SALIH MEHMETI: SCHMITT – NJË RRËFIM PËR NJË POST-MODERNIST

Prishtinë, 12. 01. 2013 – (…οὕτως ἐξ ἱστορίας ἀναιρεθείσης τῆς ἀληθείας τὸ καταλειπόμενον αὐτῆς ἀνωφελὲς γίνεται διήγημα. – ….nëse historisë i hiqet e vërteta, ajo mbetet bosh, një rrëfenjë e kotë. Polibi, Historia, 1.14.6) – Tash së fundi doli në shqip libri i Oliver Jens Schmitt ‘Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike’ nga kompania ‘KOHA’, e njohur për botime të cilat vetëm sa rrisin inflacionin e librave me agjendë të caktuar. Buja mediale që i jepet si zakonisht historianit 39 vjeçar nga Austria është në përpjestim të zhdrejtë me cilësinë e publikimeve të tij. Përtej vernikut mediatik, librin ‘Kosova…’ e përshkon një përqasje e skajshme post-moderniste e të rrëfyerit historik. Me fjalë të tjera, ajo është veçse një mëtim arrogant se gjoja nuk ekziston një e vërtetë e vetme por disa sosh, të cilat ballafaqohen përhershëm nga interpretime shemra.
Në një përsiatje të shkëlqyer mbi po këtë problem, historiania amerikane Mary R. Lefkowitz nënvizon se ithtarët e post-modernizmit besojnë se asnjë rrëfim historik nuk mund të konsiderohet autoritativ, sepse studiuesit prore kanë motive politike, pavarësisht nëse janë ose jo të vetëdijshëm për to. Post-modernistët, me fjalë të tjera, besojnë se nuk mund të ketë objektivitet për asgjë. Sipas tyre, çdo pretendim është i dyshimtë, veçmas kur është i pranuar përgjithësisht si i njëmendët. Motivet e secilit historian duhet të qëmtohen, përveç atyre të post-modernistëve. Në format e tij më të skajshme, post-modernizmi mbështet idenë se faktet nuk janë asgjë tjetër përveç opinione, se objektiviteti i njëmendët është i pamundshëm, se nuk ka një të vërtetë por vetëm një mendim mbizotërues, ose një konsensus mbizotërues, në ndonjërën nga fushat e shkencës. Me një kritikë të ngjashme shigjeton edhe Noam Çomski, sipas të cilit post-modernizmi është i pakuptimtë sepse nuk i shton asgjë dijës empirike ose asaj analitike. Zaten, përqasja post-moderniste e Schmitt-it ngre qindra pikëpyetje, të cilave rrallëherë qëllon t’u japë përgjigje.

Oliver Jens Schmitt

Së këndejmi, dekonstruktimi që përvijon ky historian nuk ofron ndonjë version alternativ, që do të rindërtonte kënaqshëm kuadrin e së kaluarës së Kosovës. Libri ‘Kosova…’ gëlon nga lajthime trashanike, të bëra herë nga njëanshmëria e tij, e herë nga burimet e përcipta në të cilat mbështetet. Lajthimet e tjera metodologjike burojnë nga fakti që Schmitt-i është veçse një rishtar në shumë prej fushave të cilat gjakon t’i mbarështrojë. Leximi i rrëfimit të tij vështirësohet pamasë nga cilësia e dobët e përkthimit, i sipërmarrë nga Enver Robelli, që t’i acaron nervat nga gabimet e njëpasnjëshme ortografike. Për hir të së vërtetës, Schmitt teksa zhdrivillon historinë e Kosovës ndër vite, sipërfaq aty-këtu edhe pohime e interpretime korrekte, sidomos për mesjetën dhe falsitetin e disa pretendimeve serbe në lidhje me të ashtuquajturat emigrime masive.
Vetëdija etno-nacionale
Në zemër të interpretimeve revizioniste të Schmitt-it qëndrojnë përqasjet e reja moderniste, të cilat identitetin dhe vetëdijen etnike e kombëtare e shohin si zhvillim të vonë, kryesisht të injektuar nga elita të ngushta politike, etnike apo fetare. Duke përvijuar modelin konstrukstionist të identiteteve etnike e kombëtare, Schmitt i mëshon asaj që shqiptarët patën një zhvillim të vonuar të vetëdijes etnike, e rrjedhimisht edhe asaj kombëtare. Pasojisht, ai në mënyrë ad naseum e përdor termin ‘shqipfolës’ në vend të atij ‘shqiptar’, teksa përshkruan shqiptarët në kontekste të ndryshme kohore. Një formulim si ky (të cilin e përdor 42 herë në libër) ka nëntekstin se shqiptarët në të shumtën e herave paskëshin qenë sall një kategori linguistike, pa një vertebër etnike.
Historani austriak ka vetëm një ide të vagullt mbi çfarësinë e identitetit etnik, ngase përdor premisa të gabuara, të cilat s’pëlqehen aspak me realitetet historike. David Anthony në një përsiatje të gjithanshme mbi shoqëritë indo-evropiane, vërën në një rast se: “Politikat kundërshtuese kristalizojnë kush nuk jemi ne, megjithëse nuk jemi të sigurt kush jemi ne, dhe kësisoj luajnë një rol të dorës së parë në përkufizimin e identiteteve etnike” (The Horse, The Wheel, & Language: How Bronze-Age Riders from the Eurasian Steppes Shaped the Modern World, 2009, f.114).
Siç pikas me plotë të drejtë, lingusti i shquar italian, Guliano Bonfante, ndodh shpeshherë që një popull nuk i jep vetës një emër të caktuar. “Shpjegimi nuk është i vështirë – nënvizon Bonfante – përbashkësia e një populli ndjehet më tepër nga një i huaj sesa nga elementet e popullit vetë”. Një gjerman i ndjen mjaft fuqishëm veçanësitë regjionale të një bavariani, saksoni apo reniani, të cilat një i huaj rrallë i vëren. Në të njëjtën mënyrë, një italian shpesh e ndjen vetën mbi të gjitha si sicilian, milanez, venecian, napolitan, etj, kurse për një anglez ai është vetëm një ‘italian’ dhe asgjë tjetër. (G. Bonfante ‘The Name of the Phoenicians’ në Classical Philology, Vol. No. 1 (1941), p.10).

Kopertina e librit: ‘Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike’.

………………………….

Arnavud kavim
Nëse trendi i studimeve moderniste vë theksin në rëndësinë e ndjesimeve subjektive të një grupi etnik (më tepër sesa në elementet kulturore e gjenetike), atëherë paradigma e Max Veberit meriton të përmendet gjatë trajtesave që qendërzohen rreth identitetit kombëtar të shqiptarëve. Sipas tij, etniciteti është shuma e asaj sesi e ndjeson vetën një bashkësi e caktuar, dhe si ndjesohet nga të tjerët po kjo bashkësi. Vëzhguesit perëndimor të shek. XIX, të cilët i ranë tërthoreve të Shqipërisë në tërë shtrirjen e saj klasike (prej Gjirit të Kotorrit deri në Korinth; prej Pindit gjer në Vardar e Moravë), patën rastin të njohin për së afërmi mendësinë dhe idiosinkracinë e shqiptarëve të kohës. Njoftimet e George Finlay, John Hobhouse, Charles Eliot e plot të tjerë, dallonin thekshëm ndjenjën e zbehtë fetare ndër shqiptarë, që ua lejonte atyre zhvillimin e një ndjenje të përbashkësisë, duke u leçitë nga të tjerët. Një element krejt i shpërfillur është fakti sesi ndjesoheshin shqiptarët nga autoritetet perandorake të Stambollit. Administrata osmane në të shumtën e kohës gjatë ndarjes së popujve vartës përdorte matricën fetare, me ç’rast shumica e popujve ortodoks të Ballkanit cilësoheshin formalisht si pjesë e miletit ortodoks, duke mos honepsur dallesat e thekshme gjuhësore midis tyre. Por këtu nxjerr krye një përjashtim i rëndësishëm e fort kuptimplotë. Siç vëren Charles Elliot, osmanët i ndjesonin si të njëjtë arnautët, qofshin ata muslimanë apo të krishterë (“Arnavud kavmi”). Ky element thelbësor nuk duhet të kalojë në heshtje, siç provon të bëjë Schmitt.
Shpikja e identitetit religjioz
Duke përdorur dendësisht cilësimin ‘musliman’ për çdo lëvizje politike e shoqërore në Kosovën e shekujve XIX dhe XX, ai jep një përshtypje të gënjeshtërt sikur këto tërthore të Perandorisë Osmane ishin amshueshmënisht të gozhduara në qerthujt e konservatorizmit dhe fanatizmit fetar. Në fq. 147, Schmit rreket të sqarojë se gjoja muslimanët shqiptarë i paskan shkëputur lidhjet me bashkëbesimtarët e tyre boshnjakë, vetëm kur këta të fundit me yshtjen e Serbisë u përpoqën të imponoheshin nëpër xhamitë e Kosovës. Ky pohim i thënë kuturu përgënjeshtrohet jo vetëm nga fakti që një “simbiozë e ngushtë” (po të përdorim termin e Schmitt-it) nuk ka ekzistuar asnjëherë, por edhe nga fakti tjetër që krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit hodhën poshtë prerazi rekomandimin e Stambollit për të luftuar në mbrojtje të Vilajetit të Bosnjës, i cili rrezikohej të gllabërohej nga Perandoria austro-hungareze. Krerë të rëndësishëm të Lidhjes, si Ali Pashë Gucia vendosmërisht kundërshtuan një gjë të tillë, duke këmbëngulur që formacionet ushtarake të Lidhjes të përdoreshin vetëm e vetëm për mbrojtjen e trevave gjeografike, në të cilat shquhej shumica shqiptare. Gazeta “Journal de Debat”, duke bërë fjalë për Lidhjen që kanë bërë shqiptarët, shkruante: “Ndërmjet kryengritjes së boshnjakëve dhe asaj të shqiptarëve ka një ndryshim: boshnjakët janë nxitur kryesisht nga fanatizmi fetar, kurse shqiptarët janë të mveshur nga ndjenja e kombësisë dhe nga sedra kombëtare pa kurrfarë fanatizmi fetar”. (Terxhuman-i Shark, viti I, 133, 29.8 (10.9), 1878, f.3).
Një studiues objektiv britanik si Noel Malcolm në librin e tij ‘Bosnia, a short history’ nuk përmend asnjë përpjekje të shqiptarëve për t’u implikuar në mbrojtjen e Vilajetit të Bosnjës në emër të motiveve fetare apo të lojalitetit perandorak. E nëse ka ekzistuar një “simbiozë e ngushtë”, ajo është thjeshtësisht politike dhe aspak fetare. Padyshim që Sami Frashëri jep përgjigjen më bindëse kur thotë se: “interesat e përbashkëta të myslimanëve të Bosnjës dhe të shqiptarëve i lidhin me serbët e malazeztë, të cilët që moti janë dushmanë të tyre…”(Terxhuman-i Shark,viti I, nr.109, 4 (16) gusht 1878, f.1-2).
Dardanët – përtej sterotipeve
Një nga pohimet më kundërthënëse me të cilat hapet libri është përshkrimi i përciptë që autori u bën fisit ilir të dardanëve, banorëve të kryehershëm të Kosovës. Sipas tij “Gjeografët antikë dhe historianët i përshkruajnë dardanët me vokabularin tipik të barbarëve: thuhej se janë të panjerëzishëm, të egër, por edhe trima dhe kryengritës” (fq.35). Schmitt nuk bën as rropatjen më të vogël për të depërtuar përtej paragjykimeve të autorëve grekë e romakë, të cilët qëllimshëm i demonizonin dardanët sikur gjithë fiset e tjera jashtë orbitës kulturore greko-romake. Burimi i krejt paragjykimeve të tilla i detyrohet faktit se shumë prej autorëve të moçëm kishin veçse një rravgim mbi botën e stërmadhe ilire e thrake ose shfrytëzonin thashetheme malicioze të kohës. Duke u nisur nga një fragment i gjeografit grek, Strabo, dardanët nga disa janë menduar si një popull i papastër e pa kulturë higjienike, i cili rronte në banesa të rrëmihura nën pleh.
Një paragjykim i tillë, prodhim i pastër i imagjinatës greke, ka marrë përgjigje të kënaqshme nga ilirologët ndërkombëtarë. Kësisoj, Aleksandër Stipçeviq beson se papastërtia tek dardanët “nuk ka pasur lidhje me shprehitë higjienike të dardanëve, por aty është fjala për larjet rituale, të cilat hasen te shumë popuj të tjerë” (A.Stipçeviç, Ilirët, Rilindja 1980, f.90). ). Edhe studiuesi anglez, Franklin Walbank është i prirur të besojë se kjo “mënyrë jetese vështirë t’u përshtatet pronarëve të pasur të skllevërve ose shërbyesve” (Walbank “Iliria e Jugut në shekujt III-II p.e.s në Studime Ilire I, Rilindja 1978, f.302). Por në të njëjtin fragment të gjeografit grek ekziston edhe një dromcë befasuese, e cila flet për shijet subtile të dardanëve rreth muzikës (teksti origjinal në greqisht jep këtë: μουσικῆς δ’ ὅμως ἐπεμελήθησαν ἀεὶ χρώμενοι καὶ αὐλοῖς καὶ τοῖς ἐντατοῖς ὀργάνοις. οὗτοι μὲν οὖν ἐν τῇ μεσογαίᾳ).
Më afër vërtetësisë qëndron pikëpamja në bazë të të cilës dardanët për një kohë të gjatë patën një formacion të mirëfilltë shtetëror, i cili i kundër-qëndronte thuajse barabartësisht shtetit maqedonas, më të cilin kishte fërkime të vazhdueshme. Ekzistenca e një ushtrie të mirë-organizuar (Diodori), klasa skllavo-pronare e fuqishme si dhe politika energjike e mbretërve dardanë përligj hamendësimin se dardanët kishin një jetë aktive politike, e cila nënkupton një sistem të përparuar shtetëror për kohën. Këto hollësi qëllimshëm lihen anash nga Schmitt, i cili synon shestimin e një paradigme se treva e Kosovës në mënyrë të përhershme, organizimin politik ia detyron forcave të jashtme (Perandorisë Romake-Bizantine, serbe dhe së fundmi asaj osmane).
Lajthime banale
Pena e Schmitt-it rrëshqet në gabime trashanike, veçmas në periudhën e mesjetës. Një rast eklatant është interpretimi i tij mbi betejën apokaliptike të nëntorit të vitit 1448, ku Skënderbeu nuk arriti t’i bashkëngjitej hunagerezëve të Huniadit. Schmitti në mënyrë krejt paushalle thotë se “Skënderbeu ishte kurthuar në zënka të vogla në Shqipërinë e Veriut dhe ishte vonuar të mbërrinte në lindje” (fq.46). Ky lajthim grotesk duket se ia kalon edhe atij të historianit rumun Radu Florescu, i cili pretendonte se Skënderbeu ishte burgosur nga Gjergj Brankoviqi (sic!). Por burime të besueshme nuk lënë shteg për dyshim: Skënderbeu u vonua jo pse kishte zënka në veri të Shqipërisë, por pse Brankoviqi për t’i trashur lidhjet e tij me Sulltanin, e kishte penguar Skëndërbeun që të kalonte mespërmes zotërimeve të tij feudale, që përfshinin një pjesë të mirë të Kosovës së sotme. Duke i zënë grykat kryesore të kalimeve, Brankoviqi pengoi ushtrinë e Skënderbeut që t’i dilte në krah Janosh Huniadit, trupat e të cilit pothuajse u asgjësuan nga një sulm i stuhishëm osman. Në vazhdim Skëndërbeu “që të mos mbetej fare pa u hakmarrë… dhe pa e marrë hakun me ndonjë farë veprimi për pabesinë e Gjergjit (Brakonviqit – shën. imi S.M), u lëshua me një herë kundër visevet armike të Dhespotit bashkë me ushtrinë e vet të mënishme dhe, pasi i plaçkiti gjerësisht, u vuri zjarrin dhe i shkatërroi me shpatë an’e mbanë” (Marlin Barleti, Historia e jetës dhe e vepravet të Skenderbeut, Tiranë 1964, f.124).
Një interpretim i tillë pranohet edhe nga njohësi i thekur i historisë osmane, Donald Edgar Pitcher, i cili pohon se Brankoviqi luajti një rol në fitoren e Sulltanit në vitin 1448 (An Historical Geography of the Ottoman Empire from the Earliest Times to the End of the Sixteenth Century (Leiden: Brill, 1972), f.71). Një pasaktësi e panevojshme e Schmitt-it është supozimi i tij se nëna e Skënderbeut ishte nga dera e Brankoviqëve të Pollogut (fq.46). Ky hamendësim orvatet që përmes disa dromcave të hapërdara të sajojë praninë e Brankoviqëve në tërthoret e Pollogut. Historiani austriak nuk e peshon në kandarin e gjykimit faktin përmbajtësor, të nënvizuar sa e sa herë nga Marin Barleti, se treva e Dibrës së Poshtme (pra ultësira e Pollogut) gjer në afërsi të Shkupit banohej nga arbërit. Një traditë e rrënjosur që nga kronika e Gjon Muzakës e këtej lë të nënkuptohet se Vojsava ishte nga dera e fisme e Muzakajve. Në të mirë të këtij supozimi shërben fakti se Muzakajt përmenden në këto anë mjaft dendur gjatë përplasjeve të tyre të përgjakshme me sundimtarin serb të Prilepit, Krajleviç Marko.
Beteja e Kosovës
Një mangësi tjetër e Schmitt-it është trajtimi i përciptë i Betejës së Kosovës (fq.44). Ai nuk zë n’gojë aspak pjesëmarrjen e numërt të shqiptarëve, madje as të hungarezëve, vllehve, bullgarëve, etj. Duke qëmtuar ngjarjet që i paraprinë kësaj beteje të sertë, Schmitt në mënyrë fort paragjykuese sikur u lë fajësinë shqiptarëve dhe ‘vasalitetit’ të tyre ndaj osmanëve (në libër apostrofon luftën e Gjergj Balshës II, të ndihmuar nga trupat osmane, kundër mbretit boshnjak, Tvërtko). Për të mos i hyrë në hak të vërtetës, Schmitt do të duhej të ndriçonte faktin se përparimi osman në Ballkan u mundësua jo pak nga sundimtarët serbë, të cilët nuk shqiteshin nga mendësia partikulariste e interesave feudale. Madje edhe në apogjeun e fuqive të tij perandorake, Car Dushani i ofroi bijën e tij për martesë sundimtarit osman, Orhan. (Encyclopedia of the Ottoman Empire, Gábor Ágoston and Bruce Masters, 2009, f.517).
Vëllazëria Musiq
Një gabim tjetër i Schmitt-it është se ai e merr si të mirëqenë përkatësinë serbe të familjes fisnike të Musiqve (fq.41), të cilët sunduan në veri të Kosovës, në hapësirat prej Rashkës gjer në Kopaonik. Përderisa asnjë burim i shkruar nuk sugjeron origjinën e tyre serbe, historiani gjerman, Felix Kanitz përpiqej t’i nxirrte ata nga dera bujare e Musatëve të Molldavisë (1914: 142). Por përkime të forta kronologjike e një sërë faktesh të tjera i japin të drejtë supozimit se i pari i kësaj familjeje (çelnik Musa) ishte vetë Musa Arbanasi, personazhi i kudondodhur i rapsodive kalorsiake serbe.
Epiri në statistika
Duke prekur krejt përciptazi çështjen e popullsisë shqiptare që jetonte jashtë kufijve të shtetit shqiptar, historiani post-modernist austriak shprehet se “…popullsia shqiptare jo gjithkund ishte shumicë, për më tepër në shumë vende ishte pakicë sidomos në pjesën jugore të Epirit, i cili sot i takon Greqisë” (fq.141). Ka mjaft të ngjarë që Schmitt të jetë dorëzuar përballë një mali të tërë statistikash e njoftimesh mbi përbërjen etnike të Epirit jugor, të cilat dokumentojnë shumicën shqiptare. Të përputhshme me këto raportime janë edhe statistikat osmane, për të cilat edhe vetë akademiku grek, Michael B. Sakellariou, është i shtrënguar të pranojë se ato flasin për një shumicë të dukshme të shqiptarëve ndaj popullsisë e cila deklarohej si greke në Epir (shih ‘Epirus, 4000 years of Greek history and civilization’, Ekdotikē Athēnōn, 1997, f. 356). Për t’i zhdavaritë pikëpyetjet e tij, Schmitt-it i rekomandohet detyrimisht leximi i librit të K. Myrtilos – Apostolides Ὁ Στενίμαχος, (Athinë), në të cilën precizohet se: “…epirotët shpeshherë janë quajtur shqiptarë, ngase ata flisnin shqipen’ (1929: 34). Një përmasë tjetër e shqiptarësisë së Epirit është se viset më në jug të Gjirit të Artës, duke përfshirë krejt Akarnaninë cilësoheshin gjer vonë si shqiptare, ashtu siç kumtojnë Pouqueville, Hobhouse, Faverial dhe Reclus.
Kishat ortodokse, përpjekje për ri-interpretim
Duke komentuar përpjekjet e disa studiuesve shqiptarë të cilët thonë se kishat ortodokse janë ndërtuar nga shqiptarët katolikë gjatë shekullit të 14-të, Schmitt pa menduar dy herë i bjen mohit duke thënë se “ky ri-interpretim…nuk ka bazë shkencore” (f.283). Një gjykim kaq i cektë nuk i jep përgjigje faktit që në disa prej manastireve kryesore ortodokse në vendin tonë, enterieri shquhet për një ikonografi të begatë e cila ka përjetësuar elemente të botës shqiptare, të cilat më tepër duhen parë si një reflektim i përbërjes etnike të ortodoksëve që vizitonin këta tempuj.
Kosova Lindore
Një nga paragrafët më skandaloz të librit është vlerësimi i Schmitt-it për kryengritjen shqiptare të vitit 2000 në Kosovën Lindore, të cilën ai e trajton në kapitullin me titull paragjykues “Eksportimi i ekstremizmit shqiptaro-kosovar” (fq.270). Në faqen vijuese, ai thotë se kryengritja në këto anë u cyt nga luftëtarët e demobilizuar të UÇK-së. Ndonëse post-modernisti austriak u premton lexuesve se libri i tij “synon të ofrojë një vështrim analitik të historisë së një treve qendrore ballkanike, të shpjegojë dhe më pak të rrëfejë” (fq.15), autori me vetëdije ose jo përdor standarde të dyfishta vlerësimi sepse nuk trajton problemin e Kosovës Lindore në thellësinë historike për t’i gjetur fillin. Ai nuk komenton fare mbajtjen e plebishitit gjithë-popullor të shqiptarëve të Medvegjës, Bujanocit e Preshevës me 1 dhe 2 mars 1992, të cilët në mënyrë të njëzëshme u shprehën për bashkim me Kosovën. Pra, lufta e vitit 2000 nuk është eksportuar nga “ekstremistët shqiptarë”, por është rezultat i agresionit të Beogradit për të mos honepsur vullnetin politik të shqiptarëve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura