuar tezën sërbe që shqiptarët e Kosovës na qenkan pasardhës të sërbëvet të dikurshëm, të myslimanizuar. Nuk është faji i atij diplomati. Faji është i ne shqiptarëve, që nuk shkruajmë e nuk publikojmë në gjuhë të huaja faktet e historisë sonë. Është e vërtetë që, midis këtyre 700 më të pasurve të Tiranës, ka nga ata që japin ndihma për shërimin e ndonjë të sëmuri dhe bëjnë mirë që japin. Por sa prej këtyre të pasurve kanë sponsorizuar gjer tani përkthimin e veprës së ndonjë historiani nga shqipja në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, sllavisht, greqisht apo turqisht?! Shkoni në cilëndo bibliotekë perendimore dhe shihni: Sa libra të autorëvet sërbë, që flasin për shqiptarët, janë përkthyer e botuar në ato gjuhë dhe sa libra të autorëvet shqiptarë ka në dispozicion studiuesi perendimor?! Është SHQIPËRIA e sëmurë! Duhet KJO të ndihmohet, para ciltido individ që e ka jetën në rrëzik!
Kërkesat që po shtroj unë këtu, janë kërkesa tepër serioze. Të pasurit shqiptarë kanë në dorë sot fatin e KOMBIT SHQIPTAR. Ata pak të pasur që punuan për SHQIPËRINË në Kohën e Rilindjes, bënë që SHQIPËRIA të jetë kjo që është sot: Me 2 shtete të pavarur dhe me kërkesa, me aspirata, për të qenë një faktor i rëndësishëm mbarëvajtjeje në krejt rajonin tonë. “Abdyl, prishe pasurinë, një barrë flori!”, thotë kënga popullore. Të mos kishin sakrifikuar, edhe materialisht, rilindësit tanë, që nga Abdyl Frashëri e Thimi Mitkoja, deri te Ismail Qemali e Hasan Prishtina, SHQIPËRIA sot nuk do të ishte kjo që është.
Në qoftë se të pasurit tanë të sotëm nuk do t’i marrin si shembull rilindësit mendjendritur, SHQIPËRIA nuk do të mund të përparojë ashtu siç duan dhe siç meritojnë shqiptarët.
(Në fund, po tregoj edhe si erdha te numri 700. Në një njoftim të mediavet tona thuhej: 50% të të ardhuravet tatimore në Bashkinë e Tiranës sigurohen nga 700 subjekte ekonomikë të këtij qyteti. Pikërisht këtë shifër, 700 subjekte ekonomikë, që mbajnë mbi supe gjysmën e të ardhuravet tatimore në Tiranë, unë e shfrytëzova si një të dhënë të mjaftueshme në trajtimin e këtij problemi, që është nga më të rëndësishmit e kohë sonë.)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura