DOBAJT ‘SOJI I MIRË’ I GJIROKSATRËS

Pashtriku.org, 05. 11. 2013- “Arrajt: marraj/ pushtër: …/ të mirë: Xhaxhiajt/ trima: Gallajxhiajt/ soj i mirë Dobajt/ kadilerë: Hoxhajt/ të pasur: Selfatë…”. Këto janë një pjesë e vargjeve të këngës së famshme të fiseve të qytetit, që është trashëguar brez pas brezi prej shumë shekujsh. “Soj i mirë”. Kështu është cilësuar prej qindra vitesh prej bashkëqytetarëve të vet fisi Dobi, njëri prej më të vjetërve në Gjirokastër, degët e të cilit shtrihen në të gjitha anët e globit.
Fisi Dobi
Fisi Dobi cilësohet ndër më të mëdhenjtë e më të vjetrit e qytetit të Gjirokastrës. Është ndër fiset, pjesëtarët e të cilit kanë qenë pjesë e banorëve të parë të kalasë.
Tashmë janë vetëm 3 familje me këtë mbiemër që nuk e kanë lënë ende qytetin e gurtë. Në njërën prej tyre që jeton në lagjen “Partizani”, gjejmë Rexhep Dobin dhe motrën e tij Sanie Dobi Sinoimerin, që ka ardhur në vendlindje për pak kohë. Ish-mësuesi është i vetmi dhe i fundit Dobi nga dega e tij, që vazhdon të jetojë aty e që nuk dëshiron t’i ndahet Gjirokastrës, edhe pse dy djemtë e tij jetojnë në Tiranë, pasi këtu ka kaluar gjithë jeta e tij.

Ndërsa Sania për asnjë moment nuk e fsheh mallin për Gjirokastrën, nostalgjinë për vitet e kaluara aty dhe dashurinë për historinë e familjes së vet. Flasin vazhdimisht me njëri- tjetrin për histori të ndryshme, që lidhen me Gjirokastrën, njerëz të njohur e sigurisht edhe për të afërmit e tyre.
Megjithëse jo në gjendje të mirë shëndetësore, Rexhepi flet me pasion për familjen e vet, për të cilën ndihet shumë krenar, me gjithçka që ka dëgjuar nga prindërit apo edhe të afërmit e vet. Herë pas here konsultohet me të motrën, edhe ajo ish- mësuese e më e madhe në moshë, në mënyrë që informacionet që jep, të jenë sa më të sakta.
Pohojnë në të njëjtën kohë se fisi Dobi është vendosur në Gjirokastër rreth 5 shekuj më parë. “Me sa dimë, origjina e largët e familjes sonë është nga Tepelena, ndërsa rreth 500 vjet më parë u vendosën këtu në Gjirokastër.
Ne mund të numërojmë 5 breza, që nga stërgjyshi ynë; natyrisht që ka pasur shumë më tepër, por nuk mund të themi me saktësi një shifër”, shprehet Rexhep Dobi. Ai pohon se ka shumë gjëra në genin e familjes Dobi që i bëjnë të ndihen krenarë dhe të nderuar që janë pjesë e tyre.
“Të gjithë pjesëtarët e këtij fisi janë njohur gjithmonë si njerëz të mirë, patriotë të ndershëm e punëtorë. Shtëpia jonë e parë në lagjen “Palorto” ishte shumë afër me atë të Enver Hoxhës dhe në kujtimet e veta në librin “Kujtime të vegjëlisë”, shprehet për ne si “njerëz të urtë dhe në punën e tyre”, rrëfen Sanie Dobi Sinoimeri.
Dobajt dhe arsimi
Të dhënë posaçërisht pas arsimimit, që ka qenë edhe synimi kryesor për të ecur përpara. Kështu kujtohet pjesa më e madhe e anëtarëve të fisit Dobi, një traditë që ruhet e vazhdon të trashëgohet në breza. Madje, edhe anëtarë të pashkolluar të familjes kanë bërë çmos që fëmijët e tyre më tej të arsimoheshin.
“Pasuria më e madhe e familjes sonë ka qenë shkolla, për atë kemi investuar brez pas brezi. Babai im Servet Dobi, kishte mbetur jetim dhe ka emigruar dy herë, në Turqi e më tej në Amerikë. Bëri 17 vjet në mërgim.
Herën e fundit qëndroi në Amerikë 7 vjet dhe ishte anëtar dhe njëkohësisht arkëtar i shoqërisë “Vatra” të drejtuar nga Fan Noli. Të ishe arkëtar i “Vatrës” në atë kohë do të thoshte të mbaje përgjegjësi për të gjitha të ardhurat që mblidheshin nga emigrantët.
Njerëz që e kanë njohur realitetin dhe babanë tim, më kanë thënë që zgjodhën Rustem Dobin, babanë tim, sepse ishte shumë i ndershëm. Erdhi në Shqipëri të merrte gruan dhe fëmijët, por më pas vendosi të qëndronte për shkak të disa çështjeve familjare.
Mëma jonë, Rebo Dobi, ishte një grua shumë e zgjuar.
Edhe pse mbeti e ve me katër fëmijë të vegjël na arsimoi të gjithëve.
Punonte punëdore dhe kështu arriti të na çonte në universitet të gjithëve. Madje mund të tregoj një detaj është shumë të rëndësishëm për të kuptuar sesa e dhënë ishte ajo pas shkollës.
Kur babai im ishte në gjendje tepër të rëndë shëndetësore, motra Sania jepte provimet në universitet. Kur pyeste për babanë, nëna i thoshte se ishte më mirë dhe se ajo duhej të vazhdonte të jepte provimet. Kur i mbaroi, i thanë që babai nuk jetonte më. Ajo e mori vesh 3 ditë pasi ai kishte vdekur. Nëna nuk donte që ajo të shkëputej nga arsimi. Mëma ishte gjithashtu një ndër delegatet e para nga Gjirokastra në kongresin e grave.
Motra, Sania, përfunduar gjimnazin shkëlqyer, ndër të parat vajza nga Gjirokastra të diplomuara në Universitetin e Tiranës për matematikë. Ka qenë mësuese në gjimnazin e Gjirokastrës dhe më tej në Tiranë.
Vëllai im, Rustem Dobi, gjithashtu nxënës i shkëlqyer u diplomua për zooteknik dhe ka qenë një nga njerëzit më të respektuar të këtij qyteti. Vëllai tjetër, Agim Dobi, pas përfundimit të gjimnazit me rezultate shumë të mira studioi në Çekosllovaki për gjeologji. Gjithë jetën ka qenë ekspert pranë Institutit të Gjeologjisë.
Ishim e vetmja familje në lagjen tonë që të gjithë fëmijët ishim të arsimuar, madje në “Radio Gjirokastra” disa herë është folur për familjen tonë si një nga familjet intelektuale të qytetit. Edhe fëmijët tanë janë të gjithë të diplomuar dhe të punësuar mirë”, shprehet Rexhep Dobi.
“Degë e familjes sonë është edhe juristi shumë i njohur Fejzi Dobi, i cili ka kryer studimet për jurisprudencë në Paris dhe ka qenë avokat i mjaft çështjeve brenda dhe jashtë vendit. Edhe babai i tij, Basri Dobi, ka qenë një gjykatës apo kadi, siç quheshin atëherë, i njohur në Turqi”, shton më tej Sanie Dobi Sinoimeri.

Krushqitë
Në qytetin e Gjirokastrës është kaq e fortë tradita autentike, aq sa janë të lashta e të konsoliduara lidhjet e gjakut dhe të krushqisë ndërmjet këtyre familjeve.
Mes Karagjozatëve, Kokalarajve, Angonatëve, Skëndulatëve, Babametove, Zekatëve, Çabejve, Topullarajve, Hasanajt, Dobajt, Hadërajt, Xhaxhiajt, Selfot, Çoçolajt janë me mijëra fije që i kanë mbajtur pazgjidhshmërisht gjatë gjithë ekzistencës së tyre. Sikurse të gjitha familjet e vjetra dhe të mëdha gjirokastrite, edhe Dobajt krushqitë i bënin me familje të kamura e dyer të ngritura.
“Duke mos pasur pasuri shumë të mëdha dhe duke qenë një fis i pastër, si na njohin të gjithë, krushqitë i kemi bërë me dyer të mëdha dhe të mira, sepse edhe ato ishin të prirura të kishin lidhje me ne. Nëna ime ishte nga Hoxhatët, motra është martuar në Sinoimeratë, por edhe me Karagjozatë, Alikajt, Kallajxhitë, Sherifejtë e mjaft familje të tjera kemi dhënë vajza e kemi marrë nuse”, tregon Rexhep Dobi.
Pasuritë dhe varfëria
“Dobajt kanë qenë të pasur në përgjithësi, me prona, por ne si familje nuk kemi pasur pasuri të mëdha. Babai ishte rritur jetim dhe gjithë ato që fitoi në kurbet, i investoi për ne, që të rriteshim mirë dhe të arsimoheshim. Kishim tokë në Valare dhe vreshta aty dhe në Kërcullë, por jo në sasi shumë të mëdha.
E kishim dhe vazhdojmë ta kemi si moton tonë, që pasuria më e madhe është dija dhe shkollimi”, vijon rrëfimin e tij Rexhep Dobi. Familja Dobi kishte shtëpinë në lagjen “Palorto” pranë shtëpisë së Enver Hoxhës.
Varfëria dhe dëshira për arsimim, sidomos pas vdekjes së kryefamiljarit, bëri që të vendosej të shitej ajo shtëpi e vjetër gjirokastrite dhe të blihej një shtëpi tjetër. Gjithashtu, nevoja bëri që të shisnin edhe tokat, pronë e tyre.
Fisi Dobi sot
Ndërsa dalin nga kalaja, familjet që mbanin mbiemrin Dobi shpërndahen në disa lagje, Manalat, Dunavat, Hazmurat e Palorto dhe deri pas çlirimit numëroheshin rreth gjashtë degë të mëdha të këtij trungu. Tani ata janë rrudhur ndjeshëm. “Kemi qenë shumë dikur, pasi është një fis shumë i madh në numër.
Tani jemi vetëm 3 familje që kemi mbiemrin Dobi e që vazhdojmë të jetojmë ende në Gjirokastër, por jemi të largët me njëri- tjetrin. Të tjerët janë shpërngulur kryesisht në Tiranë për ata që janë brenda vendit, por edhe në mjaft shtete evropiane e kontinente të tjera”, përfundon Rexhep Dobi.
Pjesën më të madhe të fotove, librave e dokumenteve të vjetra, të trashëguara e të mbledhura në vite, Rexhep Dobi e ka shpërngulur, ua ka dhënë djemve të tij, në mënyrë që të kujtojnë e rikujtojnë vazhdimisht origjinën, të parët dhe genin nga i cili vijnë.
Emra të njohur të fisit Dobi:
Nesibe Dobi – sipas Robert Elsisë, është e para poete femër e letërsisë shqipe në vitin 1897 (bejtexheshë)
Hoxhe Dobi – bejtexhi i po këtyre viteve
Haxhi Dobi – adjutant i Ali Pashë Tepelenës, ka kryer studimet ushtarake në Akademinë e Stambollit
Selman Dobi – nënprefekt në Tepelenë, deri në vitin 1912. Ka studiuar për jurisprudencë në Stamboll.
Abdullah Dobi – kadi në Krujë, Kavajë e Peqin. Ka studiuar për jurisprudencë në Stamboll.
Namik Dobi – ushtarak i lartë i Perandorisë turke, ka studiuar në akademinë e lartë turke në Stamboll.
Qemal Dobi – inxhinier mekanik, ka studiuar në universitetin e Sorbonës.
Eqerem Dobi – inxhinier, arkitekt, disa vite drejtor i Institutit të Projektimit si dhe drejtor i arkitekturës shqiptare në Ministrinë e Ndërtimit.
Fejzi Dobi – jurist, ka kryer studimet për jurisprudencë në Paris.
Mynir Dobi – dentist, i specializuar në Paris
Agim Dobi – profesor në fushën e gjeologjisë.

Historia
Ndërkaq, një pjesë e historisë dhe emrave të njohur të fisit Dobi janë pjesë e librit “Gjirokastra jonë”, botuar nga njëri prej pinjollëve të kësaj familjeje, Baftjar Dobi. “Pas daljes nga kalaja, familjet e këtij fisi janë shpërndarë në të gjitha lagjet e qytetit, duke filluar nga nënkalaja, në Manalat, në Cfakë, Hazmurat, Palorto e Dunavat.
Sipas Eqerem Dobit dhe babait tim, origjina e largët, rreth 500-vjeçare e fisit është nga fshati Damës i Tepelenës, i njëjtë për nga rrënjët me fisin që sot mban mbiemrin Iliriani. Si për shumicën e gjirokastritëve, edhe për fisin Dobi, kurbeti ishte një ndër mënyrat për të jetuar.
Emigrimi bëhej zakonisht në Amerikë, ku emigruan Servet, Zenel e Lato Dobi. Në Turqi ka emigruar familja e Zihni Dobit. Po në Turqi ka jetuar si nëpunës i lartë Bastri Dobi, i ati i Fejzi Dobit, i cili ka qenë kadi në Izmir e Bosra. Por emigrimi nuk ka qenë qëllim në vetvete, sepse pothuajse të gjithë të emigruarit familjet i kanë pasur në Gjirokastër.
Edhe paratë e fituara në emigracion i kanë shpenzuar për të shtuar pronat e tyre në Shqipëri që shtrihen në Dropull, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë dhe një pjesë jo e vogël jashtë kufijve shtetërorë, në Greqi”. Kështu shprehet Baftjar Dobi, në kapitullin “Pak fjalë mbi fisin Dobi” në librin “Gjirokastra jonë”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

FRIDRIH NIÇE

Me rastin e 179-vjetorit të lindjes së nihilistit FRIDRIH NIÇE Jeta ka kuptim vetëm si dukuri estetike –…