ARBAN BISLIMI: BESIMTARËT MYSLIMANË TË TIRANËS KËRKUAN NJË XHAMI SHQIPTARE, JO NJË KISHË TURKE Z. KRYEMINISTËR, EDI RAMA

Prishtinë, 22. 05. 2015 – Besimtarët muslimanë kanë pritur 70 vite që nga kërkesa drejtuar pushtetit të Ahmet Zogut në vitin 1938 që të bëhet një xhami e madhe në Tiranë. Tradita dhe praktika laike (shekullare) e shtetit shqiptar kanë bërë që shteti të mos përkrah kultet. Madje, kultet dhe klerikët edhe janë luftuar nga shteti shqiptar që nga Pavarësia Kombëtare mbasi Bashkësitë fetare dhe organizatorët e kulteve përfytyroheshin si rrezik për Pavarësinë dhe interesat kombëtare si rrjedhojë e ndikimit të huaj në hierarkitë klerikale të tri feve kryesore monoteiste shqiptare. Një përfytyrim i tillë i pushtetit të kishave dhe xhamive si rrezik për Pavarësinë Kombëtare kishte quar deri në logjikën që për t’u arritur Pavarësia e plotë, ato duheshin thuajse asgjësuar dhe, si e tillë, Shqipëria u shpall vend ateist në vitin 1967.
Me pluralizmin politik dhe kalimin në një shoqëri kapitaliste besimtarët kishin shpresa se qëndrimi i shtetit karshi kulteve dhe veprimtarisë së kishave dhe xhamive do të ndryshonte. Problemi nuk shtrohej në kuptimin e kufizimit të lirisë fetare, si në kohën para 1967-tës, e aq më pak e ndalimit apo lejimit të saj (1967-1992); problemi që shtrohej ishte ai që ishte shtruar me shekuj të tërë Shqipërisë dhe shqiptarëve: si të ngremë institucione fetare shqiptare që nuk do të jenë në kontradiktë me interesat kombëtare, por do të ndihmonin në çimentimin e kombit shqiptar dhe Pavarësinë kombëtare në aspektet e kulteve dhe organizimit të tyre? Problemi qëndronte te pyetja:
– si t’i përvetësojnë, si ta Kombëtarizojnë, shqiptarët jetën e tyre religjioze dhe të kultit?
Fatkeqësisht me rënien e regjimit komunist, shqiptarëve nuk iu kthye “prona e kultit”, por u qelën dyert dhe institucionet e kulteve, kishave dhe xhamive të huaja. Janullatosin e kishës greke e solli Berisha në krye të Kishës ortodokse autoqefale shqiptare, kishat katolike u vunë nën patronazhin e Italisë… Dalëngadalë edhe xhamitë u sollën, si në Maqedoni e Kosovë edhe në Republikën e Shqipërisë, nën patronazhin e xhamive të shteteve të gadishullit arabik dhe atyre të Anadollit. Shqiptarët pra, edhe pas më se një shekulli Pavarësie, nuk arritën të bëhen një komb i qytetëruar dhe legjitim në mesin e kombeve tjerë karshi sferës së organizimit, arkitektonikës së praktikës, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së objekteve të kultit fetar dhe mbetën ende sot i vetmi komb në rajon që nuk ka xhamit dhe kishat e veta autentike dhe rendin e vet klerikal kombëtar, të Pavarur dhe autentikë për secilin kult.

“Kryeimami” i Shqipërisë Edi Ramë – ‘Hoxha’, duke mbajtur ‘ders’ para hoxhallarëve (!) dhe Tayyip Erdogan&Fethullah Güllen.
I dëgjoj që tani në veshët e mi, argumentet madje edhe ulërimat e atyre njerëzve injorantë dhe të indoktrinuar (ndoshta edhe të interesuar mbas kësaj gjendje?) që do thonë: Feja është një për krejt në tërë botën…! Dikush që s’ka komb e s’ka Atdhe do mundohet edhe të gënjej se feja nuk njeh komb e nuk njeh dallime, dhe të tilla broçkulla … E vërteta është se brenda të njëjtës fe (që ka pretendime universale) secili komb, madje në vende tjera edhe secili rajon apo secili qytet, ka arkitekturën e tij të dalluar nga tjerët të ndërtimit të objekteve fetare. Secili komb ka organizatën e tij klerikale kombëtare të dalluar nga organizatat simotra të vendeve tjera, madje edhe secila periudhë historike nga shekulli në shekull ka arkitekturën dhe veçoritë organizative të klerit nga periudha tjetër…
Pra, sipas tyre, kulti, arkitektura e objekteve fetare dhe organizimi i kultit, madje edhe praktikat, janë gjëra të pandryshuara dhe të pandryshueshme në kohë dhe në hapësirë! Gjersa këto tri aspekte të fesë dhe organizimit të saj kanë një rëndësi historike, kulturore, diplomatike, etj. që lidhet jashtëzakonisht forcërisht me Pavarësinë Kombëtare dhe, këtë lidhje nuk kanë arritur ta bëjnë, ta përcaktojnë, ta përforcojnë shteti dhe pushtetarët shqiptarë, qe më se një shekull…! Dikur duke kufizuar apo penguar ushtrimin dhe organizimin e kulteve dhe tani duke thënë se objektet e kultit, organizimi i tyre nuk janë “punë e jona”, le të merret Greqia me ortodoksët, Italia me katolikët e myslimanët le ti financojë, organizoj, pagëzoj Gadishulli Arabik dhe Erdogani…! Kryeministri shqiptar, Edi Rama, le të marrë pjesë aty vetëm si “mysafir” në shenjë respekti dhe të dëgjojë aty poezi turke në mes Tirane (!), sikur të mos ishte fjala për një xhami shqiptare në zemrën e Republikës së Shqipërisë!
Problemi i xhamisë shqiptare në Tiranë nuk qëndronte te financimi e as te ndërtimi i saj, mbasi për ca milionë, sa do kushtonte një ndërtim i tillë, nuk ka ngecur as Bashkësia islame, e lëre më shteti shqiptar. Problemi i deficitit publik dhe borxhit të shtetit shqiptar nuk ka ngecur te renovimi i një salle Parlamenti dhe ca qindra mijëra euro që mund të kushtoj… Problemi i xhamisë qendronte te shpronësimi i tokës dhe te vullneti politik i klasës politike shqiptare; të dy këto probleme u morën përsipër nga Qeveria që shpagoi dhe shpronësoi pronarët e parcelës së xhamisë dhe tregoi vullnetin e saj për të ngritur xhaminë në këtë rast. Atëherë, a ia vlente barra qeranë që t’i ofrohej financimi dhe ndërtimi i xhamisë Turqisë për ca milionë euro investime të saj në xhami dhe në Kuvend?!
Si bashkëpunëtor shkencor i dikurshëm i historianit të artit, Gilbert Gardes, për një libër enciklopedik mbi trashëgimin kulturore të Kosovës, e di një gjë; kishat dhe xhamit që janë ndërtuar që nga mesjeta e gjerë sot, por edhe më parë identifikohet tipi i tyre duke u bazuar në:
1) porositësin,
2) tipin e arkitekturës,
3) Kombësinë dhe stilin e arkitektëve dhe kryerësve të punimeve, pastaj elementët tjera gjuhësore, arkivore, historike, etj.
Prandaj, pasur parasysh se në Tiranë kemi një kishë greke të financuar dhe ndërtuar nga grekët dhe tani një kishë turke të financuar, të nisur dhe ndërtuar nga turqit, ku mbetemi ne shqiptarët? Ku mbetemi ne shqiptarët, kur në çdo qytet të Kosovës janë rrënuar pas lufte xhamia dhe kisha ortodokse bizantine-shqiptare dhe ato janë zëvendësuar me xhamia “moderne” të stilit turk, arab (etj) dhe veçoritë arkitekturale të kishave bizantine janë zëvendësuar me veti arkitekturale të tipit sllavo-rusë?!!
Prej Kryeministrit të një shteti demokratik dhe bashkëkohor evropian nuk tolerohet që të jep veresi asetet religjioze dhe institucionet fetare të vendit të tij shteteve dhe kishave të huaja autoritare. Kisha greke vazhdon edhe në këtë shekull të ndritur të jetë pronare e shumicës së pronave në Greqi ku nuk paguan tatim dhe jeton me dhunë në kurriz të popullit të saj, dhe Tsipras e ka të sigurt se nuk mund të nxjerr shtetin e tij nga fundosja dhe ta bëjë shtet demokratik pa e bërë një revolucion dhe ridefinuar vendin dhe rolin e Kishës në shtetin e tij! Ndikimi negativ i sekteve vehabi të shteteve të gadishullit Arabik dhe të turkomëdhenjve islamistë të Erdoganit nuk ka nevojë të dokumentohet e as të dëshmohet më tej; prej këtyre lëvizjeve ankohet i gjithë Mesdheu mysliman madje edhe vendet myslimane të Azisë si Pakistani, Indonezia, Malezia, etj.
Një dukuri që kaloj pa u komentuar, përjashtuar Ben Blushi, është kërkesa e tiranit Erdogan Edi Ramës që të mbyll organizatat islamiste turkomëdha Guleniste në Shqipëri, fal të cilës organizatë dhe të cilit lider (Fethullah Güllen) erdhi dikur në pushtet. Me këtë kërkesë, Erdogani i tregoi Ramës se e kishte me gjithë mend kur tha se “në Shqipëri ndihem si në shtëpinë time”! Një ceremonial tipik lindor, të autokratit dhe tiranit ishte ceremonia e leximit të asaj vjershe në turqisht nga ajo vajza me shami dhe “lotët e Erdoganit” dhe gruas së tij. Kjo propagandë politike e nivelit të ultë ishte kryesisht e destinuar konsumit të brendshëm në Turqi dhe ca injorantëve të zonave rurale dhe proletariatit të qyteteve në trojet shqiptare dhe në Bosnje… Në fakt, e njëjta kategori përbën pjesën dërmuese të elektoratit të Erdoganit edhe në Turqi. Të tilla skena bajate nuk mund të gjenden vetëm se në pikturat e Stalinit të portretizuar si “Baba i Kombit dashamirës” apo në videot e propagandave të Sadam Hyseinit dhe ca diktatorëve primitivë lindor të Kaukazisë, vendeve myslimane të ish-BRSS, etj…
Shtetit shqiptar dhe Tiranës, që zakonisht mendohet ajo elitë andej kufirit të jetë më e vetëdijesuar dhe e njohur me rrjedhat e botës, nuk i është bërë që moti një përfaqësim i një mediokriteti dhe servilizmi të tillë…! Jo vetëm se u kontrabandua xhamia e besimtarëve myslimanë të Tiranës, por edhe i është dhënë një tribunë propagandistike me dëshpërim të dëshiruar nga Erdogani në Perëndim (mbasi për turkun mesatar të Anadollit Kosova është Evropë)! Një përkrahje e tillë, e pa nevojshme, një tribunë e tillë me skenarë propagandistike totalitare, një bashkëpunim i tillë kundër Güllen për t’i dalë në krah Erdoganit në luftën për primatin e lidershipit të aspiratave turkomëdha nuk është besuar asnjëherë se do ta bënte Edi Rama!
Nga klasa politike shqiptare në përgjithësi dhe nga Qeveria aktuale shqiptare në veçanti, është pritur që të punonte në kombëtarizimin e kulteve fetare të shqiptarëve. Po të ishte Edi Rama ai burrë shteti që do donim të jetë, do të bënte përpjekje për unifikimin e Bashkësive islame, katolike dhe ortodokse shqiptare të shpërndara në katër shtete e jo edhe atë Pavarësi të kufizuar të këtyre bashkësive fetare ta dëmtojë dhe t’i poshtërojë ato institucione dhe ata besimtarë duke i torturuar me të tilla skena të një kohe dhe një bote autokratike lindore larg aspiratave të tyre. Shqiptarët andej dhe këndej kufirit kanë mbajtur shumë shpresa te “Rilindja” se do të drejtoheshin një sërë çështjesh ekonomike, shoqërore por edhe politike dhe fetare të mbetura gjatë gjithë tranzicionit dhe më herët pa zgjidhje.
Çështja e kultëve, bashkësive fetare dhe objektëve të kulteve është një çështje qindra vjeçare shumë dimensionale, e cila te shqiptarët shtrohet në prizmin e përvetësimit të bashkësive të tyre fetare, Pavarësisë kombëtare dhe autenticitetit fetar, arkitektural, organizativ kombëtar. Pas një regjimi (si ai i Sali Berishës), që në këtë aspekt asnjëher nuk u mundua t’ua kthente xhamitë, kishat dhe jetën e tyre spirituale dhe fetare shqiptarëve, -të mohuara dikur nga shteti-, por ua dha atë të gjithë kishave dhe xhamive të huaja, të interesuara për t’iu imponuar besimtarëve tanë në vendin e tyre, Shqiptarët vërtet kishin shpresë dhe prisnin rend nga “Rilindja” por, ja që, siç do shprehej mikesha jonë e madhe amerikane, ambasadorja Jacobson, Edi “ e dhiu punën”…!
Shqiptarët muslimanë, në veçanti, por edhe shqiptarët e të gjitha besimeve në përgjithësi,, ka jo vetëm 70 vite, por me qindra vite që presin të kenë xhamitë dhe kishat e tyre, si element vendimtar i Pavarësisë, kombëtare që përbën pasja e objekteve të bashkësive, por edhe kulturës fetare kombëtare për një popull… Përderisa kemi një klasë politike të një kulture dhe oportunizmi politik kaq të ulët, përderisa ekziston mungesa e vizionit dhe mungesa e guximit intelektual për t’u përballur me nevojat dhe problemet reale të qytetarëve dhe për t’u thënë të vërtetën; shqiptarët do të presin edhe shumë gjatë… Gjersa toleranca ndaj të tillë demagogëve, që shesin vendin e tyre për t’i kënaqur ca injorantë e ca grupe presioni e agjentura të huaja,, të huajt do të sundojnë gjatë e do të dirigjojnë të gjithë hapat e jetës sonë…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura