MERXHAN JAKUPI: RINGJALLJA E RELIGJIONIT POST – KOMUNIST NË BALLKAN

Pashtriku, 24 dhjetor 2020: Sulmi terrorist dhe vrasja kohë më parë e katër personave dhe plagosja e më shumë njerëzve në Vjenë nga një i ri shqiptar, i cili ka prejardhjen nga Maqedonia e Veriut, në perëndim ka ngjallur shumë indinjatë dhe reagime, si dhe janë sensibilizuar në masë të madhe mediet. Studiues dhe ekspertë të Evropës juglindore dhe Ballkanit, kanë piketuar se pas shembjes së komunizmit, religjioni ka fituar një hapësirë të madhe të ringjalljes apo të renesancës tek popujt ballkanikë. Komunizmi si ideologji e marksizëm-leninizmit, pas varrosjes së saj në histori, papritur në shumë vende zuri vendin e saj religjioni. Sipas studiuesve perëndimorë, islami në Ballkan është liberal, tolerant dhe paqësor dhe, në këtë kontekst, popujt që e aplikojnë, si shqiptarë, boshnjakë dhe disa minoritete të tjera, ndërmjet tyre kanë divergjenca kulturore, por kanë edhe dallime të mëdha me popujt e Lindjes së Mesme dhe të botës arabe. Disa liderë dhe imamë të moderuar në Perëndim, madje kanë proklamuar Islamin evropian, ngjashëm me islamin tradicional në Ballkan. Është fakt se Ballkani gjithnjë ka qenë një fuçi e barotit, me luftëra të tmerrshme, sidomos në ish-Jugosllavi, e cila përfundimisht u shpërbë. Por, duhet vërë në pah se krishterimi dhe islami, si dy religjione të ndryshme, nuk kanë pasur konflikte dhe luftëra sektesh. Luftërat në ish-Jugosllavi kanë qenë në baza etnike.
Gazetat prestigjioze gjermane, si “Allgemeine Frankfurter” e disa të tjera, nëpërmjet psiko-analistëve dhe sociologëve, sjellin raporte se aktorët që janë involvuar në organizata radikale e ekstremiste, siç ishte ISSIS-i, xhihadistët talibanë etj., kanë qenë të moshës së re, sepse ata shumë më lehtë indoktrinoheshin dhe u bëhej lavazhi i trurit, për t’i viktimizuar më lehtë në shërbim të atyre organizatave radikale.
Një djalë i ri me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, që bëri sulm terrorist në Vjenë, ku vrau njerëz të pafajshëm, ishte i indoktrinuar, i frymëzuar dhe i motivuar për t’u bërë viktimë në shërbim të ideologjisë ekstremiste, në emër të Islamit të kryejë krime barbare e anti-civilizuese. Këto krime, vrasje e akte makabër, kanë mund të ndodhin edhe nga ndonjë i ri nga Kosova, Shqipëria apo Bosnja, ose ndonjë i konvertuar në islam. Sipas hulumtimeve dhe informatave, atentatori në Vjenë nuk ka qenë i lidhur me grupe ekstremiste apo imamë nga Ballkani dhe vendi i tij i origjinës, Maqedonia e Veriut. Vrasjet dhe krimin që kreu ky i ri me prejardhje nga Maqedonia e Veriut kanë dënuar gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në botë, sikundër dhe liderët, imamët dhe bashkësitë fetare. Ata janë distancuar nga këto organizata radikale ekstreme dhe janë të shqetësuar për implikimin e tyre si viktimë e këtyre organizatave.
ISLAMI POST-KOMUNIST NË BALLKAN
Pas pluralizmit politik në fillim të viteve 90, në Ballkan kanë depërtuar shumë organizata humanitare nga shtetet e botës myslimane dhe shtetet arabe të gjirit Persik. Me ardhjen e këtyre organizatave kanë depërtuar edhe fraksionet, shiizmat e misionarët për hapjen e mejtepeve me premisa radikale të vehabizmit, selefizmit, si dhe shiizma dhe sekteve të tjera radikale konservatore puritane, që bien në përplasje me Islamin tradicional ballkanik dhe shqiptar. Depërtimi i këtyre grupeve, teologëve, klerikëve, misionarëve e kanë zbehur islamin tradicional në Ballkan dhe trojet shqiptare.
Disa klerikë, imamë, teologë, individë të indoktrinuar, konservatorë dhe arkaikë, që kanë studiuar në Arabinë Saudite, me predikimet dhe ligjëratat e tyre kanë zbehur, minuar dhe shantazhuar Islamin tradicional shqiptar dhe boshnjak. Ishte tepër ironike që disa imamë e teologë të ndikuar nga shiizma e sekte, sulmojnë sekularizmin. Këta protagonistë duhet ta dinë që në botën islame dhe arabe, shumica e shteteve janë sekulare, përveç Republikës Islamike të Iranit dhe shtetit konservator arkaik, Arabia Saudite.
Në anën tjetër, ish-presidenti amerikan, Donald Tramp dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, i kanë quajtur shqiptarët autoktonë, myslimanë dhe evropianë, si popull lindor, duke i futur në një thes me popujt e Lindjes dhe e kanë quajtur Kosovën shtet mysliman, për retorikë, motive dhe interesa politike. Është paradoks e cinizëm që Tramp dhe Netanjahu, në zemër të Evropës, popullin autokton evropian, shqiptarët, t’i quajnë myslimanë dhe shtetin e tyre ta quajnë po të tillë. Në të ardhmen, shqiptarët dhe boshnjakët, me hyrjen në BE dhe në familjen evropiane, mund të kenë edhe deputetë në Parlamentin Evropian, me tituj teologë, klerikë e imamë. E ardhmja e shqiptarëve është në BE, në kontinentin evropian, i cili është, pos i qytetërimit të krishterë, edhe i atij islam. Në epokën e globalizmit, Evropa duhet të jetë universale, multikulturore dhe multifetare.
SHQIPTARËT E MAQEDONISË VERIORE KONSIDEROHEN KONSERVATORË
Pas vrasjeve dhe sulmit terrorist në Vjenë nga i riu shqiptar, me origjinë nga Maqedonia Veriore, gazeta gjermane “Die Zeit”, shkruan se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që përbëjnë mbi 30 për qind të popullatës dhe disa minoritete të tjera, i përkasin fesë islame. Ata janë më të zhytur në islam dhe janë një shoqëri tradicionale e konservatore. Shqiptarët e këtij vendi dhe të Kosovës janë tradicionalisht të lidhur me Turqinë. Turqia ka hapur atje disa medrese dhe ka dërguar teologë dhe imamë. Gazeta thotë se duke vizituar pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut, ku shumica janë shqiptarë, bien në sy shumë minare të xhamive. Të rinjtë përdorin përshëndetjen islame “Selamun alejkum!”. Popullata, komunitetet myslimane në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë nuk kanë lidhje tradicionale me shtetet dhe popujt arabë e të Lindjes së Mesme. Ata i takojnë fraksionit të mehsebit të shkollave juridike Hanifi, që janë të konvertuara me ardhjen e Perandorisë osmane në Mes’hebi, kjo do të thotë se fraksioni Hanifi është më liberal, i moderuar, për dallim nga fraksionet e tjera Sunite.
* * *
Një ndër fenomenet apo arsyet bazë se pse shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë më tradicionalë e konservatorë, është fakti se ky vend ka qenë në zemrën e Perandorisë osmane, kështu që me pushtimin dhe shtrirjen e ekspansionit në Evropën juglindore, kjo perandori ka sjellë këtu administratorë, ushtarakë dhe civilë turk. Kjo perandori ka pasur administratë qendrore në Selanik, Manastir dhe Shkup, sikundër edhe Akademinë ushtarake. Shqiptarët kanë jetuar në provinca rurale, ndërsa në ato urbane ka jetuar klasa e mesme, siç kanë qenë esnafët, fisnikët, zejtarët dhe të arsimuarit. Pjesa e popullatës që ka jetuar në vendbanime urbane ka përdorur dy gjuhë: atë shqipe dhe turke (osmane) dhe me fanatizëm e ka ruajtur gjuhën amtare, duke e ruajtur edhe identitetin kombëtar. Pas shpërbërjes së Perandorisë osmane, ata kanë qenë të përndjekur dhe persekutuar, andaj pjesa më e madhe janë shpërngulur në Turqi. Klasa e mesme aristokrate i ka kontribuuar kauzës kombëtare dhe ka rezistuar kundër shtypjes dhe pastrimit etnik.
Në Mbretërinë jugosllave, shqiptarët nuk kanë pasur identitet kombëtar, ata janë konsideruar si myslimanë dhe turq. Gjuha e dytë ka qenë ajo turke. Gazetat dhe shkollat kanë qenë në gjuhën turke. Për shkak të shpërnguljeve masive dhe lidhjeve familjare, në Turqi tash ka mbi 5 milionë shqiptarë. Megjithatë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë dhënë më shumë prioritet përkatësisë kombëtare se sa asaj fetare, për ta ruajtur identitetin e tyre.
* * *
Religjioni post-komunist në Ballkan ka ndryshuar ekuilibrin dhe është bërë më radikal dhe konservator. Këtë e dëshmon edhe varrimi i mitropolitit malazez të Kishës ortodokse serbe, Amfilohije Radoviq, ku shihet qartë ringjallja religjioze dhe fenomeni i identitetit fetar ortodoks pansllavist. Tek serbët, sllavët ortodoks, identiteti kombëtar dhe fetar është në binarë paralelë, në bashkëdyzim me nacionalizmin, për të forcuar identitetin kombëtar.
Islami ideologjik dhe konfesioni ortodoks i krishterë radikal kanë stërngarkuar e degraduar vlerat, traditat liberale evropiane. Këto shiizma, sekte e ideologji janë kundër traditave liberale iluministe evropiane. Popujt e Ballkanit, kësisoj, ka gjasa që t’i kthehen ngadalë epokës së mesjetës, në periudhën post-komuniste, me ringjalljen e doktrinave, dogmave dhe ngritjen e flamujve të vjetër nacionalistë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura