REAGIM I KMDLNJ-së: A ËSHTË RAKIQI NËKRYETAR I QEVERISË SË KOSOVËS APO I SERBISË?!

Prishtinë, 8 korrik 2020: Pas përshkallëzimit të situatës së pandemisë të shkaktuar nga COVID-19, Qeveria e Kosovës riktheu masën e kufizimit të lirisë së lëvizjes në katër komuna ku numri i të infektuarve ishte më i madh. Edhe Serbia e riktheu gjendjen e jashtëzakonshme ku u përfshinë komunat që gjeografikisht janë pjesë e Kosovë kurse faktikisht, përmes Listes Serbe kontrollohen nga Serbia. Goran Rakiq, kryetar i L.S. dhe zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti shpalli gjendje të jashtëzakonshme në komunat e Kosovës, jo sipas vendimit të kryeministrit Hoti dhe Ministrit të Shëndetësisë Zemaj por sipas vendimit te kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të cilin edhe e njeh dhe e pranon si kryetar e jo kryetarin e Kosovës. Kryeministri Hoti, i magjepsur nga fama mashtruese e të qenit personalitet me peshë vendimmarrëse për Kosovën duke u shetitur nga Parisi në Bruksel dhe duke parë ëndërr Kopshtin me Trëndafila në Washington, as që reagoi ndaj këtij diversioni kundër Kosovës që po ia bënë kinse zëvendëskryeministri i Kosovës sikur edhe nuk reagoi kur Serbia i organizoi zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, pa i pyetur fare autoritetet e vendit. Kryeministri Hoti për këto zgjedhje të organizuara nga një shtet me sjellje krejtësisht armiqësore dhe destruktive ndaj Kosovës, në vend se t’i ndaloi siç do të bënte çdo shtet normal, i arsyetoi se janë trashigimi nga qeveritë e mëparshme, sikur të ishte një oportunist i thekur. Ministri Zemaj, pas shumë vdekjeve të dyshimta të qytetarëve të Kosovës të infektuar me COVID-19, në vend të reagimit për shkak të përgjegjësisë morale që i takon në bazë të postit që e ka, kritikuesit i akuzoi për përdorim të fjalorit të frustruar dhe i cilëson si bodigardë politikë thuaja se ky qenka autoritet i pranuar ndërkombëtar në fushën e politikes botërore. Në vend se të kërkojë shkarkimin e Rakiqit i cili ia merr kompetencat për shpallje të kufizimit të lirisë së lëvizjes në komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe, e mirëpret shkarkimin e drejtorit të QKUK-së, Basri Sejdiu për të cilin thotë se u bë mirë që u shkarkua për shkak të vdekjeve të dyshimta e që e kundërshton arsyetimin e Bordit që thotë se Basri Sejdiu qenka shkarkuar për shkak të gjetjeve të auditorit të brendshëm. Nëse vdekjet që janë cilësuar si të dyshimta dhe që po hetohen nga autoritetet përgjegjëse janë arsye për shkarkimin e Basri Sejdiut, atëherë, ministri Zemaj, për arsye të përgjegjësisë morale është dashur të jep dorëheqje. Për më keq, ministri Zemaj ka deklaruar se ende nuk e ka marrë raportin e Prokurorisë së Shtetit e që sipas KMDLNj-së paraqet ndërhyrje në punën e prokurorisë për faktin se Prokuroria nuk ka asnjë detyrim ligjor t’i raportojë ministrit por komunikon me Gjykatën.

Kryeministri Hoti duhet ta shkarkojë Goran Rakiqin për faktin se ai , me subjektin që e drejton, Lista Serbe po i shërben interesave të Serbisë dhe se për epror politik po e njeh dhe pranon vetëm kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me një të kaluar kriminale si kontribues i krimeve të luftës në Kosovë e që, në çdo aspekt është e papranueshme për Kosovën. Krejt në fund KMDLNj pyet se si Qeveria Hoti mendon të përfaqësojë Kosovën në bisedime dhe të arrijë një marrëveshje eventuale kur brenda saj e ka një zëvendëskryeministër të Kosovës që është marionetë e bindur e kryetarit të Serbisë, kontribuesit dhe propaganduesit për krime lufte në Kosovë, në bazë të postit që e ka pasur, Aleksandar Vuçiq. Prandaj, për ta pamundësuar ndikimin destruktiv të Goran Rakiqit dhe subjektit politik që e drejton e që pariparueshëm dëmton qëndrueshmërinë dhe shtetësinë e Kosovës duhet të bëhet riformatimi i Qeverisë së Kosovës ku do të përfshiheshin të gjitha subjektet politike ose duhet të shkohet në zgjedhje të reja.
Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së, Prishtinë – 8 korrik 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura