(Drenas, 27. 03. 2012) – Ambasadori i deritashëm Christofer Dell, i cili ka shërbyer edhe gjatë viteve 2000-2001 si shef i zyrës Amerikane në Prishtinë, ka paralajmëruar se në korrik të këtij viti do ta lëshoj Kosovën, duke përfunduar kështu mandatin e tij si diplomat i SHBA-ve. Mediat në Kosovë karshi lajmit të keq që erdhi si pasojë e marrëveshjeve të fundit të Qeverisë së Kosovës për përfaqësimet rajonale të Kosovës dhe për fusnotën, në një moment sjellin një lajm të mirë për demokracinë e rrezikuar këtu tek ne, kur shkruajnë se ambasadori Dell përfundon mandatin. Duke mos e kontestuar në asnjë moment ndihmën e madhe të SHBA-ve që i ka dhënë në përiudha të ndryshme vendit tonë, megjithatë mendoj se ambasadorët si ky nuk i përfaqësojnë politikat e shteteve dhe në asnjë mënyrë nuk bëjnë të mirat që do të duhej të ishin pjesë e zyrave diplomatike.
Por, cili është në të vërtet roli i një Diplomati?
Dihet që roli i një diplomati është që të mbledhë dhe në të njejtën kohë të raportojë informacionet që mund të kenë ndikim në interesat e shteteve, duke këshilluar në raste të shpeshta qeveritë e vendeve të tyre për tu përgjigjur karshi situatave ose politikave të ndryshme të vendit ku vepron. Me fjalë të tjera, një diplomat duhet të kryejë detyrën e tij të përcjelljes së rrjedhave politike e ekonomike në mënyrën më të mirë të mundshme dhe assesi mos të harrojë se cili është roli i tij në këtë mes. Diplomatët mundohen t’i bindin qeveritë e atij vendi, duke dashur që shumë punë të shkojnë ashtu qysh edhe do t’i përshtatej vendit nga vjen. Në vitin 1961, me hartimin e Konventës së Vienës rregullohet qartë veprimi dhe kufinjtë që ka një diplomat që shërben në një shtet tjetër. Veç tjerash, Konventa e Vienës e ndalon prerazi ndërhyrjen e diplomatëve në punët e brendshme të shtetit ku është i akredituar.
Christofer Dell, “Mbreti” në largim i Kosovës!
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
A ishte Dell-i brenda këtyre rregullave të Konventës së Vienës?
Ambasadori Dell ishte i njohur për ndërhyrjet e tij vend e pavend dhe pa menduar për dëmet qe i bënte rrjedhave politike dhe në përgjithësi zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë tonë. Ai dallohet për anime politike, dhe njihet si një sulmues i paarsyeshëm i mediave në Kosovë. Na kujtohet shumë mirë zgjedhja e Bexhet Pacollit si president i Kosovës, ku pa dyshim ndërhyrja e ambasadorit Dell kishte tejkaluar kufinjtë dhe përgjegjësitë që ka. Ai ndërhyri në mënyrë arbitrare në zgjedhjen e Pacollit president, duke shkëmbyer mesazhe të shumta telefonike deri sa arriti që në raundin e tretë Pacolli të bëhej “zyrtarisht i pari i vendit”. Ndërkaq, pas raportimit të mediave për mesazhet, Dell-i filloi ti sulmojë ato pa asnjë të drejtë, madje duke i kritikuar se i paskan ndërhyrë në privatësi, ndërsa po harronte se ai ishte në një institucion publik, siç është Kuvendi i Kosovës, ku po zgjedhej një president që do të duhej t’i sherbente qytetarëve të këtij vendi. Dell-i e kishte të lehtë, sepse kishte marrë kompetenca më shumë sa që i takonin, në udhëheqjen e një shteti ku s’dihej kush ishte zot, ku secili mund te hynte dhe të bënte ç’të dëshironte sipas logjikës së tij. Pas kësaj, ai edhe më shumë vërsulet madje duke u dërguar një letër vërejtje konkretisht grupit KOHA, e cila i kishte pasqyruar edhe tekstualisht mesazhet e Dell-it, dërguar Këshilltarit të Bexhet Pacollit, teksa ky i fundit po priste raundin e tretë për ta kuptuar të ardhmen e tij politike. E, për këtë gjest të pahijshëm e tendencioz, Dell-i jo vetëm se kishte marrë përgjigje nga Grupi KOHA, por edhe ishte kritikuar ashpër nga Organizata prestigjioze për lirinë e medias, “Gazetarët pa Kufinj” duke ja kujtuar kështu detyrat që ka një ambasador, e që ky (Dell-i) moti i kishte shpërfillur ato.
Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Behgjet Pacolli dhe Kumbari i tyre i, i cili e nxori
emrin e Presidentes nga zarfi!
<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<
Por, ky nuk ndalet me kaq!
Christofer Dell, kishte shkuar edhe më larg kurë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit, kishte thënë se nuk e kishte ndërmend ta vizitojë Lëvizjen VETËVENDOSJE! duke shtuar se ky subjekt politik nuk po tregohet se është e angazhuar për procese demokratike, duke dhënë një arsye të parëndësishme, atë të mosnënshkrimit të Kodit të Mirësjelljes për zgjedhje të drejta e të lira. Pra, edhe kjo ishte një shkelje e rregullave që Dell-i ka si diplomat amerikan në vendin tonë. Duke dhënë preferenca të këtilla, Dell ka cënuar rëndë barazinë e konkurrencës së subjekteve garuese politike, duke ndikuar kështu edhe në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, që padyshim ishin më të paorganizuarat dhe më vjedhjet më të mëdha në historinë e zgjedhjeve të pasluftës në Kosovë. Përveç kësaj, Dell u bashkohej qeveritarëve në shkelje të vullnetit të qytetarëve që ata po bënin në vazhdimësi, siç ishte tashmë “zgjedhja” e Atifete Jahjagës në postin e presidentes, duke e imponuar në këtë mënyrë, dhe atë përmes një zarfi që prezanton në tavolinë në një takim me Thaçin, Pacollin dhe kreun e LDK-së, isa Mustafa.
E, pas kësaj ai vazhdon ritmin e njejtë, duke bërë deklarata diskualifikuese që aspak nuk i ndihmojnë proceseve politike aktuale në vendin tonë. Kosova me diplomacinë e Dell-it nuk ndihet rehat, ngase vetë ky e mbushi kupën, kur tash së fundi njëanshëm, publikisht dhe padrejtësisht sulmon të gjithë ata që e kundërshtojnë pranimin e fusnotës me Rezolutën 1244, e cila vetëm pak ditë më parë ishte cilësuar si e” vdekur” nga vetë Kryeministri Thaçi, për ta pranuar dy ditë më vonë në marrëveshjen e arritur mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Dell-i na shfaqet në skenë sikur të ishte zëdhëdhënës i Qeverisë së Kosovës, duke i quajtur subjektet e caktuara politike si antiamerikane dhe antievropiane për të vetmen arsye pse po kundërshtonin diçka të keqe për të tashmen dhe për të ardhmen tonë. Por, kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të merret sikur qenkemi kundër Amerikës dhe Evropës, vetëm pse e duam një Kosovë të përparuar.
Dhe, për fund, pashmangshëm dhe me të drejtë duhet ta pyesim Dell-in, se ai përsonalisht e do më shumë Amerikën apo Kosovën? A do të pranonte Dell-i eksperimente mbi shtetin e vet siç po bëhen me Kosovën? Dhe, a është Kosova ajo që bëri që bota të njohë utopitë më të mëdha, si pavarësi e mbikqyrur, pavarësi me fusnotë, Sui generis dhe të tjera terme që nuk ishin të njohura më parë? Përgjigjjet mbase nuk ia duam sepse nuk kemi vesh për ta dëgjuar më. Krejt çka duam nga ai është që të niset më herët e ta kursej vetën dhe sidomos neve nga gabimet e tjera që mund t’i bëj deri në korrik.