GJOKË DABAJ: PËR ZOTIN D. LU DHE ZONJËN R. VLAHUTIN, NJË PYETËSOR ME PIKËÇUDITËSE

Tiranë, 3 qershor 2018: Një veprimtari institucionale parlamentare, qeveritare e veçanërisht juridike, me emërtimin VETING, ka marrë këto kohë përhapje të gjërë në Republikën e Shqipërisë. Qëllimi i këtij VETINGU është: të zbulohen ata shqiptarë që janë pasuruar në mënyrë të padrejtë, t’u merret, t’u konfiskohet pasuria dhe, afërmendsh, të dënohen simbas ligjevet të sotëm.
Grupi i parë i pyetjevet që kam unë është ky: Ku dallohet ky aksion i sotëm i shpasurimit të të pasuruarvet me të padrejtë, nga shpasurimi që pat organizuar, miratuar në parlament dhe zbatuar Enver Hoxha në vitin 1946 e në vazhdim?! Ju (e kam fjalën për qeveritë që ju përfaqësoni) ishit dhe jeni kundër “VETINGUT” që organizoi, miratoi në parlament dhe zbatoi Enver Hoxha ndaj të pasuruarvet të atëhershëm, spekullantë të kohës së fashizmit, ish-pashallarë, bejlerë, agallarë e çifligarë të kohës së sulltanatit. Pse sot po kërkoni, madje me këmbëngulje, duke vënë edhe kushte për t’u pranuar a për të mos u pranuar Republika e Shqipërisë në BE, në qoftë se nuk i zbulojmë e nuk i dënojmë ata njerëz që janë pasuruar, simbas jush, në mënyrë të padrejtë në kohën nga 1990-a e këndej?! Them simbas jush, sepse kush mund të dijë nëse një i pasur e ka grumbulluar pasurinë e vet me të drejtë apo me të padrejtë?! Apo edhe: Kush nuk e di?!
Grupi i dytë i pyetjevet: Në përpjekjet për të vënë drejtësi në këtë vend, pse po përdoret kaq shpesh shprehja “krim i organizuar”?! Po me krimin „e paorganizuar“, ç’është menduar të bëhet?! Për shembull, kur burri vret gruan apo gruaja burrin, kur dikush merr gjakun e një të afërmi të vet, kur fqinji vret fqinjin, kur një grindje përfundon me vrasje, kur një grabitje apo tentativë grabitjeje „shoqërohet“ me vrasje, kur përplasja e dy apo tri makinave rezulton me viktima, shpeshherë edhe me viktima-fëmijë?! Unë po dua të pyes këtu: A mos ka edhe në këtë lloj krimi „të paorganizuar“ ndonjë formë ORGANIZIMI, qoftë edhe të tërthortë, rezultat i sistemit shoqëror që u instalua në këtë vend mbas prishjes së sistemit komunist etj?! Unë nuk po mund të rri pa përmendur me këtë rast do vrasje nxënësish e profesorësh që po ndodhin në SHBA dhe të cilavet dikush andej po mundohet t’ua gjejë shkakun te „lejimi i armëmbajtjes“. Sikur një vrasës „i paorganizuar“ nuk mundka të përdorë, në vend të automatikut, benzinë apo dinamit, me të gjithë ligjet „të lejuar“ !

Grupi i tretë i pytjevet: Pse po theksohet, të thuash, më shumë se çdo KRIM tjetër, kultivimi dhe tregtimi i kanabisit dhe i lëndëvet të tjera narkotike dhe pse po renditet midis “KRIMEVET TË RËNDË“ sidomos tregtimi i lëndëvet narkotike?! Një kultivues apo tregtues droge, nuk ia shet askujt ME DHUNË mallin vet! Ndërkaq, a nuk është kriminel i mirëfilltë, i vetëvetes dhe i familjes së vet, një përdorues droge dhe kjo, po më duket mua, as që po konsiderohet krim?! Ai që shitka një armë (kokainë psh) qenka kriminel, ndërsa ai që vraka më parë familjen e pastaj edhe veten me atë armë, nuk qenka kriminel! Apo ndoshta përdoruesi i kokainës dhe heroines nuk është pjesë e “krimit të organizuar”?!
Nga viti 1990 e këndej, në Republikën e Shqipërisë janë shkatërruar dhe plaçkitur me qindra objekte ekonomikë: uzina, fabrika, toka bujqësore, magazina mbushur me mallra, miniera, hekurudha, trena, anije… Pse nuk ju dëgjuam asnjëherë të kërkonit që shkatërruesit e asaj ekonomie të gjenden dhe të nxirren para gjyqit?! Kjo është vërtet për t’u çditur! Pse nuk kërkuat dhe nuk po kërkoni, zotërinj diplomatë, që të quhen KRIMINELË, të kapen dhe të nxirren para gjyqit, si shkatërruesit, ashtu edhe organizuesit e atyre shkatërrimeve?! Apo nuk ka qenë “krim i organizuar” shndërrimi në gërmadha: i Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, i Fabrikës së Sheqerit në Maliq, i Uzinës së Traktorëvet në Tiranë?! Ju, Zoti D.Lu, por në një farë mënyre edhe Zonja R.Vlahutin, po bëni fushatë që të zbulohen e të shkatërrohen punishtet dhe magazinat e drogës, për shembull në Xibrrakë e gjetkë, po bëni fushatë që të dënohen “sipas ligjit” Saimir Tahiri, njëfarë Klement Balili dhe, bashkë me ta, TË GJITHË KATUNDARËT SHQIPTARË që guxuan të mbjellin qoftë edhe pesë rrënjë kanabis. Por, pse nuk po bëni fushatë që të rraset në burg ministri i tregtisë, i cili s’po bën asgjë, që të mos kalben patatet e Kukësit, mollët dhe qepët e Korçës dhe duhani i Dumresë?! Paraardhësit tuaj, Zoti D.Lu dhe Zonja R.Vlahutin, por edhe ju vetë, a nuk duhej të kërkonit që të zbulohen dhe të dënohen në radhë të parë ata që i prishën: Uzinën e Telavet të Bakrit në Shkodër, uzinat e plehëravet kimikë në Laç e në Fier, Kombinatin e Tekstilevet në Berat?! Të kuptohemi: Unë nuk jam kundër asaj që, një Saimir Tahir apo një Klement Balil të hetohen e të dënohen, nëse vërtet kanë bërë krime. Por jam plotësisht i vetëdijshëm që shkatërruesit e industrisë dhe bujqësisë në Republikën e Shqipërisë janë një million herë më kriminelë se këta të dy.
Grupi i katërt i pyetjevet: Ju keni kërkuar dhe vazhdoni të kërkoni që të dëmshpërblehen (me paratë e popullit, sikur populli është fajtori!), ish-të dënuarit me burgje dhe ish-të përndjekurit nga regjimi komunist. Pse nuk kërkoni që ato para t’i japë regjimi komunist e jo populli, i cili s’është aspak fajtor se u dënuan apo u internuan ata njerëz?! Apo sepse regjimin komunist nuk keni ku ta gjeni tashmë?! Ç’kusur ka populli shqiptar të paguajë para, se njëri apo tjetri paska bërë burg para gjysmë shekulli?! Në gjuhën tonë ekziston një thënie: S’ke ç’i bën gomarit e i bie samarit. Ka edhe një tjetër: Kali që zihet, shin lëmin. Ka plot të këtilla thënie. Por unë nuk e di: A e dini ju që edhe shtetet evropianë perendimorë dhe ata amerikanë, kanë faj (sado që unë e quaj meritë), që në një pjesë të botës qe vendosur në shekullin XX regjimi komunist?! Pse nuk ua paguan OKB-ja dëmshpërblimin ish-të dënuarvet shqiptarë, por u dashka të paguajë populli shqiptar?! A nuk është ky, një rrëmbim pasurie, një krim i organizuar (pa thonjëza), kundër një populli?! Pse po kërkoni që Republika e Shqipërisë, që sot është një shtet kapitalist, të paguajë para për krimet që (simbas jush), ka bërë një pushtet që nuk ekziston më?!
Sot po bëjnë burg mijëra shqiptarë: në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Greqisë, në Republikën e Italisë, në Mbretërinë e Bashkuar. Nesër mund të kërkohet që edhe këta mijëra shqiptarë, të kapur e të dënuar, herë me faj e herë pa faj, të DËMSHPËRBLEHEN dhe populli ynë të mos pushojë kurrë së paguari gjobat e tjetërkujt! Thuhet se të dënuarit e Kohës së Komunizmit ishin „të burgosur të ndërgjegjes“, prandaj dhe duhet të dëmshpërblehen. Por ,nga e dimë ne që ata „të burgosur të ndërgjegjes“ nuk kanë bërë krime, qoftë edhe me propagandë kundër atij pushteti, i cili hapur e kish deklaruar veten DIKTATURË?! Veç kësaj, pse nuk janë RIBËRË gjyqet e atyre „të dënuarve të ndërgjegjes“, në mënyrë që, për secilin, individualisht, të vërtetohet se nuk ka qenë keqbërës?! Të gjithë e dimë se është rregull juridik që: një i dënuar mund të shpallet i pafajshëm vetëm atëherë kur pafajsia e tij të jetë vërtetuar gjyqësisht, jo nga një gjykatë e manipulur, por nga një gjykatë e mirëfilltë. (Ec e gjeje një të tillë!)
Grupi i pestë i pyetjevet: Kombi shqiptar është i vetmi në Gadishullin e Ilirisë, pothuajse qind për qind PROPERENDIMOR. Pse nuk na “PAGUAN” Perendimi ne shqiptarët për këtë orientim tonin PROPERENDIMOR?! Të na “PAGUAJË” me INVESTIME, jo me rroga badiava! Të tjerët janë gati të na paguajnë dhe po na paguajnë, me para në dorë dhe në forma të tjera, që të bëhemi pjesë e tyre. Mjafton të mohojmë gjuhën dhe kombin tonë, ose të pranojmë radikalizmin islamik apo ortodoksinë greke, dhe paratë na jepen muaj për muaj! Mjafton të bëjmë politikë prosllave, qoftë edhe duke folur sllavisht në familjet tona, dhe na sigurohen të gjithë privilegjet! A e di Perendimi që, kur të mos ketë më shqiptarë të mirëfilltë në këtë gadishull, Evropa Perendimore do të jetë praktikisht e rrethuar edhe nga krahu i Adriatikut dhe Mesdheut dhe ekzistenca e saj do të jetë REALISHT e rrëzikuar?! Nga vitet 1969 e këndej, për një çerek shekulli, Rusia nuk e rrëzikoi dot Perendimin nëpërmjet Republikës së Shqipërisë, sepse Enver Hoxha ia pat vënë Rusisë kufirin te thana. Përse nuk e dekoron Perendimi Enver Hoxhën PËR MERITA TË JASHTZAKONSHME NË MBROJTJEN E MESDHEUT DHE TË KREJT EVROPËS PERENDIMORE NGA INVAZIONI RUS?! Dekorimi i Enver Hoxhës nuk do të risillte komunizmin në Republikën e Shqipërisë. Dekorimi i Enver Hoxhë thjeshtë do të kultivonte krenarinë kombëtare ndër shqiptarët.
A e dinë qeveritë tuaja, Zoti D.Lu dhe Zonja R.Vlahutin, që ne shqiptarët do të jemi në krah të vendevet të tyre vetëm atëherë kur ata vende, ME FINANCIME KONKRETË, të kenë siguruar ruajtjen e gjuhës sonë, të kulturës sonë dhe të ekonomisë sonë kombëtare?! Përndryshe Perendimi s’do të ketë më aleat organik e të sinqertë në këto hapësira! Nuk e dinë! Janë të ngushta qeveritë tuaja, në politikë dhe në gjykime! Prandaj merren, ngre e lësho, me një Saimir Tahir, i cili e shumta mund të ketë prishur pakëz pazaret e bosavet të drogës në Perendim. Duke sulmuar një Saimir Tahir këtu në Republikën e Shqipërisë, ju s’bëni tjetër, veçse mbroni bosat e mëdhenj të drogës, që janë shtylla mbajtëse të pushtetarëvet të pandershëm në shtetet tuaj.
Gjokë Dabaj, Durrës 3 qershor 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura