Pashtriku, 23 dhjetor 2020: Shtypi perëndimro shkruante: ”Milosheviqi e ka psikologjinë vrastare si të Hitlerit”! Shtypi evropian, ndonëse jo i tëri, në vitet 1991, 1992, 1993 kishte filluar të shkruante se Milosheviqi e ka psikologjinë vrastare të Hitlerit! Por, popullit serb megjithatë i pëlqente vozhdi i ri nacionalist, ndaj, pa ndonjë përkushtim të veçantë e kishte përkrahjen edhe të elitave intelektuale në Serbi.
Roli i kishës, armatës dhe i shërbimeve sekrete
Në kohën e konfrontimeve gjermano – austriake, Anglia dhe Franca, fillimisht e mbanin pozicionin e neutralitetit, kjo derisa edhe ato u sulmuan nga Hitleri. Agjentët e Hitlerit për t’i bindur kundërshtarët përdornin të gjitha metodat e tmerrit, burgosjeve, lizolimeve e deri te likuidimet fizike për të cilat nuk jipej asnjë informatë dhe asnjë detaj. Ndërkaq, në vitet kur Serbia nën regjimin e Millosheviqit ishte versulur në fushatën politike, policore dhe më pas edhe ushtarake, Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia, secila nga to ishin përcaktuar të mos prisheshin me Serbinë për shkak të shqiptarëve. Milosheviqi me këtë heshtje dinake, ishte trimëruar në luftën për nënshtrimin e popullit shqiptar. Shërbimi i fshehtë i sigurimit të Serbisë, që së bashku me Akademinë e Shkencave serbe Kishën Ortodokse Serbe dhe AJ – në, ishin segmentet më besnike të shovinizmit dhe fashizmit milosheviqian, përdorte të gjitha metodat për të disiplinuar kundërshtarët politik të Milosheviqit. Kjo dhunë, në radhë të parë ishte përdorur ndaj shqiptarëve. Janë të panumërta rastet kur policia sekrete serbe inskenonte situata të paqena gjoja se grupet shqiptare të armatosura sulmonin policinë, ushtrinë apo popullatën serbe. Dihet se policia sekrete serbe vetë kishte rrënuar sa e sa varreza serbe në vitet e tetëdhjeta, kishte djegur qëllimisht Patriarkanën serbe të Pejës, madje në vitin 1982 ishte dënuar me vdekje dhe më pas ekzekutuar Ferat Muja nga fshati Samadrexhë e Vushtrisë, krejt kjo për të krijuar atmosferë politike, terrori, për të arrestuar, burgosur e vrarë shqiptarë.
Në vitin 1934 Gjermania hitleriane po përgatitej për luftë, prandaj ajo armatosej me të madhe. Armatosja e Gjermanisë bëhej para syve të shteteve evropiane dhe fillimisht përveç ndonjë zëri të vetmuar diplomatik nuk kishte kundërshtime. Krahas armatosjes dhe përgatitjes për luftën e madhe botërore, Hitleri me bashkëpunëtorët e tij kishin forcuar arrogancën militante në frymën e nazizmit modern. Në vitin 1991, dy vjet pasi e kishte suprimuar autonominë e Kosovës dhe të Vojvodinës dhe kur triumfalisht po përgatitej për luftën e re në Jugosllavi, Milosheviqi e armatoste ushtrinë dhe policinë, por edhe popullin serb. Dihen, në vitet e tetëdhjeta skenat e shperndarjes së armëve qytetarëve serbë në Kosovë dhe në viset tjera, gjithnjë nën sloganin: “Na jepni armë”. Armatimi për Serbinë, edhe pse ende ishte federata e brishtë jugosllave, kishte arritur, nga Rusia e largët në portin e Tivarit. Paraprakisht Velko Kadijeviq, Shef i shtatmadhorisë së ushtrisë jugosllave kishte udhëtuar në një vizitë sekrete në Moskë. Paralajmërimet e luftës gjithnjë në frymën e fashizmit serb, në ato vite po bëheshin realitet tragjik për shumë popuj të Jugosllavisë. Ndërkohë, ngjashëm si Hitlerit, të cilit nuk i kundërvihej askush, edhe Milosheviqit dhe nazizmit të tij të tipit sllav, nuk i dilte kush përpara përveç shqiptarëve të Kosovës, të cilët me asnjë kusht nuk i nënshtroheshin regjimit serb. Shtypi evropian, jo i tëri, megjithatë në vitet 1991, 1992, 1993 kishte filluar të shkruante se Milosheviqi e ka psikologjinë vrastare të Hitlerit. Arkivat historike ndërkaq, shkruajnë se më 5 prill të vitit 1935 ambasadori Dod shkruante nga Berlini se: “Hitleri, Gebelsi e Geringu, të cilët aq keq e njohin historinë, e posedojnë psikologjinë e vrasësit”. Por, popullit serb, me përjashtime të rralla të pak intelektualëve demokrat dhe properëndimor, i pëlqente vozhdi i tij i ri, ai e admironte skajshmërisht Milosheviqin, duke e përkrahur programin e tij nacionalshovinist. Ngjashëm, pra historia e nazizmit modern, tani në rrethanat serbe, po ripërsëritej si dikur në fundivitin 1938, kur gjermanët kishin përkrahur me gjithë zemër politikën e Hitlerit.
Hitleri porosiste:”Harrojeni mëshirën”, kurse Milosheviqi kërcnohej: ”Serbia ose do të jetë ose nuk do të jetë”!
Logjika tradicionale hegjemoniste serbe për pushtime të territoreve të reja edhe te Milosheviqi në thelb ishte të strategjisë së tij hegjemoniste, ngjashëm, si edhe te Hitleri. Hitleri më 7 mars 1936 kur e kishte pushtuar ushtarakisht Rajnën, kishte deklaruar se: ” Në interes të të drejtës natyrore të popullit gjerman më ditën e sotme kemi vendosur sovranitet të plotë dhe të pakufizuar të shtetit gjerman në krahinën e Rajnës…”. Milosheviqi në mbledhjen e Kryesisë së Jugosllavisë mbajtur më 21 mars 1991 kishte deklaruar se:” Kuvendi i Serbisë i ka marrë funksionet e Kuvendit të Kosovës para disa muajsh dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka kontestuar të drejtën e Kuvendit të Serbisë që ti merr funksionet e Kuvendit të Kosovës. Prandaj, Kuvendi i Serbisë në mënyrë legjitime kryen funksionin e Kuvendit të Kosovës”. Milosheviqi që nga ardhja e tij në pushtet kishte proklamuar qëllimin që Serbia të bëhet e “barabart” me republikat tjera, ndër të tjera edhe me kusht që të vendos sovranitetin e saj të plot në tërë territorin e vet. Për këtë qëllim ai kishte vënë si objektiv politik që me të gjitha mjetet, politike e ato të dhunës të vendos sovranitetin e plotë edhe mbi Kosovën si territor dhe krahinë aso kohe autonome, përkatësisht njësi e barabart e federatës jugosllave. Milosheviqi në akuzat që i bëntë Kushtetutës së vitit 1974, si burim gjoja e pabarazisë kushtetuso – juridike të Serbisë, vazhdimisht potenconte heqjen e autonomisë së Kosovës që sipas tij ishte kusht i rivendosjes së sovranitetit mbi Kosovën. Pas rrëzimit me dhunë të autonomisë së Kosovës, në mbledhjen e 23 marsit të vitit 1989 të Kuvendit të Kosovës, Republika e Serbisë nën udhëheqjen e Milosheviqit, më 28 mars të njëjtit vit vendosi sovranitetin e plot mbi Kosovën. Në fjalimin e tij të mbajtur në mbledhjen solemne të Kuvendit të Serbisë, Milosheviqi kishte deklaruar me mburrje se, ”Serbia më në fund e vendosi sovranitetin e vet në tërë territorin e saj”, duke mos përmenduar me asnjë fjali mënyrën, metodat e dhunës të cilat Qeveria serbe, e përkrahur edhe nga Qeveria jugosllave i përdori për të vendosur “sovranitetin e dhunshëm” mbi Kosovën. Milosheviqi, si dikur Hitleri, në ato vite kishte pushuar së luajturi rolin e politikanit, oratorit dhe demagogut. Ai u bë militarist që drejtonte gjithçka nga shtabi i ushtrisë dhe policisë sekrete. Milosheviqi ngjashëm si Hitleri më nuk përpiqej ti bënte tjerët për vete, por në radhë të parë e përdorte forcën dhe terrorin. Udhëheqja e Kosovës, por jo edhe populli i saj, i nënshtruar para dhunës serbe, kishte pranuar të nënshkruante kapitullimin duke pranuar edhe vlerësimin politik se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë! Me këtë akt, të rivendosjes me dhunë e gjak të “sovranitetit” pushtues serb mbi Kosovën, në fakt të ripushtimit të katër të Kosovës nga Serbia, pra në mars të vitit 1989, u hapen frontalisht portat e ripushtimit të Kosovës nga Serbia. Milosheviqi i trimëruar nga triumfi gjakatar në Kosovë, më pas iu vërsul popujve tjerë në ish Jugosllavi dhe paralajmëronte fillimin e luftës me sloganin e tij të njohur në Gazimestan: “Serbia ose do të jetë ose nuk do të jetë”! Edhe kësaj radhe, Milosheviqi frymëzohej nga konstatimi i Hitlerit shkruajtur në veprën e tij, “Mein Kampf” se: ”Do të paraqisë një pretekst propagandistik për fillimin e luftës, pavarësisht nëse është i besueshëm apo jo. Fitimtari nuk pyetet nëse ka thënë të vërtetën apo jo. Ajo që ka rëndësi në fillimin e një lufte nuk është e drejta por fitorja. Harrojeni mëshirën… I forti ka gjithmonë të drejtë. Ashpërsi të shkallës më të lartë”.
Populli në Serbi i rënë në delirium të nazizmit popullist serb, nën udhëheqjen e vozhdit Milosheviq, kërkonte gjak dhe armë. Prapa këtyre thirrjeve që dëgjoheshin nëpër mbledhjet e institucioneve shteterore e partiake serbe, por edhe nëpër mitingje, qëndronte kush tjetër pos vetë Milosheviqit, i cili ishte i vendosur që edhe me qmimin e luftës, gjakut dhe varreve, të realizonte ëndrrën e vjetër serbe për “Serbinë e Madhe”. Populli serb, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Kisha Ortodokse Serbe, Armata Jugosllave, Shërbimet Sekrete serbe e miratuan, e frymezuan dhe e përkrahen politikën e Milosheviqit.
Shtatë vjet pas këtyre thirrjeve dhe paralajmërimeve për luftë në ish Jugosllavi, lufta trokiti edhe në dyert e Kosovës, për të filluar me rezistencën e armatosur heroike të familjes së Jasharve, popullit trim të Kosovës dhe për të mbaruar më 12 qershor të vitit 1999 me fitoren e madhe të UÇK-së dhe çlirimin definititiv të Kosovës nga sundimi i gjatë dhe i egër kolonial serb.
– FUND –
(Fragment i një studimi më të gjatë)
______________________
Histori e diplomacisë:
Dr.Agim Zogaj: Anatomia e një nazizmi – Slobodan Milosheviqi një kopje e keqe e Hitlerit (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10689
***
Dr.Agim Zogaj: Anatomia e një nazizmi – Slobodan Milosheviqi një kopje e keqe e Hitlerit (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10701
***
Dr.Agim Zogaj: Anatomia e një nazizmi – Slobodan Milosheviqi një kopje e keqe e Hitlerit (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10708