GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, NËN PETKUN E KOMUNISTËVE JUGOSLLAVË!

Durrës, 15 qershor 2020
PJESË NGA LIBRI “GENOCIDI SËRBOMADH DHE QËNDRESA SHQIPTARE” I AUTORIT SHABAN BRAHA, Nr. 16
Vazhdon genocidi i të quajturvet “komunistë” jugosllavë ndaj shqiptarëvet të mbetur edhe nën Jugosllavinë e Dytë.
“Kosova po përgatiste bijtë e saj, duke i inkuadruar në njësitë e veta partizane në divizionet e Republikës së Shqipërisë, si dhe në divizionet maqedonë e sërbë.” (f. 447)

“Brigada e 7-të (Kosovare) e krijuar më 11 nëntor 1944 me 14500 luftëtarë shqiptarë, merr urdhër që të transferohet për në Vojvodinë, në frontin e Sremit, për të luftuar atje kundër forcavet naziste gjermane që po tërhiqeshin.” (Krs. f. 447)
“Por Shaban Polluzha, zv-komandant i asaj brigade, (pasi vjen njoftimi se në Drenicë po vriteshin gra e fëmijë nga forcat çetnike, gjoja partizane), i ndjekur nga rreth 5000 luftëtarë, nuk e zbaton urdhërin e Shtabit Operativ, por kthehet për në Drenicë.” (f. 448)
“Ndërkaq, komandanti i Brigadës së 7-të (Kosovare), Shaban Haxhia, me rreth po aq ushtarë, e zbaton urdhërin e Shtabit Operativ dhe, nën komandën dhe mbikqyrjen e Divizionit 46 të Ushtrisë Popullore-Çlirimtare Jugosllave, e nis pjesën e mbetur të Brigadës së 7-të (Kosovare) në drejtim të Vojvodinës, gjegjësisht Sremit.” (f. 448)

“Deri në Kurshumli do të marshohej më këmbë. Eskalioni i parë u nis më 20 janar 1945, dy eskalionet e tjerë nga dy e tri ditë më vonë. Vetë Shaban Haxhia, komandanti i asaj brigade, më vonë do të shprehej kështu: Ky marshim nuk i ngjante një marshimi partizan për në luftë, po një karvani të internuarish.“ (Krs.f.448)
“Nga Kurshumlia i kanë nisur me tren dhe, njëri nga ish-parizanët e atij kalvari, Hashim Bislim Hogoshti nga Gjilani, tregon: Udhëtimi me tren u ba me regjim uje (urie), të ftohtit dhe pasigurie. Pasi hymë brenda kufinit të Sërbisë, na ndrynë nëpër vagona të mbyllun (furgona) dhe, 48 orë na mbajtën nën çelës. Nuk dinim se ku ishim e çka po bahej me ne. Na dukej vetja rob lufte. Dy ditë pa bukë e pa asnjë ushqim. Ma në fund na përplasën në Banat, në duert e oficeravet sërbë. Shtabin tonë shqiptar na e hoqën dhe e kthyen në Kosovë.” (f. 448)
“Tifoja na rroku papritmas, tregon luftëtari Halim Sulejmani. Ajo na gjeti në Banat. Ishte ma kollaj me na vra me tifon, se sa me pushkë. Çdo ditë na vdisnin shokët. Qerret hidhnin grumbuj të vdekunish në gropa e kanale dhe aty i mbulonte dheu. Mbi 1000 vetë na vdiqën e vorri u humbi përgjithmonë. U tha se ma në fund u gjet fajtori dhe se u dënua. Ishte, thanë, pakujdesia e një mjeku.” (f. 449)
“Edhe në Kikindë ishte përhapur tifoja dhe kishin vdekur 29 vetë. Ndërsa në Beçej epidemia kish përfshirë pjesën tjetër të brigades dhe atje pasojat kishin qenë edhe më të rënda.” (f. 449)
“Gjithsesi, me dërgimin e mijëra shqiptarëvet për në veri, me qëllim per t’i asgjësuar por edhe për ta lënë Kosovën pa mbrojtje, Sëbia nuk ia arriti qëllimit kënaqshëm. Pati rezistencë e trazira. Pati edhe kryengritje, me ç’rast, me 7 prill 1945, humbën jetën 425 shqiptarë.” (f. 450)
“Por dërgimi i djemvet shqiptarë drejt veriut ishte komprometuar rëndë që në fillim. Kështu që, udhëheqja strategjike sërbosllave kish hartuar një manovër të re: Të organizonte edhe një grupim forcash shqiptare të moshës më aktive dhe t’i niste drejt brigjevet të Adriatikut.
(Dhe kështu do të ndodhte Masakra e Tivarit, e pakrahasueshmja me asnjë masakër tjetër në historinë njerëzore, ku një ushtri vret e asgjëson një pjesë të vetes. Një pjesë të vetëvetes! (Gj. D.) (f. 450)
“U mobilizuan dy grupime: Njëri nga Rrafshi i Kosovës, përfshirë edhe trevën e Vardarit e të Anamoravës, deri lart në Bujanovc e Medvegjë, tjetri pëtmblidhte Rrafshin e Dukagjinit. Edhe një grupim më të vogël do ta përbënin rrethet Prizren, Dragash, Rahovec.” (f. 450)
“Nuk u dha ndonjëherë shifra e saktë e të mobilizuarvet, por thuhej se arrinin deri në 17000 vetë.” (f. 451)
“Ata do të niseshin nga Prizreni në 9 kolona, që do të thotë se çdo kolonë do të kishte rreth 2000 vetë. Për shkak të pengesavet malore në stinën e dimrit, kjo ushtri 17-mijëshe u tha se nuk do të çohej përmes malevet (Rugovë, Çakorr e tutje nëpër Mal të Zi), por do të kalohej përms Republikës Popullore të Shqipërisë, e cila prej 4 muajsh ishte e çliruar. Marshimi nisi nga Prizreni më 15 mars 1945.” (f. 451)
“Vendimi ishte që asnjë nga të mobilizuarit të mos marshonte i armatosur, pasi armatimin dhe pajimet do t’i merrnim, ose në RPSH, ose në Mal të Zi.” (f. 451)
“Brigada e 27-të Malazeze e Divizionit të 46-të të UPÇJ (sërbisht NOVJ), do t’i shoqëronte eshalonet e partizanëvet shqiptarë tashmë të çarmatosur.” (f. 451)
Gj.D. shënim: Në f. 451 autori Shaban Braha ka vënë, midis tjerash, edhe një informim mjaft domethënës. Aty thuhet: “Vetëm komandat e qarqevet (në RPSH) kishin njoftim për këtë marshim drejt detit, anës Drinit. Doemos që hollësi të tjera mund t’i dinte vetëm Koçi Xoxe.” Nëse i përgjigjet së vërtetës ky pasazh, i cili, mendoj unë, lë të nënkuptohet se Enver Hoxha edhe mund të mos ketë qenë i informuar për këto punë, ose, të paktën, të ketë qenë i informuar përciptas dhe shkarazi, pra mashtruar, atëherë historiografia duhet të ndalet më shumë te makinacionet që përdorte udhëheqja “komuniste” jugosllave, se sa në insistimet mbi “tradhtinë” e Enver Hoxhës. (Krs. f. 451)
“Në rrugën Prizren-Kukës, te vendi që quhet Hani i Laçit, u vranë 4 ‘të pabindurit ‘ e parë.” (f. 451)
“Udhëtohej me ditë e me net dhe në mënyrë të pavarur prej asnjë njësie ushtarake të RPSH-së të qarqevet përkatës, Kukës edhe Shkodër. Përse po ndodhte kështu?! Këtë mund ta dinin më mirë Aleksandar Rankoviqi në Beograd dhe Koçi Xoxja në Tiranë.” (f. 452)
“Në distanca më të mëdha midis kolonavet marshuese, në kthesa të forta e në lugina të thella, në errësirën e natës dhe në mjegullat e ditëvet, spekullohej e shfrytëzohej çdo mundësi për likuidime. Armët e ftohta përdoreshin për zhdukje misterioze. Armët e zjarrit për rastet e dezertimevet, ku të trilluara e ku të provokuara nga vetë autorët e kësaj kasaphane. Vetëm pas 4 ditë marshimi, më 19 mars 1945, arritën të përgjysmuar në Tivar. Shumë prej tyre e mbyllën jetën varrhumbur. (f. 452) (Gj. D: Datat duhen krahasuar e verifikuar.)
“Shaban Sinan Mema, që i përkiste grupit të dytë, shpeshherë tregonte me dhimbje: Pushkët që i kishim, na i hoqën. Na thanë se do të armatosemi në RPSH ose në Mal të Zi. Na nisën, të shoqëruem nga Brigada Boka Kotorska, prej Prizrenit për në Tivar nëpër Kukës e Shkodër. Tue pa se po kalojmë nëpër Shqipninë e Lirë, u qetësuem disi. Por prapë, te e keqja na rrinte mendja, mbasi na vunë roje edhe anash e bile me kuaj. Ashtu, keq e ma keq, siç siç na shkonte mendja, edhe na u ba. Diku nga 2 e nga 2 e besa edhe me nga 12-13 vetë, ua humbnin jetën, ua merrnin shpirtin pa asnjë krismë.” (f. 452)
“Kur po i afroheshim Vaut të Dejës, disi u qetësuem. Por edhe aty na humbën 50 shokë përnjëheresh. Na i mori uji me gjithë kaiken. Nji hile u luejt edhe aty.” (f. 453)
“Na tubuen te Kalaja e Shkodrës e fjalë të mira na thanë. Por e keqja s’po na ndahej. Po kalonim në Urën e Bunës. Ndodhi një përleshje fyt për fyt. Na u tha se disa u hodhën vetë në Bunë për t’u mbytë. Por e keqja ma e madhe na zuni në Tivar.“ (f. 453)
“Tue ecë udhës së madhe e me kolona krejt të afrueme, pamë se njena anë e udhës ishte e thurun me tel me gjemba, kurse përmi udhë ishte vendosë një ushtri ndër prita. Udha dukej si një lumë i madh me njerëz. Më dukej sikur e tanë Kosova ishte në këtë udhë. Kur po i afroheshim magazës së duhanit, vetëm një za më zuni veshi: Idu Balisti! (Erdhën ballistat!) Nuk na u dha kohë me mendue se pse po na quejnë ballista. A nuk e dinin të vërtetën apo ashtu ua donte puna?” (f. 453)
“U lëshuen mbi lumin e njerëzvet të Kosovës plumbat e mitrolozavet, të automatikëvet dhe pushkëvet. Kërdia u ba me vrasje e plagosje. Ngelën njerëz edhe nëpër tela. Ata që ishin ma afër magazës së duhanit vrapuen e hynë brenda. Aty i tërhiqte për t‘i mbrojtë një toger dalmatinas që rrinte me revole në dorë dhe me sa mund i shante vrasësit, kurse shqiptarëvet u bërtiste: Bërzo! Bërzo! (Shpejt! Shpejt!)” (f. 453)
“Unë munda t’i shpëtoj vdekjes në lugun prej guri të një kroni e me pak vrap ia mbërrita depos së duhanit. Ushtarët e këtyne pritave duelën prej istikamevet dhe i vranë të plagosunit. Togeri dalmatinas ma vonë na nxori në bregun e detit. Aty pritëm gjithë natën, sa na erdhi një anije angleze dhe na qiti në Istër.” (f. 453)
“Morëm vesh se gjatë udhëtimit nëpër det, dikush nga oficerët sërbë kishte hedhur helm në një anije dhe shumë prej shqiptarëvet mbërritën në breg të vdekun. Xhenazet e shqiptarëvet të vramë në Tivar, ushtria i hoqi gjatë mbasdrekës, kur ne ende ishim atje. Gjaku që e kishte ngjye tokën, u la me pompa uji, për të humbë gjurmët.” (f. 453)
“Edhe për në Tuz, nëpërmjet rrugës së Koplikut, e patën nisë një numër prej nesh dhe, edhe atje ndodhi e njajta kasaphanë, veçse në përmasa ma të vogla.” (Krs. f. 453)
“Numri i përgjithshëm i të masakruarvet luginavet të Drinit dhe në Tivar llogaritet rreth 4000 vetë.” (f. 454)
“Në ngushticën detare Çiavo-Trogir gjetën vdekjen 29 të rinj shqiptarë, nga ata që i kishin shpëtuar Masakrës së Tivarit.” (f. 454)
* * *
Cikël i ri terrorizmi e genocidi, 1945.
