IDIL VJESHTORE …

Skicë

IDIL VJESHTORE …

Nga Prof.Elife Podvorica Jashari, Prishtinë 26 tetor 2021

Nën ndikimin e shtatë “chakrave” që dëgjoja këtyre ditëve në youtube, që nga mbrëmë vendosa të bëja një ndryshim dhe të ndërroja destinacionin e ecjes time mëngjesore. Nuk kisha dalur qëmoti në Gërmi, andaj tek gjarpëroja mes drunjëve, ndjehesha shumë mirë për vendimin tim. Ecja prajshëm dhe nën hapat e mi ndjehej shushurima e gjetheve, të cilat kishin mbuluar shtegun e ecjes, në kolekcion ngjyrash të kuqrremta. Ndërsa degët e drunjëve ishin mbështjellur me gjethe të praruara, të cilat nën rrezet e diellit mëngjesor, bënin një harmoni ngjyrash të arta!

Të kishte ëndja të ecje dhe ashtu shpërfillur të mbushje mushkëritë me ajrin e pastër. Në momentin kur mendimet e lëna përgjysmë bënin tendencë të vinin vrulltas në mendjen time,mundohesha t’u zija pritën me ngadalësimin e hapave të mi, për të shijuar këtë idilë vjeshtore! E mbështjellur nën ngjyrat e saja, mundohesha të shijoja vetëm “të tashmen”. Ashtu siç kisha lexuar. As “të djeshmen” e as “të nesërmen”.

Por, kur më binte në mend që sot kisha planifikuar të pastroja katin e tretë të shtëpisë, më kapte tmerri dhe thosha më vete ”më mirë të rri në të djeshmen”, sepse dje kisha bërë po këtë gjë. Kisha la e fshi tërë ditën. Isha munduar që katin e tretë, t`ia lija bashkëshortit peshqesh, por meq ai jeton gjithmonë vetëm për “të nesërmen”, për shkak të natyrës së punës së tij, dhe “të tashmen”, s’e ka takuar ende, e dija që s’kam ku të vete më dhe duhej t’a kryeja këtë punë sot në “të tashmen”.

Falë bisedave që mi kapte veshi ashtu në copëza saherë më kalonin njerëzit përbri, më largonin nga mendimet e mija! Bile, nga fjalët thumbuese që i dëgjova nga ca zonja të shtyra në moshë, më erdhi të qeshja me vete disa hapa të mirë. Dhe përnjëherë më shkoi mendja në heshtjen e drunjëve kryelartë, që kishin puthitur qiellin e kaltërt! A thua sa fjalë e debate kishin “dëgjuar” ndër vitet për sa kohë ata ishin mbi tokë! Sa pshertima, e sa emocione kishin futur nëpër poret e gëzhojës së tyre të trashë?

Sa dëshmitarë të heshtur që janë – thosha me vete, deri në momentin kur arrita tek restorani i zbukuruar me lloj-lloj lulesh kuqaloshe! Porosita kafen dhe shkova drejtë tek këndi i librave të cilave u kishte humbur simetria nëpër dollapët ku ishin vendosur. Në këtë hallakam, më ra në sy një libër autor i së cilës ishte Ukshin Hoti! Pasi piva kafen, nga restorani dola bashkë me librin, e cila nëpër faqet e saj, ishte e nënvizuar kujdesshëm nga  lexuesi paraprak.

Gjeta një stol nën rrezet e diellit dhe u ula të shfletoja librin me një admirim të madhë, si për autorin e saj, ashtu edhe për botuesin, por patjetër edhe për lexuesin që kishte nënvizuar paragrafe shumë interesante, të cilat autori i librit i kishte shkruar me rezonin e tij të gjërë intelektual, ashtu siç shpreheshin ata të cilët e kishin botuar, pastaj në parathënie e pasthënie. Ndërsa një njohës i tij anglez, gjatë kohës sa ishte njohur me Ukshin Hotin në Universitetin e Harvardit gjatë viteve 1977-78, më la edhe më shumë mbresa, nga fjalët e tij tërë admirim me të cilat shpaloste personalitetin e Ukshin Hotit, i cili në atë kohë ishte në Harvard për të bërë hulumtime shkencore për mundësitë dhe implikimet politike të një Kosove të pavarur!

***

U ktheva në shtëpi e mbushur plotë emocion jo vetëm për librin dhe fjalët që ishin shkruar, por edhe për gjithë ata njerëz e figura shqiptare, që me penë e intelektualizëm kishin nisur një kauzë, e cila në atë kohë dukej gati e pamundur….

– Mami, po thërriste vajza ime, sapo më pa të hyja në dyertë e shtëpisë! E di çfarë ka ndodhur?

U shtanga kur pashë fytyrën e saj të ënjtur nga lotët që i rridhnin qurg faqeve. Ajo mes dënesash, më tregoi se si një nënë të re, nuk e lejonin që të mirrte vizën për të shkuar në vizitë tek fëmiu i saj i vogël, që ishte duke u shëruar jashtë vendit. Vajza fliste dhe furishëm ishte nisur për te vetura e saj që të nisej drejtë sheshit ku do të bëhej një protestë në ndihmë të nënës së re shqiptare që i ishte mohuar viza dhe shkuarja e saj aty ku po përpëlitej fëmiu i saj me sëmundjen e rëndë!

Nuk munda të gjeja asnjë fjalë ngushëlluese për te, iu bashkova vetëm me lotët të cilët sikur kishin ndejtur të gatshëm, fshehur nën qepallat e mia…

Ah – pshertëiva, derisa po mbylleshin dyert e oborrit dhe makina po fluturonte rrugës së ngushtë të lagjes sonë.

– Ja “e tashmja” e jonë si popull! Më ngjanë shumë me të “përjetshmen” padrejtësi që na bëhet herë në atë epokë e herë në këtë epokë…

– Të gjitha jam munduar t’i parashoh, por që të vijë një kohë në shek e 21 dhe shqiptarët e Kosovës mos të kenë të drejtën e lëvizjes, vërtetë nuk e kam parë as në ëndrrën më të llahtarshme – sapo i kisha thënë një gruas këtyre ditëve, që kishte arritur votat e nevojshme për tu bërë asambleiste…

– Zot ndihmoje nënën e re dhe bashkoje me fëmiun e saj…! Njerëzit janë duke e penguar këtë gjë, andaj zgjate dorën Tënde e ndihmoje nënën…! Po lutesha unë…

Nuk e di pse, por në duhmën e lutjes sime, mu kujtua gruaja e youtube, që fliste për llojin e shtatë “chakrave”, e cila me atë fytyrë zonje të mbajtur mirë, sqaronte me elegancë mundësinë e limitit të kohërave mes tyresh – të djeshtmes, të tashmes dhe të ardhmes…

Cilat janë 7 Çakrat?

-Ehhh e “tashmja” shqiptare… pshertiva nga thëllësia e shpirtit tim të vrarë. Të vrarë nga klithmat e nënës së re, të vrarë edhe nga lotët e vajzës sime, e cila pas pak ditësh këtu në vendin e saj të izoluar, do të këndonte një arie operistike nga një kompozitor europian, i cili kur e kishte kompozuar veprën e tij muzikore, nuk e kishte ditur që një ditë, pas pothuaj 200 vitesh, do ta këndonte një gocë shqiptare e cila edhe pse e privuar nga drejta e lëvizjes së lirë, arien operistike e këndonte përmendësh në gjuhën e kompozitorit të veprës …

E Ajo sot, në vend të provës me orkestër, kishte dalur në rrugë të ngriste zërin ndaj padrejtësive dhe anomalive të ligjeve që njerëzit i kanë bërë…

Prof.Elife Podvorica Jashari

Ndërsa fëmiu i pafajshëm, në sipërfaqen e xhamave të dhomës në spital, pret të shoh sytë e mamit, që se kupton pse mami i tij nuk është aty, në ato çaste të vështira që ai është kah i përjeton në mesin e njerëzve të huaj…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura