Verë, 2021 Berlin
Krushq të shkrirë…
(Mbi fronin e poshtërimit)
Nga Rexhep Kasumaj
1.
Dikur moti, në kohët që, më pas, do të përbuzen me neveri e mallkim, femra e viseve shqiptare martohej me ndërmjetësim. Sidomos në rrezen alpine a kanunore të tyre.
Dashuria ishte ndaluar. Por më parë se mëkat, për vajzërinë arbërore hirësi e saj bënte një rrezik. Mnerin vetë. Matej shpesh me hijen e vdekjes.
Ndaj, gjithçka përfundonte në dorën e një plaku të shuar shpirti për ndjeshmërinë e vrullit rinor.
Ishin tjerrë norma morale, madje juridike të Kanúsë së lashtë, që përfilleshin rreptë. E, natyrisht, dhe institucioni i ndërhyrjes për t’i bashkuar në lidhjen e jetës ata që nuk ishin njohur kurrë.
Ndërmjetësi quhej shkues ose mësit (në Kosovë), kurse puna e kryer ishte shkuesi, mësitni apo mblesëri.
Peshore për shkuesinë nuk kishte, por shpërblesa pasonte përpjestimisht me gjendjen ekonomike të nuselypësit, rangun e mikut të ri dhe, sigurisht, nga bukuria e vashës që priste orën e saj.
Ndonëse shpesh në pritje ankthi se ç’i kishte rezervuar fati, martesa e kryehershme e vajzës sërish ndryshon themelsisht nga një shfaqje e saj e vonë.
Atëbotë nusja gatiste pajën e mbështjellë me qenar dhe, prapë, megjithë shtrëngesën, gëzohej tek shihte dasmorët rrethit malit…E kur vente në oxhakun e tjetrit, ulej në tryezën e virtytit dhe i jepte deshmi tokës së vjetër ilirike.
2.
Ndër vite pastaj, sistemi tjetër shoqëror, njëj të drejte e kulture të re, ligjëroi vullnetin e lirë të femrës për dashurinë.
Tirania patriarkale fironte ngadalë. Dhe femra merrte pjesë drojshëm në fatin e vet.
Tani, ndërkohë, si një substitut i shkuesisë, janë themeluar kudo forma mondane të saj. Rrjete socialë, e sidomos, grupe kontaktimi të veçantë, afrojnë dertarë në bashkëjetesë mes tyre.
Megaqytetet e paskaj ku ndjehesh i përhumbur, anonimiteti dhe vetmia sociale, sikur i japin nëvojshmëri kësaj instance mësitnore të motit të ri…
3.
Mirëpo, midis tyre qerthullon një mblesëri hibride: merr nga të dyjat, por anët shëmtuara të tyre.
Madje, ka një përmasë dramatike për etninë dhe përtëritjen e saj jetike.
Të ngrirë qindra vjet, krushqit tashmë janë shkrirë…Veçse pa flamuj, djalë qerreje e krushkaparë…
Në vend të tyre, së fundmi janë fantazmat që shfaqen me ftyrë të këndejme tokësore shesheve të mizorisë. Vajza nga Shqipëria veriore martohen në Serbi (disa për serbë Kosove!) me ofertë agjencish dhe, kësodore, duke braktisur tharkun, lëkurëndyrët ngrejnë mbi kurorën fatkeqe kullën e kamjes plot shkëlqim.
Sepse, ndryshe nga shkuesia e hershme që shpërblehej simbolikisht ose fare, tani ndërmjetësi ka një tarifë të prerë për mundin kontraktual. Njësoj si për mallin e tregtuar: miell, tjegulla, perime, hekur, llokume, teknikë sanitare. E të tjera.
Rrjedhimisht, femra shqiptare, thjeshtë, shitblehet. Ka çmimin fillestar, por pazari, si rëndom, mund t’a ndryshojë atë. Sidoqoftë, kontrata nuk dështon asnjëherë dhe udhët çojnë gjithnjë andej, në thellësitë e tretura të Serbisë!
Më kujtohet kur, po kështu, shqiptarët e Dukagjinit blinin gra në pjesën malazeze të Sanxhakut boshnjak. Kur i pyesnin pse atje, thoshin atë shprehjen e njohur bajate: e mora lirë mbas bjeshke! Në fakt, ato qysh në brezin e parë ose të dytë pararendës rridhnin shqiptare. Kishin shpirtësi e kujtesë të tillë që rikthehej shpejt në gurrën e humbur…
Martesa e femrës shqiptare në Serbi, ndërkaq, është e një natyre a përmase krejt tjetër: as njëjtësi me mblesëritë e shqiptare, as me “nuset e mbasbjeshkës” boshnjake.
E pra, është një fatkeqësi e dyfishtë. Një shtrat përlindës ndër fshatra serbe që i vret murtaja e bardhë dhe, poaq, poshtërim kombëtar, më i ulti i të gjithëve.
Kanë shnjerëzuar femra në Kosovë, e tani serbët blejnë e, poashtu, shnjerëzojnë femra të Shqipërisë. Dhe shkallëzimi i së ligës është kaq komplementar në pikëllimin e vet. Ndërsa shnjerëzimi i t’parës kryhej në tymnajë lufte, i të dytës ushtrohet vullnetlirshëm në trajtën e ftohtë merkantile.
Duke përtallur gjakun e të rënëve shqiptarë, ato – sa trishtim – nxitojnë drejt klasit të dytë qytetar dhe një roli makine që prodhon brez pasrendës për vrastarët e tyre. Çfarë deshpërimi të imagjinosh tek, si çobaneshë e devotë, ajo ruan derrninë pranë një varreze masive ku nën dhéun e zi fshehen gëzime t’pajetuara fëmijësh të gjuhës dhe kombit të vet martir!
Por ja që dhimbja tyre, sheh më mirë se sytë nusëror dhe balta veshtullore e udhës së largët që rëndon hapat vragëthellë…Ah, ju t’pagojë në pluhnajën armike dhe ju robina të shekullit të ri! Ç’takim ironik në tragjikën e tij: pa prekje, pa përqafim, pa fjalë, pa lot, pa ndjesë, pa lamtumirë e pa kujtesë!
Po ç’thonë serbët për këtë fron krushqie të pabesë? Heshtin? Jo, asnjëherë! Të etur gjithmonë për vuajtje arbnore, ankohen rrejshëm se Shqipëria e madhe kërcënon sërish: ka nisur të shtrijë kthetrat në hullitë e Rashës.
Poashtu, si plotësim mozaiku të ironisë, një vjehërr diku afër Prizrenit bën vaj që nusja shqiptare u flet fëmijëve në gjuhën e vet…E kjo domethënë, e gjora paskësh shkelur ndonjë dispozitë të kontratës së lumnisë. Ose kodin e traditës serbiane…Veçse të kthyer mbrapsht qëmoti: aherë kur zotërinjtë e parë shndërroheshin në shërbëtorë të vonë!
4.
Deri kur, vallë, shqiptarët do urrejnë qenien e vet?!
Të pushtohesh, digjesh e dëbohesh nga trualli është një fundbotëshmëri…E përjetuar në Rende e nga armiqë të ndryshëm tejendanë truallit etnik. Dhjetra herë. Së voni, në mbarim mijëvjeçari që purpuroi horizontin e lirisë.
Mirëpo, të shkretohesh vetë, duke shitur (si Antonio i Shekspirit që kthente borxh me copëra nga trupi i tij) jetë nga trungu etnik në ditë qetësie të gëzuar, është për të qarë me njëmijë palë lot..!
Aspak e çuditshme, ndaj, pse shtohen librat e gënjeshtrës në Bibliotekë. Pothuajse çdo bibliotekë paskësh një repart të tillë. Por ngreha e bestiarëve të gënjeshtrës në bibliotekën serbiane, është, padyshim, më e bujshmja e botës.
Tepria është mëkat. Veçse, si thotë Eko, jo vetëm tepria e fjalës, po dhe tepria e heshtjes!