MBLEDHJA E TRETË E PËRGJITHSHME E LPRK-së, 1991

MBLEDHJA E TRETË E PËRGJITHSHME E LPRK-së, 1991

Nga Halil Selimi (*) Pashtriku 16 Nëntor 2021

Sot është mbajtur Akademi për shënimin e 30 vjetorit të Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.

Fjala e mbajtur para të pranishmëve e Halil Selimit, si vezhgim i përgjithshëm, nga pozita e një udhëheqësi të OMLK-LPRK-së:

Mledhja e Tretë e Përgjithshme e LPRK-së, 3 – 4 tetor 1991, Ujmir – Klinë

Vështrim i përgjithshëm

Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës ishte organizatë kombëtare-çlirimtare e masave të organizuara fshehtas nga pushtuesi serbo-jugosllav dhe operonte brenda e jashtë vendit.

Ishte Organizatë e vetme e konsoliduar dhe e organizuar, edhe në rrafshin horizontal, edhe në atë vertikal.

Në rrafshin horizontal shtrihej në të gjitha vendbanimet me shumicë shqiptare në ish-Jugosllavi: Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë Lindore, duke i konsideruar dhe evidentuar nën siglën programore vetëm si Kosovë.

Dega jashtë vendit organizohej dhe funksiononte në kushte dhe rrethana të demokracisë euro-perëndimore, në ekzil. Sadoqë, edhe aty kërkohej kujdes dhe forma kamufluese të veprimtarisë, si një format shoqërie. Ajo ishte jo vetëm streha e të përndjekurve politikë nga Serbo-Jugosllavia, por edhe shpirti i organizatës që mbante gjallë gjithë veprimtarinë çlirimtare në Kosovë. Ishte burimi i mjeteve financiare, armatimit, shtypit, afirmimit, organizimit dhe për çfardo që kishte nevojë Organizata në Kosovë.

Në vijën vertikale, LPRK ishte e organizuar dhe konsoliduar mirë, duke filluar nga Këshilli Popullor, Këshilli i Rrethit, Këshilli Regjional, Këshilli i Përgjithshëm, Kryesia dhe Mbledhja e Përgjithshme, si organi më i lartë vendimmarrës.  Veprimtaria e saj afirmohej përmes Zërit të Kosovës dhe Rruga e Lirisë.

Krahas përcaktimit të veprimtarisë çlirimtare dhe organizimit kombëtar të masave, deri në Mbledhjen e III të Përgjithshme, LPRK kishte dhe pararojën udhëheqëse të orientimit ideoligjik majtist, Organizatën Marksiste Leniniste të Kosovës (OMLK) dhe organet e saja drejtuese e propagandistike: Komitetin Drejtues, Sekretariatin, Konferencën, si dhe shtypin “Pararoja”.

Mbledhja e Përgjithshme ishte organi më i lartë vendimmarrës i LPRK-së. Organizohej në çdo dy vjetë.

Mledhja III e Përgjithshme e LPRK-së është mbajurt më 3 – 4 tetor 1991, në Ujmir të Klinës.

Ishte kohë e vështirësive të veçanta, që e karakterizonin këtë mbledhje të nivelit më të lartë vendimamrrës të LPRK-së, siç ishin vështirësitë rrethanore, organizative, ideoligjike, politike dhe të përndjekjes.

-Momenti kohor i shkëputjes nga monizmi dhe instalimi i pluralizmit, duke pushuar edhe delikti verbal, si vepër penale, pastaj amnistimi dhe lirimi i të burgosurve politikë, krijoi një vështirësi gati të patejkalueshme për një organizim të fshehtë çlirimtar. Meqenëqë, lirimi i të burgosurve politikë, liria e fjalës dhe e organizimi politik popropangandohej tamam si liri e munguar, të cilën e solli demokracia! Kjo kishte shkuar aq larg sa kishte depërtuar edhe te një pjesë e konsiderueshme e anëtarësisë së Lëvizjes! Madje, idea e legalizimit të organizatës, kishte depërtuar dhe deri te individë të udhëheqjes më të lartë, sidomos në Degën jashtë vendit.

-Momenti i shkëputjes nga ideologjia, duke u përqëndruar vetëm në organizimin kombëtar të masave popullore pa dallim krahine, feje a ideje, i kushtoi organizatës me shkëputjen e një grupi të konsiderueshëm të veprimtarëve, si të pa kompromis ideologjikisht që ishin! Grup, i cili, pas shkëputjes demonstrative, do të riorganizohej si subjekt më vete, me emrin Lëvizja Kombtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK).

Në këtë mledhje do bëhet edhe ndryshimi i emërtimit të Organizatës, nga Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, në Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës, si përshtatje me rrethanat e reja politike, kur edhe ishte deklamuar legalisht Republika e Kosovës,

Rrjedhimisht, LPRK po ballafaqohej me kohën më të vështirë të ekzistencës së saj! Sikur ishte vënë para dilemës hamletiane: të jesh a të mos jesh?!

Atdhetarët e devotshëm dhe çlirimtarët e vendosur, përkundër kësaj sfide të pazakontë nga brenda radhëve, krahas asaj kundrejt pushtuesit serb, të bindur se pa luftë nuk vie liria dhe pa liri nuk ka demokraci, u mobilizuan jashtë e brenda vendit dhe arritën ta thirrin, përgatisin dhe mbajnë këtë mledhje të rëndësisë së veçantë për vazhdimin organizativ të veprimtarisë çlirimtare, si alternativë e pashmangshme për liri.

Ndikimi i frymës politikisht demokratike, sado e kontrolluar që ishte, e fillimepokës së pluripartizmit postmonist, u reflektua edhe në modelin e fshehtë të organizimit. Deri dhe organet drejtuese u bënë masive dhe me njerëz të papërcaktuar, apo ‘musafirë’, siç rekomandohej t’i quanim, për shkaqe sigurie. Pastaj, edhe kryetar i Lëvizjes u zgjodh njëri nga ‘musafirët’, si paradoks i një organizimi të fshehtë, por më se i nevojshëm, për të mos thënë i domosdoshëm, për të mbijetuar organizativisht, asokohe! Ani se, që në sprovën e parë të përballjes me arrestime, të ashtuquajturit ‘musafirë’ do të vetëlargohshin nga organizata.

Por, tanimë ishin konsoliduar sadopak radhët e organizuara dhe domosdoshmërisht koha impononte një riorganizim mirëfilli të LPRK-së dhe rezistencës së domosdoshme çlirimtare nën pushtim.

Definitivisht, mund të thuhet se: Mledhja e Tretë e Përgjithshme, ishte mbledhja e të mbijetuarit të LPRK-së dhe bashkë me të, e gjithë organizimit dhe rezistencës çlirimtare në vijim, deri në çlirimin e Kosovës nga pushtuesi Serbo-sllav!

Ishte rruga e vetme për të mbijetuar organizativisht rezistenca kundër pushtuesit dhe vërtetë u tregua e suksesshme, derisa po vazhdonte me riorganizimin e mirëfilltë të organizatës, duke rifilluar nga Mledhja Konsultative, mbajtur në prill të vitit 1993, në Kollare të Kërçovës, si parapërgatitje e Mbledhjes së Katërtë të Përgjithshme, që do të mbahej në korrik të vitit 1993, në Prishtinë dhe përkundër përndjekjeve e arrestimeve të vazhdueshme do të arrihet deri te organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Prishtinë, 3 tetor 2021

(*) Halil Selimi – njëri nga udhëheqësit e OMLK-LPRK-së

Fillimisht i botuar në gazetën „Epoka e Re“

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura