PROGNOZIMET E LILIT PËR TË ARDHMEN ISHIN SHUMË BINDËSE
Nga Sabit Alidema
Shpeshherë kur rrinim bashkë me Lilin ose udhëtonim në relacione pak më të gjata apo pushonim në dhomën e miqve, duke lexuar shtypin ditor apo duke dëgjuar radion apo televizionin, bisedonim shumë gjëra me të, lidhur me gjendjen ekzistuese. Mirëpo, Lilit më tepër i interesonte e ardhmja e popullit të vet. Ndonëse të sotmen e shihte shumë të egër, të vështirë të zymtë, ai kurrë nuk binte në pesimizëm. Ai ishte optimist i madh dhe besonte e shpresonte për një të ardhme më të mirë e më të lumtur. Mirëpo, ai nuk mbështetej vetëm në besim e në lutje, por në punë e në veprim. Këtë e kuptoja nga rrëfimet e predikimet e gjata. Ndonëse shpesh i shqetësuar nga zhvillimi i ngjarjeve dhe politikës aktuale, ai fliste me besim e vendosmëri për një të ardhme të lumtur.
– O Bit, fati i shqiptarëve është në duart e vetë shqiptarëve. Sepse nuk bëhet “Vreshta me urata, po me shat e me lopata” – thotë një fjalë e urtë popullore. Prandaj, ne vetë mund ta bëjmë mirë dhe mund ta bëjmë keq gjendjen tonë politike. Nuk fitohet liria pa gjak, pa luftë e pa sakrifica të mëdha.
– Cili popull në botë, o Bit, ka fituar lirinë pa gjak, pa luftë e pa sakrifica? – Asnjë. Prandaj, rruga e lirisë është sa e vështirë aq edhe e gjatë, aq e mundimshme aq edhe e përgjakshme. Por fitorja ëshë e sigurt dhe liria e pashmangshme.
Lufta për çlirim kombëtar nuk është synim vetëm yni, nuk është qëllim i sotëm, por është ideal i kahershëm, qe dymijë vjet. Duke filluar që nga Ilirët, stërgjyshërit tanë e deri në periudhën e Skënderbeut, Lëvizja e Rilindjes Kombëtare, e udhëhequr nga krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kryengritjet e viteve 1908-1910 dhe 1912 kundër Perandorisë Osmane dhe pushtimit serbomalazez.
Ty duhet të kujtohet Lëvizja Kombëtare në Kazanë e Gjilanit e udhëhequr nga udhëheqësi dhe strategu Idriz Seferi-Kreshniku i Karadakut për të cilin në vazhdime të fejtonit të vet ka shkruar historiani ynë i mirënjohur Sadulla Brestovci”, pastaj edhe për Islam Pirën, Zeqë Pirën, Kurtesh Kurteshin, Hamdi Kurteshin e Ramë Abyl Pozheranin ku zë ngoje edhe shumë luftëtarë të Anamoravës. Prandaj, nga kjo del o Bit, se Pozherani e Anamorava gjithmonë ka dhënë burra luftëtarë për çështje kombëtare. Përpjekjet për çlirim kombëtar dhe lufta për liri nuk pushoi kurrë. Të këtilla janë edhe kryengritjet e viteve 1921 e deri më 1944 – 45 kundër partizano – çetnikëve.
Shqiptari nuk e ka lëshuar kurrë pushkën prej dore paralel me parmendën. Dhe kjo luftë e gjatë dhe e egër, kurrë nuk do të pushojë, o Bit! Kjo luftë, e këto përpjekje të popullit tonë do të zgjasë deri në fitore të plotë, deri në çlirimin nga zgjedha serbosllave. Pavarësisht nga çmimi, pavarësiht nga sakrificat, kthim prapa nuk ka.
– E kemi për detyrë o Bit, që na si intelektual të arsimuar e me vetëdije më të lartë t’i prijmë këtij populli, ta mësojmë e ta orientojmë në rrugë të drejtë – në rrugën e lirisë, sepse përndryshe do të na dënojë historia, do të na akuzojnë brezat që vijnë pas nesh, do të na akuzojnë fëmijët dhe nipat tanë.
Është turpi ynë, nëse ne dorëzohemi para armikut. Këtë nuk duhet të lejojmë kurrë. Sepse më mirë, nesër është të krenohen me ne fëmijët e nipat tanë, sesa të turpërohen. Mirëpo, rezistenca e lufta nuk bëhen vetëm me fjalë, por me veprim, me rezistencë e me sakrifica, duke ia dhuruar popullit e atdheut edhe gjënë më të shenjtë e më të shtrenjtë – jetën.
Ai shpesh m’i komentonte ngjarjet më aktuale politike në Jugosllavi e në Kosovë. Kështu për gjendjen e vështirë politike në Kosovë, për shkeljen e të drejtave njerëzore e kombëtare, Jugosllavisë i tërhiqej vërejtja, siç ishte apeli i Asamblesë së Evropës.
– Tani o Bit, le ta dijë jo vetëm Jugosllavia, por e tërë bota se tani po hyjmë në shekullin XXI, kur njerëzimi e teknika ushtarake ka shkuar aq larg se kolonializmi gjithkund në botë po perëndon, ndaj ka ardhur koha dhe momenti që edhe Kosova t’i dërrmojë e t’i këpus vargonjt e robërisë shekullore.
Prandaj, unë shpresoj se tani ka kaluar koha kur njerëzit janë zhdukur pa gjurmë, pa namë e pa nishan, pa u njoftuar për këto padrejtësi edhe mbarë opinioni botëror.
Për të aktualizuar gjendjen e vështirë politike të Kosovës, punuan me vite të tëra, në Kosovë e në Evropë dhe ranë viktimë e UDB-ës jugosllave, vëllezërit Gërvalla, Jusuf e Bardhosh Gërvalla me Kadri Zekën, duke mos bërë hetime të hollësishme organet shtetërore të Evropës u bënë të shurdhët.
Në Kosovë po mbretëron skamja e varfëria, papunësia e kushtet e vështira sociale politike. Ndonëse Jugosllavia merrte ndihma nga OSBE-ja e UNICEF-i, ajo i shfrytëzonte këto ndihma në emër të Kosovës, por në favor të popullatës së vet serbo-malazeze. Kështu kësaj skamjeje, kur i shtohej edhe dhuna e terrori, gjendja bëhej edhe më e vështirë, bëhej e padurueshme, duke arritur në kufijt e shpërthimit të revoltës e pakënaqësisë. Meqenëse popullit i kishte ardhur shpirti në fyt, në Kosovë po ziente e vlonte gjithçka. U zunë disa uniforma të UÇK-ës, shumë policë shqiptarë u revoltuan dhe braktisën uniformat jugosllave. Shumë policë shqiptarë filluan të organizohen, por 80 prej tyre u zunë, kurse 3-5 veta prej tyre u dënuan.
Për këtë ngjarje sigurimi i Brendshëm i Serbisë e quajti dështim të plotë. Kjo dëshmon se faktori shqiptar po organizohej dhe po vepronte me një unitet dhe konspiracion shumë të lartë.
Mirëpo, Serbia dhe organet sekrete serbe po përhapnin dezinformata, po mbillnin frikë dhe panik tek populli shqiptar. Madje, ata te disa miq të tyre propagandonin që sa më parë të lëshonin Kosovën, duke u thënë: “u tebi imam poverenja – bezhi sa Kosova! (Në ty kam besim, ndaj sa më parë ik nga Kosova”!)
– Jemi në udhëkryq Lili; Kjo është shumë e rrezikshme. Duhet luftuar këto dezinformata. Dikush duhet t’u flasë këtij populli. Pra, duhet të flitet gjithkund jo vetëm në tubime politike, tubime të rastit, por edhe nëpër xhamia e kisha, popullit duhet t’u flasin përfaqësuesit e tij në të cilët ai ka besim, hoxha e prifti, pra edhe paria e kleri fetar për të ndaluar shkapërderdhjen e popullit kah sytë – këmbët, duke u shperndarë anembanë botës.
Populli ynë sa është i lashtë aq duhet të jetë i fortë dhe me rrënjë e gëdhenj, duhet të jetë i lidhur për trualli të vet. Ky vend s’është pa zot.
– E kush duhet t’i dalë zot Kosovës?
– Duhet t’i dalim ne, çdo shqiptar, duhet të luaj rolin e ushtarit, rolin e ruajtjes së trallit, të pragut familjar e kombëtar, t’i dalë zot vatrës familjare siç veproi ai i Prekazit (Tahir Mehaj).
– Prandaj, ka ardhur momenti që të organizohemi për rezistencë ushtarake. Ne duhet të punojmë në fshehtësinë më të madhe, sepse spiunazhi i armikut ende është i fortë në radhët tona, do të thotë edhe ndër shqiptarë. Kjo çështje sot duhet të na preokupojë të gjithëve. Do të thotë duhet të jemi të gatshëm dhe të përgatitur për rezistencë ushtarake, pavarësisht nga pasojat e luftës, sepse luftë gjithmonë ka pasur dhe do të ketë. Dhe çdo betejë prfundon në disfatë ose në fitore të njërës palë ose të tjetrës, ndonëse secila palë hynë në luftë për të fituar o Bit! Por për këtë duhet përgatitje e organizim, gatishmëri e mjeshtri, vendosmëri e guxim. Në luftë nuk shkohet me dy mendje, ndonëse lufta ha njerëz, e nuk ha kashtë.
Mirëpo, çmimi i lirisë së atdheut është ndër çmimet më të shtrenjta. Ajo nuk blehet me para o Bit, por me jetëra njerëzish për të jetuar të lirë fëmijët, nipat e stërnipat tanë. Pasuria më e madhe e më e shtrenjtë që so t’u lëmë fëmijëve tanë është Atdheu i lirë o Bit-o!
– Kështu qëndron puna o Baci Bit.
Kosova kurrë nuk ka qenë stabile. Një stabilizim artificial e të rrejshëm ajo ka gëzuar në kohën e Titos. Mirëpo, armiqtë e jashtëm botëror gjithmonë janë përpjekur ta destabilizojnë nëpërmjet Jugosllavisë edhe Kosovën, e qëllimi i fundit ka qenë për ta spastruar Kosovën nga elementi shqiptar. Kështu derisa Jugosllavia synonte destabilizimin e Kosovës nëpërmjet Shqipërisë, Rusia pretendonte destabilizimin e Jugosllavisë nëpërmjet Shqipërisë e Kosovës.
– Ja Bito, kjo është kështu siç e kam kuptuar unë. E çka më tutje?
Ne folëm shumë për politikë, e politika nuk ka fund.
– Mirëpo, mua më duket o Lil, se janë kufizuar kontaktet dhe nuk janë përmbushur kërkesat dhe shpresat e popullit. Shtypi përhap gjithçka të paqena, pa e pritur përgjigjen e Lilit. Njeriu çuditet e tmerrohet, ndjen dhembje dhe fyerje kur disa nëpërmjet gazetës shajnë, fyejnë dhe poshtrojnë popullin tonë. Këta janë antishqiptarë, shqiptarë të humbur ose të shitur. Shtypi duhet të jetë më konkret dhe më demokrat.
Kosova po përjeton tmerre të luftës. Mirëpo, përkundër dëmeve të mëdha, vjedhjeve e plaçkitjeve, djegieve e rrënimeve drejt e objektivisht derisa e panë edhe vetë. Ndërkaq, shteti amë heshti, duke aktualizuar shumë pak çështjen e Kosovës në fillim të luftës.
Millosheviçi synonte të krijojë Serbinë e Madhe vetë.
Ëndërr e kahershme për çdo udhëheqës serbë, ideal i përhershëm e synim e qëllim parësor, ishte Perandoria e Car Dushanit, që jashtë lakmisë për të ndërtuar Serbinë e Madhe me territore të huaja. Njëri ndër ta i cili luftonte në këtë drejtim ishte Sllobodan Millosheviqi. Ndonëse Dobrica Qosiqi ishte kryetar i RSFJ-ës, kurse S. Millosheviqi, kryetar i Serbisë, ai i kishte marrë frenjt në dorë dhe sillej si perandor absolut, si udhëheqës i tërë Jugosllavisë. Ai Jugosllavinë thjeshtë e shihte si Serbi të zgjeruar, apo si Serbi të Madhe. Dhe në këtë drejtim ai jo që injoronte vetëm popullin shqiptar, por edhe popujt të tjerë të Jugosllavisë dhe Jugosllavinë në tërësi e konsideronte si inekzistente.Me këtë sjellje të haptë hegjemoniste serbomadhe e shoveniste, ai ndiqte rrugën e një fazhisoizmi dhe racizmi kombëtar.
“T’u rrit mendja bacë!” – thotë populli apo në mësimet kuranore ndeshim thënien: “Zoti pa ta rritur mendjen nuk ta then qafën”. Çka të mbjellësh – atë do të horrësh. Ai që mbjell urrejtjen do të korrë luftën. Ndërsa, ai që udhëhiqet nga mendjemadhësia-do ta pësojë disfatën. Prandaj, sa i mjerë e i gjorë është ai; i cili mendon se çdo gjë që është krijuar rreth tij – është krijuar për të. I këtillë ishte Millosheviqi i udhëhequr dhe i prirur nga kryelartësia e mendjemadhësia dhe arroganca politike e shkurtpamëse. Ai kërkonte në mënyrë absolute që në tërë Jugosllavinë të dëgjohej vetëm fjala e tij, të plotësohen vetëm synimet dhe apetitet politike të tij. Në këtë drejtim ai nuk zgjidhte as rrugë as mënyrë e as mjete për të kënaqë egoizmin e vet hegjemonist e shovenist, racist e fashist. Duke nënçmuar, duke injoruar, duke sharë e fyer popujt tjerë të Jugosllavisë, ai fitoi shumë armiq, të cilët një ditë do të hakmerren pamëshirshëm. Ai kishte shkelur drejtësinë dhe barazinë kombëtare e njerëzore, të popujve e të kombeve të Jugosllavisë, trimëronte pa të drejtë popullin serb, duke i thënë: – Juve nuk guxon t’u mungojë as një fije floku. Ai që prekë në ju do të ndëshkohet ashpër. Sepse ku ka serb aty është Serbi. Qoftë edhe një varr i vetëm apo gjurmë serbe – ajo është tokë serbe – kështu fliste kasapi dhe kryekasapi i Ballkanit, i cili me sjelljet e veta i kërcënohej tërë Ballkanit.
Mirëpo, pati burra që iu kundërvunë ashpër mendimit të këtij satrapi, siç ishte fjalimi i politikanit dhe funksionarit boshnjak Hamdija Pozdercit, i cili tha: – Njeriut të mirë, njeriut të drejtë e të ndershëm, që punon për të mirën e përbashkët, të shoqërisë nuk do t’i mungojë vërtetë as fija e flokut, por fajtorit do t’i shkojë edhe koka – e tha këtë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Mirëpo, këtë mendim për këtë fjali të vetme, ai e pagoi me kokë – me jetë. Ndonëse, e vërteta kurrë nuk u zbulua, ajo vetvetiu kuptohet. Kjo ishte një hakmarrje mafioze, një likuidim politik, që dilte nga përfundimet orveliane për lidhjet shkak-pasojë, për mendimet dhe veprimet e kundërta, që propagandonte Lenini: “Ai që s’është me ne – është kundër nesh”, dhe në këtë drejtim ky aktgjykim u rrinte njerëzve si shpata e Damokleut mbi kokë. Dhe kur do ta paguajn këtë faj të paqenë nuk varej nga funksionimi jurikik i shtetit, por nga një vendim politik i kreut të lartë apo i një diktatori, që udhëhiqet nga rregulla: “Nuk je yni, je fajtor!”, ky ishte ligji që në emër të të cilit u eliminuan miliona njerëz në shtetet socialiste, ku mbizotëronte diktatura komuniste. Sepse për komunistët ky ishte një qëndrim plotësisht i drejtë. Prandaj, aktgjykimet për ta ishin thjeshtë formale, atje ishin argumente të panevojshme. Viktimë e këtij qëndrimi u bë edhe politikani objektiv dhe i guximshëm, i cili vetëm pse shprehu qëndrimet e tij të drejta politike e të drejtën ligjore njerëzore, në favor edhe të popujve tjerë, e jo vetëm të serbëve të privilegjuar sipas Millosheviqit, ra viktimë e së drejtës njerëzore e kombëtare. Viktimë e së drejtës njerëzore e kombëtare o Bit – jemi edhe ne, Grupi i intelektualëve shqiptarë – dënuar më 1982, është rinia kosovare, janë studentët, është tërë populli shqiptar, i cili vetëm pse kërkon të drejtat e veta për ekzistencë, për zhvillim, për shkollim e emancipim, për vetëvendosje, për liri e pavarësi, që në start ende pa vepruar është fajtor përse është gjallë, përse është shqiptar, përse kërkon të njëjtat të drejta që gëzon edhe populli serb. Pakënaqësia dhe urrejtja ndaj sjelljeve racore e shoveniste të regjimit të S.Millosheviqit, do të shtohet jo vetëm te shqiptarët, të cilët shpërthyen në revoltë përse iu mor kushtetuta, por ajo do të akumulohet edhe te popujt tjerë të republikave jugosllave, si te Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Maqedonia e më vonë edhe te Mali i Zi, që do të presin momentin të shpërthejnë në një luftë të ashpër ndërmjet popujve sllavë të Jugosllavisë avonjiste. Sepse, është ligj natyror çdo krijesë artificiale, çdo shtet artificial, që mbahet me dhunë e terror një ditë do të shpartallohet. Kjo ndërtesë shtetërore artificiale, e vënë mbi apetitet hegjemoniste serbomëdha, ishte që në fillim një mikrob, që vepronte drejt shpërbërjes së kësaj perandorie sllavojugore, sepse nuk ishte krijuar mbi parimet e drejtësisë e barazisë së popujve. Ajo ishte burg i popujve dhe i pakicave kombëtare. Shpartallimi do të vazhdojë edhe në coptimin e parcializimit të mëtejmë jo vetëm të Jugosllavisë, por edhe brenda Serbisë, së cilës në radhë të parë po i prinë Kosova me përpjekjet e shkëputjes së saj. Sepse Kosova me dhunë e presion, me luftë e me gjak, me viktima të shumta, iu aneksua Serbisë, ndaj me luftë, me gjak, e me viktima, ajo do të shkëputet nga Serbia dhe do të fitojë lirinë dhe pavarësinë e saj.
TË KEQEN DUHET LUFTUAR ME TË GJITHA MJETET QË KEMI PA KOMPROMIS
Ndonëse, Evropa dhe bota ia tërhiqnin vërejtjen Jugosllavisë për padrejtësitë e saja ndaj popujve të tjerë jo serb, Serbia ishte hryeneçe në rrugën e saj hegjemoniste e shoveniste.
Ndonëse, gazetarët tanë e kanë luajtur rolin e tyre ashtu si duhet, duke i thënë gjërat në mënyrë objektive për të demaskuar mizoritë e regjimit serb millosheviçian, dhunën dhe terrorin që ushtronin paramilitarët e Arkanit, policia dhe ushtria serbe, ndaj popullit të pambrojtur shqiptar, masat e egra barbare ushtarake-policore dhe paramilitare vazhdonin me një tempo edhe më të shtuar.
– Ju lutem gazetarë keni kujdes që të mos dështoni para popullit dhe para historisë, sepse populli është kritik i rreptë…
Kur shkruani mos u nisni nga qëllimet poltroniste e serviliste për t’ua bërë qejfin atyre “lartë”, “funksionarëve”, “njerëzve të pushtetit”. Sepse duke iu bërë lajka atyre, i nxitni edhe më tepër të fortit që të ushtrojnë dhunë mbi popullin, mbi masën e gjerë, ndaj mos shkruani për ta fare. Por shkruani për popullin, për popullin e shtypur shqiptar. Ai pret prej jush që ta trimëroni. Nëse fjalën tuaj ia ofroni në mënyrë të sinqertë, në mënyrë të ngrohtë e vëllazërore, në mënyrë shpresëdhënëse, ju e forconi atë duke iu bërë krah atij. Populli është psikolog i pagabueshëm, ndaj ai me shpirt e me zemër do ta ndjejë këtë dhe do të pranojë si të veten. Ky është fati juaj që ju si gazetarë i ofroni populit tuaj në këtë moment historik. Do të thotë thelbësore është përmbajtja dhe kjo duhet të jetë përpjekje e vazhdueshme për vetë gazetarët dhe për lexuesit e tyre – për popullin tonë. Prandaj, mund të themi se te të gjithë ne si popull e si komb ekziston dëshira e përbashkët për liri e çlirim kombëtar. Mirëpo, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se rruga deri te ky qëllim është e gjatë, plot me gjemba dhe me sprova.
Shpesh ekzistojnë dilema në gazetari:
Ose të shkruhet për atë që është mençuri dhe maturi ose për atë që është e njerëzishme dhe e ndershme. Prandaj, duhet përmbajtur disa rregullave: sepse ka momente kur duhet heshtur e vërteta, por kurrë nuk guxon të thuhet gënjeshtra. E vërteta mund të thuhet më vonë por gënjeshtra e thënë njëherë, kurrën e kurrës nuk mund të përmirësohet. Duke filluar që nga viti 1989, gazetarët tanë qenë në nivel të duhur. Ata u rirreshtuan në anën e popullit. Mirëpo, kjo nuk mund të thuhet për disa gazetarë të Komitetit, të cilët mbanin krahun e pushtetit, krahun e sunduesit. Madje,jo vetëm gazetarët, por edhe një dorë kinse historianësh, duke ruajtur interesat e veta personale dhe për t’u hyrë në qejf klasës politike të pushtetit jugosllav, shkruan në mënyrën më negative për fytyrat më të ndritshme të patriotëve shqiptarë, si: për Bedri Pejanin, Halim Spahiun, Halim Oranën, Ajet Gërgurin, etj, hodhën gur e baltë mbi personalitetin e tyre. Kjo ose është dashur të heshtet për një kohë derisa ishin të anatemuar, ose të priten kohë të mira e të thuhet e vërteta për ta ashtu si u ka hije, e ashtu si e meritojnë. Sepse ajo është thënë prej atyre njëherë nuk mund të përmirësohet kurrë më. E nëse përmirësohet atyre më nuk u besohet. Sepse këta janë njerëz labilë, ndaj fjalët e tyre nuk kanë vlerë në popull. Për këta patriotë mund të shkruajnë, njerëzit e ndershëm, njerëzit objektiv dhe guximtarë.
Prandaj, nisur nga ky parim i fjalës së shkruar o Bit, unë ose e kam thënë dhe e kam shkruar të vërtetën ashtu siç ka qenë, pa e shtrembëruar kurrë, pavarësisht nga pasojat që do të kisha, ose nuk e kam thënë fare, e kam heshtur. Për një kohë të gjatë, duke pasur parasysh rrethanat e vështira politike shumë gjëra është dashur të heshten. Është dashur të priten kohë e kushte më të mira. Është dashur të pritet derisa të ngrihet vetëdija jonë kombëtare, derisa të vlojnë ndjenjat e flakta patriotike. Sot ky qëllim është arritur. Populli është vetëdijësuar, ai është unik ka një qëllim të përbashkët, ndaj sot ka ardhur koha vijimisht të flitet për çështjen tonë kombëtare, të flitet gjithkund e kudo. Sepse kjo shërben për një parapërgatitje edhe për të rrokur armët e për të shkuar në luftë.
– Unë këtë o Bit, e prita dhe po e përjetoj, ndaj ky ka qenë qëllimi im jetësor për të cilin kam folur tërë jetën. E sot duhet të flasin të gjithë, duhet të flasish edhe ti. Secili prej nesh duhet t’i kontibuoj çështjes së çlirimit kombëtar. Mirëpo, për çlirim kombëtar, duhet të organizohemi të gjithë për të formuar ushtrinë tonë çlirimtare. E kjo ushtri duhet të formohet nga populli, të ushqehet, të vishet e të mbathet, të armatoset e të udhëhiqet nga ushtrakë trima e guximtarë, por edhe të shkolluar, të cilët e njohin artin ushtarak. Prandaj, në këtë ushtri popullore ka vend për të gjithë: për të diturin, për të pasurin dhe për trimin e guximtarin. Sepse popullit e atdheut mund t’i ndihmohet në shumë forma e në shumë mënyra, por tri janë më të rëndësishmet: me dije e mençuri, me pasuri dhe me trimëri- sakrifica jetësore.
Prandaj, duke e luftuar të keqen në mesin tonë, përçarjet dhe hasmëritë, duke e mundur frikën, duke u bashkuar si vëllezër, e duke krijuar një unitet të pathyeshëm, duke pasur harmoni vëllazërore – ne bëhemi më të fortë, më të guximshëm. Kështu rrugën e gjatë e plot me gjemba e me pengesa mund ta kalojmë më lehtë dhe me më pak viktima. Mirëpo, ky popull duhet të ketë të parë, sepse aty ku nuk dëgjohet i pari, puna nuk shkon mbarë. Duhet të luftojmë për shtet, e jo për pushtet. Pa shtet nuk ka pushtet, sikurse që pa atdhe që nuk ka fe. Ne, fé e atdhé e kemi shqiptarinë, kemi Shqipërinë Etnike, e cila shërben si çati e përbashkët e të gjithë shqiptarëve. Prandaj, këtë shtëpi duhet ta ndërtojmë bashkë e ta gëzojmë bashkë. Ata që përpiqen ta rrënojnë shtëpinë e vet, ata janë tradhtarë të kombit – me ta kompromis nuk ka. Populli i ndarë në disa shtete nuk mund të shkoj në Evropë. Ne në Evropë mund të shkojmë vetëm si popull i bashkuar. E këtë kusht themelor e plotëson vetëm Shqipëria Etnike me të gjitha trojet e veta, ku flitet shqipja, e ku bukës i thuhet bukë, e ujit i thuhet ujë, deri atje shtrihet Shqipëria Etnike – Shqipëria e natyrshme. çdo intelektual duhet të luftoj pr këtë ideal, çdo shqiptar duhet të punojë për të ndërtuar shtetin e vet, ku ai mund të jetojë i qetë dhe i sigurtë, ku ai mund të punojë e veprojë dhe të përparojë në të gjitha sferat e jetës. Fuqia e popullit është e madhe, ajo është e pamposhtur. Vendosmëria e tij, puna e tij e vazhdueshme dhe lufta për liri këto ideale i bënë realitet. Madje, edhe bota e civilizuar kur ta shohin vendosmërinë tonë do të na çmojë e respektojë më shumë. Ajo për të ndërtuar paqen në Ballkan e në Evropë edhe do të na ndihmojë. Mirëpo, po nuk i ndihmove vetit nuk të ndihmon askush.
– Bit-o, unë po e ndjej se liria është afër – Kështu më fliste me bindje të plotë Lili i vendosur dhe optimist për një të ardhme të lumtur të popullit e të atdheut, të cilit me dëshirë e vullnet ia kushtoi tërë jetën e vet.
– VIJON –
______________
Halil Alidema – Meteorë Lirie (13)