KËSHTJELLA FUSHORE E BASHTOVËS NË KAVAJË
Nga Sheradin Berisha, Pashtriku – 13 Korrik 2021
Kavaja graviton në Shqipërinë e mesme dhe është nje qytet i ndërtuar në ultësirën bregdetare, që shtrihet në jug të gjirit të Durrësit dhe të Shkëmbit të Kavajës mbi një fushë të lagur nga dy lumenj të vegjël, Darçi në Jug dhe Leshniqe në Veri. Për herë të parë emri i Kavajës u përmend gjatë shekullit të XV me emërtimin Kavalje. Kavaja shtrihet në rrugën e njohur tregtare romake “Via Egnatia”. Gjatë shekullit të XVII dhe XVIII Kavaja përjeton një lëvizje të madhe administrative dhe bëhet qendër tregtare. Më pas, qyteti pati dy fish më shumë shtëpi për dallim me Durrësin. Një udhëtar i asaj kohe raportoi se vendi në vitin 1670 kishte 400 shtëpi, 200 shitore. Kavaja ishte e njohur për përpunimin e poçerinës, qylymave dhe bakrit etj.
HISTORIA E KËSHTJELLËS
Në rrethin e Kavajës ka shumë monumente të rëndësishme kulturore, historike e arkeologjike, në mesin e tyre radhitet edhe Kështjella e Bashtovës. Kështjella e Bashtovës ngrihet afër fshatit Vilë – Bashtovë, dhe duket se është e vetmja Kështjellë në Ballkan e ndërtuar në një teren fushor. Shtrihet, rreth 400 – 500 metra në veri të lumit Shkumbin, dhe 3 – 4 km larg derdhjes së tij në detin Adriatik.
Për kështjellën e Bashtovës kanë shkruar studiuesit shqiptarë, Gjerak Karaiskaj “Kështjella e Bashtovës, Monumentet, 5-6, 1973 dhe në librin “Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipëri – Tiranë 1981, faqe 185 – 189, si dhe studiuesi H.Myrto: “Mbi disa qendra arkeologjike midis Kavajës dhe Durrësit – Monumentet, Tiranë 1974, 7-8, dhe “Hartë e monumenteve dhe e gjurmëve antike e mesjetare të rrethit të Durrësit, Kalaja e Bashtovës, Monumentet 1/1982. fq.26”.
Sipas kronistit osman Evlia Çelebiu (1611 – rreth 1684) Kështjella e Bashtovës u ndërtua në shekullin e XV nga venedikasit, dhe më vonë ajo u pushtua nga osmanët, në kohën kur Sulltan Mehmeti u nis për pushtimin e Shkodrës, në vitin 1478.
Gati dy shekuj më vonë, albanologu austriak, Johann Georg von Hahn (1811- 1869) në veprën e tij “Studime Shqiptare” e përmend përciptas dhe kështjellën e Bashtovës. Ai thotë se Kështjella ishte ndërtuar në stilin frank. Kulla jugperëndimore sipas tij ka qenë e rrënuar qysh atëhere.
Arkeologu francez, Leon Hezei e konsideron kështjellën të periudhës bizantine, ndërsa arkeologët austriakë Kamilo Prashniker (Camillo Praschniker 1884 – 1949) dhe Arnold Schober (1886 – 1959) e konsiderojnë atë të periudhës së vonë antike. Kamilo Prashniker në vitin 1916 bashkë me një grup studiuesish austro-hungarezë erdhi në Shqipëri dhe Gjurmoi monumentet e sipërfaqshme arkeologjike nga Shkodra deri në Fier (në këtë rast edhe kështjellën e Bashtovës). Rezultatet i botoi në “Kërkime arkeologjike në Shqipëri e Malin e Zi”. Më 1918 ai erdhi rishtas në Shqipëri dhe punoi veçanërisht në Apoloni e Mallakastër. Dhe për më tepër, studiuesi A.Dyselie, mendon se kështjella i përket “epokës së dinastisë justiniane”.
Në këtë kështjellë me rrethinë janë gjetur shumë artefakte që vërtetojnë një histori të lashtë, jo vetëm të kalasë por edhe të Vilë – Bashtovës, dhe ato ruhen në Muzeun Kombëtar në Tiranë.
Nga të gjitha këto të dhëna rezulton se, Kështjella e Bashtovës, nuk është ndërtuar në shek.XV, siç thotë udhëtari dhe kronisti osman Evlia Çelebiu, por shumë më herët! Këtë fakt e vërteton edhe historiani dhe diplomati çek, Konstantin Josef Jireçek (1854 – 1918).
Ai në një studim të tij thotë se, gjer në vitin 1371, Kështjella e Bashtovës ka qenë nën sundimin e familjes shqiptare të Matrangajve, pastaj ka kaluar në dorë të Muzakajve. Nga kjo e dhënë del se kështjella qysh në gjysmën e dytë të shek.XIV, ishte në funksion të qëllimit për çka ishte ndërtuar. Për herë të parë, Bashtova, na paraqitet si qendër e tregëtimit të drithit me emrin Vrego ose Briego, që nga gjysma e dytë e dhjetëvjeçarit të katërt të shekullit XIV dhe arrin kulmin me eksportin e grurit dhe të melit në dhjetëvjeçarin e gjashtë të këtij shekulli, kur krahina sundohej nga sundimtari shqiptar Vlash Matrënga.
Nga fundi i shekullit XIV, si në të gjithë Shqipërinë edhe në Vreg, tregëtimi i drithërave kaloi nga raguzianët në dorë të venedikasve. Në këtë kohë, përveç tregëtimit të drithërave, venecianët u interesuan për të mbajtur në dorë të tyre edhe pika strategjike të fortifikuara në bregdetin tonë. Pas pushtimit të Durrësit (1386), Lezhës (1393) dhe territorit të Shkodrës (1396) kërkohen me rradhë Vlora, Kanina, Himara dhe Pirgu. Qëllimi i venedikasve ishte i thjeshtë: të krijonin disa baza të forta dhe pikëmbështetje në bregdetin shqiptar prej të cilave kryesore ishin Durrësi dhe Shkodra.
Kështjella e Bashtovës për herë të parë përmendet në një hartë të përpiluar nga hartografi dhe admirali i flotës osmane, Piri Reis (1470 – 1554), në vitin 1521 në një manual, i cili u shërbente detarëve për nevoja praktike në detin Mesdhe. Kështjella emërtohet Paŝtova sipas traskriptimit të bërë nga osmanishtja në gjermanisht. Më vonë, kështjellën e Bashtovës e gjejmë të vizatuar në Atlantin e Kamocios (Kamozio) të vitit 1571 me emrin Basti.
PLANIMETRIA E KËSHTJELLËS
Kështjella e Bastovës ka një planimetri drejtkëndëshe (katërkëndëshe), me përmasa 60 x 90 m. Në të katër qoshet dhe në mesin e çdo muri ka nga një kullë, me përjashtim të murit perëndimor që i takon një periudhe të dytë ndërtimi. Dy nga kullat e qosheve janë të rrumbullakta, njëra katërkëndëshe, ndërsa nga e katërta nuk ruhen gjurmë. Kullat ndërmjetëse janë të gjitha katërkëndëshe. Ato kanë një trashësi muresh prej 1.25-1.40 m, ndërsa lartësia e tyre arrinte në 12 m. Muret e kullave të rrumbullakta bien me një pjerrësi të lehtë në anën e jashtme, ndërsa ato të kullave katërkëndëshe bien me faqe vertikale. Kullat janë të hapuara nga ana e brendëshme e kështjellës dhe janë pajisur me frengji të shumta. Ato ndaheshin me dysheme druri dhe pesë kate, që komunikonin me shkallë të brendshme. Secili kat krijonte një ambient mjaft të ulët rreth 1.70 m. Këto ambiente nuk banoheshin por shërbenin vetëm në raste lufte. Në një periudhë më të vonë, disa ambiente kullash janë përshatur për banim, duke u pajisur me oxhakë. Katet e katërta në kullat e qosheve dhe në ato ndërmjetëse lidheshin me nga një portë drejtpërdrejt me shtegun e rojeve. Mbulesat e tyre kanë qenë sipas rastit çati konike apo prizmatike me konstruksion druri, të mbuluara me tjegulla ose të veshur me plumb. Frengjitë për topa janë vendosur zakonisht në dy katet e poshtme ndërsa katet e sipërme përfundonin në një parapet të dhëmbëzuar nga bedenat. të cilat si edhe ato mbi mure përshkohen nga frengji. Mbi bedenat mbështetej çatia. Kullat janë vendosur 24-38 m larg njëra tjetrës dhe dalin krejtësisht në anën e jashtme të mureve.
Kulla I është identike me kullën nr. III. Ka një diametër të brendshëm 8.60 m dhe trashësi murale 1.40 m. Lidhja ndërmjet kateve bëhej me anë shkallësh të brëndshme, ndërsa në katin e katërt mund të hyhej direct nga shtegu i kalimit mbi mur, me anën e një porte të hapur në murin e kullës. Vrimat e trarëve ku mbështetej dyshemeja duken sot në muraturë. Në dy katet e poshtme frengjitë janë të mëdha, të destinuar për topa. Ato janë 92 cm të larta, 73 cm të gjera nga ana e brendshme dhe 40 cm nga jashtë. Bedenat e anës veriore ruhen edhe sot në një farë lartësie. Në anën verilindore të kullës, në katin e pestë ndodhet një portë 60 cm e gjerë, e cila shërbente për të komunikuar me ballkonin, prej të cilit nuk ruhet asnjë gjurmë.
Kulla II ka formë katërkëndëshe, me dimensione më të vogla se gjithë kullat e tjera të kalasë. Nga ana e brendshme, ajo është 1.80 m e gjerë dhe 3.25 m e gjatë me trashësi muresh 1.25 m. Ajo ndahej në katër kate me dysheme prej druri. Dy katet e poshtme kishin lartësi prej 1.70 m, ndërsa të sipërmit janë më të lartë. Dyshemeja e katit të katërt të kullës ndodhet në një nivel më të lartë nga shtegu i kalimit mbi mur, për këtë arsye për të realizuar komunikimin e tyre është ndërtuar një qemer tullash që shkon deri në lartësinë e dushemesë së katit dhe lidhet me shtegun me anën e dy palë shkallëve që zbresin në të dy anët e qemerit; në këtë mënyrë nuk ndërpritet edhe kalimi nëpër shtegun e mureve. Kjo kullë përbëhej nga frengji për topa në katet e poshtëm dhe të tjerë më të vegjël në katet e sipërme. Edhe kjo kullë shërbente vetëm në raste luftimi dhe jo për të banuar. Kjo kuptohet nga hapja nga ana e brendshme e fortifikimit, si dhe hapësira dhe lartësia e vogël e kateve, nëpër te cilat nuk mund të qëndrohet në këmbë.
Kulla IV ndodhet në mesin e murit jugor. Ka formë planimetrike katërkëndëshe me dimensione 4.20 m me 3.30 m nga ana e brendshme dhe trashësi muresh 1.37 m. Kulla ndahej në katër kate, po me dysheme druri, lartësia e kateve është 1.95 m. Në katin e poshtëm ndodhen 3 frengji topash. Në katin e dytë ndodhen 3 frengji të tjera topash, në të njëjtin drejtim me të parat. Në katin e tretë, ndodhen 2 frengji të vogla, në murin perëndimor dhe lindor, ndërsa në murin jugor të kullës është ndërtuar në një kohë më të vonë një oxhak me dy kamare, anash tij. Mbi oxhak dallohen gjurmët e dyshemesë së katit të katërt. Në katin e katërt dallohen gjurmët e bedenave si dhe të një ballkoni nga ana jugore me gjerësi 1.60 m. Kjo kullë ka shërbyer në fillim vetëm për luftim, ndërsa më vonë, është adaptuar për banim nga turqit.
Kulla V ruhet vetëm muri lindor i saj si dhe një trakt i vogël i murit jugor në vendin ku ai takohet me të parin. Kjo kullë ka qënë katërkëndëshe, ajo del nga kurtina 5.30 m dhe ka një trashëi prej 1.50 m. Kati i tretë i kullës, ashtu si në kullën IV, është adaptuar më vonë për banim dhe në murin lindor është ndërtuar një oxhak identik me oxhakun e kullës IV.
Kulla VI është rrënuar krejtësisht.
Kulla VII ka qënë një nga kullat më masive të kështjellës, prej saj ruhet jo i plotë vetëm muri lindor, i cili del prej kurtinës 5.5 m. Kjo kullë përshkohej nga hyrja kryesore e kështjellës. Arkitektura dhe teknika e ndërtimit tregojnë për një kështjellë ndërtuar me ngut, sepse është kursyer në materialet e ndërtimit. Këtë e dëshmojnë muret e hollë por të kombinuar nga ana e brendëshme me harqe dhe pilastra, kullat me kurriz të hapur që janë më pak rezistente si dhe katet e ulët të kullave të destinuara vetëm për luftim. Nuk është marrë parasysh kriteri estetik, gjithçka i shërben mbrojtjes.
KËSHTJELLA E BASHTOVËS MONUMENT KULTURE
Kështjella e Bashtovës bashkë me rrethinat e saj ku lulëzon një pyll dafinash, paraqesin momumente të rëndësishme kulturore dhe natyrore, dhe si i tillë është një mjedis shumë tërheqës për vizitorët. Nga muret e Kështjellës së Bashtovës, duket bregdeti si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta. Kështjella është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në 1948 dhe 1971, ndërkohë që zona përreth saj ruan statusin e parkut natyror kombëtar.
____________
Literatura:
1. Gjerak Karaiskaj: Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë, 1981, faqe 185 – 189;
2. Gjerak Karaiskaj “Kështjella e Bashtovës, Monumentet, 5-6, 1973;
3. H.Myrto: “Mbi disa qendra arkeologjike midis Kavajës dhe Durrësit – Monumentet, Tiranë 1974, 7-8, dhe “Hartë e monumenteve dhe e gjurmëve antike e mesjetare të rrethit të Durrësit, Kalaja e Bashtovës, Monumentet 1/1982;
4. Nga shënimet e mia, gjatë vizitës në Kështjellën e Bashtovës, 16 gusht 2014;
5. Ben Andoni, revista Mapo;
6. Kavaja: wikipedia,org dhe shqiperiacom;
7. Kalaja e Bashtovës: wikikulturanet.