Prishtinë, 6 tetor 2020: Pikërisht në portalin, pashtriku.org, dise herë kemi qartësuar se, Kosova me vite të tëra, veçmas, që nga çlirimi është në rrethim të politikës shtetërore të Serbisë, se, Kosova, nuk duhet ta nënçmoi agresionin diplomatik të Serbisë, sepse, një ditë do të jetë, tepër vonë. Mjerisht, Kosova është në vonesë të pa parë, në raport me kundërvënien, ballafqimin me këtë agresion fashist, shovinist të Serbisë. Është e vonuar dhe e përgjumur, Kosova edhe në këto ditë, kur, nga të gjitha anët po shpërthen nacionalizmi serbomadh, ideologjia anti shqiptare e Serbisë. Mjerisht, pra, edhe sot, Kosova, institucionet shtetërore, nuk janë koshiente për rrezikun serb, madje, po vazhdojnë të sillen me qetësi, me heshtje, me oportunitet të plotë, sikur duan të thonë: o popull, mos lexoni shkrime, analiza të këtilla, sepse, Serbia nuk paraqet rrezik për sovranitetin e Kosovës, as për sigurinë e vendit tone. Mbi këtë logjikë, Serbia, ka arritur që, gjithandej, të na rrethojë me politikën e saj tinzare dhe shumë të rrezikshme. A ka ma mjerim, sesa, të lejojnë dhe të heshtim, fjala vie, nga brohoritja e serbëve të ardhur nga Serbia, para Kishës Levishka në qendër të Prizrenit, “Kosova është Serbi”! A ka më mjerim dhe vetë poshtërim, që, fjala vie, prifti, kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfolije Radoviç, në një intervistë të deklaroi se: “Tani jemi kthyer dhe e kemi marrë pushtetin në Mal të Zi, dhe së shpejti do të kthehemi në Kosovë, deri në Gjakovël”! Ngjashëm, ideologu i politikës moderne çetnike, Vojisllav Sheshli, vite më parë kishte deklaruar: “E drejta e jonë, deri te ura në Gjakovë”!
Serbia nuk heq dorë nga pretendimi territorial ndaj Kosovës
Ndërkohë, në një deklarim të ri, gjithmonë me intonacione shoviniste, serbomadhi, Vulin, ministër i mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, na ka quajtur “shqiptari”, me emërtimin, cilësimin, historikisht nënçmues, ashtu siç, kanë vepruar të gjitha qeveritë serbe. E pastaj, Daçiçi, kritikon ata serbë të cilët, sipas tij, po tregojnë se ku janë varrezat masive të shqiptarëve, anë e mbanë Serbisë! Pra, “shqiptari” në kohën e Mbretit serb, në kohën e Akademikut, Çubrilloviç, në kohën e Rankoviçit, të Millosheviçit dhe sot, në kohën e antishqiptarit, Vuçiç!
A mjaftojnë të gjitha këto fakte, argumente, më të rejat, më aktualet që, ta ritheksojmë se, Serbia nuk ndryshon, se Serbia, është po ajo e mesjetës, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore,e kohës së Mbretërisë serbo-kroato-sllovene, pra, e viteve të pas Luftës së Dytë Botërore, Serbia e Rankoviçit e pastaj e Millosheviçit, Sheshelit dhe tani serbomadhit Vuçiçi!?
Nga BE-ja heshtje plotë, heshtje e vdekjes! BE-ja, e cila, e ka përkrahur dhe e përkrah Serbinë, për ta shtuar agresionin diplomatik ndaj Kosovës. BE-ja e cila, asnjëherë nuk është shqetësuar, përse, pesë shtete të saja nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. BE-ja e cila, e pamundëson me çdo kusht liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. BE-ja e cila, shtihet sikur nuk e di se me këtë veprim, Serbia hapur është kundër lirisë së Kosovës, është kundër shtetit dhe pavarësisë së Kosovës. Në ndërkohë, Brukseli zyrtar, hesht, para fashizmit modern serb dhe para agresionit të politikave çetnike serbe, hesht, sepse është kundër prosperitetit dhe faktorizimit të kombit shqiptar gjithandej. Prandaj, BE-ja, me përjashtim të disa shteteve, me heshtjen e saj, ndaj agresionit diplomatik të fashizmit serb ndaj Kosovës, e përkrah politikën serbomadhe ndaj Kosovës dhe përgjithësisht kombit tonë shqiptar. Është po ajo Evropë, e atyre diplomatëve të kohës së Kongresit të Berlinit, Konferencës së Parisit, Traktatit të fshehtë të Londrës, po ajo Evropë, e cila pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sërish Kosovën e la nën robërinë serbosllave, e la jashtë trungut shqiptar, kurse, Shqipërinë, qëllimisht e la në orbitën e Lindjes, e la në vetmi të plotë!
Prandaj, Serbia, është trimëruar edhe me heshtjen e BE-së, dhe, nuk ka të ndalur, në luftën diplomatike, të nëndheshme, të të gjitha llojeve, kundër Kosovës, kundër lirisë sonë. Ajo edhe përmes Kishës Ortodokse Serbe, edhe përmes shërbimeve sekrete, edhe përmes Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, e mban nën kontroll, tokë të pushtuar Veriun e Kosovës, kërcënon me Asociacionin serb, pushton territore të reja, pranë Kishave Ortodokse Serbe, dhe, kështu, ndërkombëtarisht, fiton pozicionin, statusin “viktimës”!
Ideologjia çetnike e rrezikon Kosovën
Kuptohet, nuk e kemi ndërmend që, për këtë situatë gjithnjë e më të rrezikshme, të agresionit diplomatik serb ndaj Kosovës, t’i shfajësojmë edhe institucionet e Kosovës, të cilat, janë në defansivë të plotë ndaj veprimeve serbomadhe të Serbisë ndaj Kosovës, ndaj lirisë sonë! Nuk është, pra, Kosova ajo e cila ka pretendime territoriale ndaj Serbisë, por, është Serbia ajo e cila, edhe duke e shkelur Marrëveshjen e Washingtonit, ka shtuar presionet dhe ndërhyrjet në zhvillimet e brendshme të shtetit të Kosovës. Është Serbia, ajo e cila po i fsheh varrezat masive me trupat e shqiptarëve të vrarë, është Serbia e cila, e mban Kosovën në preambulën e Kushtetutës së saj! Është Serbia ajo e cila, nëpër varrezat masive, i mban të fshehur trupat e mijëra shqiptarëve të vrarë. Pra, në këto rrethana, tejet dramatike për Kosovën, të sotmen dhe të ardhmen e saj, Serbia, para syve të BE-së, po zhvillon agresion diplomatik, e ne, në radhë të parë institucionet e Kosovës së pavarur, janë strukur, eventualisht me ndonjë reagim formal!
Prandaj, në këtë klimë politike, me vërsuljen diplomatike dhe kishtare të Serbisë ndaj vendit tonë, nuk ka dhe nuk mund të pritet paqe midis dy popujve dhe midis dy shteteve, nuk ka rezultat nga bisedimet, dialogu me Serbinë! Përgjegjësinë për, përkeqësim të marrëdhënieve ndërshtetërore, veçmas në fushën e sigurisë, e mban Serbia, e cila, siç po shihet, e ka intensifikuar luftën, jo vetëm diplomatike kundër Kosovës.
Ndaj, udhëheqja e Kosovës, do të duhej që, para Brukselit zyrtar të shtronte kushte të reja shtesë për vazhdimin ose jo të bisedimeve me shtetin, i cili ka kryer gjenocid mbi popullin tonë, mbi shtetin i cili, e ka okupuar Veriun e Kosovës, i cili nuk e njeh shtetin e Kosovës, i cili, rrezikon integritetin territorial të vendit tonë, i cili, së fundi po na kanos me luftë të re!
Dhe, deri sa të vazhdojë ky kërcënim ndaj Kosovës, deri sa në preamabullë të Kushtetutës së Serbisë shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë, ne nuk duhet të bisedojmë me Serbinë, praktikisht, nuk duhet ta njohim ekzistencën e shtetit serb!