Prishtinë, 17 janar 2021: Hyrje, pa dalje: Gjykata Kushtetuese e Kosovës , ma një vendim krejtësisht politik dhe jashtë çdo logjike juridike që e rrëzuan qeverinë e kryeministrit Hoti dhe ia mohuan Albin Kurtit dhe të tjerëve të drejtën për t’u zgjedhur e shkatërroi konceptin e të parit në sistemin tonë proporcional duke e bastarduar dhe duke e bërë të pavlerë votën e lirë dhe fituesin e zgjedhjeve , Pa ndryshim të Kushtetutës së Kosovës dhe një reformë rrënjësore të sistemit zgjedhor ( pati filluar më parë por nuk ka përfunduar kurrë ) po i jepen goditje të parikuperueshme demokracisë në Kosovë duke e futur vendin në një qark magjik e që zbaton urdhërat e konjukturave politike. Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat ta çojë vendin në zgjedhje , të ngatërrohet në çështje politike apo të dënojë vetëm një segment ( Kuvendin e Kosovës ) në zinxhirin e segmenteve përgjegjëse , si KQZ , Gjykata Supreme etj. Gjykata Kushtetuese e Kosovës është kompromituar rëndë për faktin se për rrëzimin e qeverisë Hoti për shkak se vota e deputetit Et’hem Arifi është cilësuar e pavlefshme sikur që vendimi për refuzim të kandidimit të Albin Kurtit , Albulena Haxhiu , Donika Kadaj – Bujupi , Faton Topalli dhe të tjerëve , në mes të tjerëve është votuar edhe nga një gjykatës i Gjykatës Kushtetuese , përkatësisht Mirosllav Llaban i cili ishte dënuar dhe mbajtur një pjesë të dënimit për shkak të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal dhe korrupsion sikur që ekzistojnë dyshime se është nën kërkim ndërkombëtar. Kjo nuk do të ndodhte në asnjë vend të botës , së pari të zgjidhet një i dënuar për krim të organizuar si gjykatës i Gjykates Kushtetuese e pastaj , po i njëjti të përmbysë qeverinë e Kosovës sikur edhe t’ua mohojë të drejtën për t’u zgjedhur kandidatëve që në zgjedhjet e fundit kanë fituar thuaja 350.000 vota. Tmerr !
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 kanë votuar 826.000 votues prej të cilëve mbi 750.000 kanë votuar për LVV , LDK , PDK , AAK dhe NISMA . Tri partitë më të votuara morën : LVV -29 deputetë , LDK -28 deputetë dhe PDK – 24 deputetë. Nuk e besoj se numri i votuesve rritet më shumë se 100.000 , në rastin më të mirë andaj në bazë të saj edhe mund të bëhen kalkulime të mundshme për zgjedhjet e ardhshme gjithnjë duke e përcjellur trendin që , duket se shkonë në favor të LVV –së por se thuaja është e pamundur që LVV të fitojë 50% të votave që i bie dikund afër 60 deputetë. Për të ndodhur kjo , duhet të shemben shumë LDK dhe PDK kurse AAK dhe NISMA duhet të mos e kalojnë pragun. Edhe bërja publike e listave të kandidatëve për deputetë tregon qartë se nuk mund të ketë lëvizje dhe ndryshim aq drastik të votuesve në favor të një partie dhe kundër partive tjera. Shkojmë sipas një renditjeje logjike dhe gjysmëfaktike :
1. VETËVENDOSJE : Lista e LVV-së i ngjanë gjellës turli – jemek. Ka aty gjithçka : të majtë deri në ekstrem , djathtistë , nacionalistë , monarkistë , enveristë , liberalë , anarkoliberalistë , anarkistë , fundamentalistë dhe të tjerë. Ka kandidatë që i ka gërryer koha dhe të tjerë që po e gërryejnë kohën. Ka patriotë të vendosur dhe të tillë që patriotizmin e përdorin për pushtet. Ka ish të burgosur politikë por edhe të tillë që kanë kontribuar në burgosje të patriotëve përmes paraardhësve të tyre biologjikë. Diapozoni politik shtrihet midis filozofisë politike të Hasan Prishtinës dhe destruktivitetit politik të Sllavoje Zhizhekut. Ka të tillë që kanë luftuar me dhe për Adem Jasharin por edhe të tillë që e kanë luftuar Adem Demaçin. LVV e krijoi një epërsi të madhe psikologjike me fitoren , pa balotazh në Podujevë dhe tash pretendon se i fiton 50% të votave . Me prurje të reja ; Armend Muja , bashkë me Besnik Bislimin, për mua do të ishte befasi e madhe nëse nuk bëjnë sondazhe ku do të fitonin së paku 75 % të votave që , përkthyer në deputet janë afërsisht 90 deputetë që ua mundëson ta zgjedhin Vjosa Osmanin presidente dhe ta nxjerrin nga loja Listen Serbe. Po të ndodhte kjo “ mrekulli “ ,atëherë LVV , me haxhiavdylët e LDK-së do të kishin mundësi të merrnin të gjitha vendimet. Por kjo është në domenin e fantastikës shkencore. LVV ka kandidatë shumë të mirë dhe të kualifikuar për deputetë por ja se duhet të punojnë që edhe iniciativa S’ GUXO të marrë diçka nga kjo tortë . Pastaj , edhe dhelpra e madhe e politikës kosovare , Mimoza Kusari nuk bënë e të mos e ngjyej pakëz pushtet ! Në dëm të ndonjë aktivisti të LVV –së që natë e ditë ka punuar për Lëvizjen. Nepotizmi është i theksuar në listen e LVV –së dhe , në këtë drejtim asgjë nuk ndryshon nga partitë tjera kurse , mendoj se pikërisht këtu LVV është dashur ta bëjë një prerje dalluese nga partitë tjera , aq më parë që fitoren , edhe ashtu do ta kishte të garantuar. LVV është favorit absolut për t’i fituar zgjedhjet. Albin Kurti po punon në rritjen , mirëmbajtjen dhe promovimin e imazhit të Vjosa Osmanit , e që , po të paraqitet nevoja , me lehtësi do ta rrëzojë ate. Vjosa Osmani është dhe do të mbetet peng i Albin Kurtit nga i cili , nëse nuk i fiton votat e mjaftueshme për presidente atëherë , së paku , mund të rizgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës prandaj edhe ky hyrë në listen zgjedhore të LVV sepse , pa u zgjedhur deputete , nuk mund të zgjidhet as kryetare. Vjosa Osmani , e vetme ka një peshë politike të pakontestuar , si Iniciativë S’GUXO , pesha specifike është e ulët. Ka pak ushtarë dhe njohës të politikes ; Haxhi Avdyli , si mjek është huqje në politikë , Donika Gërvalla mund të kalojë si deputete por jo edhe në ndërtimin e raporteve bashkëpunuese me subjektet tjera ndërsa , Faton Peci , si pasardhës i Isa Boletinit mund të jetë kontribues , nëse lind nevoja për të rrokur armët . Për dallim nga Isa Boletini që e ngriti Flamurin në Vlorë , Faton Boletini nuk pati guxim ta ngerjë flamurin e Iniciativës GUXO në KQZ-së . Do të ishte mëkat dhe padrejtësi nëse Albin Kurtit dhe të tjerëve do iu mohohet e drejta për t’u zgjedhur. Albin Kurti , nëse i fiton më shumë se 40 deputetë mund të votohet për kryeminister i Kosovës por , jam i sigurt se do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Nëse LVV nuk e fiton shumicën e nevojshme për të formuar institucionet ashtu siç po e mendon , atëherë Albini do të provokojë zgjedhje të reja , derisa t’i rraskapisë kundërshtarët politikë. Albin Kurti dhe LVV kanë ndryshuar dhe kanë sjellje tjera , më konstruktive krahasuar me zgjedhjet e fundit e që është kualitet . Mendoj se , qysh tani , nëse nuk kërkohet provokimi i një krize të re institucionale , Albin Kurti dhe LVV duhet të përcaktohen për një partneritet me një subjekt politik shqiptar. Nuk ka zgjidhje tjetër !
2. PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS : PDK është goditur shumë nga Gjykata Raciste e Hagës të cilës , më shumë , së paku për momentin i intereson efekti politik se ai i realizimit të drejtësisë. Arrestimi i krerëve të UÇK-së dhe institucionalë prodhoi efekte dhe pasoja politike duke shkaktuar krizë dhe kriza institucionale. Kohëve të fundit PDK ka patur aktivitet të shtuar në terren ndryshe , do ta lanin hanin! Ka prurje të reja nga fusha e mediave dhe shkencës që , pa asnjë dyshim e rrisin cilësinë e komunikimit mirëpo nuk mund të llogarisin se janë mbledhës të votave. Përkundër goditjeve të vazhdueshme nga jashtë ( Gjykata e Specializuar për Arrestime në baza Etnike ) dhe nga kundërshtarët brenda Kosovës , duket se PDK , pa pasoja të mëdha dhe pa çarje të mëdha e ka kaluar këtë sfidë. Në zgjedhjet e ardhshme PDK –ë ka përparësi se nuk i vendosë vija të kuqe asnjë subjekti poiltik dhe se është në poziten e viktimës. Në anën tjetër i ka , së paku 35 kandidatë për deputetë që çkyhen për të siguruar vota për vete dhe , në këtë mënyrë sigurojnë vota edhe për partinë. Dobësia e PDK-së është se në vendet që llogariten si bazenë të votave , sidomos në Pejë , Gjilan dhe Prishtinë , nuk qëndrojnë edhe aq mirë! PDK –ë nuk mund të bjerë shumë dhe , nëse arrinë t’i mbrojë votat e zgjedhjeve të kaluara , është në kalë ! Listen e ka ruajtur nga brumi i së kaluarës dhe po bënë përpjekje ta fisnikërojë këtë brumë me prurje të reja. PDK duhet ta tejkalojë rivalitetin në Skenderaj duke e arritur një kompromis për postin e kryetarit të Kosovës. Me nominimin e Vjosa Osmanit për presidente , realizimi i këtij kompromisi është bërë më i lehtë. PDK –së nuk mund t’i marrin vota LDK, AAK e as LVV por mund t’i marrë pak vota NISMA . PDK ka elektorat të qëndrueshëm e që , edhe në zgjedhjet e radhës nuk do të lëvizë shumë.
3. LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS : Ndihmen dhe përkrahjen më të madhe LDK-së ia ka dhënë Vjosa Osmani duke garuar në Listen e LVV –së. Nga largimi i Vjosa Osmanit LDK nuk dëmtohet kurse nga largimi i Haxhi Avdylit do të pësojë tronditje. Po të ishte larguar , ta zëmë para 5 muajve Vjosa Osmani nga LDK-ë dhe po ta kishte regjistruar menjëherë Iniciativen Politike, me siguri se do ta dëmtonte shumë LDK-në dhe sot , pa asnjë dyshim do ta kalonte pragun. Kështu , duke mos mbetur as peshk ( LDK ) e as mish ( LVV ) , Vjosa Osmani nuk do ta dëmtojë LDK-në. Jam i sigurt se asnjë votues konservator i LDK-së nuk do ta votojë Vjosa Osmanin për faktin se e ka të qartë se e voton LVV –në dhe Albin Kurti. Lista për deputetë e LDK-së është kompakte dhe e respektueshme për faktin se asnjë politikan me peshë e që është menduar se do të bëhet pjesë e iniciativës së Vjosa Osmanit , nuk e ka lëshuar LDK-në. LDK –ë ka përparësi se ka vota shumë në bazenet ku ka më së shumti vota dhe në disa komuna ku lehtësisht i fiton zgjedhjet. Edhe në variantin më të keq nuk e besoj se LDK –ë mund të bjerë nën 23-24 deputetë. Ka ministra që shumë mirë e kanë menaxhuar pandeminë duke vepruar , jo nga posti politik por nga përgjegjësia ndaj qytetarëve , pa bërë asnjë dallim sikur që ishte ministri Zemaj. LDK –ë ka përparësi shakaku se gjatë mandatit të saj qeverisës , me përkrahje të opozitës është miratuar Buxheti i Kosovës dhe Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. LDK ka elektorat tradicional që nuk e lejon të shembet në zgjedhjet e ardhshme. Ka politikanë të rinjë që bëjnë politikë sikur edhe politikanë të gjeneratës së mesme dhe të vjetër që mbledhin vota dhe garantojnë qëndrueshmëri.
4. ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS : Mund të jetë partia më e përshtatshme dhe ajo që vendosë për koalicionin e radhës paszgjedhor . Sikur LSI në Shqipëri. Udhëheq pushtetin lokal në 6 komuna të Kosovës ku ka siguruar votues . Dikush po parasheh që do të bjerë shumë apo , madje ka të tillë që e vënë në dyshim edhe kalimin e që , për mua është krejtësisht joreale. Në rastin më të keq AAK –ë do t’i ketë 10-12 deputetë . Për dallim prej subjekteve tjera politike , hiç këtu LVV , AAK –ë ka liderë , Ramush dhe Daut Haradinaj , fjala e të cilëve nuk bëhet dysh dhe se vendimet që i marrin janë të pakundërshtueshme.
5. LISTA SERBE : Në çdo vend ku sundon ligji , Lista Serbe do të ndalohej me ligj për faktin se nuk i njeh institucionet e Kosovës , se haptasi deklarohet se kryetari i saj ësht Aleksandar Vuçiqi dhe se shteti i tyre është Serbia dhe jo Kosova. Lista Serbe , përmes shantazhit dhe frikësimit i ka eliminuar të gjitha partitë serbe dhe serbët që janë integruar apo duan të integrohen në institucionet e Kosovës. Lista Serbe ka qenë bartëse dhe mbështetëse e të gjitha aktiviteteve kriminale në Veri të Kosovës si dhe dyshohet se e kanë vrarë , përmes eksponentëve të tyre Oliver Ivanoviqin. Lista Serbe aktualisht i ka të siguruar 10 deputetë por se është duke bërë përpjekje të sigurojë edhe më shumë deputetë duke joshur kandidatë për deputetë të komuniteteve pakicë joserbe.
Prandaj , mos u çuditni nëse pas zgjedhjeve të radhës Lista Serbe do të ketë më shumë deputetë me ç’rast i rritet kapaciteti destabilizues dhe shantazhues .
Kandidimi i Vasfije Krasniqit – Godman për deputete : Vasfije Krasniqi – Godman është e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës dhe shquhet për një guxim të jashtëzakonshëm duke dëshmuar botërisht dhe duke u bërë zëri i grave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Dëshmia dhe guximi i saj i tejkalon përmasat kosovare duke u bërë zëri i të gjitha grave të botës të cilat u dhunuan seksualisht. Vasfije Krasniqi – Godman u bë pjesë e garës për deputete të LVV –së. Mendoj se Vasfije Krasniqi – Godman duhet të jetë mbi të gjitha subjektet politike duke mos u bërë pjesë e asnjë liste politike për faktin se , si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë u shndërrua në simbol të qëndresës për të gjitha gratë sikur që kontribuoi më shumë se çdo politikan i Kosovës. Roli i Vasfije Krasniqit – Godman në Kuvendin e Kosovës do të relativizohet për faktin se pikërisht Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Njohjen e Statusit të të Mbijeturave të Dhunës Seksuale dhe se asnjë deputetë i Kuvendit nuk e vë në dyshim sakrificën e tyre.
Mendoj se roli i Vasfije Krasniqit – Godman do të fuqizohej nëse ajo , në kuadër të Ministrisë për Punë të Jashtme do të shpallej Ambasadore për të Drejtat e Njeriut dhe të Viktimave , do të kishte përkrahje të plotë financiare dhe profesionale për të vizituar të gjitha vendet e botës për të fuqizuar zërin e grave të dhunuar në Kosovë gjatë luftës së fundit. Ky do të duhej të ishte misioni i vërtetë i Vasfije Krasniqit – Godman dhe vetëm në këtë rast do të materializohej kontributi i saj në demaskimin e krimeve të Serbisë dhe jugosllavisë në Kosovë që dhunimin e kanë përdorur si armë lufte. Roli i deputetes në Kuvendin e Kosovës nuk ia mundëson këtë rol dhe këtë kontribut !
Edhe pas zgjedhjeve të Shën Valentinit , të shpallura nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe Gjykata Speciale Raciste e Hagës, nuk e besoj se do të ketë përmbysje apokaliptike të votës . Mirëpo , nëse ndodhë kjo përmbysje , pa asnjë dyshim duhet të pranohet vullneti i votuesit. Unë , pa asnjë problem do ta bëjë këtë duke e uruar fituesin dhe fituesit !
17 janar 2021 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA