BESNIK IMERI: SOKRATI DHE PLATONI PËR ROJTARËT E SHTETIT DHE SHËMBËLLTYRA E TIJ TEK NE NË DEMOKRACI

Vlorë, 8 shtator 2020: Mendjet më të ndritura të lashtësisë i ka shqetësuar problem i shtetit, funksionimi mirë i tij, si dhe janë përpjekur për të gjetur mekanizmat e mbrojtjes dhe funksionimit ideal të tij. Për këtë, në mënyrë të shkëlqyer kanë marrë në analizë natyrën njerëzore dhe pas kësaj analize kanë arritur në përfundime të shkëlqyera të vlefshme sot e kësaj dite. Këto ide, Platoni, dishepulli i Sokratit, i ka pasqyruar në veprën etij madhore “Politika” (në përkthimin shqip “Republika”). Nuk e dimë në se kjo vepër ka rënë në dorë të Konfucit, apo ai, në mënyrë të pavarur, arriti në të njëjtat përfundime, një pjesë të të cilave ju rekomanduan perandorit Cin. Deri në ditët e sotme na ka ardhur metoda që përdori perandori Cin për ndërtimin e shtetit. Ai kërkoi dhe vendosi që në drejtimin e shtetit dhe funksionarët e tij të ishin njerzit, që minimalisht dhe domosdoshmërisht duhej të plotësonin tri kushte: Të ishin patriot, të donin Kinën; Të ishin të ndershëm dhe të drejtë; si dhe të ishin të mësuar dhe të aftë në punët e drejtimit të shtetit. Me këtë ndërtim dhe strukturë shteti, Perandoria Cin njihet si më e shkëlqyera në historinë kineze, por edhe atë botërore.
Por në kohët më të reja na thuhet se edhe në Europë një kryeministër, saktësisht Kancelari i Gjermanisë, Bismarku, vendosi të njëjtën kuadraturë për ndërtimin e administratës së shtetit të tij, me të tria kushtet. Përfundimi i saj ishte i shkëlqyer; që nga Bismarku dhe këtej Gjermania pati vetëm rritje dhe fuqizim dhe sot është një nga shtetet më të fuqishme të Europës. Po në Shqipërinë moderne a njihet një praktikë e tillë? Po njihet. Por ajo ishte shumë jetëshkurtër. Kjo është qeveria e Ismail Qemalit, në përbërje të së cilës, jo vetëm që kishte patriot dhe figura të rëndësishme kombëtare; por ajo që është më e rëndësishmja ishin më të diturit, më të ndershmit dhe më të zotët e kohës. Kjo qeveri qëndron në hapësirën shqiptare si një meteor i pashuar. Por më pas, asnjë qeveri shqiptare nuk ju afrua sadopak asaj.
Pas njëqind vjetësh, në vitin 2013, një kryeministër shqiptar i madh nga shtati, por jo domosdomërisht edhe nga aftësitë dhe zotësitë, tentoi t’ju shfaqej shqiptarëve me qeverinë e tij, si pasardhëse e qeverisë së Ismail Qemalit. Për këtë zgjodhi edhe emërtimin e kësaj qeverie si qeveri e “Rilindjes”, dhe për të qënë më bindës në sytë e shqiptarëve, vendosi portretin e Ismail Qemalit në të gjitha zyrat shtetërore. Por kjo qëlloi që ishte thjesht një pamje, një fasade me ngjyra të rrejshme, madje një pamje e gabuar dhe e keqe, një shëmbëlltyrë e shëmtuar e qeverisë së ndritur të Ismail Qemalit.
Kjo qeveri dukej më shumë si një trupë cirku, që kishte ardhur nga kushedi se ku, për të ksehasur shqiptarët me një shfaqje të shëmtuar, ku aktorët, qeveritarët, kishin veshur kostumet e para njëqind vjetëve. Ata nuk kishin ardhur për të qeverisur, por për të dhënë një shfaqje, e cila fillimisht, për hir të së drejtës, pati sukses dhe u duartrokit nga shumica e shqiptarëve. Suksesi fillestar i saj i detyrohet edhe faktit, se qeveria para tyre, më shumë ishte dalluar për shkatërrimin e pyjeve, lumenjve, detit dhe çdo pasurije natyrore dhe kombëtare që ishte mbi tokën e Shqipërisë Trung, kishte keqqeverisur dhe çdo punë e kishte bërë shkel e shko dhe sipas parimit: nis dhe mos bitis.
Por shfaqja, sado e bukur qoftë, mbetet një shfaqje. Pas saj njerzit duhet të punojnë, të marrin të ardhura dhe të përmirësojnë jetesën e tyre. Por qeveritarët e kishin mëndjen tek shfaqja. Kur njerzit kërkonin punë, kërkonin kujdes nga qeveria, blegtorët, bujqit, zantçinjtë, dyqanxhinjtë, punëtorët dhe fshatarët; qeveria u thoshte: “Zoti ju dhashtë”. Shfaqjet vazhdonin. Qeveria i ktheu mbledhjet e saj të punës në pikniqe, qytet më qytet dhe fshat më fshat. Dhe kur shfaqjen nuk ta pëlqejnë, atëhere fillojnë mashtrimet.
Dy nga veçoritë e kësaj qeverie prestigjatore, pra që të mashtron sy më sy, ishin: Së pari, marrja me pamjen e jashtëme të Shqipërisë, pra me fasadën, zbukurimin nëpërmjet manipulimit duke i dhënë Shqipërisë plakë një moshë më të re, pra duke i vendosur “buzëkuq”. Ndonëse vendi vuante nga plagë të pashërueshme, nga papunësia, varfëria ekstreme dhe krimi. Kësaj i shërbeu edhe parrulla e “100 katundeve” dhe “40 kasabave”. Dhe, së dyti, kthimin e qeverisë, administratës së lartë, dhe asaj vendore në administratë turistike. Pra shqiptarët kishin një “qeveri turistike” dhe “bashki turistike”. Pra, që të jem më i kuptueshëm, qeveria, shteti dhe bashkitë do të viheshin në dispozicion të të huajve, duke u shërbyer atyre. Ndërkohë që detyra e parë e qeverisë qëndrore dhe atyre vendore ishte që t’u shërbenin popullit të vet, pastaj të huajve, turistëve. Si shëmbull. Ka qytete që në verë qytetarët mbeten pa ujë, pasi bashkitë furnizojnë 24 orë me ujë zonat turistike. Po shqiptarët? Akoma se kanë tundur këmbën, për bukë, për ujë, për rrugë, për shkolla, etj. Pra, shqiptarët duhej të merreshin vetëm me turizëm dhe me asgjë tjetër, ata duhej të ktheheshin në hyzmeqarë të turistëve të huaj që do të vinin këtu për “të ngrohur kockat” nga i ftohti Siberian, apo europian. Për këtë hoqi edhe vizat për rusët duke e kthyer Shqipërinë në “han me shtatë porta”. Prandaj kjo qeveri do të hyjë në histori si “qeveri turistike” që mbledhjet i bënte, duke qënë edhe vet turiste, katund më katund dhe kasaba më kasaba.
Aq shumë është përqëndruar në këtë drejtim kjo qeveri, sa që kryeministri, ministrat dhe të gjitha ministritë janë kthyer në numurues të turistëve. Kjo mani është kthyer në një sëmundje ngjitëse aq sa edhe emigrantët shqiptarë (përfshi edhe ata të Kosovës dhe Maqedonisë që hyjnë e dalin nëpërmjet Shqipërisë) që vijnë pranë familjeve të tyre i quajnë “turistë”!!! Marrëzia ka arritur deri aty, aq sa që një farë ministër turistik në TV tek “Opinion” deklaron, se edhe ai shqiptar që i kishte ndodhur fatkeqësi dhe kishte ardhur në Shqipëri për të varrosur prindin e tij, e quante “turist”. Pra ata që vijnë për funerale në Shqipëri kjo qeveri e fandaksur i quan turistë!!!
Me siguri do të thuhet. Po çfarë të keqe ka këtu që të zhvillohet turizmi? Nuk ka asgjë të keqe. Po ekonomia shqiptare u pa me syrin e njerkës. Që të kesh një turizëm të zhvilluar duhet të kesh edhe një bujqësi të zhvilluar, një blegtori të zhvilluar, një ekonomi të zhvilluar të përpunimit industrial të produkteve ushqimore, mish, bulmet, fruta, perime. Një industri e lehtë, në kushtet optimale që zotëron Shqipëria në prodhimin e fruta-perimeve dhe ato të blegtorisë, për përpunimin e këtyre produkteve bio, do t’i mahniste turistët kur t’i provonin. Detyra e qeverisë ishte të nxiste, stimulonte, promovonte dhe subvenciononte këto degë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Por çfarë bëri ajo. Asgjë. Të gjithë këta që i përmëndëm më lart i la në mëshirë të fatit. Por jo vetëm kaq, por u kërkonte edhe reston duke i taksuar deri më një.
Shqiptarët e Shqipërisë Trung i gjeti belaja, ku të qaheshin. Të parët ua kishin punuar keq dy herë; të dytët, po edhe këta dy herë. Të provojnë për herë të tretë, “e treta e vërteta”. Por kjo për çdo njerin prej tyre, do të ishte një “hara-kiri”, një vetëvrasje. Ç’të bëjnë?!!!
Po kalojnë tridhjetë vjet, një brez i tërë i hedhur në humnerë, dhe brezat që vijnë pa asnjë shpresë, dhe ata po i drejtojnë drejt greminës. Atëherë shqiptarët, sikur të kishte rënë murtaja në vendin e tyre, po ikin nga Shqipëria “nga sytë këmbët” dhe po shpërndahen nëpër botë si “zogjtë e korbit”. Tani me të drejtë të lind një pyetje dhe të krijohet një dyshim: A mos vallë këto tridhjetë vjet, ky ka qënë misioni i atyre që na kanë qeverisur?!!! Të zbrazin Shqipërinë nga shqiptarët. Të zhbëjnë Shqipërinë etnikisht. A nuk tha ky kryeministri që po na qeveris, që do ta mbushim Shqipërinë me Sirianë, Libianë, Muxhahidinë, Marokenë, Indianë, e ku di unë çfarë. A nuk është ky një Genocid Demografik?!!!
Tani kthehemi 2500 vjet më parë dhe shohim se çfarë na thotë Sokrati me Platonin për shtetin, dhe ku janë qeveritarët tanë të shekullit të XXI në lidhje me porositë gjeniale të tyre. Ja se çfarë na porosisin ata. Në drejtimin e shtetit duhet të vendosen, me detyrim nëqoftëse nuk pranojnë, njerzit e ndershëm… dhe për këtë tregojnë një përrallë të vjetër fenikase. Kujtojmë këtu se Fenikasit, siç i quanin grekët, ose Kananitët, siç e quanin veten ata, ishin pellazgë.
Përralla ishte kjo: Qytetarë, që jeni të gjithë pjesë përbërse të Shtetit, ju,-do t’ju them duke vazhduar përrallën tonë- jeni vëllezër; Por Zoti që ju ka krijuar ka vënë ar në përzierjen e atyre që ishin caktuar për të qeverisur të tjerët dhe kështu këta janë njerzit më të çmuar (presidenti, kryeministri, ministrat). Futi argjend në përzierjen e ndihmësve të tyre (deputetë, zv.ministra, drejtorë, kryetarë bashkish,etj) dhe hekur e bakër në atë të bujqërve dhe të artizanëve të tjerë. Duke qënë nga ana tjetër, se keni të gjithë një zanafillë dhe jeni të ngjashëm me njeri tjetrin, mund të ndodhë që një njeri i racës së artë të lindë një fëmijë të racës së argjendtë, që nga raca e argjëndtë të lindë një fëmijë i racës së artë dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me racat e tjera. Dhe Zoti shpalli në krye parimin e parë për qeverisësit, që janë mbi të tjerët, mbasi askush nuk do ta ruajë me kaq përkushtim Shtetin se sa ata, të cilët do të jenë aq të mirë si rojtarë, sa më e pastër të jetë raca e tyre (nuk e dimë seprej çfarë race janë këta politikanë që na kanë qeverisur këto 30 vjet)…në se ndodh që prej bujqërve dhe artizanëve lindin fëmijë që kanë ar dhe argjend në përzierje, atëhere këta duhen nderuar dhe duhen ngritur në postin e rojtarit të shtetit, mbasi një orakull ka parathënë se kur hekuri dhe bakri do të ngrihen në postin e rojtarit, atëhere shteti ka për të marrë fund. Kjo është përralla… .

Sokrati dhe Platoni i quajnë qeveritarët: “Rojtarë të Shtetit”. Pra ata që duhet ta ruajnë shtetin nga armiqtë e jashtëm dhe nga keqbërësit e kriminelët, hajdutët dhe grabitësit e fondeve shtetërore. Po a janë qeveritarët tanë “rojtarë të shtetit”, apo, grabitës dhe rrënues të tij?!!!

Tani po ju bëj një pyetje juve që po më ndiqni: “Rojtarët” tanë të shtetit, ata që na qeverisin ne, janë (në karakterin e tyre) prej floriri, argjendi, bakri dhe hekuri, apo janë prej balte. Dhe a ka marrë fund ky shtet që kemi?!!! Përgjigjen jepeni vet. Por unë do të vazhdoj me Sokratin dhe Platonin për të bërë krahasime të tjera. Ja çfarë na thonë ata për ruajtësit e shtetit, ose siç i quajmë ne sot, qeveritarë.

“…Ata (qeveritarët) duhet të dinë se zotat kanë vendosur në zemrat e tyre ar dhe argjend dhe prandaj nuk kanë nevojë për arin dhe argjendin e njerzve (korupsionin); dhe nuk u lejohet ta këmbejnë këtë ar të pavdekshëm (karakterin e drejtë dhe të mirë) me arin tokësor; mbasi ari që ata kanë (në zemër) është i kulluar, ndërsa ai i njerzve, në të gjitha kohërat ka dalë nga krime të shumta (kujtojmë sot korupsionin e qeveritarëve tanë, ku paratë që marrin vijnë prej krimeve. Pra ata dashje, pa dashje, janë të ngjyer me krimin dhe të lidhur me kriminelët). Në Shtet do të jenë ata të vetmit, midis krejt qytetarëve të tjerë, që do t’u ndalohet të mbajnë në duar dhe të kenë të bëjnë me ar dhe argjend, ta grumbullojnë dhe ta ruajnë për vete, të stolisin me këto rrobat, të pijnë me kupa prej këtyre metaleve (shikoni ju ndonjë shëmbull të tillë tek politikanët dhe qeveritarët tanë?). Dhe kështu ata do të shpëtojnë edhe veten edhe Shtetin. Mbasi që nga çasti që do të bëhen pronarë tokash, shtëpish dhe të hollash (me siguri, ne nuk kemi raste të tilla tek politikanët dhe qeveritarët tanë këto 30 vjet!!!), nga rojtarë siç ishin më parë, do të kthehen të bëhen tregtarë (dhe biznesmenë e oligarkë, do të thosha unë), dhe nga mbrojtës të Shtetit do të kthehen në armiq dhe tiranë të tij (ne nuk kemi raste të tilla, nuk besoj!!!) do ta kalojnë jetën duke urryer njeri tjetrin dhe duke i ngritur kurthe shoqi-shoqit, dhe do të kenë më shumë tmerr nga armiqtë e brendshëm se sa nga ata të jashtëm dhe kësisoj do të shkojnë drejt shkatërrimit të plotë si të vetvetes ashtu dhe të Shtetit…”
Me sa shikoj në këtë përcaktim të Sokratit dhe Platonit, politikanët tanë dhe ata që na kanë qeverisur këto 30 vjet, i plotësojnë të gjitha kushtet për t’i quajtur tiranë.
Tani vijmë tek një pjesë interesante ku do të shohim se si Sokrati dhe Platoni rekomandojnë për ata që na qeverisin të jenë të virtytshëm: Pra të jenë të ndershëm, njerëz të mirë dhe të drejtë, të aftë me shkëndija talenti dhe inteligjence dhe bujarë në shpirt. Ja se çfarë na thonë ata:

“…në një shtet si ky do të pranojnë të qeverisin ata që janë të pasur, jo me flori, por me virtyte dhe urtësi, pasuritë e nevojshme për lumturinë. Po atje ku çapaçulët dhe njerzit e babëzitur për pasuri vetiake vinë në krye të punëve publike të bindur se aty mund të xhvatin sa të duan, nuk është e mundur që të kemi një qeverisje të mirë; mbasi ata luftojnë midis tyre kush e kush të marrë frenat në dorë dhe kjo luftë e brendshme bën që të humbasin ata vetë dhe gjithë shteti…pushteti nuk duhet kërkuar me pasion, ndryshe do të kemi rivalitete dhe përleshje…(shëmbuj:grushti i shtetit në 1998; protesta e 21 janarit, ku Edi i nxorri në pritë dhe Saliu i vrau katër qytetarë; si dhe protestat e Lulit sot)”

Ore ky Sokrati dhe Platoni, mos kanë parë këta qeveritarët tanë dhe pastaj i kanë shkruar këto; se nuk ka mundësi, pasi nuk u heq dot as një pikë dhe as një presje, dhe u rrinë kallëp pas trupit këtyre tanëve?!!!

Më pas, këta gjeni të lashtësisë, na tregojnë se si shtetari, jo vetëm duhet të jetë i ndershëm dhe i drejtë, cilësi të lidhura pazgjidhmërisht me njëra tjetrën në mënyrë dialektike; por duhet të dijë se këto cilësi na çojnë tek një cilësi akoma më e madhe, tek një produkt që i sjell lumturinë popujve: Mirësia, veprimi i mirë, i kundërti me ligësinë dhe të keqen. Më tej ata vazhdojnë duke ju referuar dialektikës:

“…dialektika është si të thuash kulmi dhe kurorëzimi i shkencave…A të kujtohet zgjedhja jonë e parë dhe kë kemi zgjedhur si kryetar?…duhet të jesh i bindur se para së gjithash duhen zgjedhur njerëz nga i tillë brumë: ata më të vendosurit e më të guximshmit,…duhen zgjedhur jo vetëm karakteret bujare dhe burrërore…por edhe ata që duhet të kenë mendjemprehtësi për studimet dhe lehtësi në të mësuar…veç kësaj duhet të kenë kujtesë të fortë, një qëndrueshmëri të pamposhtur ndaj lodhjes dhe dashuri për punën në të gjitha format…Pra shpirtërat e lindur përsëmbari dhe jo shpirtërat bastardë…”

A i kanë këto cilësi qeverisësit tanë në të ashtuquajturën demokraci?!!! Përgjigjen ta japë vet lexuesi si ti dojë e bardha zemër. Nuk më mbetet hatri.
Tani vijmë tek një pjesë tjetër interesante tek format e shtetit, oligarkia. Si e përkufizojnë këtë Sokrati me Platonin dhe a është vendosuar (instaluar) oligarkia në vendin tonë sot?

“…forma e rregjimit oligarkik është ajo që bazohet mbi censin, ku komandojnë të pasurit, ndërsa të varfërit nuk kanë asnjë pjesë në qeverisjen e vendit…Por, kur në një shtet nderohen të pasurit dhe pasuria, atje pakësohen nderimet për virtytin dhe njerzit e virtytshëm (tek ne nuk bën vaki kjo, ç’ne!!!)…Në një Shtet të tillë, mësuesi ka frikë nga nxënësit dhe ata tallen me mësuesin, por edhe me qeveritarët (ne, me siguri, nuk kemi pjesë këtu)…Në këtë Shtet arzat (oligarkët dhe shtetarët) marrin shumicën e mjaltit (tek ne nuk marrin mjaltin por dhjetra milionë Euro)…”

Pasi flasin për rregjimin oligarkik, Platoni dhe Sokrati tregojnë se kjo formë rregjimi, ku “rojtarët e Shtetit”, pushtetarët, janë lidhur aq shumë me super të pasurit, e kanë vënë Shtetin në shërbim të tyre dhe së bashku i hanë “mjaltin”, në mënyrë të pakthyeshme lindin tiranët dhe Tirania, si mënyrë e drejtimit të Shtetit.

Çfarë shenjash shfaqin tiranët dhe si qeverisin ata? Po tregojmë se si e paraqesin tiranin dhe rregjimin tiranik Sokrati dhe Platoni:

“…Dhe a nuk ndodh vallë që ndërmjet atyre që kanë ndihmuar në ngritjen e tij (tiranit) dhe për këtë kanë kredi, e një pjesë e mirë e tyre të ruajnë ende të folurit haptasi para tij si mes tyre, duke kritikuar ato që ndodhin, së paku ata që kanë më shumë kurajo? Ka shumë mundësi…
Për këtë arësye tirani duhet t’i zhdukë të gjithë këta njerëz, në se do që të jetë zot i vërtetë i vendit, dhe kësisoj në fund nuk mbetet, qoftë midis miqve, qoftë midis armiqve, asnjë personalitet me vlerë…lumturia e tij katandiset, dashje pa dashje, në luftën që u bën të tjerëve, në grackat që u ngre, deri sa kështu ta spastrojë tërë Shtetin? (A nuk ka bërë kështu Saliu dhe Edi?)…
Kjo është e kundërta e asaj që kryejnë mjekët: Mjekët heqin nga trupi i njeriut atë pjesë që është e keqe dhe lënë atë që është e mirë (dhe trupi shëndoshet); kurse tirani bën të kundërtën, heq nga trupi i Shtetit pjesën e mirë dhe mban atë të keqen (dhe kështu trupi, organizmi i Shtetit sëmuret rëndë, siç e kanë katandisur shtetin keta qeverisësit tanë)…mbasi kështu ai mund të ruajë pushtetin…”

Tani, ju që kini patur durim të më ndiqni deri këtu, më thoni: A nuk e kanë parashikuar drejt Sokrati dhe Platoni këtë që ka ndodhur në Shqipëri në këtë të ashtuquajtur demokraci?

Vazhdojmë më tej me pasojat që rrjedhin për popullin nga rregjimet oligarkike dhe tiranike:

“Po një polis (popull, mileti) i sunduar nga tirania, çfarë duhej të ishte detyrimisht, i pasur apo i varfër? I varfër.” Përgjigje e saktë. A nuk jemi ne shqiptarët sot populli më i varfër në Europë?!!!

Më tej Sokrati dhe Platoni na tregojnë për cilësitë dhe veset e tiranit. I kqyrni me ngadalë, a nuk i kanë këto edhe qeverisësit tanë?

“…njeriu tiranik është i detyruar nga një goditje fati të bëhet tiran dhe megjithëse është i pazoti të qeverisë vetveten, merr përsipër të qeverisë të tjerët…Kështu, çfarëdo që të mendojnë disa njerëz, tirani i vërtetë është një skllav i vërtetë, që karakterizohet nga një poshtërsi dhe servilizim i tejskajshëm, i detyruar siç është të lajkatojë njerzit më të këqinj…Po përveç këtyre të këqijave, a nuk duhet t’i atribuojmë atij edhe ato të këqia, që ai me domosdo i kishte në vetvete dhe që pushteti ja zhvilloi ende më shumë, e kam fjalën për zilinë, padrejtësinë, mungesën e miqve, mungesën e mëshirës dhe vese të tjera, për të cilat ai është mikpritësi (pra një njeri i lig, që në shpirtin e tij sundon ligësia)…”

Këto na thonë Sokrati dhe Platoni për “rojtarët e shtetit” të kohës së tyre, dhe cilësitë dhe veset e tyre i kanë edhe këta farë “behçinjsh” të shtetit tonë, Shqipërisë. Por Sokrati dhe Platoni po të mësonin se veset, zgjyra dhe pisllëku i këtyre tanëve tejkalon çdo imagjinatë, do të kishin “vënë duart në kokë” dhe do të kishin ulëritur më fort se bisha. Se këta tanët si puthadorë, sahanlëpirës të të huajve armiq të Shqipërisë, vënies në shërbim të tyre dhe futjes në lloj lloj gjirizi antishqiptar janë ekzemplar të rrallë, jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën.

A ka ndonjë zgjidhje kjo situatë e keqe, ku trupi i Shtetit është i sëmurë rëndë nga një sëmundje kanceroze. Çfarë duhet bërë? Operacion i thellë. Heqja me bisturi e pjesëve kanceroze, nga lart deri poshtë. Kush do ta bëjë këtë? Çfarë rekomandojnë Sokrati me Platonin: Në krye të Shtetit të vendosen: Të ndershmit; të drejtët; të diturit dhe të aftët. Po a e lëshojnë me dëshirë Shtetin ata që e kanë uzurpuar? Jo, nuk bën vaki. Si i bëhet atëhere? Çfarë na porosisin Sokrati me Platonin?

“…për këtë arësye, për t’i bindur të ndershmit; të drejtët; të diturit dhe të aftët, që të pranojnë detyrën e një zyrtari të lartë, është e domosdoshme të detyrohen me anë të kërcënimit të ndonjë dënimi. Po për një që nuk do t’ia dijë për poste qeveritare, dënimi më i madh është të qënit të qeverisur nga njerëz të padenjë…”

Kaq na thonë Sokrati me Platonin, dhe na ka thënë shumë, vetëm po qe se ne shqiptarët do të jemi kaq të leshtë sa të mos i kuptojmë. Partitë shqiptare janë kthyer si ato zgërbonjat që i ka gryer kalbësia, llumi, pisllëku, krimbat dhe vemjet neveritëse. Kur ato të bien do të zënë nën vete Shqipërinë dhe shqiptarët. Me kalbësira të tilla, të dënuara nga historia, dhe të destinuara për muzetë si simbol i së keqes, kuçedrës që e ka zënë për fyti Shqipërinë; Shqipëria nuk mund të bëjë më përpara, por prapa dhe drejt humnerës. Si i bëhet atëhere? Unë kam një mendim. A më lejoni ta them? Po e them edhe pa leje.

Të bëjmë ashtu siç thotë Sokrati me Platonin, të vendosim në krye të Shtetit: Të ndershmit; të drejtët; të diturit dhe të aftët.

Po ku t’i gjejmë? Prapë kam një mendim dhe përsëri, si i pabindur që jam, do të flas pa leje. Ne kemi dy Akademi të Shkencave dhe Arteve; një në dritë (zyrtare) dhe një në hije (honorifike). Duan, s’duan, këtyre u bie barra e rëndë që të bëjnë Shqipërinë, që po bie drejt humnerës. Kjo është edhe porosia hyjnore e Rilindasve tanë (atyre te para njëqind e kusur vjetëve jo të këtyre mashtruesve sot). Por jo vetëm këta, por edhe me qindra dhe mijëra intelektualëve të ditur, atdhetarë dhe të ndershëm anë e mbanë Shqipërisë, jashtë dhe brenda. Por jo vetëm këta. Kjo thirrje e fuqishme, kjo piskamë, kjo thirrje ulëritëse dhe lebetitëse e Shqipërisë në prag të vdekjes u drejtohet të gjithë shqiptarëve të ndershëm, të drejtë dhe atdhetarë: Shpëtojeni Shqipërinë, mos e lini më në dorë të çakenjve!

Po si bëhet kjo? Prapë kam një mendim dhe nuk kam për të kërkuar më leje, por do të bërtasë dhe “do t’i bie malit me grusht”, që të më dëgjojnë të gjithë:

Njerëz të ndershëm, të drejtë, të zotë dhe dashnorë të Shqipërisë; Krijoni një Parti të Re. Nxisni dhe detyroni mëndjet me të ndritura të këtij kombi të vijnë në krye të saj dhe ta shpëtojnë Shqipërinë. Sahati ka ardh. Nuk ka më me prit. Dekika është vit, dita është shekull. Historia kërkon heronjtë e saj. Të dalin sa nuk është vonë.

Fola dhe shpëtova shpirtin tim.

14 prill 2019. Besnik Imeri

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura