REXHEP KASUMAJ: KOSOVA E RUBIT TË ZI

(Berlin, fundmars 2012) – Kosova, edhe në klasën e 9-ë të një gjimnazi berlinez, do të vijonte të ishte rub i zi në Europë! E kërkuar nga e keqja dhe në pronësi të saj!.. Mjerisht! Por nuk ngjan gjithçka e pashpresë. Upanishadat e urtisë lashtoinduse parathonë se njeriu “nga mosdija arratiset në vdekje dhe me fuqinë e dijes çlirohet prej saj”. Shtegu, pra, është i rrahur tash mijëra vjet!
     Ndër patriarkët e penës që tjerrë hollë mendimin, është Gëte i madhërishëm që më vjen ta shfletoj përherë me mall e pasion të ri njohës. Më ka mbetur veçanërisht në kujtesë (në përkëthim të përpjekur nga unë) një strofë nga cikli poetik „Divani“, që ndonjëherë, pa dashje, e pëshpëris me gjuhën intime të shpirtit.
     „Ai ç‘prej vjetësh tremijë
     Nuk mësoi dot gjë për veten
     I tretur mbetet n’errësi
     Nga dita në ditë të shtyjë jetën…”
     Dhashë që në krye këtë fragment (të veçuar si margaritar edhe në “Botën e Sofisë”) për ti hapur udhë shkrimit që, poashtu si fjala e gjaktë e sipërme, dërgon thirrjen e tij lodhëse!
     Para ca ditësh im bir Endriti që ndjek mësimet në Gjimnazin (ndër më të vështirët) Marie-Curie në Berlin, më solli një Fletëpunë nga lënda “Europë”. Ishte paksa i habitur dhe, madje, i shqetësuar. Më thotë: Babi si është e mundur që Kosova të cilësohet vend totalisht i palirë (“Ein unfreies Land”), e hedhur në një anë me tiranitë më bestiale të botës? Në repartin e urryer të delikuentëve rendprishës ndërkombëtarë: Rusisë, Koresë veriore, Rusisë së bardhë, Kinës e Kubës?

     Tema e Fletëpunës me titull: “Demokracia dhe liria e mbarëbotshme” rrekej të bënte klasifikimin e rreptë të societeteve kombëtare të botës mbi rrafshet e kaptuar të lirisë njerëzore.
     Ngjyra e thekshme bojhiri shenjonte vendet plotësisht të lira, ato që, tashmë, kanë arkivuar në kujtesë mbytjen e njeriut brenda bashkëqytetarit të tyre në emër të utopive të mëdha që, si thotë një dijetar gjerman, përfundojnë aq shpesh në kampe përqendrimi. Në të dytin, ndërkaq, me shenjë të bardhë adresoheshin vende gjysmë të lira, ku aderonte Shqipëria, e ku, çuditërisht mungonin, fjala vjen bullgarë e rumunë, për të cilët relatorët e eprorëve të Brukselt ankohen e alarmojnë për korrupsion rrafshues, këtë votër brejtëse dhe, njëherësh, prag i shenjtë i shtetit juridik… Kurse nën shenjën e tretë të zezë ishin vënë ato shtete ku bën gjithnjë plojë paliria absolute. E midis tyre dhe Kosova jonë e ëndërruar, vajtuar e kënduar…
     Ndërsa për galerinë e të parave dhe vendeve të dyta jepen shumë tipare argumentative në ngasjen për të dëshmuar se atje njerëzia ose ishte e realizuar demokratikisht ose ende kultivohej gjysmakshëm e drejta e lirisë, por, sërish, shtyhej tutje tufanesh udha e zorshme e shkëputjes nga vargojt kulturës negative të despotisë – në “grupimin e Kosovës” shenjuar me të zi, në grupimin e stërmadh të bajlozëve e katallajve lirindjekës si të prrallave të frikshme që tejshtrihej gati në gjithë Azinë, kishte vetëm një radhë të shkruar shkurt: vende ku nuk ka kurrfarë të drejtash e lirishë. Dhe pikë! Asgjë më shumë. E kjo domethënë: nuk janë mbajtur kurrë zgjedhje të lira; nuk ka opozitarizëm ose është joefektiv; një parti e vetme, rëndom drejton shtetin gjatë, sfilitshëm gjatë; shtypi është klientelist, pra krejt i varur, i kontrolluar e mashtrues; ndrydhen të drejta etnike e religjioze e të tjera.
     Skandaloze? Ndoshta!
     Dikush mbase dhe do qesh thartë e me cinizëm: ah, le të thonë ç’të duan byrokratët e papunë. Mjaft që Kosova të jetë e veçansuar në hartë. Në hartën e subjektëve indipendentë të komunitetit shtetërorë të Europës. Po a mjafton, vërtetë? Më kujtohet fare mirë kur gazmorë të tillë fluturakë, gati mazohistë në yshtjen vetëvuajtëse, shfaqeshin ndër njerëzit tanë edhe në fillimvitet 90-të. Të egzaltuar në komocionin e abstinencës politike i kënaqeshin rrahjes, dëbimit, poshtërimit serbian. E përse? Do të flitej për ta. Me pietet e kudo. Si për heronjë të durimit e, pra, të triumfit kombëtar. Mirëpo tani është kohë me emblemë tjetër. Kohë e refuzimit të së pamirës me patriotizmin kushtetues dhe daljen ballas me njeriun shqiptar: elektorë apo pushtetarë!
     Sidoqoftë në kompaninë e të zinjve (sipas renditjes që shtrëngohej të mësonte im bir), pamja nuk është aspak uniformisht e njësojtë. Burimi i “Freedom Hous”-it famoz, i adoptuar nga Fletpuna gjimnaziale, do të duhej të bënte një tejndarje më të specifikuar të tyre. Që këtej, në disa syresh, pakoja a “shporta” helsinkiane nuk është sanksionuar fare ligjërisht (Kina, Koreja, Kuba, Irani, Rusia e bardhë). Përkundrazi. Ajo përceptohet si shantazh perëndimor dhe diktatura proletare, mullokratike apo e kriptuar në bizhutë e falsuara europianiste, brohoritet si përmasë e fundme e lumturisë. Kurse në disa të tjera, ku bën pjesë dhe Kosova, të drejtat demokratike ligjërohen nga vullneti politik formal, por praktikat qeverisëse degjenerojnë, jo rrallë, në farsë hidhtane!
     Ç’është e drejta, Kosova ka vuajtur shekujsh hijen robnore të hemisferës së faktorit Otoman, ka përjetuar pushtimin barbar serbian, ka lënguar nën krusmën shfytyruese bolshevike, ka ndjerë supesh kalvarin biblik të luftës, dhe të gjitha bashkë – mbi një truall të ngushtë dhe mbi një popull të vogël! Ndonëse këto nuk janë arsye legjitime për ta mëshiruar në vlerësime, ajo mbase ka lënë pas provën gjenerale të shtetit të lirisë. Ndaj, i them unë tim biri, rangimi i Kosovës në krah me zonat e errta të rruzullimit, më duket krejtësisht i padrejtë.
     Në fakt me këtë “provën gjenerale” të shoqërisë së lirë, nuk isha as vetë i bindur në absolvimin e saj. Ata që kanë rastisur të lexojnë ndonjë shkrim timin ndër vite, do të kenë parë se nuk jam dorëzuar kurrë në joshjet hedoniste të konformizmit të lig. Po disi, në raste të tilla përballjeje, mërgimtarët, ndryshe nga ngulimtarët, ndjejnë më thellë rropamën, dhimbjen, jetimërinë e Atdheut. Kujtoj, prandaj, shpesh një rrëfim të një emigranti të hershëm shqiptar të Amerikës tek thoshte se ne dendur demonstronim fuqishëm kundër regjimit të Tiranës në Uashington, por kur këtë e bënin edhe grekët – aherë ne suleshim kundër tyre. Brenda nesh fironte ideologjia dhe printe interesi madhor kombëtar, vetë qenia e Shqipërisë! Po, gjithsesi, më mrekullorja e këtij soji është formula aksiomatike e Konicës: në Shqipëri Zogu është kundërshtari im, thoshte ai për sovranin e shqiptarëve, kurse në botën tretdhetare ai është – mbreti im! 
     Dhe logjikshëm, në vijim të kuvendimit tonë, i sugjeroj atij të ngrihej lirshëm e me kurajë në klasë për të mohuar qartë kierarkinë e pretenduar: kjo, thjeshtë, nuk është e vërtetë!
     Po ç’ndodhi?
     Im bir do të kthehej të nesërmen nga shkolla i dëshpëruar. Madje, sikur ndjehej me faj dhe ndanë meje. Ia kishte thënë arsimtarit se shenja e zezë për Kosovën ishte e tepruar. E kishin dëgjuar të gjithë vëmendshëm. Nga ndonjë mik i tij dhe me mbështetje të zëshme. Pra, se Kosova me asgjë, pothuaj me asgjë nuk është prapa vendesh në rrethimin e saj natyror, e sidomos jo pas Serbisë. Serbisë fashistioide që kishte përgjakur Gadishullin, fsheh kriminelë lufte, me guvernë të kapur tajkunësh, që mbahet ende peng i projektit sllobodanian të rajhut serbomadh, nuk zbardh vrasjet politike, që favorizon median shërbëtoriste, shtyp, shpasuron e shpërngulë komunitete etnike e fetare dhe që, si thotë vetë profetisht saktë Jovanoviqi i liberalëve serbë, keqtrajton të gjithë në rajon. Natyrisht, ai do të shprehej e arsyetonte me të folmen a stilin e brezit dhe shkollës së tij…
     Por kot!
     Arsimtari i tij i dashur, kishte shfaqur butësisht një keqardhje kortezie. Mbase dhe mund ta ketë besuar nxënësin e tij të fyer në sedër nacionale, por kishte mbetur i fortifikuar në bindjet e tij. Nuk kishte tagër të cënonte oficialitetin e referencës dhe as të shprishte, ashtu, tabelën vlerore të demokracisë së popujve dhe të qytetërimeve të lirisë. Kosova, edhe në klasën e 9-të të një gjimnazi berlinez, do të vijonte të ishte rub i zi në Europë! E kërkuar nga e keqja dhe në pronësi të saj!..
     Mjerisht!
     Por nuk ngjan gjithçka e pashpresë. Upanishadat e urtisë lashtoinduse parathonë se njeriu “nga mosdija arratiset në vdekje dhe me fuqinë e dijes çlirohet prej saj”.
     Shtegu, pra, është i rrahur tash mijëra vjet!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura