ILJASA SALIHU: LIRIA E BESIMIT NË ARMATËN E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË

(Shkup, dhjetor 2012) – Si mund t’i jepet kuptimi i drejtë shpjegimit të lirisë së besimit, duke kërcyer mbi rreshtat që e sqarojnë njëmend kuptimësinë e besimit? Domethënia e besimit fillon të venitet, atëherë kur këtë nocion e shpjegojnë ata që praktikisht janë kundër kuptimit thelbësor të tij, ngjashëm sikur ekuacionet matematikore t’i shpjegojë një biolog i rryer, i cili për shkak se aq shumë e kishte urryer lëndën e matematikës ia kishte mësyrë me përkushtim të ngjeshur lëndëve që kishin lidhje me biologjinë. Në vetvete njeriu edhe në kohërat më të egra që grisnin çdo gjë që përkonte me besimin në Zot, ishte i lirë të besojë, ngase besimi nëse nuk mbërrinë të jetësohet në jetën e përditshme është besim i paqenë dhe i padëshmuar, sepse dijetarët islam për besimin u shprehën: Të besosh në Zotin Një dhe ta njësosh në adhurim vetëm Zotin, të pohosh me gojë, ta vërtetosh me zemër dhe të veprosh me gjymtyrë, duke dëshmuar kështu rrugëtimin e njohjes së gjashtë kushtet e imanit. Ky është kuptimi i plotë dhe natyral i domethënies së besimit dhe lirisë së besimit.
Meqë jetojmë në shtete shekullare ku ligji rrjedhë dhe komentohet prej kasollës shekullare, në vijim do të përpiqemi të shpjegojmë se çështja e jetësimit të lirisë së besimit ka vend edhe në vende të këtilla.
Ndërmjet bjeshkës së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që kushtetuta e Republikës së Maqedonisë (RM-s) i ka garantuar, janë edhe liria e besimit dhe shprehja e lirë dhe publikisht e fesë, individualisht ose në bashkësi me të tjerët (neni 19 i Kushtetutës së RM-s). Kjo e drejtë dhe liri nuk mund të kufizohet me ligj, pavarësisht rrethanave ku gjendemi, madje një liri e tillë është e lejuar edhe gjatë kohës së gjendjes së luftës.
Edhe e drejta ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut garanton që secili ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë (neni 18 i Deklaratës Universale për të drejtat e Njeriut). Gjithashtu, është e garantuar që secili është i lirë për të pasur dhe jetësuar në gjirin e tij një fe ose një besim sipas zgjedhjes vetjake, si dhe lirinë për të manifestuar fenë apo besimin e vet, qoftë individualisht apo së bashku me te tjerët, si publikisht ashtu edhe privatisht, nëpërmjet kultit dhe kryerjes së riteve, praktikave dhe arsimit. (neni 18 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike të Kombeve të Bashkuara i vitit 1966 – hyri në fuqi në vitin 1976).

Gjithë hierarkia ushtarake janë pjesë e këtij rendi kushtuetues dhe njerëz që kanë nevojë të besojnë dhe ta jetësojnë fenë si vlerë universale në përditshmërinë e tyre, ndaj edhe armata e një shteti të caktuar duhet ta merrë parasyshë këtë fakt të pakontestueshëm. Mbase vlerësoj të nevojshëm ta përmendi këtu edhe një përvoj timen. Katër muaj e gjysëm sa isha në Kanada, kisha një imam që ishte edhe kolonel kanadez me gradë, pas të cilit çdo të premte u lidhja për ta falur namazin e xhumasë, edhe atë, ai këtë ritual kryente duke qenë me uniformë ushtarake. Dihet se shteti i Kanadasë është anëtar i plotë i NATO-s dhe në atë vend unë me kënaqësi kryeja obligimet fetare që natyrshëm i përkasin secilit besimtar. Ndërsa edhe pse pretendente për në këtë familje, ende në Armatën e Republikës së Maqedonisë nuk shihet ndonjë xixë shprese për krijimin e kushteve të shprehjes së lirë të fesë (jo vetëm lirinë e besimit të pashprehur, ngase edhe në komunizëm kjo liri ishte e paprekur, ngase nuk shihej prej njerëzve), si në kohë paqeje ashtu dhe në kohë lufte, ndoshta kjo si mbetje e rrjedhave të dikurshme të qëndrimit të shtetit ndaj kishës gjatë periudhës së socializmit. Thënia se institucioni fetar është i ndarë nga shteti (neni 19 paragrafi 3 i Kushtetutës së RM-së), nuk duhet të jetë një pengesë ligjore për realizimin e të drejtës kushtetuese të shprehjes së lirë të fesë, që nënkupton se nuk duhet të pengohet në çfarëdo qoftë rrethana.
Ndarja e kishës dhe e xhamisë prej shtetit mund të kuptohet si një ndalim i propagandës politike apo tentimit të institucionit fetar për pjesëmarrje ose marrjen e pushtetit politik, por jo edhe ta injorojë gjendjen e të drejtave dhe lirive themelore në lidhje me ndjenjat fetare dhe nevojat e qytetarëve. Ndarja e institucionit fetar nga shtetit nuk nënkupton edhe shekullarim institucional të shoqërisë, sepse nësë shteti është me rregullim kushtetues shekullar, kështu nuk është edhe shoqëria. Shteti duhet t’i përmbahet parimit se nuk duhet të imponojë shprehje të besimit ndaj anëtarëve individualë të ushtrisë, por kjo nuk nënkupton se duhet t’i shmanget sigurimit të kushteve të nevojshme për shprehjen e lirë të fesë, si në kohë paqeje ashtu dhe në kohë lufte. Nëse shteti është i ndarë prej fesë, me këtë nuk nënkuptohet edhe shpallje luftë atyre që duan ta përvijojnë besimin e tyre ndaj Krijuesit të botëve, sepse përmes kësaj do të kishim ndërhyrje në çështjen më të ndjeshme në jetë, siç është ajo e të besuarit dhe të vepruarit në përputhje të plot me udhëzimet e Zotit.
Mbase sipas të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shteti është i obliguar që edhe gjatë konfliktit të armatosur të sigurojë shprehjen e lirë të fesë, madje edhe të burgosurve apo pengjve të luftës. Prandaj është e palogjikshme dhe fare e paarsyeshme që shteti të mos ju sigurojë të njëjtën liri ushtarëve të tij, edhe më keq, nëse i pengon ata prej një të drejte të tillë themelore. Kësisoj, ndër vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë përfshihen edhe këto të drejta: liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarit, të njohura me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë (neni 8, paragrafi 1, alineja 1 e Kushtetutës së RM-së).

======================

Iljasa Salihu
Lypsiqarët e përqendrimit dhe të durimit për në udhën e fjalëve!

Ata që duan ta sprovojnë durimin dhe përqendrimin e ngjeshur të mundësisë së leximit gjatë, le t’i përveshin llërat e t’i rreken romanit të Kim Mehmetit, “Lypsiqarët e Shkupit”! Fillon me një përllogaritje logjike matematikore dhe shtegtonë në hapësirën e murrme të sukës së Gazisë, rrëzë së cilët herë pas herësh do të rrihen rravgueshëm Syla, Fazileja, Dulla etj, edhe atë me një shufër të hekurtë të metaforës, që autori sikur të ishte një policë i viteve tetëdhjeta, di t’i godet edhe pikat më të holla të rrëfimit me pallto shumëngjyrëshe.
Është hera e dytë që unë mbaroj së lexuari këtë roman dhe vërtetë më duhet kohë që ta marr vetën sërish prej gjarpërimit të asaj rruge me skaje të gjelbërta, në mes së cilës ishte një gjarpër kokëgjelbër, strofulla e të cilit kishte qenë një vaskë prej trungut të një gështenje qindvjeçare në të cilën tani pastrohej Syla që bëhej gati për në namazin e xhumasë dhe pastaj Fazileja ia vendoste në vrimë një leckë asaj vaske.
Gjatë këtij rrugëtimi, lexuesi e ka të pamundur të pushojë falë kryerreshtave, sepse edhe pas pesëmbëdhjetë e më shumë faqe në atë bjeshkë fjalësh mungojnë kryerreshtat, roman ky që ngjanë me një pyll të dendur, me përplot gjëra që vërtetë të mahnisin dhe të galdojnë deri në apogje, mbase edhe zhurma e sharrës së druvarëve përthithej si një melodi e këndëshme e zogjve të bukur, pas së cilës gjatë kohë do të fanitej ajo panoramë shumëngjyrëshe dhe shumëkëngësh në atë vend ku edhe me gurët shpërdoroheshte, madje përpos ndërtimit të kullave me gur dhe urave të gurit, ajo gurrë e gurve mëtohet të paraqitet edhe si rrëfyese e ecejakëve historike. Vetëm se, pasi ta lexoni këtë roman, sikur një oficer që pas një përgatitje të stërlodhëshme do të jetë i gatshëm t’i lëshojë me parashutë edhe nga majat më të larta ushtarët e tij, autori i këtij romani njashtu pendehë të njëjtën gjë për lexuesit e vetë, disa prej të cilëve së fundmi duken të jenë të lodhur prej paleximit.
Iljasa Salihu, një i lodhur prej këtij pylli me përplot shtigje, duke mos ditur se cili shteg të shpie te kroi që shquhet për ujë të freskët.

===============================

Iljasa Salihu
Nëse ti sonte gjuan!

Shkëlqimi i moralit ndodh si pasojë e virtytit. Ne bëhemi të drejtë duke bërë vepra të drejta, të përmbajtur duke bërë vepra të matura, trima duke bërë vepra guximtare”. (Aristoteli)
Nderimi më i mirë që mund t’i bëhej të rënëve dhe të rëneve shqiptarë, nënave që i ka marr malli shumë edhe për erën e bijve të tyre dhe atyre që kanë pasur fatin vetë t’i dëgjojnë ato kërcëllime që mund ta pëlcisnin edhe timpanin e veshit, do të ishte heshtja mortore, ngjashëm si heshtja e dikurshme që të ikurit prej lufte e manifestonin gjithandej ku mbretëronte paqja, edhe atë, kur të tjerët në valën e luftës dergjeshin e trandeshin prej të shtënave çmeritëse.
Nëse ti gjuan sonte, me këtë tregon se nuk të dhimbset ajo nënë që gjuajtjet e tua ia përkujtojnë djalin e vrarë.
Nëse ti gjuan sonte, do t’ia përkujtosh jehonën e trishtuar atyre të cilët ishin në valën e asaj uturime të zgjatur që zakonshëm shoqërohej me ndonjë kumt për vrasjen e ndonjë trimi.
Nëse ti gjuan sonte, do t’i kumtosh të varfërve shpërdorim ekonomik dhe egoizëm social, ngase në vend se t’ia dhurosh ndonjë supë të ngrohtë atyre në këto ditë të ftohta, ti harxhon me qindra supa, duke gjuajtur përpjetë, thuajse mëton ta frikësosh edhe qiellin.
Nëse ti gjuan sonte, ke rënë në kurthin e përqafimit të identitetit kozmopolit, ngase me këtë do të shkrish gjithçka nga vetja, vetëm që tjetri të bindet se më nuk je tjetri, por je sikur ai dhe ai assesi nuk është sikur ti.
Nëse ti gjuan sonte, do t’ma lemerisësh djalin tim tri vjeç e gjysëm dhe do ta vëshë në një dyzim të thellë atë. Ai do t’më pyetë, – babë mos vallë je frikacak që nuk guxon të gjuash që edhe ti, t’i tregosh të tjerëve se je i fortë dhe se ke fuqi të shprehur në “allti”. Babi, këta trima të mëdhenj nuk po më lëjnë të bëj gjumë të qetë, por kot të them, t’i frikohesh t’ia tërheqësh vërejtjen këtyre që kanë armë.
Nëse ti gjuan sonte, do ta ndotësh ajrin dhe mjedisit do t’ia kthesh erën e barutit. Ahh, kjo erë që ta kujton gojën e pushkës, tytë që dikur kërkonte trimërish lirinë.
Shkurt e shqip, nëse sonte ti gjuan, do ta fëlliqësh krejt!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura