109 vjet më parë:
BETEJA E LUMËS, 15 – 17 NËNTOR 1912
Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 18 Nëntor 2021
Dihet mirëfilli se Lufta e Parë Ballkanike shpërtheu në tetor 1912 nga shtetet e “Aleancës Ballkanike” që e përbënin Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Në këtë luftë Shqipëria akoma pa u çlirua përfundimisht nga pushtimi pesë shekullor i perandorisë osmane, u detyrua t´ia kthente armët pushtuesve të ri edhe pse për shqiptarët ishte një periudhë jashtëzakonisht e rëndë, pas kryengritjes së përgjithshme të verës 1912.
Mobilizimi i shqiptarëve kundër synimeve Serbe për dalje në detin adriatik
Në gjysmën e dytë të tetorit 1912, ndërsa vazhdonin operacionet pushtuese të ushtrisë serbe mbi tokat shqiptare, në Kosovë e gjetiu, në krahinën e Lumës, të Opojës, Vërrinit, Gorës, Hasit, Dibrës… u organizuan kuvende të shumta dhe në saje të kushtrimit të lëshuar nga mbledhja e jashtëzakonshme e komitetit ”Shpëtimi” të mbajtur në Shkup, me 14 tetor 1912, filloi mobilizimi i përgjithshëm për ta përballuar agresionin pushtues serb.
Në javën e parë të nëntorit, armata e III serbe pasi pushtoi Rrafshin e Kosovës dhe atë të Dukagjinit, synonte pushtimin e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme për të dalur në brigjet e detit Adriatik. Qysh më 5 nëntor 1912 kur gjenerali famëkeq Bozhidar Jankoviq hyri në Prizren me regjimentet e Divizionit ”Shumadia-1”, nisi rigrupimin e forcave të tij, për operacionet drejt Adriatikut.
Për të realizuar këtë plan ushtarak, komanda serbe, kishte krijuar dy njësi të veçanta, që morën emrin si ”njësitë e bregdetit” dhe repartet e këtyre njësive u përzgjodhën nga divizionet ”Shumadia-1” dhe “Drina-2” të dislokuara në Prizren e Gjakovë.
Krijimi i reparteve serbe për nënshtrimin e Lumës me rrethinë
Për të evituar çdo rrezik që mund të kërcënonte të ashtuquajturit ”njësitë e bregdetit”, që do të operonin në drejtim të Adriatikut, nëpërmjet Luginës së Drinit (Lumës), komanda e armatës së tretë krijoi ”repartin e Lumës”, i cili mori për detyrë të pushtonte këtë krahinë dhe krahinën e Hasit, Vërrinit, Opojës, Gorës…, të çarmatoste shqiptarët dhe të godiste pa mëshirë çdo rezistencë të tyre.1
Në repartet ushtarake për pushtimin e Lumës u angazhuan rreth 16 mijë trupa, pasi sipas të dhënave të komandës serbe, pa “përuljen e Lumës” dhe zotrimin e brigjeve të Drinit nuk mund të realizoheshin planet strategjike të proklamuara nga qeveria serbe e Nikolla Pashiqit.
Për këtë qëllim gjenerali Jankoviq, iu drejtua popullit të Lumës me një letër ku kërkonte të plotësohen këto kërkesa:
1. Që paria, hoxhallarët dhe të pasurit të vijnë në bisedime pa armë;
2. Paria të garantojë dorëzimin e pushkëve nga fshatrat e veta, nëse duan të jetojnë në ”rehati” me ne, e ky është kushti kryesor;
3. T´i çarmatosin shqiptarët e ardhur nga Kosova, llapjanët, hasjanët, prizrenasit, dukagjinasit etj, të cilët ndodhen në mesin e tyre dhe ata që kanë luftuar kundër nesh;
4. Ta dorëzojnë, ose së paku të tregojnë ku ndodhet Isa Boletini, ta dorëzojnë Ramadan Zaskocin, Riza Beun, Islam Spahiun nga Kolesjani dhe Bajram Daklanin;
5. Që parija t´i prijë ushtrisë serbe dhe të informojnë për lëvizjen e rezistencës përreth, dhe
6. Që çdo fshatë t´i japë nga 5 vet peng e të qëndrojnë në Prizren, që të jemi më të sigurt. Nëse këto kushte nuk plotësohen, tërë pasuria dhe fshatrat kanë për t´u bombarduar.2
Këto kushte ultimative në asnjë mënyrë s´u pranuan nga populli dhe paria e Lumës dhe trevat tjera përreth, andaj si rrjedhim soldateska serbe nisi operacionet ushtarake për pushtimin e Lumës dhe të krahinave tjera përreth.
Qëndresa shqiptare përballë operacioneve pushtuese serbe
Përballë operacioneve pushtuese të ushtrisë serbe, u gjendën mijëra luftëtarë shqiptarë të krahinave të Lumës, Hasit, Vërrinit, Opojës e Gorës, si dhe të atyre që ishin tërhequr nga thellësitë e Kosovës, pas pushtimit të saj. Me këtë rast malet e larta të Pashtrikut, (ku shtrihej krahina e Hasit dhe Malësia e Gjakovës), si dhe degëzimet natyrore të Sharrit – /(malet e Gjalicës (Pikllimës) dhe të Koretnikut, matanë Drinit të Bardhë), ku gravitojnë fshatrat e trevës së Vërrinit, të Opojës dhe të Gorës/, nga fortesa natyrore u shndërruan në fortesa lufte.
Duke pas parasysh këto pozita gjeostrategjike, forcat shqiptare u pozicionuan në vijën frontale: Malësia e Gjakovës (Qafa e Morinës – Qafa e Prushit) – Has (Planej – Gorozhup) – Qafa e Zhurit – Vërri (Billushë – Jeshkovë – Lybeqevë – Lez) – Sharr (pjerrësit perëndimore të “Gurit të Zi” – Opojë (Gryka e Llapushnikut.)
Në organizimin e qëndresës shqiptare u shquan krerët:
– Ramadan Zaskoci,
– Ramadan Çejku,
– Qazim Lika,
– Islam e Sali Spahia,
– Hoxhë Mehmeti,
– Osman Lita,
– Cen Daci,
– Bajram Gjana,
– Dervish e Nezir Bajraktari,
– Myftar Nika,
– Nexhip agë Bilali,
– Sylë Elezi,
– Ahmet Ilaz Qehaja,
– Jemin Gjana të gjithë nga Luma,
– Elez Isufi,
– Cuf Xhelili e
– Xhafer Doda nga Dibra,
– Bajram Curri në Malësi të Gjakovës,
– Rexhë Ali Bajraktari nga Hasi,
– sheh Hasani nga Prizreni,
– Jahja Sait Sahiti nga Kuki i Opojës,
– Kapllan Opoja,
– Nail Hyseni – Dani i Rapçës së Gorës,
– Esat Berisha,
– Abdyl Osmani,
– Arif Krusha e shumë të tjerë.3
Qendrat komanduese të luftës u vendosën:
1. Në Llapushnik (Brezne) të Opojës, në krye me Qazim Likën;
2. Në Krumë të Hasit, në krye me Rexhë Ali Bajraktarin; dhe
3. Këshilli Qëndror i Luftës në krye me Ramadan Zaskocin u vendos në Qafë të Kolesjanit, në majën e quajtur Tabe, nga ku shihej qartë Rrafshi i Lumës…
Për të mos lejuar kalimin e trupave serbe matan lumit, përgjatë Drinit të Bardhë, këshilli i luftës, organizoi me kohë prita në fshatrat: Shalqin, Domaj, Gjinaj, Brut, Ura e Vezirit… Prita të tilla u ngritën edhe në brigjet perëndimore të Drinit të Zi si: në Kolsh, Mamëz, Surroj, Tejdrinë…4 Në këto pozicione ishin forcat mbrojtëse shqiptare, kur më 9 e 10 nëntor 1912 filluan operacionet e armatës III serbe në drejtim të Lumës.
Beteja e parë e përgjakshme në “Qafë të Zhurit”
Beteja e parë e përgjakshme në kufijtë e Lumës u zhvillua në “Qafë të Zhurit” dhe vijoi deri në grykën e Morinës. Në këtë lokalitet ushtria serbe për 2-3 ditë rresht pësoi goditje të rëndë, duke lënë në fushëbeteja shumë të vrarë e të plagosur dhe armë. Pas këtij dështimi, ushtria pushtuese serbe në shenjë hakmarrje, në fshatin Zhur i mori peng 37 shqiptarë, të cilët më pas i dërguan në Prizren me qëllim që të ushtrohet presion në popull, për të mos e përkrahur edhe mëtutje kryengritjen.
Ushtria serbe pas një riorganizimi me reparte të reja u nisë sërish në drejtim të Lumës. Forcat shqiptare, tani përballë reparteve të divizionit ”Shumadia-1”, për të mos u dëmtuar u tërhoqën duke zhvilluar luftime sporadike, përgjatë brigjeve të Drinit të Bardhë dhe shpateve të Koretnikut e të Gjallicës, në mënyrë që të bëhej një përgatitje sa më e mirë për një qëndresë më të fuqishme. Repartet serbe me goditjet e vazhdueshme që i bënin luftëtarëve lumjanë, nga fusha e Morinës e deri në Përbreg, hap pas hapi u futën në brendësi të Lumës, deri në Bicaj dhe u dislokuan në hapsirat fushore të këtij fshati.
Tërheqja taktike e luftëtarëve shqiptarë dhe pozicionimi i tyre në vendet kyqe për goditjen e forcave serbe
Tërheqja e luftëtarëve shqiptarë u bë jo vetëm për shkak të epërsisë serbe në numër të ushtarëve dhe në armatim të rëndë, por me këtë rast u përdorë procesi luftarak taktik: qëndresa – thyerja – tërheqja, si ligje objektive të luftës, për ta futur armikun nëpër kurthe, në mënyrë që ta ndëshkonin më pas me mënyrat e tyre origjinale të luftimit 5.
Këshilli komandues i luftës i përqëndruar në Tabe (Qafë të Kolesjanit), me kohë kishte siguruar prapavijën edhe në tërthoren: Përbreg – Gjegjën – Bardhoc – Morinë – Vërmicë – Shkozë – Dobrusht – Zhur – Vërri (Billushë – Jeshkovë – Lez…), e cila njëkohsisht luante rol të dyfishtë:
1. mbështetje të sulmit mbi forcat armike dhe
2. mbrojtje e prapavijës – të shpinës së luftëtarëve në Lumë, ndërsa fshatrat e Dollovishtit e të Opojës siguruan krahët e mbështetën veprimet në Grykën e Vanjave, në Qafën e Zbinecit e të Llapushnikut.6
Në mëngjesin e 15 nëntorit 1912, Këshilli i Luftës dha urdhër për të sulmuar repartet serbe nga disa drejtime të frontit. Falë konfiguracionit të terrenit malor, motit të keq (me shi e bubullim) edhe pse të varfër në mjete lufte, lumjanët të lëshuar si ortek mbi forcat armike, në kodrat e Kolesjanit arritën t’i asgjësojnë qindra ushtarë serbë, ndërsa nga radhët e tyre ranë dëshmorë: Ibrahim H. Zeqiri – bajraktar i Radomirës, Nexhip Dullë Visha nga Kolesjani, Rexhep Jonuz Taci, Selman Asllan Nërguti, Halim Shehu e Daut Basha nga Shtiqni etj.7
Ndërkohë për shkak të rezistencës së fuqishme, forcat serbe u tërhoqën nga Kolesjani dhe kodrat e Gabricës dhe u pozicionuan në brigjet jugore të Shejës dhe në brigjet lindore të Drinit të Zi, ndërsa forcat shqiptare kaluan në vijën: fshati Mustafaj – Osmanaj – Bushat (Kodra e Bushatit).
Rigrupimi i forcave shqiptare
Këshilli i luftës, pas një rigrupimi të forcave shqiptare në teren, më 16 nëntor pa ndërpre vazhdoi mësymjen drejt forcave serbe dhe përleshjet gjakosëse u zhvilluan kryesisht në krahun e majtë të përroit të Shejës. Pikërisht në këto çaste kritike për kurorëzimin e suksesit, në Lumë arritën qindra dibranë në krye me udhëheqësit e shquar Elez Isufin, Isuf Xhelilin, Xhafer Dodën etj, të cilët në fushat e betejës sollën edhe 2 – 3 topa që dikur ua kishin zënë turqve.8
Ushtria serbe e qëlluar (sulmuar) nga të gjitha anët, në panik braktisi fushëbetejën, duke lënë edhe shumë të vrarë e të mbytur në Dri dhe në përroin e Shejës. Për të përfituar nga situata e krijuar, Këshilli i luftës tashmë nga Kolesjani ishte zhvendosur në fushën e Zborit – Nangë, dhe aty përcaktoi dy drejtime sulmuese (me 3 grupe) për ndjekjen e mëtejshme të pushtuesve serbë:
– Grupi i parë: u drejtua, në krahun e majtë nëpër rrugën këmbësore që të shpiente nga Nanga në Gostilë – për në Kullë të Lumës;
– Grupi i dytë: në rrugën këmbësore që të çonte nga Nanga në Shtiqën, Përbreg e deri në Morinë,
– Grupi i tretë: (në rolin e rezervës) u përdorë si mbështetje për të dy krahët (grupet) e sulmit. 9
Ndërkaq forca tjetër goditëse që kishte të bënte me fatin e Betejës së Lumës, ishte organizimi i qendresës në të dy krahët e Drinit të Bardhë:
a. Në tërthoren Përbreg – Gjegjën – Bardhoc – Morinë – Qafa e Zhurit – Vërri (Billushë) – Guri i Zi (Opojë) – Sharr dhe
b. në krahun tjetër Has (Pashtrik) – Malësi e Gjakovës.
Për të penguar shkuarjen e forcave të reja serbe nga Prizreni në drejtim të Lumës, luftime të ashpra u zhvilluan edhe në trevën e Vërrinit. Në vijën Dobrusht – Qafa e Zhurit – Billushë – Lez – Leskovec, pati luftime ballore dhe anësore. Repartet serbe në këto luftime përpiqeshin që të shpërthejn vijën frontale në Vërri, me qëllim të depërtimit në Opojë e Gorë prej nga mendohej të sulmoheshin nga prapa lumjanët, mirëpo nuk patën sukses.
Vendimi i Këshillit Komandues për të goditur armikun në të gjitha frontet e luftës
Në kulmin e qëndresës për vdekje a liri, Këshilli Komandues i Luftës që përbëhej nga Ramadan Zaskoci, Islam Spahia, Hoxhë Mehmeti, Elez Isufi, Ramadan Çejku, Ramadan Kovaçi, Kadri Shahini, Jemin Gjana etj, sipas vendimeve të marra në një mbledhje, më 17 nëntor 1912 nisën operacionet goditëse në të gjitha frontet e luftës. Malësorët lumjanë, të ngujuar nëpër kullat e fshatrave: Nangë, Gostil, Shtiqën, Përbreg dhe në shpatet lindore të Gjallicës e Koretnikut (Pikllimës) si dhe në brigjet e të dy Drinave (të Ziut e të Bardhit), e të ngazllyer nga fitorja e bujshme e Qafës së Kolesjanit, forcat e armikut u sulmuan nga të dy krahët (lindje-perëndim) dhe u ndoqën këmba këmbës.
Repartet ushtarake serbe u përpoqën të rigrupohen e të pozicionohen sërish në Kodrën e Galipës e në Zbor të Nangëve, por këto përpjekje gjithashtu dështuan keq. Repartet shpartalluese serbe pasi humbën edhe në këtë fushëbetejë qindra ushtarë të tjerë, braktisën edhe vijën mbrojtëse Shtiqën – Drini i Zi. Në këto sulme lumjanët trima veprojnë rrufeshëm, dhe gjatë luftimeve bien dëshmorë: Abaz Zezi, Baftjar Tahiraj, Baki Maliq Domi, Bektash Gjoka, Dervish Trota, Dullë Dema, Halil Dema, Halil Himaj, Hasan Shabani, Ismail Neziri, Jashar Shehu, Mehmet Allaraj, Mehmet Limani, Muharrem Mema, Mustafë Dogjani, Ramadan Koldashi, Rrustem Shehu, Shaqir Basha, Shaqir Dauti, Tahir Smajli, Zenel Mema, Haziz Xhaferi, e shumë të tjerë.10
Luftimet përfundimtare u zhvilluan në brigjet e lumenjve Drini i Bardhë – Drini i Zi, ndërsa ato me të përgjakshmet në Kullë Lumë.
Mbeturinat e reparteve serbe që i shpëtuan asgjësimit në rajonin e Bicajt, së bashku me repartet e rajonit të Kullës së Lumës, kishin arritur të dilnin në bregun e kundërt të lumit Luma, poshtë Përbregut, dhe të pozicionohen në vijën: Përbreg – Kulla e Lumës. Për këto ngjarje, burimet serbe thonë se “gjatë tërë ditës së 17 nëntorit 1912 u zhvilluan luftime të rënda midis aradhave serbe e shqiptarëve, që sulmonin nga të gjitha anët, veçanërisht nga bregu i majtë i lumit Luma, duke rrezikuar forcat serbe që të hidhen në Dri e të shkëputeshin nga Prizreni. Më i forti qe zjarri i shqiptarëve nga bregu i djathtë i Drinit të Bardhë. Edhe togjet gjuajtëse që u dërguan në atë krah nuk mundën t´i largojnë prej andej lumjanët e hasjanët, të cilët me një zjarrë anësor të fuqishëm, u shkaktuan humbje të rënda forcave serbe. Në këto rrethana, bateria e gjymtuar e topave malorë nuk mundi të zinte pozicione e të aktivizohej në luftime”.11
Fitorja e kryengritësve shqiptarë në Lumë
Kapja e Kullës së Lumës me luftime të përgjakshme shënonte pragun e fitores së betejës. Forcat shqiptare, në mbrëmjen e ditës së 17 nëntorit, pasi arritën të pozicionohen në vijën: Drini i Bardhë – Uki i Vjerrë – Gjegjën – Shpati perëndimor i Koretnikut – Bardhoc, sulmuan karvanin me qerre, me kafsh tërheqëse të mbeturinave serbe që tentonin të tërhiqeshin në drejtim të Prizrenit.
Në këto luftime të përgjakshme kur hordhitë barbare serbe vërtet patën humbje të mëdha në ushtarë e në materiale lufte, u martirizuan edhe shumë lumjanë, si: Halil Taci (Gjegjën), Hamza Dema (Morinë), Hazir Mhola (Bicaj), Isuf Ramadani (Morin), Jemin Dema (Bardhoc), Jakup Tota (Barruç), Liman Çejku (Lusën), Ramadan Nerguti (Gjegjë), Rrahman Duraku (Morin), Selim Gërmizi (Bardhoc), Sinan Çejku (Lusën), Shaban Coka (Ujmisht), Shaqir Nerguti (Gjegjën), Zenel Nerguti (Gjegjën), Bajram Ramadani (Përbreg) e shumë të tjerë. Në Betejën te vendi i quajtur “Uki i Vjerrë” u plagos edhe udhëheqësi i moshuar lumjan Islam Spahia, i cili nuk iu nda luftës që nga Qafa e Kolesjanit e deri në Bardhoc.12
Me luftën te „Uki i vjerrë“ mbaron seria e betejave të përgjakshme në Lumë, ku rezultoi me shkatërrimin e forcave serbe dhe dëbimin e atyre pak mbeturinave (njësive serbe) deri afër Prizrenit. Humbjen e madhe të ushtrisë serbe, në Lumë më qartë e ka shprehur në kujtimet e veta Kosta Novakoviq, pjesëmarrës në ato luftime.
Novakoviq ka shkruar: ”Unë nuk do të zë në gojë detyrën e parë të repartit tonë të Lumës – çarmatimin e Lumës, që ai nuk arriti ta kryejë, kështu që në rastin tjetër do të kthehem në punën e tij dhe të komandantëve, punë të cilën e paguam me jetën e njerëzve, duke humbur shumë municione, ushqim dhe kafsh… pas disfatës së plotë në Lumë, pas katër netëve të pandërprera pa gjumë, pas tërheqjes nga pozita afër fshatit Bicaj, pas kalimit në ujë deri në brez, reparti i Lumës, i cili u përforcua edhe me një batalion, më 18 nëntor u detyrua të tërhiqet i shpartalluar e rraskapitur deri në pikën e fundit dhe mbërriti në fshatin Zhur, 8 km larg Prizrenit…” 13
“12 mijë ushtarë serbë kockat e tyre i lanë në Lumë!”
Sukseset e arritura në këto ditë luftimesh nxorën në pah aftësitë dhe taktikën e zgjuar të luftëtarëve shqiptarë, të cilët duke u mbështetur në kushtet konkrete të vendit dhe në traditat e të parëve tanë, shpartalluan pushtuesit serbë, të shumtë në numër dhe të armatosur me armë më moderne të kohës. Po kështu studimet e bëra, tradita gojore, por edhe folklori ynë popullor (këngët historike), japin disa të dhëna për numrin e ushtarëve serbë të vrarë në Lumë.
– Sipas opinionit të lumjanëve numri i serbëve të humbur ka qenë 16 mijë.
– Sipas të dhënave nga historia ushtarake serbe, ky numër shkon deri në 18 mijë.
– Sipas studiuesit Essat Bilali, në revistën ”Shqiptari i Lirë” dhe shumë studiuesve tjerë shqiptarë, shifra sillet në 12 mijë ushtarë serbë që i lanë kockat e tyre në Kullë Lumë .14
Përjetësimi i Betejës së Lumës nga rapsodi popullor
Rapsodi popullor këtë ngjarje historike e përjetësojë edhe përmes vargjeve si:
”Ka hi serbi n´at´Prizren,
po i thot`Lumës: ”Lirom ven!”
Nuk jam mbreti, po jam Luma,
t´mushi gjiksin plot me plumba!”
Kur vikati Islam spahija:
”Bini djem, se shkoi Shipnija!”
“Bini djem-thrret Ramadani
-bini djem se shkoi vatani!”
Gryka e Shejës po rredh gjak,
po i thot Drinit: ”Ndihmom pak
Ndihmom pak, n´dash me m´ndihmue,
kllade t´mdhaja jam tuj çue”.
Krajli i serbit ban: ”Medet,
m´faroi Luma askerin krejt!
ma faroi askerin e ngrat
burrat me pushk`e grat me spatë”.
“Kadal, krajl u mlofsh me morre,
dymdhetmi t`metën pa vorre!”
Djemt´e Lumës hiq s´kan dert,
ka ni luftë bajn´vjet për vjet,
luft´ me krajl e luft´ me mbret…”
(…)
Hasi shpat e gur e kep
vend për vend pushka kërset
shkoj kukuja shpi për shpi
I preu Hasi 3 mijë shkijë…”
(…)
Krejt Opoja u mlu n`zi
Prej Prizrenit ter n´Dri
Tre ditë luftë e tre ditë zi
u vranë shkije përmi tre mijë…” 15
Përfundim
Ndonëse në mëngjesin e 18 nëntorit 1912, mori fund beteja e Lumës, ku forcat shqiptare triumfuan kundër armatës III serbe, në Manastir zhvillohej një betejë tjetër ndërmjet forcave shqiptare dhe reparteve të armatës I-rë serbe, që në histori njihet si Beteja e Manastirit. Në këtë kuadër vlerësojmë se Beteja e Lumës, Beteja e Manastirit si dhe rezistenca shqiptare në veri (Shkodër) dhe në jug (Janinë) kanë rëndësi të madhe historike, për faktin sepse në një mënyrë a tjetër, krijuan rrethana të favorshme për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, ku u shpallë Pavarësia e Shqipërisë në kufijtë Etnik.
LISTA E TË RËNËVE NË QAFË TË DUHLES DHE NË LUMË (NËNTOR 1912)
1. Abaz Zezi, Lojme, Botat e Kuqe (Gostil) 2. Adem Cena, Kalis, Qafë e Duhles 3. Adem Halili, Skavicë, Qafë e Kolesjanit 4. Ahmet Cen Xhahu, Gjegjën, Zabeli i Branesë 5. Ahmet Iljazi, Brekijë? 6. Arif Allaraj, Topojan, Glloboçicë (Gore) 7. Avdi Hasan Avdia, Morin, Bregu i Drinit; 8. Baftjar Tahiraj, Topojan, Botat e Kuqe (Gostil) 9. Bajram Istref Avdia, Morin, Bregu i Drinit 10. Bajram Isuf Nerguti, Gjegjën, Uki i Vjerrë 11. Bajram Ramadani, Përbreg, Breglumë 12. Bal Musli Syla, Morin, Hani i Balës 13. Baki Maliqi, Ujmisht, Botat e Kuqe, (Gostil) 14. Bektash Gjoka, Ujmisht, Botat e Kuqe, (Gostil) 15. Beqir Misin Syla, Morin Hani i Balës 16. Beqir Zyberi, Bicaj, Gjomç 17. Brahim Allaraj, Topojan, Gjomç 18. Brahim Zeqiri Radomirë, Qafë e Kolesjanit 19. Cen Hajdin Xhahu, Gjegjën Zabeli i Branesë 20. Dem Hasë Mica, Gjegjën, Uki i Vjerrë 21. Dërvish Trota, Shtiqën, Botat e Kuqe (Gostil) 22. Dil Fana, Topojan, Qafë e Duhles 23. Djali i Ramadan Rexhepit, Bardhoc, Hani i Balës 24. Dostan Peposhi, Lusën, Qafë e Kolesjanit 25. Dullë Dema, Gostil, Botat e Kuqe (Gostil) 26. Dem Syla, Morin, Hani i Balës 27. Dem Hasë Mica, Gjegjën, Uki i Vjerrë 28. Emërllah Ahmet Dida, Përbreg, Gjomç 29. Elez Ramë Përzhita, Morin Bregu i Drinit 30. Esat Allaraj, Topojan, Glloboçicë (Gore) 31. Faruk Islamaj, Topojan, Qafë e Duhles 32. Fasli Brati, Bicaj, Bicaj 33. Feriz Ahmetaj, Topojan, Qafë e Kolesjanit 34. Hakik Dema, Bardhoc, Botat e Kuqe (Gostil) 35. Halil Ademaj, Bardhoc, Botat e Kuqe (Gostil) 36. Halil Krosi, Reç, Gjomç 37. Halil Musallari, Topojan, Qafë e Duhles 38. Halil Taci, Gjegjën, Ara e Mehmetit (Bardhoc) 39. Halim Shehu, Shtiqën Livadhet e Gjata, (Shtiqën) 40. Halit Billall Syla, Morin, Hani i Balës 41. Hamdi Zyberaj, Topojan, Qafë e Duhles 42. Hamz Dema, Morin, Breg Drini (Morin) 43. Hasan Çupi, Brekijë, Brekijë 44. Hasan Hajdari, Morin, Hani i Balës 45. Hasan Shabani, Shtiqën, Botat e Kuqe (Gostil) 46. Hazir Mehmet Nërguti, Gjegjën, Uki Vjerrë 47. Hazir Mhola, Bicaj (Mhole), Uki i Vjerrë (Bardhoc) 48. Idriz Bajraktari, Kalis, Qafë e Duhles 49. Idriz Demi, Ujmisht, Botat e Kuqe 50. Idriz Grosha, Bardhoc, Qafa e Zhurit 51. Idriz Istref Përzhita, Morin, Qafa e Zhurit 52. Imer Selimi, Morin, Hani i Balës 53. Islam Hazizi, Bicaj, Bicaj 54. Ismail Bajram Avdia, Morin Bregu i Drinit 55. Ismail Neziri, Shtiqën, Botat e Kuqe 56. Isuf Ramadani, Morin, Breg Drini (Morin) 57. Jakup Tota, Barruç, Uki i Vjerrë 58. Jemin Dema, Bardhoc, Qafë e Bardhocit 59. Jashar Nuhia, Gostil, Botat e Kuqe 60. Jashar Shehu, Shtiqën, Botat e Kuqe (Gostil) 61.Liman Çejku, Lusën, Uki i Vjerrë (Bardhoc) 62. Mehmet Allaraj, Topojan, Botat e Kuqe (Gostil) 63.Mehmet Limani, Lojme, Botat e Kuqe (Gostil) 64. Metali Dautllari, Topojan, Botat e Kuqe (Gostil) 65. Mitah Ahmeti, Kalis, Gjomç 66. Muharrem Allaraj, Topojan, Gjomç 67. Muharrem Mema, Skavicë, Shtiqën 68. Mulla Musa, Zapod, Gurra e Shkozës 69. Mustafë Dogjani, Shtiqën, Botat e Kuqe, (Gostil) 70. Mustafë Tahiraj, Topojan, Glloboçicë, (Gore) 71. Myftar Tahiraj, Topojan, Glloboçicë (Gore) 72. Nexhip Dulla, Kolesjan, Qafë e Kolesjanit 73. Osman Emërllah Përzhita, Morin, Bregu i Drinit 74. Osman Sula, Kalis, Qafë e Duhles 75. Qazim Allaraj, Topojan Glloboçicë 76. Ramadan Idriz Nerguti, Gjegjën, Ura e Gjegjënit 77. Ramadan Koldashi, Ujmisht, Bungajë (Kukës) 78. Ramadan Nerguti, Gjegjën, Kepat e Drinit (Bardhoc) 79. Rasim Meta, Bicaj, Bicaj 80. Rexhë Taci, Gjegjën, Gjomç (Osmanaj) 81. Rustem Shehu, Shtiqën, Rrihna (Shtiqën) 82. Rrahman Duraku, Morin, Breg Drini (Morin) 83. Sadik Dautllari, Topojan, Qafë e Duhles 84. Sadik Karanxha, Topojan, Zhur 85. Sait Bajram Avdia, Morin, Bregu i Drinit 86. Sali Uk Taci, Gjegjën, Uki Vjerrë 87. Selim Gërmizi, Bardhoc, Zalli i Bardhocit 88. Selman Nerguti, Gjegjën, Gjomç (Osmanaj) 89. Selman Sali Syla, Morin, Hani i Balës 90. Sinan Çejku, Lusën, Uki i Vjerrë (Bardhoc) 91. Shaban Taka, Ujmisht, Uki i Vjerrë (Bardhoc) 92. Shaqir Basha, Shishtavec, Bungajë (Kukës) 93. Shaqir Dauti, Shtiqën, Udha Pukë, (Shtiqën) 94. Sherif Koka Kalis, Gjomç 95. Shaqir Islamaj, Topojan, Glloboçicë (Gore) 96. Shaqir Nerguti, Gjegjën, Linat e Ademajve (Bardhoc) 97. Sheh Osmani, Bicaj, Bicaj 98. Sherif Rrahman Përzhita, Morin, Qafa e Zhurit 99. Vajza e Beqir Misinit, Morin, Hani i Balës 100. Tafil Istrefi, Kalis, Qafë e Duhles 101. Tahir Smajli, Ujmisht, Botat e Kuqe 102. Vëllezërit Rate (dy), Kolesjan, Qafë e Kolesjanit 103. Vëllezërit Rate, Kolesian, Qafa e Kolesianit 104. Xhemë Hajdini, Gjegjën, Pikllimë, (Koritnik) 105. Xhemë Isen Syla, Morin, Hani i Balës 106. Zaim Hamza, Topojan, Qafë e Duhles 107. Zenel Haziri, Gostil, Gurra e Shkozës 108. Zenel Mema, Skavicë, Bungajë (Kukës) 109. Zenel Nerguti, Gjegjën.16
__________
Referenca:
1. Th.Muzaku: Politika e serbisë Kundrejt Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike, Tiranë 1987, fq.145; /K.Novakoviq: Nëpër Shqipëri (Kujtime)
”Dy Drinat”, 1 ,1998, fq.32; / B.Ratkoviq: Prvi Ballkanski rat, Beograd 1978, fq.261. Sh.Hoxha: Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, fq.173.
2. Dr.Xh.Shala: Marrëdhëniet shqiptaro – serbe 1912-1918, Prishtinë 1990, fq.64
3. Sh.Hoxha:Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, fq182; /Sh.Braha: Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1884-1990), Gjakovë 1991, fq.148
4. Dr.V.Kasapi: Mrekulli e natyrës, Kështjellë e historisë, Tiranë 1998, fq.69
5. Po aty
6. Xh.Martini: Elez Isufi, Tiranë 1994, fq.29
7.Dr.V.Kasapi, vepër e cituar, fq.72
8. Xh.Martini, vep.e cit. fq. 29/Q.Mataj: Hoxhë Mehmeti 1867-1927, Kukës 2002, fq.135
9. Dr.V.Kasapi; vepër e cituar, fq.74. Q.Mataj:vepër e cituar, fq.114
10. Sh.Hoxha: Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, fq.187.
11. Borivoje Ratkoviq: Prvi Ballkanski Rat 1912-1913, Beograd 1978, fq. 262-275. Sh.Hoxha: vepër e cit. fq.188
12. Sh.Hoxha: vepër e cituar, fq.188
13. K.Novakoviq: Nëpër Shqipëri ”Dy Drinat”, 1, 1999, fq.32 / Sh.Hoxha: vep. e cit. fq. 189.
14. T.Kolgjini: Luma dhe luftat e saj, Tiranë 1993, fq.38; Sh.Braha: Beteja e Drinit kundër agresionit serbë (nëntor 1912), Prizren 2000, fq.108.
15. Sh.Hoxha: vepër e cituar, fq.3. Sh.Braha: vepër e cituar, fq.151.
16. Izet Duraku: Për dëshmorët e harruar të luftës së Lumës. (Të dhënat për të rënët janë marrë nga librat e Nazif Dokles: “Dëshmorët e rrethit të Kukësit (1984); Naim Manit: “Jehona e Topojanit; Dr.Shefqet Hoxha: “Luma në luftrat për liri”, dhe Xhafer Kovaçi: “Tërthorja” – monografi. Në këtë listë nuk përfshihen emrat e të rënëve në fshatrat: Vërmicë, Shkozë, Dobrusht, Zhur, Vlashnje, Billushë, Poslisht, në fshatrat e Opojës, etj.