“Në katundin Kameran të Drenicës Brigada e Parë e Bokës vrau Sadri Hajdinin, personin që ishte caktuar nga këshilli për t’i prirë brigadës, vrau një fshatar në Kishnarekë, vrau në oborrin e tij djaloshin 19-vjeçar Jahir Veselin në Koroticë të Gllogovcit.” (f. 463)
“Përrenjtë e Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit ishin shtruar me kufoma shqiptarësh të pafajshëm. Në Drenicë të Poshtme kufomat hidheshin edhe nëpër puse. Në përrenjtë e malit të fshatit Gajbul të Vushtrrisë u gjetën 9 djelmosha 12-15-vjeçarë të lidhur midis tyre dhe të mbytur barbarisht.” (f. 463)
“Në fshatin Muzhevinë të Istogut, në muajin shkurt 1945, brigada malazeze vrau 12 pjesëtarë të familjes së Rexhep Halitit, 2 djemtë, gratë dhe vajzat, pse Rexhepi nuk pranoi t’i dorëzohej asaj brigade. Njëri nga terroristët malazezë ngriti vertikalisht djepin e një foshnjeje 7-muajshe dhe e qëlloi foshnjën me automatik.” (f. 463)
“Në rajonin e Gjilanit shtoheshin vrasjet, por jo varret, sepse në të njëjtin varr shtiheshin nga shumë viktima. Në një rast numri i të masakruarvet, hedhur në një gropë, arriti 96 vetë.” (krs. f. 463)
“Në Nistrovë të Gostivarit u vranë, në muajin shkurt 1945, Meglin dhe Ip Nistrova, në Malin e Kiçinicës, atje ku eshtrat e shqiptarëvet të masakruar kishin marrë dhenë. Në Tanush, po në atë kohë, u torturuan për vdekje dhe u vranë Jonuz Elez Malaj dhe Baki Zunja. Vrasjet me 1 e 2 shqiptarë, në çdo katund e për çdo ditë, qenë bërë të zakonshme.” (f. 463-464)
“Në mars 1945 një grup prej 11 vetësh në mesin e natës u nxor në pazarin e bagëtivet të Gostivarit. Këta ishin nga Zajazi i Kërçovës. Mbasi i torturuan rëndë, i vunë para automatikëvet… Ngjarjen e lemerishme e tregon Islam Tahir Terenica, i cili kish arritur t’u shpëtojë plumbavet nëpër terr: Nga Gostivari na çuen në një shtëpi-burg të Kërçovës. Na futën në një odë pa njerëz të tjerë aty. Kambët na shkelën në gjak. Nuk kishim ku të uleshim. Ay na mbajtën dy ditë. Nuk shtyhej as sahati e as dita përsipër gjakut të vllazënvet tanë. Era e gjakut na turbullonte në zemër e në shpirt. Aty ma nuk ishim njerëz. Njani nga një odë tjetër na kallëzoi se njerëzit i kishin mbytë këtu tue ua pre kryet me sharrë. Mbas dy ditëve na hoqën prej aty. Mbajtën vetëm Jonuzin. Ne të tjerëvet na nisën për në burgun e Gostivarit, por, kur e pamë vendin në breg të Vardarit, te pazari i gjasë së gjallë, e kuptuem ç’po na priste. Unë munda të shpëtoj nëpër terr, të tjerët u pushkatuen.” (f. 464)
“Në anë të Vardarit çdo natë të këtij muaji (mars 1945) pushkatoheshin 20-30 vetë prej krahinash të ndryshme. Njerëzit dilnin e kërkonin në bregun e Vardarit gjurmët e familjarëvet, të therur, të mbytur apo të vrarë me armë zjarri.” (Krs. f. 464)
“Në një ditë marsi 1945 titistët çuan në buzë të Vardarit 105 shqiptarë, nga të cilët shpëtuan vetëm 5 vetë. Vrasja e tyre u ba tue i copëtue me bajoneta dhe tue i hedhë kufomat në lumë. Këto viktima u përkisnin fshatravet: Palçisht, Reçicë, Siniqan, Sedlarcë, Zhorovian të rrethit të Tetovës, të arrestuar nga kapiteni i OZN-s së Tetovës, Zoriqi.” (f. 464)
“Një gruaje shqiptare, pasi ia vranë burrin, e çuan në Nistrovë dhe aty oficerët e OZN-s ia dogjën shqisat e gishtrinjvet me thëngjij të ndezur dhe në thithat e gjinjvet i ndezën nga pak barut, duke i thënë: Këta gjinj duhet të digjen, se mund të rritin prapë këlyshë.” (f. 464)
“Torturat, masakrat dhe shfarosjet, gjatë këtij cikli pasuan nga 8 shkurti e deri më 10 korrik 1945 anembanë Kosovës dhe visevet të tjerë. Preteksti ishin kryengritjet e shqiptarëvet. Në fakt, ato kryengritje vetëmbrojtëse i provokonte vetë komanda ushtarake e Kosovës, sipas detyrës së vënë nga udhëheqja e Beogradit.” (f. 464)
“Deputeti i krahinës së Rekës nga fshati Belicë, Zhivko Brahovski, e qartësonte kryetarin e Këshillit Popullor-Çlirimtar të Dibrës, Aqif Lleshin, lidhur me këto shfarosje: Kemi urdhër nga Llazo Kolishevski, bile edhe nga më lart, që, në radhët e shqiptarëvet duhet të bëjmë një pastrim të mirë. Elementët e zotë duhet ë pastrohen qysh tani.” (f.465)
“Svetozar Vukmanoviq Tempos, i dërguari i KQ të PKJ për Republkën Popullore të Maqedonisë, i dukej i ngadaltë ky aksion i spastrimit etnik, prandaj i tërhiqte vëmendjen udhëheqjes maqedone dhe e udhëzonte: Ata që keni për të spastruar, i qëroni sa më shpejt.” (f. 465)
(Gj.D. Shënim: S. V. Tempoja vinte nga Cërrnica, një krahinë malaziase fqinje me krahinat tona të Tivarit. Ne shqiptarët, fqinjë shekullorë të tyre, kurrë nuk e kemi provokuar atë krahinë, në të vërtetë, jo sllave, por arbërore e sllavizuar. Cili ishte shkaku që, njerëz si ky Tempoja, i urrenin kaq shumë shqiptarët?!. Dhe s’ka qenë ky i vetmi cërrniçan që është dërguar në anët e Vardarit, për të vrarë shqiptarë. Ka pasur edhe të tjerë.)
“Xheladin Hana, gjakovar, një nga revolucionarët e njohur qysh në bankat e shkollës së mesme, vrarë nga vetë shefi i OZN-s, gjegjësisht i UDB-s së Kosovës, në dhjetor të vitit 1948 në Prishtinë, ndërsa mbahej në arrest sekret, ka qenë anëtar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të Kosovës dhe drejtor i gazetës Rilindja dhe, në atë kohë, para se të vritej, kish përgatitur këto të dhëna përmbledhëse lidhur me genocidin ndaj shqiptarëvet në Krahinën Autonome të Kosovës dhe në Republikën Popullore të Maqedonisë:
Vrarë nga forcat terroriste çetnike sërbo-malazeze 5200 shqiptarë. (Gj. D. Shifër që duhet verifikuar, sepse mund të jetë gabim shtypi, ose nuk janë përfshirë masakrat çetnike në Plavë-Gusi, Rozhajë, Sanxhak etj.)
Vrarë, therur, djegur për së gjalli 86000, nga të cilët 36000 në Rrafshin e Kosovës, 23000 në Rrafshin e Dukagjinit, 27000 në trevën e Vardarit.
Bastisje nga OZN-a 220000, duke përfshirë edhe ato të përsëriturat, në disa familje edhe nga 5 herë.
Kaluar në hetimet e OZN-s 200000 shqiptarë, shoqëruar me rrahje, fyerje, shpifje, presione e kërcënime të gjithfarshëm.
2 deri në 8 operacione ushtarako-oznorë, sipas krahinavet, të gjithë kundër popullsisë shqiptare e asnjë kundër pakicës sërbe, maqedone apo malazeze.” (f. 465-466)
* * *
Dy të këqia të rëndësishme duhet t’i vëmë në dukje e t’i mbajmë parasysh deri sa ndaj tyre të reagohet siç është për të reaguar:
E keqja e parë: Këto shifra nuk janë përfshirë në totalin e viktimavet të Luftës së Dytë Botërore. Rrjedjimisht, këto viktima nuk janë specifikuar si viktima të trerrorizmit komunist jugosllav ndaj kombit shqiptar dhe komunizmi jugosllav nuk është cilësuar botërisht si një regjim terrorist.
E keqja e dytë: Vetëm një pjesë e vogël e vetë shqiptarëvet i di të gjitha këto ashtu siç duhet t’i dijë. Sllavët, përkundrazi, edhe nëse dinë diçka, i përdorin për të lëvduar veten nëpër pijetore: Kështu ua kemi punuar shqiptarëvet!
Pra, duhet shpallur me të madhe e vërteta. Vetëm mbasi të njihet hollësisht e vërteta, do të vijë, jo pa vështirësi, edhe sqarimi e vetëdijësimi i brezavet pasardhës, të atyre që i kanë pësuar mbi trupin e vet këta krime, por edhe i brezavet pasardhës të atyre që i kanë kryer këta krime. Ndryshe, katarza nuk mund të vijë dhe pajtim midis dy kombevet nuk mund të ketë.
 Gjokë Dabaj, Durrës – 15 qershor 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura