HALIL ALIDEMA METEORË LIRIE ( 20 )

HALIL ALIDEMA METEORË LIRIE ( 20 )

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 15 Korrik 2021

RËNDË E PËRJETOVA VDEKJEN E SAJ TË HERSHME

(Kujtime për Teuta Kryeziun – Alidema)

Teuta ishte shoqja ime më e ngushtë. Atë e pata njohur që herët kur isha nxënëse e shkollës së mesme – nxënëse e Normales së Gjakovës. Prej asaj kohe e deri sa u sëmurë dhe vdiq e pata shoqe dhe e konsidroja si motër.

Derisa isha nxënëse në Normalen e Gjakovës, me Teutën më ndante vetëm gjumi. Kështu, edhe kur erdhëm së bashku në Normalen e Prishtinës, pas transferimit të asaj të Gjakovës në këtë kryeqendër, gjumin e bënim bashkë, shpesh flenim në një shtrat. Teuta me trup ishte e madhe dhe e zhvilluar, ndërsa unë më e imët, prandaj ajo më përkëdhelte si të ishte motër imja më e madhe. Derisa ishim në Gjakovë, Teuta vinte shpesh në shtëpinë time, te prindërit e mi, të cilët e çmonin dhe e donin shumë, veçanërisht nëna ime. Por, Teuta dhe familja e nderuar e Remzi Beg Kryeziut nuk më mbet borxh, më merrnin në Pejë tek ata në shtëpinë e tyre. Nënën e Teutës e thirrja mamë, njësoj sikundër e thërrisnin edhe fëmijët e saj, ndërsa babain e Teutës, Bej, vëllain e saj më të madhin Baca Fat, ndërsa Ekremin dhe Aliun që asokohe ishin më të vegjël i donim shumë. Në një gazmend që patën atëherë në familjen e tyre, unë qëndrova mbi dy javë mysafire e shtëpisë së tyre. Teuta nuk ndahej nga unë. Ishte shumë punëtore, shumë shpejt i kryente punët e shtëpisë, anipse shtëpia e tyre atëbotë ishte mjaft e madhe. Pra, Teutën e doja me gjithë zemër, njësoj si ajo mua.

Shpesh sa ishim nxënëse në Gjakovë, nëna ime na shtronte drekë që të dyjave, duke e ditur se unë Teutën e doja shumë. Dy vjet të plota i kaluam në Gjakovë, pastaj Normalja u transferua në Prishtinë. Shoqëria jonë vazhdoi, u bë edhe më e fortë, saqë nuk ndaheshin kurrë.

Edhe pse në atë fillim i patëm dhënë besën shoqja-shoqes se në Prishtinë do të kryenim vetëm shkollimin e do të ktheheshim prapë në Gjakovë, kjo nuk ndodhi. Sepse, koha dhe jeta e bënë të vetën. Teuta në Prishtinë njoftohet me Lilin siç e quanim asokohe me emër përkëdhelës Halil Alidemën, ndërsa unë u njoftova me Ali Llunjin, bashkëshortin tim. Unë e çmoja shumë Halilin dhe ngaqë ishte shumë i madh fizikisht e unë shumë e vogël – unë atë e thërrisja përkëdhelshëm “kali” e ai mua “maz”. Kudo që shkonim Halili dhe Teuta, në atë kohë shokë të pandarë, më merrnin me vete edhe mua.

Ne ishim një grup shoqesh të pandara – Teuta, unë, Resmie Begolli, Xhemile Arapi, Bardhe Vokshi e të tjera me të cilat shoqëroheshim shumë dhe i kalonim çastet e lira. Teuta dhe Resmia e kishin zërin e mirë dhe shpesh, duke shëtitur rrugës së Gërmisë, ia thonin këngës. Këndonin bukur, sidomos kultivonin atë këngën e bukur e subtile qytetare. Ato këngë edhe sot shpesh më tingëllojnë ëmbël në vesh, saqë më zgjojnë një nostalgji për ato ditë të bukura të asaj shoqërie të sinqertë.

Teutën e njoha shumë mirë. E desha shumë dhe kurrë nuk munda ta harroj, sepse ajo është e lidhur  ngushtë me jetën time rinore. Ajo ishte shumë e sinqertë, e mençur, e dashur, pa intriga, pa mendjemadhësi, krenare dhe patriote e madhe. Ishte në gjendje në çdo moment të sakrifikohej dhe të flijohej për popullin e saj. Ajo cilësohej me virtyte të larta njerëzore, vërtet shok i mirë dhe njeri me plotë kuptimin e fjalës. Atë e çmoi, e nderoi çdokush, sepse nuk përbuzi e as nënçmoi askë, nuk rëndoi asnjëri. Veçohej me një krenari të paluhatshme. Kjo vërehej më së miri kur ajo e kishte Halilin e burgosur, pas demonstratave të vitit 1981. Shumë shpesh shkonte ta vizitonte me të gjitha të mirat. Haptas deklarohej para serbeve të shkollës në atë kohë se shkonte për ta parë bashkëshortin e saj të dashur, që dergjej nëpër burgjet e Serbisë.

Ajo krenohej para mësueseve serbe në shkollë që veç bashkëshortit kishte edhe dy vëllezërit e saj, Ekremin dhe Aliun që ishin të burgosur politik të asaj kohe. Ajo vinte e grimuar dhe e rregulluar në shkollë, e veshur bukur dhe me shije, thua se nuk e ka zemrën aq të plagosur. Mirëpo, ne shokët dhe shoqet e saj e dinim mirëfilli brengën dhe hallin që kishte, kishte zemër dhe shpirt të plagosur sa për bashkëshortin, aq edhe për vëllezërit e saj. Unë e shikoja nganjëherë dhe ndjehesha krenare me atë qëndrimin dinjitoz e të çeliktë të saj, me patundshmërinë dhe me idealin e saj të lartë. Ajo ishte trimëreshë e vërtetë. U kundërvihej serbeve haptas, pavarësisht nga pasojat që mund të vinin. Në situata të këtilla e vështroja gjatë dhe sytë më mbusheshin lot, sepse shpesh në shkollë e sillte me vete vajzën e saj të vogël, Yllka, të cilën e donim të gjithë aq shumë. Pse po më shikon? – më tha… Ta kam lakmi që je kaq burrërore – ia ktheva. Dëgjo, Lumi, … vazhdoi Teuta. Mama më ka thënë – Në ditët më të vështira plase hasmin. Unë i plasa shkinat, sepse ato kanë qejf të më shohin të vuajtur, të mërzitur e të dërrmuar nga hallet që kam. Unë e shikova edhe një herë dhe iu hodha në qafë. E përqafova dhe qava një copë herë për krenarinë dhe trimërinë e shoqes sime që qëndronte burrërisht para valëve të egra të jetës.

         Në vitet më të rënda për popullin shqiptar, në kohën e dyndjeve të mëdha, edhe ne do të ndahemi. Ishte kohë kur arsimi shqip nëpërkëmbej, mësuesit, prindërit dhe nxënësit merrnin rrugët e mërgimit. Një ditë edhe Teuta me bashkëshortin e saj u gjend në Shqipëri. Që nga ajo kohë më nuk u pamë. Rëndë e kam përjetuar lajmin për vdekjen e saj të hershme.

LUMNIJE LLUNJI Prishtinë 20 dhjetor 2004  

***

SI E NJOFTA HALIL ALIDEMËN

Halilin e kam njohur që nga Shkolla Normale në Prishtinë. Ai ishte një vit shkollor pas meje, do të thotë një klasë. Halili kishte ardhur në Prishtinë nga Pozherani i Moravës së Epërme, që bënte pjesë në komunën e Vitisë, ndërsa unë isha nga Vërmica, komuna e Kijevës. Halili u bë i njohur e njëkohësisht edhe i dashur nga shokët e vet dhe nga nxënësit e Normales së Prishtinës, sepse ishte hendbollist i shkëlqyeshëm në ekipin “Normalisti”. “Normalisti” nën udhëheqjen e profesorit të fiskulturës – Xhavit Spahiut, u bë i njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi e Jugosllavi, ku zhvillonte gara me sukses. Halili nuk kishte ndonjë teknikë të përsosur, por kishte goditje të fortë, me të cilin radhitej ndër lojëtarët më të mirë. “Normalistin” e donin të gjithë. Ishte festë e vërtetë kur lunate “Normalisti”, e ndonjëherë edhe nuk mbahej mësim fare, sepse të gjithë shkonin në stadion për të shikuar lojën. Kështu Halili u bë i dashur për të gjithë, për shokë, për profesorë, pra edhe për mua. E kam njohur mirë edhe Teutën(Kryeziun), me të cilën Halili u martua më vonë. Teuta ishte anëtare e grupit dramatik dhe këndonte në duet me Resmia Begollin. Në këtë kohë unë isha kryetar i SHKA “SHKËNDIJA”, ndaj unë me të dytë isha shok i mirë, edhe me Halilin edhe me Teutën.

Gjatë periudhës sa ishim nxënës. Halili u arrestua, por shpejt u lirua. Arsyet përse u arrestua, unë nuk i dija atëherë.

Unë e kreva Normalen, në vitin 1959 dhe në shtator të këtij viti, u emërova mësues në Kijevë. Këtu punova vetëm dy muaj si mësues, kurse pas dy maujve, për arsye të riorganizimit të komunave dhe bashkimit të komunës së Kijevës dhe Banjës, u formua Komuna e Malishevës, e me këtë rast unë shkova në Banjë, ku në fillim ishte selia e komunës së re dhe më zgjodhen në detyrën e kryetarit të rinisë, kurse pak më vonë më emëruan edhe me detyrën e drejtorit të shkollës së Banjës, sepse drejtori i deriatëhershëm, Zeqir Robaj, u zgjodh kryetar i Lidhjes Socialiste. Në Banjë dhe në Malishevë, unë qëndrova deri në vjeshtë të vitit 1960, kur shkova në SHLP pasi mbarova vitin e parë e në vitin e dytë të Fakultetit Filozofik. Derisa isha student, unë  isha edhe kryetar i Organizatës Studentore, ku bënin pjesë Fakulteti dhe ShL në Kosovë, kështu që njihesha edhe me udhëheqësit e atëhershme të krahinës së Kosovës.

Më 1962, pasi mbarova vitin e dytë të Fakultetit Filozofik, unë u ktheva në Malishevë dhe këtu më kishin zgjedhur sekretar organizativ të Komitetit të LK-ës. Diku kah fundi i gushtit të vitit 1962 erdhën për vizitë në Malishevë, Fadil Hoxha i shoqëruar nga kryetari i LS të Kosovës. Në bisedë e sipër kryetari i LS më thotë se kemi biseduar, por ende nuk kemi vendosur definitivisht, që ti të shkosh në Pozheran për zëvendësdrejtor të shkollës dhe sekretar i organizatës së LKJ-ës në shkollë, e cila ka mbi 80 mësimdhënës. Në këtë shkollë kemi disa probleme me një grup mësuesish, kurse me emër përmendi Halil Alidemën. Ata veprojnë nga pozitat armiqësore, duke i helmuar fëmijët (nxënësit), por edhe mësimdhënësit me nacionalizëm. Halilit iu ka vrarë babai apo axha dhe një tjetër axhë i tij, gjendet në Gjermani.

Unë nga kjo bisedë e rastit me kryetarin e LS, kuptova se Halili i paska punët pisk dhe qenka në rrezik, ndaj gjithsesi këtij shoku duhet t’i ndihmohet, por se si t’i ndihmohet ende nuk kisha ndonjë zgjidhje konkrete. Unë nuk shkova në Pozheran, sepse pas disa ditësh më ftoi në bisedë, Xhavid Nimani, sekretar organizativ i Komitetit Krahinor të LKJ-ës dhe më thotë se duhet të shkoj ushtar në Bileqe, në shkollën e oficerëve rezervë, e pasi ta kryejsh ushtrinë e kemi në plan që ti të zgjidhesh sekretar i komitetit, por pa e kryer ushtrinë kjo punë nuk bëhet. Kështu, unë shkova ushtar në tetor të vitit 1962, ku qëndrova deri në shtator të vitit 1963.

Porsa u ktheva nga ushtria, në shtator të vitit 1963, shkova në Malishevë dhe ata më thanë, se përveç postit të sekretarit organizativ që e kisha njëkohësisht do të kryej edhe detyrën e drejtorit të shkollës. Ishte ndërtuar shkolla e re, sepse deri më atëherë nuk kishte pasur shkollë në Malishevë.

Unë nuk i kisha harruar Halilin dhe Teutën, prandaj vendosa t’i thërrasë dhe t’u ofroj punë në Shkollën e Malishevës. Ftesën time ata e pritën me gëzim të madh, sepse e dinin se në Pozheran – Firajë i kishin ditët e numëruara. Nuk vonoi shumë dhe brenda 3-4 ditësh, ata erdhën në Malishevë. Ndonëse formalisht duhej të verifikohej pranimi i tyre në Pleqësinë e Arsimit, i pranova ata në shkollën, ku isha drejtor unë. Menjëherë u sigurova një banesë. Në shkollë pranova edhe Rashit Gashin për zëvendësdrejtor, Muhamet Bojën, shok të Normales, Jonuz Kolgecin, normalist të Prishtinës, Mefail Ahmetin e Dragicën, normalistë të Shkupit dhe disa mësues nga Deçani, normalistë të Prizrenit. Kështu e kompletova kuadrin me mësues të kualifikuar. Pasi në kuadër të shkollës së Malishevës ishin edhe shkollat e Dragobilit, Ostrozubit, Carravranës e Lubizhdës, ku në ato shkolla ende kishte mësues të pakualifikuar.

Disa mësues të pakualifikuar i kisha edhe në Malishevë.

Halili dhe Teuta punonin me zell të madh dhe me sjelljet e tyre fisnike e njerëzore, fituan simpatinë e nxënësve dhe të fshatarëve dhe gjithnjë e më tepër edhe të anëtarëve të kolektivit të shkollës, ku punonin. Në vitin e ardhshëm, kur u bënë gati banesat e reja, Halilit e Teutës u dhashë banesë dydhomëshe, në të njëjtin kat, ku isha edhe vetë, duke u siguruar kushte të volitshme për punë cilësore, sepse ata këtë e meritonin.

Më 22 qershor të vitit 1964, unë u zgjodha sekretar i Komitetit Komunal të LKJ-ës. Vendi i drejtorit mbeti vakant (i lirë). Atëherë, ç‘bëra unë? – Për drejtor propozova Halilin. E thirra kryetarin e Pleqësisë së Arsimit, Riza Gashin dhe i thashë që ta inkuadrojnë në propozim të Pleqësisë, sepse emërimin e drejtorëve e bënte kuvendi komunal. Para se të emërohej drejtor Halili, të cilit i thashë që brenda 2-3 ditësh Halilin ta pranojë në parti. Ndërsa me Halilin paraprakisht bisedova që ta bëjë një lutje sipas statutit të LKJ-ës. Halili lozi kokën dhe disi duke qeshur si gjithëherë që e kishte zakon më tha: “Edhe  mua po më pranonin në parti?” – Po, ti i thashë edhe mos e zgjat. Kështu u bë. U krye edhe ky formalitet.

Pleqësia e Arsimit bënte emërimin e mësuesve në shkolla dhe propozimin për drejtor, kurse Kuvendi Komunal në seancat e veta të rregullta emëronte drejtorët.

Në mbledhjen e Pleqësisë së Arsimit, mora pjesë edhe unë dhe përkraha propozimet për drejtorët e propozuar, pa zënë ngoje fare emrin e Halilit. Pritej që të mbahej seanca e Kuvendit në zyrën e kryetarit të LS (Eshref Kryeziut), ku kishte shkuar Moma Bllagojeviç, punëtor i Shërbimit Shtetëror në Prizren (UDB). Ai rrinte shpesh me Eshrefin, ndaj i kishte thënë Eshrefit se nuk duhet lejuar që Halili të zgjidhej drejtor i shkollës. Eshrefi erdhi tek unë dhe më tha se shumë këshilltarë janë kthyer tek ai, të cilët kanë reaguar përse Halili të zgjidhej drejtor. Ndërsa unë i thashë Eshrefit: Si është e mundshme që tek unë deri më tani nuk erdhi askush, ndonëse unë isha sekretar i Komitetit, nga njëra anë, por edhe nga ana e arsimit këtë problem e njihsha më mirë, nga ana tjetër, madje edhe arsimtarët ktheheshin për çdo problem tek unë, por për çështje të Halilit tek unë nuk erdhi askush. Nuk vonoi shumë pasi shkoi Eshrefi, mua më thirri kryetari i Komunës – Halil Bytyçi, i cili ishte njeri i mirë dhe nuk kishte dëshirë t’u bëjë ndonjë të keqe as Halilit e Teutës të cilët ai i çmonte.

Edhe ai më tha fjalët e njëjta, që i kishte thënë Eshrefi e Moma.

Kishte edhe 30 minuta që të fillonte seanca. Unë i them kryetarit që le t’i thërrasë edhe udhëheqësit tjerë: Kryetarin e LS, nënkryetarin e komunës (Liman Kastratin), i cili kishte qenë para meje sekretar i komitetit, kryetarin e rinisë edhe ai dhe të bisedojmë para se të fillojë mbledhja e të merren vesh e të mos konfrontohen ndërmjetveti në seancë. Të gjithë u tubuam te kryetari dhe unë dëgjova të njëjtat fjalë që m’i kishin thënë edhe më herët. Unë u thashë atyre se kam qenë në mbledhje të Pleqësisë së Arsimit dhe e kam përkrahur propozimin e tyre, i cili i është dërguar Kuvendit, prandaj unë nuk mund tani të flasë e të veproj ndryshe nga ajo që para disa ditësh kam theksuar në Pleqësi, duke përkrahur Halilin për drejtor. Prandaj po shkojmë në seancë, e ju mund të ngriheni dhe të jepni propozim tjetër, sepse mua nuk po më duket se këto janë reagime të këshilltarëve, por dikush prej jush në bashkëpunim me dikë tjetër e ka ngritur këtë çështje, por ……Unë do ta përkrahu propozimin e Pleqësisë së Arsimit. Limani u distancua në fillim, duke thënë se unë nuk jam kundër propozimit të sekretarit të Komitetit, e ju bëni çka të doni. Në seancë doli propozimi i Pleqësisë, i cili nuk u kundërshtua prej askujt, ndaj ky porpozim u miratua dhe Halili u zgjodh drejtor i shkollës, ku punoi deri në vitin 1966, kur pushoi së punuari Kuvendi Komunal. Më 1966 u pezullua Komuna e Malishevës, ndaj unë shkova të punoja në Klinë, në detyrën e sekretarit të Komitetit. Këtë vit, në muajin korrik u mbajt Plenumi i Brioneve, ku Rankoviqi u shkarkua nga të gjitha funksionet e tij politike. Në Sekretariatin Krahinor të Punëve të Brendshme, për shkak të shumë deformimeve që tani janë të njohura për publikun, u shkarkuan të gjithë udhëheqësit e deriatëhershëm serbomalazezë. Nga shërbimi shtetëror u larguan pothuaj e tërë garnitura e përparme, mbetën vetëm një numër i vogël i tyre. Në Sekretariatin Krahinor u emëruan kuadro shqiptare: Xhevdet Hamza, u emërua sekretar, Mehmet Shoshi zëvendëssekretar dhe udhëheqës i Shërbimit Shtetëror, Dushko Ristiqi, zëvendëssekretar i shërbimit publik. Disa kuadro nga komitetet komunale u ftuan në bisedë në Komitetin Krahinor të LK dhe iu tha se do të emërohen në Sekretariatin Krahinor të Punëve të Brendshme. Në mesin e tyre isha edhe unë. Mua në Shërbimin Shtetëror të Kosovës, më emëruan inspektor e më vonë shef (udhëheqës të sektorit të tretë). Këto gjëra po i vë në spikamë, sepse kanë të bëjënë edhe me Halilin.

Halili, sa di unë, pas pezullimit të komunës së Malishevës, shkoi në Prishtinë, ku punoi si përkthyes në një organizatë, mbase në Higjiena Teknikës, apo gjetkë, nuk më kujtohet saktësisht.

Unë shkova në inspektim në Shërbimin Shtetëror të Gjilanit dhe këtu kërkova lëndën e Halil Alidemës. Nga lënda që pata në dorë kuptova se Halilin e ngarkonin shumë, ndonëse nuk kishin dokumente për arrestim, ndaj u them që mos ta shqetësojnë Halilin dhe ta lënë rehat, sepse kam përshtypjen se informatat ishin të paverifikuara, do të thotë të trilluara dhe të fabrikuara, sipas qëllimit e dëshirës së dikujt.

Një ditë vjeshte më thërret në zyrën e tij, Mehmet Shoshi, zëvendëssekretar dhe kryeshef i Shërbimit Shtetëror të Kosovës, duke më dhënë një fashikull me informata dhe më thotë që ta lexoj edhe të nesërmen të paraqitem tek ai. E lexoi tërë atë material, ku ishin përfshirë 13 persona e në mesin e tyre ishte përfshirë edhe Halil Alidema dhe Ramadan Selimi (ish-normalist) nga Ferizaj. Aty përmendeshin edhe disa nxënës të shkollave të mesme të Gjilanit dhe të Ferizajt. Pasi i lexova informatat, të nesërmen shkova te Mehmet Shoshi sipas marrëveshjes paraprake. Ai më tha se kam vendosur ta ndërprej aktivitetin armiqësor të këtij grupi, qoftë me arrestim, nëse ka argumente, qoftë me biseda informative, duke ua tërhequr vërejtjen t’ua bëjë me dije se nëse edhe më tutje veprojnë do të arrestohen dhe në fund të fundit, nëse infomatat nuk janë të argumentuara t’i lënë njerëzit rehat. Ndonëse lënda përkatëse nuk ishte në sektorin tim, Mehmet Shoshi më tha: – Merre makinën dhe shoferin edhe derisa ta pastrosh punën e tyre mos u kthe. Nuk e ke kohën e kufizuar. Lidhja e tyre ishte me sigurimin e Shqipërisë. – Unë shkova më parë në Pozheran, pastaj në Viti, në Ferizaj e në Gjilan, ku qëndorva 15 ditë. Punova ditë e natë, duke verifikuar çdo detaj, zhvillova biseda edhe me persona që kishin dhënë informata, i kontrolloj ditarët në shkolla, mungesat e nxënësve dhe të arsimtarëve, të cilët përfshiheshin në infomata. Dy shokët e mi Halil Alidemën e Ramadan Selimin doja që me çdo kusht t’i nxjerrja të pafajshëm. Mirëpo, e vërteta ishte mjaft e ndërlikuar, sepse kishte edhe shumë montime, të thëna të pavërteta, lajme të trilluara, për shembull thuhej se këtë ditë kanë qenë në kontakt me Sigurimin e Shqipërisë diku në afërsi të Gjakovës, e ata atë ditë nuk kishin munguar në mësim ose dikush prej tyre kishte munguar vetëm orën e parë ose të fundit. Në fund të punës sime konstatova se ndaj asnjërit nuk ka argumente të mjaftueshme që të merren masa arresti, e as në biseda informative. Me konstatimet e mia u pajtua plotësisht edhe Mehmet Shoshi, duke i lënë rehat për një periudhë të gjatë të gjithë grupin, por ndaj Halilit e Ramadanit nuk pushuan hetimet nga punëtorët e SHSSH. Për Ramadanin bisedova me Nezirin në Ferizaj që ta lë rehat, sepse tri herë ka qenë në aksion në brigadë të rinisë, ndaj e njihja mirë, përpos që ishte punëtor i madh, ai vinte shpeshherë tek unë (unë isha komandant i brigadës së rinisë) e më ndihmonte në zgjidhjen e  ndonjë problemi të caktuar.

Gjatë kësaj periudhe, do të thotë 1967-1970, në disa mbledhje të kolegjiumit, Dushko Ristiqi, ndonëse punonte në Shërbimin publik, ai ishte informuar nga operativistët e Gjilanit, kërkonte me çdo kusht që Halil Alidema të arrestohej. Mirëpo, as Xhevdet Hamza e as Mehmet Shoshi nuk nxitonin që ta arrestonin Halilin pa argumente të mjaftueshme. Dushku mua më thoshte e di se ti Halilin e ke shok, por ai është i rrezikshëm. Unë vetëm e dëgjoja, por vazhdoja me timen.

Pas disa muajsh operativisti më sjell një iformatë, ku thuhej se Halili ishte në aksion dhe po vepronte në terren. Një ditë dimri e thirra Halilin që të vinte tek unë në banesë, e jo në zyrë. Përkundër betimit se duhet ruajtur gjërat sekrete unë i them Halilit të ruhet se po e përcjellin në çdo hap. Ai filloi pakëz me mosbesim, pati përshtypje sikur unë doja ta provokoja që të flasë. Mandej thotë unë i shënoj gjërat që kam folur dhe kush ka qenë i pranishëm me qëllim që t’i zbulojë spiunët. Ndërsa unë i them: – A ke qenë këtë datë e këtë ditë në odën e NN? – Po! – thotë Halili.

-Ke pasur gëzofin krahëve, ke qenë ulur në këtë anë të odës e shumë detaje të tjera? – e atëherë ai u bind se unë i dij të gjitha dhe kisha për qëllim ta mbrojë, por në radhë të parë edhe ai vetë duhet të ruhet. Megjithatë ai filloi të krenohej se është shumë i fuqishëm se nuk kanë guxim t’i afrohen etj.etj. – Mos luaj me zjarr, se shumë lehtë mund të marrin e të arrestojnë – i them unë.

Në vitin 1970-1974 unë shkoj me detyrë në Prizren për kryeshef të Shërbimit Shtetëror, ku deri atëherë këtu kishte qenë Kërsta Tanaskoviçi, i cili kishte filluar një fushatë të egër kundër kuadrove shqiptare në Prizren. Në shënjestër ishin intelektualët (diku 36 veta), Shkolla Normale, Qendra Medicinale, e veçanërisht dr.Mustafë Dauti, i cili kishte bërë shumë për shërimin e veremit në atë anë, mandej Selajdin Jadrashi drejtor i Printeksit, Subhi Pasuli, të cilin ditën e mbajtjes së Konferencës së Partisë e heqin nga lista për sekretar të Komiteti  me insistimin e Svetës Tanaskoviqit vëllait të Kërstës, e shumë e shumë të tjerë.

Unë edhe në Prizren e kërkoj lëndën e Halilit në arkiv dhe e lexoj me kujdes dhe shoh se kush e kishte spiunuar Halilin, por edhe mua më kishin lidhur si mik që i kam ndihmuar vijimisht Halilit, si për pranim në detyrë, për sigurimin e banesës, për emërimin drejtor shkolle, për pranim anëtar të LK e shumë e shumë gjëra të tjera. Emrat e njerëzve që kishin dhënë infomata për të, por edhe për mua që lidheshin për Halilin.

Unë më 1974 e kam braktisur punën në Shërbimin Shtetëror dhe kam shkuar sekretar i Komitetit në Klinë. Në kohën derisa isha në Prizren, Halilin e takoja herë pas here dhe e këshilloja që të ruhet. Edhe në kohën kur isha sekretar i komitetit, merrnim informata dhe listat e atyre  që nuk bënë të punojnë në arsim, në mesin e të cilëve ishte edhe Halili. Duke përfunduar këtë rrëfim të gjatë në të cilin kam shënuar vetëm një pjesë të jetës e të punës së Halilit. Kur është burgosur herën e fundit, unë isha në Selanik dhe prej atje mora vesh se ishte burgosur. Për torturat në burgje kam dëgjuar edhe prej tij pasi ka dalur prej burgut. Jam takuar edhe disa herë kur ishte kryetar i Unikombit. Ai ka qenë njeri i madh, i cili vijimisht ka punuar për të drejtat e popullit shqiptar. Ideali i tij ka qenë – l i r i a. Është mëkat i madh që nuk e përjetoi luftën për liri dhe fitoren madhështore të UÇK-ës me ndihmën e aleatëve të NATO-s. Me siguri se do të gëzohej shumë dhe do të ishte i lumtur që u realizuan idealet e lirisë për çka ai luftoi tërë jetën e vet.

Qerim Gashi , Prishtinë

  • VIJON –  

________________________  

HALIL ALIDEMA METEORË LIRIE (19)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura