MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (64)

Pashtriku, 12 gusht 2020:
II
Rënia e vazhdueshme e prodhimit, ngritja e paparë e çmimeve, e kostos së jetesës, inflacioni i papërmbajtshëm, papunësia e madhe në vend dhe emigracioni i shfrenuar i krahut të lirë të punës jashtë, kaosi politik dhe ideologjik, grindjet e konfliktet e tërbuara për pushtet, shthurja morale etj., janë disa nga pamjet e shëmtuara të krizës së gjithanshme që ka mbërthyer Jugosllavinë prej kohësh. Karakteristikë e ekonomisë jugosllave është jo vetëm zhvillimi i dobët e disproporcional, por edhe varësia e saj nga sistemi botëror kapitalist dhe rritja e vazhdueshme e borxheve, që kanë bërë ta humbë Jugosllavia pavarësinë. Gjendja e rëndë e proletariatit dhe e masave të tjera punonjëse, mbi të cilat bien të gjitha pasojat e krizës dhe shfrytëzimi i egër kapitalist, i ka shtyrë të shpërthejnë zemërimin e papërmbajtshëm kundër regjimit revizionist, me greva të shumta, protesta, demonstrata e përleshje…

Një problem mjaft i mprehtë në Jugosllavi është edhe çështja nacionale, për shkak të shtypjes e zhvillimit të pabarabartë dhe të luftës hegjemoniste. Sis-temi titist, jo vetëm nuk i zgjidhi konfliktet e vjetra midis kombeve e kombë-sive, por i thelloi ato akoma më shumë, duke u mohuar të drejtën sovrane kombeve e kombësive, kurse ndaj disa kombësive vazhdoi akoma më e tërbuar politika e gjenocidit e filluar nga krajlët…
Krahina e Kosovës dhe krahinat tjera shqiptare, nën sundimin e revizionistëve, janë viset më të pazhvilluara në mbretërinë e Titos. Këto krahina trajtohen si koloni të Jugosllavisë titiste. Popullsia shqiptare e këtyre krahinave jeton në skamje e mjerim, errësirë e padituri. Ndaj popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, klika gjakatare e Titos ka zbatuar dhe zbaton një politikë fashiste të shtypjes kombëtare.
Propaganda revizioniste bën zhurmë të madhe për të ashtuquajturën “autono-mi” që i paskan dhënë Kosovës titistët, për zgjidhjen në mënyrë “marksiste-leniniste” të çështjes kombëtare, për “shqiptarizimin” e disa organeve shtetërore dhe partiake revizioniste në Kosovë, për të “drejtat” që i gëzuaka populli ynë i robëruar etj., etj. Popullit tonë nën robërinë revizioniste, jo vetëm iu mohua me armë e drejta për vetëvendosje, u shtyp me gjak aspirata e tij e lartë për bashkim kombëtar e u robërua, por edhe u copëtua në tri republika të Federatës jugosllave me qëllim që të sundohet më lehtë dhe të përjetësohet sundimi i revizionistëve në këto krahina. Popullsia shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, edhe pse për kah territori, ashtu edhe përkah numri i banorëve, bën më shumë se dy republika jugosllave, në fakt nuk ka shumë nga të drejtat elementare të përcaktuara me kushtetutë, e të mos flasim për “autonomi”…
Kosova shtypet e shfrytëzohet nga revizionistët ashtu si në kohën e krajlëve. Revizionistët kanë përforcuar më shumë se kurrë dhe më shumë se askund tjetër, në Kosovë, armët e dhunës fashiste, ushtrinë, policinë, shërbimin e fsheh-të, kontrollin policor etj. Ata kanë mbushur burgjet e tyre të shumta me shqip-tarë të ndershëm, përparimtarë, patriotë e komunistë. Kosova është kthyer në një treg të bardhë, ku krahu i lirë i punës blihet me çmim shumë të ulët, qoftë për interesat e borgjezisë së republikave jugosllave, qoftë për kapitalin imperialist botëror. Klika e Titos, Kosovën e ka një burim të madh të lëndëve të para të cilat i shfrytëzon egërsisht me çmime çfarë asaj i përgjigjen dhe të diktuara prej saj…
Për të mashtruar masat popullore, revizionistët kanë futur në organet e tyre udhëheqëse, shtypëse e shfrytëzuese në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, bile edhe në Federatë, shqiptarë renegatë të popullit tonë, të cilët s’janë tjetër, pos vegla në duart e tyre për ta shtypur e shfrytëzuar popullin tonë. Këta tradhtarë janë këmbë e kokë në shërbim të regjimit titist dhe armiq të deklaruar të popullit tonë.
Si pasojë e shtypjes e shfrytëzimit kolonial, Kosova dhe krahinat tjera shqiptare në Jugosllavi, kanë mbetur vende të prapambetura me një zhvillim të dobët ekonomik, me një industri të pazhvilluar dhe bujqësi primitive. Në vitin 1958 prodhimi industrial për frymë në Kosovë përfaqësonte vetëm 34 për qind të prodhimit për frymë të Jugosllavisë, në një kohë kur ai i Sllovenisë ishte 250, i Kroacisë 150 dhe i Maqedonisë, e cila konsiderohet ndër republikat më të pa-zhvilluara, 51 për qind. Në vitin 1975 të ardhurat kombëtare dhe tregues të tjerë të rëndësishëm të Kosovës ishin dy herë pas Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë e Malit të Zi, tri herë pas Serbisë, katër herë pas Kroacisë, pesë herë pas Vojvodinës, gjashtë herë pas Sllovenisë…
Kosova ka pasuri të shumta që nuk i shfrytëzon populli, por revizionistët e tradhtarët. Të marrim vetëm disa prej tyre. Në vitin 1976, p.sh., Kosova dha 3.505.000.000 kilovat orë energji elektrike, e cila kryesisht dërgohet në republikat tjera (në një kohë kur disa qindra fshatra kosovare akoma përdorin lla-pat e vajgurit), afër 7.000.000 tonë linjit, 1.753.000 tonë xehe plumbi e zinku, 139.000 tonë boksit, 2.022 tonë krom, 1.000 tonë koncentrat piriti, 93 tonë argjend, 29.000 tonë zink, 137.000 tonë magnezit të papërpunuar, 4.844 tonë magnezit të pjekur kaustik, 50.000 tonë sintermagnezit, 12.000 tonë akumulatorë etj.
Kriza e rëndë që ka mbërthyer ekonominë e Kosovës, ashtu si atë jugosllave, sidomos nga viti 1960, e ka bërë gjithnjë e më të vështirë jetën e masave të gjera popullore… Revizionistët i hedhin pasojat e krizës mbi kurriz të masave. Papunësia shtohet vazhdimisht duke marrë përpjesëtime të papara. Në 100 banorë në Kosovë janë vetëm 9 të zënë me punë, afro 70.000 vetë në Kosovë janë regjistruar në ente për inkuadrim, ku kërkojnë punë, por numri i të papunëve është shumë herë më i madh, sepse pjesa më e madhe e tyre nuk paraqiten në këto ente, pasi është krejt e kotë të kërkosh ndihmë prej tyre, në një kohë kur mundësitë e inkuadrimit në punë janë shumë të vogla. Kurbeti, kjo plagë e vjetër e popullit tonë, tani është hapur më shumë se kurrë në popullsinë shqip-tare të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi. Vetëm nga Kosova, nëpërmjet enteve për inkuadrim, kanë shkuar në botën kapitaliste, për të kërkuar punë mbi 50.000 vetë. Me mijëra të tjerë kanë shkuar pa ndërmjetësimin e enteve. Një ushtri tjetër po kaq e madhe e të papunëve shqiptarë është shpërndarë nëpër republikat jugosllave, ku bëjnë punët më të rënda fizike me paga sa për të siguruar kafshatën e gojës.
Aspekte tjera të krizës së rëndë ekonomike në Kosovë, janë edhe inflacioni në ngritje të vazhdueshme, rritja galopante e çmimeve, ngritja e kostos së jetesës si dhe shtimi i taksave për masat. Të gjitha këto kanë shtuar akoma më shumë varfërinë e masave popullore.
Në Kosovë dhe krahinat tjera shqiptare në Jugosllavi ekziston një prapambetje e theksuar sociale dhe kulturore. Shtypja dhe shfrytëzimi, jeta e rëndë dhe varfëria, kanë krijuar kushtet që sëmundjet të bëjnë kërdinë, të cilat kanë për pa-sojë shkurtimin e jetës dhe vdekjet e parakohshme. Shërbimi mjekësor në fshat pothuajse mungon fare, por edhe ai në qytet kushton aq shtrenjtë sa popullsia e varfër nuk mund ta përballojë. Numri mesatar i banorëve në Kosovë për një mjek është 2.155, sipas statistikës që kanë dhënë vetë revizionistët. Gruas i mungon në përgjithësi kontrolli mjekësor, jo vetëm gjatë shtatzënisë, por edhe gjatë lindjeve. Vetëm në vitin 1970, sipas statistikës, në Kosovë kanë lindur 340 foshnje të vdekura në spitale, kurse në çdo dhjetë foshnje të lindura gjallë, një ka vdekur. Këto të dhëna nuk mund të jenë të sakta, pasi numri i grave që shkojnë në spitale për lindje është fare i vogël.
Në pjesën më të madhe të fshatrave kosovare dhe të krahinave tjera shqiptare në Jugosllavi, mungojnë krejtësisht lidhjet e komunikacionit dhe furnizimi i popullsisë me artikuj elementarë të konsumit të përgjithshëm. Kjo e ka vështirësuar akoma më shumë jetën e masave popullore.
Analfabetizmi është më i theksuar se kudo tjetër në Jugosllavi, në popullsinë shqiptare të robëruar. Sot rreth gjysma e popullsisë shqiptare në Jugosllavi është analfabete. Analfabetizmi në Kosovë, sipas shënimeve zyrtare, jo vetëm nuk zvogëlohet, por rritet vazhdimisht. Ndodh kështu, për arsye të vështirësive të shkollimit, mungesës së shkollave etj. Edhe ato shkolla që janë hapur, nuk ka-në mundësi të përfshijnë gjithë fëmijët e të rinjtë e moshës shkollore, sepse u mungojnë kushtet themelore, si lokali, mësuesit etj. Por në mungesë të shko-llave dhe organizimit të jetës kulturore, revizionistët kanë hapur mejtepe, i kanë kthyer xhamitë e kishat në “shkolla” fetare dhe hoxhallarët e priftërinjtë në “mësues” për të përhapur ideologjinë fetare, sidomos te të rinjtë. Revizionistët, ashtu si të gjithë armiqtë tjerë të popullit tonë më parë, e përdorin fenë dhe ideologjinë e saj që ta përçajnë popullin tonë, ta shtypin e ta shfrytëzojnë më lehtë atë, të kultivojnë tek ai ndjenjën e pafuqishmërisë përballë vuajtjeve e mjerimit.
Degjenerimi shpirtëror i njerëzve, dhe në radhë të parë i rinisë është synim me qëllime të caktuara nga revizionistët.

Politika reaksionare antipopullore, shtypëse e shfrytëzuese që zbatojnë revizionistët dhe tradhtarët ndaj popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, të cilit i mungojnë jo vetëm të drejtat kombëtare, por edhe ato shoqërore, jeta e rëndë, varfëria e mjerimi, kanë bërë që ky i fundit të mbushet zemërim kundër revizionistëve e tradhtarëve dhe të jetë në armiqësi me ta.
Qysh para Luftës së dytë botërore në Kosovë ekzistonin disa ndërmarrje pune, në të cilat borgjezia jugosllave shfrytëzonte pasuritë e Kosovës dhe djersën e punëtorëve që punonin në to. Revizionistët jugosllave i zgjeruan ato ndërmarrje (siç është “Trepça”) dhe ngritën të reja të tipit kapitalist, ku shfrytëzohet pa mëshirë gjaku dhe djersa e klasës punëtore të Kosovës.
Klasa punëtore e Kosovës është përqendruar kryesisht në Kombinatin “Trepça” të Mitrovicës, (i cili merret më shumë me nxjerrjen e mineraleve nga nëntoka në Stantërg, Kishnicë, Hajvali, Novobërde etj.), në Minierën e magnezitit në Magurë, të Kromit në Devë, në Kombinatin Xehetar Energjetik, Kimik e Metalurgjik “Kosova” në Obiliq, në Kombinatin Ndërtimor “Ramiz Sadiku” në Prishtinë e ndërmarrje tjera të ngjashme, si “Izgradnja” në Pejë, “Kosova” në Vuçitërnë, “Soliter” në Gjilan etj., në Kombinatin Bujqësor Industrial “Agro-kosova”, në Fabrikën e çimentos në Elez Han, në Fabrikën e vajit në Ferizaj, të sheqerit në Pejë, të duhanit në Gjilan, të amortizatorëve në Prishtinë, të këpucëve në Pejë e Prizren, të tekstilit në Gjilan e Gjakovë, në Ndërmarrjen e rrugëve në Prishtinë, në Fabrikën e gomës në Suharekë, të gypave në Ferizaj, në Shtypshkronjën “Rilindja” në Prishtinë, në ndërmarrjet tregtare, të komunikacionit, të përpunimit të drurit, të hotelerisë etj.
Në këto ndërmarrje sundon mbi punëtorët kasta drejtuese e burokratëve dhe e teknokratëve. Drejtori (ose shpeshherë drejtorët e shumtë në një ndërmarrje edhe krejt të vogël) ka kompetencat e një padroni të vërtetë, sidomos në fushën e shpërndarjes së pagave. Raporti i pagave midis drejtuesve burokratë në këto ndërmarrje dhe punëtorëve prodhues, është një me njëzetë, një me tri-dhjetë e më shumë, pa llogaritur këtu format tjera të fitimit për drejtuesit siç janë honorarët, mëditjet e udhëtimeve zyrtare e plot privilegje tjera… Punëtori që arrin të futet në këto ndërmarrje në punë i duhet më parë të vejë në dispozicion të drejtuesve burokratë, si ryshfet, shpeshherë, jo më pak se dhjetë paga mujore. Punëtorit, paga që merr nuk i mjafton as për mbajtjen e jetës. Ai detyrohet të kërkojë punë te privatët, pas orarit të punës edhe të dielave që të sigurojë kafshatën e bukës. Paga e tij, edhe ashtu e vogël, cungohet vazhdimisht në emër të “stabilizimit”, “mbulimit të humbjeve”, “sanimit të gjendjes”, “vetëkontributeve”,”ndihmave” etj., që shpeshherë gllabërojnë gjithë pagën e punëtorit ose e ulin atë në nivel minimal për një kohë të pacaktuar…
Në të njëjtën kohë çmimet e kostoja e jetesës rriten vazhdimisht, që vetvetiu ulë me marifet pagat e punëtorëve. Barra e krizës së rëndë hidhet kështu krejtësisht në kurriz të punonjësve. Si shprehje e shfrytëzimit kolonial që borgjezia revizioniste jugosllave i bën Kosovës dhe klasës së saj punëtore, përkundër pagave shumë të ulëta të punëtorëve në republikat jugosllave, punëtorët kosovarë i marrin ato dyfish më të ulëta në krahasim me ata jugosllavë. Ndërkaq vetë shtypi jugosllavë shkroi se në Prishtinë p.sh., është jeta më e shtrenjtë në Jugosllavi. Përveç borgjezisë së madhe jugosllave dhe kastës tradhtare e borgjeze kosovare, klasën punëtore të Kosovës e shfrytëzon edhe kapitali botëror nëpër-mjet investimeve, kredive skllavëruese, bashkëpunimit etj., të cilat e kanë bërë atë bashkëpronar në ekonominë e Kosovës.
Kushtet shumë të vështira në të cilat punojnë punëtorët tanë e kanë bërë ako-ma më të rëndë jetën e tyre. Mungesa e mbrojtjes në punë, puna e rëndë dhe plot rreziqe, mungesa e shërbimit shëndetësor, udhëtimet e gjata, kushtet e vë-shtira të banimit, kanë shkaktuar sëmundje të shumta e të rënda te punëtorët dhe vdekje të parakohshme.
Gjendja e klasës punëtore në Kosovë, që vije nga shtypja e shfrytëzimi kolo-nialist e borgjez, ka mbushur zemërim e urrejtje zemrat e punëtorëve ndaj robëruesve jugosllavë dhe shërbëtorëve të tyre reaksionarë vendës. Të shtyrë nga kjo gjendje klasa punëtore e Kosovës po lëviz duke shpërthyer zemërimin e saj nëpërmjet grevave e protestave, siç janë ato të punëtorëve të Stantërgut, Kishnicës, Hajvalisë, Magurës, në Kombinatin “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, të punëtorëve në Obiliq e shumë të tjera. Vetë pozita shoqërore e kombëtare dhe roli i saj historik, e ka bërë klasën tonë punëtore të jetë në ballë të luftës të popullit kosovar për çlirim kombëtar e shoqëror. Në të ardhmen ajo do ta kuptojë akoma më mirë gjendjen e saj, shkaktarët e vërtetë të kësaj gjendjeje, do ta kuptojë nevojën e organizimit e të luftës, domosdoshmërinë e revolucionit dhe rolin hegjemon e udhëheqës që duhet ta ketë patjetër ajo në të. Komunistëve kosovarë u shtrohet detyrë e dorës së parë, në radhë të parë, sqarimi, edukimi dhe organizimi i klasës punëtore, që të mund të orientohet drejt dhe me ndërgjegje në luftë kundër armiqve të saj dhe të të gjithë popullit tonë të shtypur e të shfrytëzuar.
Pjesa më e madhe e popullsisë kosovare (dhe e krahinave shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi) është fshatare. Fshatarësia jonë përbëhet kryesisht nga fshatarët e varfër, një pjesë të mesëm dhe më pak të pasur e kulakë. Pjesa më e ma-dhe e tokës së punueshme, kullosave dhe e pemishteve, është pronë e kooperativave kapitaliste dhe e fshatarëve të pasur. Fshatarësia e varfër me parcelat që ka, jo vetëm nuk mund të sigurojë bukën as për gjysmën e vitit, por edhe një pjesë të konsiderueshme të prodhimeve të saj bujqësore detyrohet (të shumtën e herëve me dhunë policore) t’i japë për taksa të shumta dhe borxhe. Punimi i tokës me mjete primitive që ka fshatarësia e varfër, sjell aq prodhime sa nganjëherë mezi mbulon tatimet dhe borxhet për farë dhe plehra. Në mungesë edhe të këtyre mjeteve, shumë fshatarë që futen në borxhe, duke punuar tokën me makina bujqësore të “kooperativave”, ose të fshatarëve të pasur me çmime aq të larta, sa fshatari i varfër nuk mund t’i përballojë, prandaj për pak vite humb edhe atë pronë të vogël dhe shpronësohet plotësisht. Një pjesë jo e vogël e fshatarësisë sonë të varfër jeton sot pa tokë, në një gjendje të rëndë e të mjerë. Ata janë kthyer në argatë bujqësorë të cilët si skllevër, pa orar pune dhe pa mbrojtje shëndetësore e sociale, me çmime tepër të ulëta, shesin fuqinë e tyre te “kooperativat” e fshatarët e pasur, vërshojnë nëpër qytetet të kërkojnë pa shpresë punë, ose kanë marrë rrugën e kurbetit nëpër Jugosllavi e botë.
Jetën e fshatarit tonë e bën akoma më të vështirë prapambetja e theksuar so-ciale dhe kulturore. Fshati ynë jeton jo vetëm në varfëri, por edhe në errësirë, analfabetizëm e injorancë, në ligje e zakone të vjetra prapanike, konservative, patriarkale e fetare. Fshatarit tonë i duhet të udhëtojë disa kilometra për të bërë një kontrollim mjekësor, të blejë edhe gjerat e konsumit të përditshëm. Fëmijëve dhe të rinjve fshatarë u duhen disa orë udhëtimi për të ndjekur mësimet në shkollë. Kjo ka bërë që me gjithë dëshirën e tyre, shumë të rinj dhe veçanërisht vajza, të mos mund të shkollohen.
Fshatarësia jonë, që në shekuj kishte luftuar për tokën e bukën, për lirinë, pa-varësinë e bashkimin e Atdheut, nuk mund të pajtohej dhe nuk u pajtua kurrë as me shtypësit e robëruesit revizionistë. Që të shtypin këtë luftë revizionistët menjëherë pas Luftës morën masa terrori, si në qytete, ashtu edhe në fshatrat tona, vranë e torturuan fshatarë që ngriheshin kundër regjimit, organizuan të ashtuquajturin “Aksion të armëve” në dimrin e viteve 1955-1956, kur bënë veprime çnjerëzore, sidomos në fshatra, duke zhdukur e gjymtuar mbi 10 mijë vetë etj., por ndjenjën e tyre për liri nuk mundën as nuk do të mund ta shuajnë kurrë. Fshatarësia jonë ka tradita të shkëlqyera lufte për liri, bashkim kombëtar dhe kundër padrejtësive shoqërore. Ajo është një forcë e madhe në revolucion. Pa pjesëmarrjen e saj në luftën revolucionare, nuk mund të flitet për fitoren e lirisë kombëtare…
Kosova quhet shpeshherë “vend i të rinjve” (Natyrisht, njerëzit tanë vdesin më shumë para kohe, nuk plaken). Është e vërtetë se në krahasim me numrin e popullsisë, Kosova ka shumë të rinj, që e bën popullin tonë akoma më vital e luftarak. Rinia fshatare, punëtore, shkollore e studenteske në Kosovë, ashtu si gjithë populli e ndjen thellë në kurriz barrën e rëndë të robërisë që ushtrohet mbi të, të shtypjes e shfrytëzimit. Rinia jonë shtypet e shfrytëzohet në fshat e në fabrikë. Ajo hidhet në katër rrugët pa mjete jetese dhe pa perspektivë. Me dhjetëra mijë të rinj kosovarë bredhin të papunë rrugëve duke kërkuar të gjejnë çfarëdo pune, dhjetëra mijë janë shpërndarë nëpër Jugosllavi për punë, e edhe më shumë kanë lënë vatrat e tyre për të marrë në sy botën kapitaliste që të sigurojnë bukën. Të rinjtë e varfër e kanë të vështirë të kryejnë shkollë për shkak të kushteve të rënda. Prandaj, shumë prej nxënësve që regjistrohen në klasën e parë, nuk arrijnë të mbarojnë të tetën. Me mijëra fëmijë nuk përfshihen fare në shkollë (vetëm në qendrën e Kosovës, në Prishtinë, mbi 2.000 për çdo vit), prandaj analfabetizmi shtohet. Edhe më vështirë është të kryhet ndonjë shkollë e mesme apo e lartë e fakultet. Rinia shkollore dhe studenteske është e detyruar të përballojë vështirësi të rënda, të udhëtojë gjatë, të banojë nëpër bodrume plot lagështi, pa ngrohje dhe pa kushte elementare higjienike, shpeshherë pa bukë, pa tekste e mjete mësimore etj., për të fituar më në fund një diplomë e cila, megjithatë nuk i siguron punë. Por, të etur për dije, shumë të rinj, përballojnë edhe këto vështirësi që të shkollohen.
Rinia është forca më e gjallë e popullit tonë. Ajo është e edukuar në frymën patriotike nga prindërit e saj, që luftuan gjithmonë për liri e bashkim kombë-tar. Për vetë natyrën e saj, rinia është për të renë dhe në luftë me të vjetrën. Revizionistët dhe tradhtarët kanë marrë masa të shumta për korruptimin e rinisë sonë, në fshat, ndërmarrje, shkolla, fakultete etj. Ata mundohen që asaj t’i heqin ndjenjën patriotike dhe frymën revolucionare. Por pjesa më e madhe e rinisë është e shëndoshë. Një rol shumë të madh në edukimin e shëndoshë të rinisë sonë dhe të gjithë popullit, kanë literatura, filmat etj., që sillen nga Shqipëria socialiste dhe emisionet e Radiotelevizionit shqiptar.
Përkundër masave shtypëse, burgosjeve, kontrollit policor dhe presionit të vazhdueshëm ideologjik që ushtron regjimi mbi rininë tonë, ajo lufton kundër tij, në ndërmarrje e në fshat, në shkollë e në fakultet, organizohet për të luftuar me vendosmëri për të drejta të saj e të popullit, për liri kombëtare e shoqërore…
Në gjendje veçanërisht të vështirë është gruaja shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Pozita e saj në shoqëri e familje është pozitë e një skllaveje të vërtetë. Asaj i mungon jo vetëm liria, por edhe barazia me burrin. Edhe ato pak gra të zëna në punë, diskriminohen rëndë në pagë e kudo.
Analfabetizmi e injoranca sundojnë sidomos mbi gruan te ne. Ligjet e zakonet e vjetra fetare, patriarkale e feudale, shtypin pa mëshirë personalitetin e gruas, ndjenjat dhe dëshirat e saj në gjithë jetën. Edhe pse e shtypur dhe e shfrytëzuar egërsisht, gruaja shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, i ka ruajtur dhe i ka zhvilluar cilësitë e saj të larta, si patriotizmin, trimërinë, ndershmërinë, thjeshtësinë, zgjuarsinë etj., cilësi këto që e karakterizuan gruan shqiptare në shekuj.
Liria dhe barazia e vërtetë e gruas shqiptare në Kosovë dhe krahinat tjera shqip-tare në Jugosllavi, janë të lidhura ngushtë me çlirimin nacional dhe shoqëror të popullit tonë në këto krahina…
Pa lirinë e vërtetë të popullit tonë të robëruar në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi nuk mund të fitojë as gruaja lirinë dhe barazinë e vërtetë dhe pa pjesëma-rrjen aktive të gruas në luftën çlirimtare, nuk mund të fitohet liria.
Një shtresë shoqërore në vete të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, përbën inteligjencia. Një pjesë jo e madhe e saj bën jetë mikroborgjeze me rroga të majme që u ka siguruar regjimi në kurriz të masave punonjëse. Kjo pjesë e vogël e inteligjencies është shkëputur nga masat e gjera popullore, i shtyp dhe i shfrytëzon ato, kurse disa prej tyre (sidomos ata të ngritur në pozita të larta udhëheqëse në organet shtypëse revizioniste), kanë dalë hapur në mbrojtje të robëruesve të popullit dhe janë kthyer në tradhtarë të deklaruar të popullit tonë. Të tjerë, të korruptuar nga regjimi, i bëjnë aureolë zotit të tyre në Beograd e Kosovë, nëpërmjet bisedave, propagandës në shtyp, radio, televizion, në fushën e artit, të letërsisë, të shkencës, të kulturës etj.
Por, pjesa më e madhe e inteligjencies sonë, ashtu si gjithë populli, shtypet e shfrytëzohet, rrjedh nga masat e varfra të popullit tonë dhe në përgjithësi është përparimtare e revolucionare. Kjo inteligjencë ndjen në kurriz barrën e robërisë kombëtare e padrejtësitë shoqërore. Asaj jo vetëm nuk i sigurohet liria e krijimtarisë përparimtare e revolucionare, por regjimi nuk i siguron as punë.
Inteligjencës sonë përparimtare e revolucionare, po i bëhet gjithnjë e më e qar-të se liria e vërtetë edhe për të, arrihet vetëm me çlirimin e vërtetë të gjithë popullit tonë të robëruar…
VIJON ….
_______________
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (63)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10335

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura