(Shkup, 04. 12. 2012) – Është e habitshme që në vendet e fëlliqura të pastrohen paratë e pista, kur dihet mirëfilli se në vende të tilla vetëm edhe më tepër mund të ndotet kushdo qoftë. Në fakt, zbërthyer nocionin e pastrimit të parave të pista në gjuhën e përditshmërisë, do të shohim se pastrim i parave të pista do të thotë, ndotje të mjedisit, pastaj edhe asaj që ndërtohet dhe fëlliqje të atyre që merren drejtpërdrejtë me këtë veprimtari jashtëligjore. Pastrimi apo larja e parave është kthimi i të ardhurave të realizuara ndër vite apo muaj, me mjete jashtëligjore në pasuri, të cilave është vështirë t’u gjendet origjina apo burimi i grumbullimit të të ardhurave. Shtetet e parapëlqyera dhe të përshtatshme për larje të parave janë ato shtete të cilat janë të zhytura në pisllëqe juridike, ekonomike, politike dhe shoqërore. Në vazhdën e kësaj mendësia në shtete të tilla, paralelisht me larjen e parave të pista mëtojnë të lahen edhe njerëzit e ndytë në një vend po ashtu të ndytë, ngase amnistia nga një vepër e tillë penale bëhet prej fundërrinave të cilët qeverisin me pushtetin.
Janë të njohura rastet nga jeta e përditshme, kur një afarist me veprimtarinë e tij kundërligjore dhe kundërnjerëzore bënë grumbullimin e pasurisë në vend apo jashtë vendit, investon në ndonjë ndërmarrje apo në ndonjë objekt kombëtar dhe fetar, pastaj si nga pushteti ashtu edhe nga populli, njeriu në fjalë njihet dhe trajtohet si njeri i ndershëm, bamirës apo i devotshëm, kurse në të vërtetë ky njeri kriminel është në fazën evolucionare të pastrimit. Shumë shtete me ekonomi të zhvilluar dhe me sistem të shëndoshë juridik prej kohësh janë duke grumbulluar para vetës masa për parandalimin e kësaj dukurie rrënues. Shtetet me sisteme të mirëfillta në aspektin e përgjithshëm e parapëlqejnë më shumë parandalimin sesa luftimin. Ndërkaq, fjala bie, shteti i Maqedonisë dhe i Kosovës që deri në fyt janë të kredhur dhe të përfshirë prej një sëmundjeje të këtillë, duke mos e përjashtuar tërë ballkanin, mekanizmat e tyre shtetërorë të dobëta të përgjithshme e parapëlqejnë më shumë luftimin sesa parandalimin e larjes së parave (në teori paraqiten për parandalimin, kurse në jetën reale e manifestojnë luftimin gjysmak dhe sipërfaqësor). Kësisoj, më shumë duan që të sëmurin ta shërojnë sesa të shëndoshin ta ruajnë që të mos sëmuret. Pastrimi i parave përmendet edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. Kështu spikama e kësaj rrëshire për Kosovën në vitin që lamë pas, mes tjerash thuhet se vendi ka pasur përparim të kufizuar në trokitjen e derës së krimit ekonomik dhe shpëlarjes së parave. Dëmi prej këtyre veprimtarive është 27 milionë euro, edhe pse kjo është shuma që syri i kundruesve ka mundur ta kapë, sepse realiteti duket të jetë shumë më i trishtueshëm.
Larje të parave në këto shtete kemi kudo. Mjafton një retrospektivë katërvjeçare rreth gjendjes sociale dhe financiare të ministrave apo të deputetëve, si dhe një dallim prej gjendjes së atëhershme në këtë të sotmes dhe do të mbesim pa fjalë dhe pa pasthirrma kur do t’ua shohim shtëpitë, banesat, veturat dhe bizneset e tjera, të cilët mbijnë sikur kërpudhat pas shiut. Në tërë këtë gamë, si rrjedhojë e investimit në ndonjë projekt të vyeshëm për shoqërinë, po mundësohet edhe jetësimi i konceptit të larjes së parave të pista. A nuk janë këto dhe shumë veprimtari të tjera larje të parave, që ndershmërisht iu morën qytetarëve, për t’u keqpërdorur prej njerëzve me autoritet të lartë në shtet, mbase këta paratë i morën prej qytetarëve të pastra, kurse përmes gjarpërimit të rrugës, këta i ndotën ato para, si dhe faza në fazën e fundit, përmes investimeve të “ligjshme” në objekte kapitale dhe jokapitale, ata e bënë fazën e fundit që përkon me “mbylljen” e procesit të këtij krimi, pra duke i pastruar paratë prej atij burimi dhe asaj rruge të fëlliqur. Kjo nuk është vetëm larje e parave të mjeteve monetare të qytetarëve, por është larja e trurit të qytetarëve në mënyrë institucionale, ngase po këta qytetarë tashmë të pastruar në trurin e tyre që vetëm konstaton parregullsi, po u shkojnë mbrapa oligarkëve financiarë, të cilët përpos interesave postare dhe materiale nuk njohin asgjë tjetër.
Në këso shtetesh ndodhin gjëra të çuditshme dhe tejet kundërthënësë në lidhje me luftimin e krimit ekonomik. Fjala bie, para dy vjeteve, policia në kufirin e Tabanocit dhe të Qafë Thanës arrestoi ca policë për ryshfet dhe korrupsion, kurse pastaj policia arrestoi një biznesmen të Malit të Zi për larje të parave, ndërkaq të dy palët do të gjykohen nga njerëzit tashmë të infektuar që moti me këtë virus. Ngjashëm është edhe me tringëllimën Drejtorisë kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Kosovë në vitin 2010, që ka hetuar mbi 700 raste, nga të cilat rreth 500 me kryerës të njohur të veprës penale janë dërguar në prokurori. Kështu që, edhe këtu vepra penale ka gjasë të gjejë strehë të njëjtë me atë të kryerësit, ngase krimineli dhe gjykata në bazë të saj që shohim dhe lexojmë, dukshëm pleksen ndërmjet veti në shumë pika.
Kësisoj në vendet me nivel të lartë të pisllëkut është vështirë apo e pamundur parandalimi dhe luftimi i pastrimit të parave të pista, sepse pisllëku e tërheq mikrobin, kurse mikrobi është i kënaqur në oazën e ndotur.