ARBANA XHARRA: 1 MILION – NJË NJOHJE

(Prishtinë, 10. 03. 2012) – Për secilën njohje që ka marrë Kosova gjatë vitit të kaluar, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 1 milion euro. Kjo shumë është nxjerrë nga shpenzimet jashtë shtetit të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, mëditjet e tyre, dhe shpenzimet tjera të udhëtimit. Në këto shpenzime nuk llogaritet kontrata e veçantë e nënshkruar muaj më parë me kompaninë amerikanë “Patton Boggs LLP”, e cila udhëhiqet nga Frank Wisner. Zyrtarisht nuk raportohen shuma të shpenzuara në këtë drejtim as nga Ministria e Financave por as nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ndërkohë që burime të gazetës brenda qeverisë kanë bërë me dije se 5 për qind e shumës totale prej 386 milionë sa janë të ndara në linjën buxhetore për paga dhe mëditje për zyrtarët e qeverisë, shkojnë për udhëtim jashtë vendit që del të jetë për vitin e kaluar 19.3 milionë euro të shpenzuar, nga kjo shumë pjesa më e madhe është harxhuar për vizitat që kanë pasur të bëjnë vetëm me njohjet e shtetësisë së Kosovës.
     Kur llogaritet numri i njohjeve dhe paratë e shpenzuara del se mbi 1 milion euro ka kushtuar një njohje e fituar. Ministri për Financa, Bedri Hamza, tha se nuk ka linjë të veçantë për lobim, por që për këtë punë më saktë mund të sqarojnë ministritë adekuate që merren me lobim, siç është ajo e Punëve të Jashtme. As nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk është dhënë ndonjë shifer sesa ata shpenzojnë për udhëtime jashtë vendit.
     Vitin a kaluar është mësuar se mëditjet shkojnë deri ne 350 euro ku nuk llogaritet çmimi i biletës që nga zyrtarët e qeverisë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës gjithmonë është biznes class me çmime mbi 1000 euro, edhe çmimi i fjetjes nëpër hotelet me pesë yje.
     Këshilltari për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Artan Behrami, ka thënë e ka konfirmuar se në mungesë të një linje të veçantë buxhetore (përcaktim i Ministrisë së Financave), MPJ shfrytëzon buxhetin për lobim që rrjedh nga shpenzimet e udhëtimeve zyrtare si dhe përmes misioneve diplomatike-konsullore.”Meqë shumica e aktiviteteve lotuese ndërlidhen me shpenzime të udhëtimeve”, thënë Behrami.
Aktivitete lotuese
     Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, tha se bartës të politikës së jashtme të Kosovës, përfshi avokimin për njohje i bie MPJ-së së Kosovës. “Duke u nisur nga marrëveshja e koalicionit të vitit të kaluar, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli është i dërguar i veçantë i qeverisë, i cili ka dhënë kontribut shtesë të madh në çështje lobimi, siç ka dhënë edhe presidentja Jahjaga, me paraqitjet e saj në forume të ndryshme”, ka thënë Selimi, për të shtuar se në këtë proces janë të involvuar edhe organizata dhe individë dashamirë, si dhe për nga obligimi zyrtar edhe shumica e ministrive simotra europiane, që lobojnë te rrjeti i vetë i shteteve, për shembull Britania gjithnjë angazhohet me shtetet e Komonuelthit ndërsa Franca me ato të Frankofonisë.
     Ai tha shpjeguar këtë proces duke thënë se është një gamë diverse dhe e gjerë aktivitetesh: ka komunikime të hapura por edhe sekrete të drejtpërdrejta me homologë dhe vendimmarrës në shtete që nuk na kanë njohur; një pjesë e aktiviteteteve për herë të parë që nga viti i kaluar janë edhe nëpërmjet diplomacisë publike, dhe ne sivjet do të kemi agjendë edhe më të shpeshtë në këtë aspekt. “Kemi edhe organizata dhe partnerë të ndryshëm, si dhe burrështetas që angazhohen drejtpërdrejt në avokim qoftë për MPJ-në apo për Zyrën e ZKM Pacollit. Dialogu me BE-në mbetet shtyllë e rëndësishme për njohje të Kosovës si shtet i pavarur”, ka thënë Selimi. Sipas tij, efektet janë të matshme dhe të pakontestueshme. “Kemi rritje të njohjeve 2011 krahasim me 2010, edhe pse sfondi i shteteve jonjohëse zvogëlohet me çdo njohje të re. Kemi katërfishim të kontakteve bilaterale me shtete jonjohëse dhe ka dhjetëfishim në numra real të vizitave studiuese dhe avokuese me mysafirë nga shtetet që nuk na kanë njohur”, ka thënë Selimi
Shatri: Lobim i kot
     Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, tha se këto shpenzime për lobim nuk i kanë sjellë asgjë Kosovës, sipas tij, më mirë me ato mjete të luftohet korrupsioni dhe dukurittë e këqija që e kanë prishur imazhin e Kosovës. “Ato miliona kanë mundur të investohen në Kosovë, të rregullohej imazhi i vendit, e vetëm ashtu do të tërhiqnim investime dhe ndërkohë njohje”, ka thënë Shatri. Vitin e kaluar, as shtimi i numrit të zyrtarëve qeveritarë për të lobuar në vende të ndryshme të botës, nuk i ka “ndezur” Qeverisë së Kosovës që të shtojë numrin e njohjeve. Për dallim nga Qeveria e kaluar, ku ministri i Punëve të Jashtme ka qenë bartësi i diplomacisë, në Qeverinë Thaçi 2, pos ministrit të Jashtëm, është angazhuar ekskluzivisht me këtë “mision” edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Përgjatë tërë vitit 2011, shtetin e Kosovës e kanë njohur vetëm njëmbëdhjetë vende, që është numër i përafërt me njohjet që kanë ardhur përgjatë vitit 2010. Nga këto 11 njohje, Katari, Republika e Guinea-Bissau dhe Sulltanati i Omanit, kanë njohur Kosovën në kohën kur vendi ka pasur një qeveri në dorëheqje, për shkak të daljes së LDK-së nga koalicioni.
Serbia lobon me letra 
     Ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri”, se Serbia është duke dërguar letra shteteve që nuk na kanë njohur, duke u thirrur në Rezolutën 1244. “Serbia është duke e shfrytëzuar marrëveshjen për përfaqësim rajonal duke iu dërguar letra vendeve që nuk na kanë njohur, duke kërkuar që t’i referohen 1244, due na quajtur shqiptarët e Kosovës, dhe në mënyrë implicite kanë thënë se do t’u kthehen bisedimeve për statusin e Kosovës”, ka thënë Hyseni. Ai ka bërë me die se në këtë letër thuhet se Beogradi iu ka bërë me dije këtyre vendeve se do t’u rikthehet bisedimeve për statusin e Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura