A PO VETRRËZOHET QEVERIA KURTI 2 DHE PSE PO E BËNË KËTË?

A PO VETRRËZOHET QEVERIA KURTI 2 DHE PSE PO E BËNË KËTË?

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 13 dhjetor 2021

Jostabiliteti real përballë stabilitetit imagjinar: Qeveria Kurti 1 u rrëzua në një kohë rekorde dhe në kohën kur , për shkak të situatës jonormale shëndetësore dhe jo vetëm shëndetësore për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID -19 , nga opozita u shkelën të gjitha parimet njerëzore dhe morale e që i pata kundërshtuar fuqishëm . U bë  si u bë dhe ky rrëzim më së shumti i solli dobi pikërisht LV-së dhe Albin Kurtit që për mrekulli e përdorën këtë diversion dhe agresion moral të opozitës sikur edhe mungesën elementare të sensit politik për t’u mobilizuar prandaj e krijuan distancën e pabesueshme në zgjedhjet e fundit parlamentare duke fituar mbi 50% të votave e që u mirëprit nga të gjithë ata që donin dhe besonin në ndryshime . Opozita e skërmoçur , e lodhur  dhe e mbaruar fare kaloi në defansivë të plotë , pa asnjë ndikim në zhvillimet politike dhe pa asnjë mundësi ta rrezikojë pozitën . Që nga përfundimi i luftës në Kosovë , kurrë nuk kemi pasur opozitë më të pafuqishme dhe , gjithashtu as pozitë më të fuqishme. Liderët kryesorë të opozitës u dërguan si pengje në Burgun e Hagës kurse opozita aktuale  “ e reformuar “ nuk ka asnjë ndikim , thuaja për asgjë.  Kryetari i zgjedhur i LDK-së , Lumir Abdixhiku në mënyrë elegante e forcoi pozitën  e kryetarit duke e dërguar në pension politik Isa Mustafën sikur që eliminoi nga skena politike shumë veteranë dhe themelues të LDK-së . Opozitarizmi i Lumir Abdixhikut është opozitarizëm biseksual politik ; në njërën anë përpiqet të mbajë qëndrim të fortë ndaj LV –së dhe Albin Kurtit kurse , në anën tjetër mbanë lidhje të fshehta me Vjosa Osmanin , si eksponentin më radikal , së paku verbal , i LV-së në përpjekje që të sigurojë strategji dalëse nëse në LDK –ë nuk i shkojnë punët si i ka planifikuar duke mbetur partner rezervë për koalicion me LV-në. Lumir Abdixhiku nuk pati guxim politik , njerëzor e as vendosmëri të një lideri nga opozita ta dërgojë rastin e shkarkimit të Valdete Dakës në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për shkak të biseksualitetit politik e që nënkupton të jesh i mirë me të gjithë për ta siguruar prapanicen tënde. Nëse kemi parasysh të kaluarën politike të Abdixhikut atëherë mund të themi se asnjëherë nuk ka qenë “ ortodoks “ i LDK-së prandaj , hiç këtu edhe mungesën e karizmës , e ka shumë vështirë që në një të ardhme të afërt të bëhet Papë i LDK-së. Aktualisht , Lumir Abdixhiku po luan me dy palë letra , të luajturit e rolit të opozitarit dhe flirtimi prapa skene me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin .

Memli Krasniqi ishte befasi kur i hyri garës për të parin e PDK-së aq më parë që nga reperi i muzikës po  mundohet të transformohet në lider të opozites . Të qenit nën hije për një kohë të gjatë të pamundëson rrezet e diellit politik dhe ta tëhollon lëkurën aq më parë që Memli nuk llogaritej si favorit për të parin e PDK-së . Pastaj , të pranosh ta udhëheqësh një parti të fuqishme politike në kohën kur ka pësuar inflacion të votave dhe të fuqisë politike është , jo vetëm sfidë por edhe guxim. Sipas gojëdhënave popullore , të jeshë i guximshëm nuk të vendosë në taborrin e të mençurve ! Për dallim nga Lumiri , Memli Krasniqi ka një të kaluar të gjatë në PDK –ë përkatësisht hapat e parë politik i ka bërë në PDK-ë prandaj , nëse Memli nuk është rrënja e PDK-së atëherë lirisht mund të thuhet se nuk është dega ose gjethe e PDK-së por është pjesë e trungut të kësaj partie. Përveç përvojës politike , Memli Krasniqi ka përvojë edhe në fushën e të drejtave të njeriut për faktin që ishte student i Shkolla  Verore për të Drejtat e Njeriut në Dubrovnik ku ishte shpallur edhe studenti më i mirë i gjeneratës së tij. Të tillë ishin edhe Dastid Pallaska , Urani si dhe Shkelzen Gashi që ishin përzgjedhur nga KMDLNj –ë . Mbetet i paharruar dhe i patejkaluar kontributi i Prof . Dr. Enver Hasani , si ligjërues , gjithashtu i propozuar nga KMDLNj –ë. Memli Krasniqi nuk ka hapësirë të madhe për të bërë reforma të mëdha dhe të thella në PDK-ë sepse skeleti kundërshtues në PDK-ë është shumë i fuqishëm , Memli nuk ka sharrë e as limë që : “ e ha hekurin e këtij kundërshtimi  “ si dhe  ka ende shumë pengesa në këtë drejtim por , jam i sigurt se Memli , në asnjë rrethanë nuk do të pranojë : “ të hyjë dhëndërr , me rekuizite të të tjerëve … “ Nëse e mbështesin për muri me kërkesë që të bëhet konstruktiv duke e shndërruar në një marionetë , jam i sigurt se Memli do të dorëhiqet para se ta pranojë këtë rol, që , për rrethanat tona në Kosovë dhe Ballkan thuaja se është shndërruar në standard normal politik dhe moral , të noterizuar nga vlerat që , çdo gjë mund të jenë vetëm moral jo !

AAK –ë dhe Ramush Haradinaj është dhe janë atraktivë vetëm nëse duhet ta zbatojnë në praktikë  parimin : “ destabilizo , për të stabilizuar “ për faktin se nuk kanë shumë numra por se kanë kapacitet dhe përvojë të imponohen si faktor ndërmjetësues por edhe përcaktues për vendosjen e një barazpeshe  institucionale , në rast se kërkohet një tranzicion i pushtetit dhe qeverisjes , së pari, dhe kryesisht nga ndërkombëtarët . Nëse e kemi parasysh formulën e fuqisë politike në Kuvendin e Kosovës sikur edhe mosgatishmërinë e unifikimit opozitar , atëherë lirisht mund të themi se , nëse i referohemi opozites aktuale , Albin Kurti mund të qeverisë me Kosovën edhe 500 vjetët e ardhshëm , disi si padishahët e Stambollit. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale nuk është se e dëmtojnë fort Albin Kurtin e as që e rrezikojnë qeverisjen aktuale. Duket se opozita as që është e interesuar të merr përgjegjësi për udhëheqje të Kosovës duke ia lënë “ këmbët e arushës “ koalicionit qeverisës në përpjekje ta adresojë përgjegjësinë pikërisht te ky koalicion edhe për të bëmat që kanë pjellur nga ngjizja e tyre sikur që janë : Zajednica , rryma pa pagesë për serbët në Veri të Kosovës , Manastiri i Deçanit dhe të tjera. Po pse LV –ë dhe Albin Kurti kanë hyrë në rrugën e vetrrëzimit vullnetar apo  do të përjashtohen nga qeverisja nga ndërkombëtarët , përmes pykave të prodhimit vendor si puna e Vjosa Osmanit dhe haxhiqamilëve të saj ?!

Bisedimet me Serbinë : Kosovës i ishin imponuar bisedimet me Serbinë të kontrabanduara si teknike , kurse përmbajtja ishte krejtësisht e natyres politike . Ndërmjetësuesit ndërkombëtar si puna e bareshës Ashton , të papërcaktuarit Kuper , italianes Mogerini që serenatat e bukura italiane i kishte shndërruar në Zhikino Kollo ( Valle të Zhikes ) serbe e sidomos të Mirosllav Lajçakut , mashtruesit dhe gënjeshtarit mohues të statusit politik të Kosovës , nën urdhër të një pasuesi të Francisko Frankos të Spanjës e që është Borrelli që , në variantin më të butë ka sjellje fashiste ndaj Kosovës , sollën në një udhë qorre, ku jo që nuk kishte as shkëndijë e lëre më dritë në fund të kësaj rruge por , përkundrazi e ngatërruan çështjen aq shumë , deri në situatë kur lehtësisht do të shkaktonte një luftë të re në Kosovë. Serbia fashiste e Millosheviqit dhe neofashistit Aleksandar Vuçiq , jo që nuk u ndëshkua për krimet e luftës në të kaluarën dhe krimet e projektuara për të ardhmën por u shndërrua në partner bashkëpunimi ushtarak , ekonomik , politikë dhe strategjik në Ballkan duke ia dorëzuar çelësat e ruajtjes së rendit pikërisht shkaktarit kryesorë për këtë gjendje në Kosovë , Bosnje dhe Hercegovinë , Mal të Zi dhe pjesërisht në Maqedoni të Veriut , shovinistit , fashistit dhe kryeçetnikut të Ballkanit , Aleksandar Vuçiq që , në të njëjtën kohë është padre padrino ( koka ) e mafies dhe krimit të organizuar në Ballkan . Serbia është në përparësi absolute për faktin që lojën politike e ka zhvendosur 100 % në territorin e Kosovës dhe të gjitha kombinimet apo “ kompromiset e dhimbshme “ kanë të bëjnë vetëm me Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës , të cilëve ende plagët u pikojnë gjak dhe ende nuk i kanë varret për t’i qarë të dashurit e tyre ! Në këto rrethana , poshtëruese dhe shantazhuese asnjë udhëheqës i Kosovës nuk do të duhej të pranonte ilaçin e shkruar sipas recetës së Serbisë e as Albin Kurti , më së paku , madje sepse duke i kundërshtuar të gjitha këto , e them me të drejtë , i fitoi 50 % të votave! Tash , Albin Kurti  po përballet me një presion ( relativisht të butë ) për të vazhduar bisedimet me Serbinë ku do të bisedohej për Zajebnicën ( shprehje nga LV –ë e përdorur si mjet lufte për të ardhur në pushtet ) , pronat e Kishes Ortodokse  , demarkacionin e kufirit me Serbinë , pronat e serbëve dhe të tjera që vetëm sa e rëndojnë procesin duke i krijuar përparësi Serbisë dhe duke e thelluar poziten defansive të Kosovës. Delegacioni i Kosovës po merret me përpjekje të mbushjes  , jo të vrimave por të zgavrave që janë krijuar në bisedimet paraprake për çka , padrejtësisht sulmohen ish – drejtuesit e Kosovës. Jam i sigurt se çdonjëri që do të ishte pjesë e proceseve të mëparshme do të detyrohej të pranojë ate që kanë nënshkruar. Lëshimet janë bërë në Rambuje , në Marrëveshjen e Kumanovës nuk kemi qenë as 10 km. në perimetrin e vendit ku ishte arritur Marrëveshja midis KFOR-it dhe gjeneralëve dhe vojvodëve të Serbisë . Në bisedimet e Vjenës negociatorët kanë mbushur xhirollogaritë kurse dëmin më të madh Kosovës , në aspektin politik , juridik dhe strategjik i ka shkaktuar krimineli juridik , Mati Ahtisari , me Pakon e tij famëkeqe që e dhunon përmbajtësisht dhe formalisht Kushtetutën e Kosovës. Fusnota apo Ylli i Zezdites që nuk u shkri , “ si një fjollë bore “ është e keqja më e vogël që i ka ndodhur Kosovës. Në aspektin afatgjatë , Kosovën e dëmton , e them pariparueshëm Gjykata Raciste Speciale që po mbanë peng qytetarë të Kosovës , sakrifikues dhe krijues të këtij gjysmë shteti që e kemi , edhe në rast se të gjithë do të lirohen si të pafajshëm.  Themelimi i kësaj Gjykate Raciste Speciale , në bashkëpunim me Serbinë dhe të një pjese të establishmentit politik të Kosovës , skajshmërisht relativizon krimet , deri në gjenocid që i bëri Serbia në Kosovë sikur përpiqet që për të gjitha krimet në Kosovë gjatë dhe sidomos pas Marrëveshjes së Kumanovës përgjegjësia të adresohet te pengjet shqiptare që po mbahen peng në Gjykatën Raciste Speciale të Hagës.

Krahasimi i pavend midis Kosovës dhe Bosnjes dhe Hercegovines :  Politikanët kosovarë , me injorancën e tyre antologjike dhe në pamundësi të kundërshtimit arsyetohen se : “ nuk do të lejojnë të ndodhë bosnjëzimi i Kosovës …” në kohën kur në Kosovë e kemi gjendjen më të keqe . Pse ? Në Bosnje dhe Hercegovinë i kemi tri entitete politike dhe etnike homogjene dhe me kufij të përcaktuar dhe , në çastin kur vlerësojnë se nuk ia vlenë të bashkëjetojnë , ndarja  e tyre  më shumë ose krejtësisht është e natyrës teknike. Manovrat që po i bënë tash Dodiku , nuk është përpjekje për ndarje por përpjekje për t’i shpëtuar lëkurën , dhe jo vetëm lëkuren politike të padronit , Aleksandar Vuçiq . Edhe komunitetit ndërkombëtar vendimarrës i ka konvenuar kjo Bosnje si është dhe ky Dodog si është për të vendosur rend dhe kufij tjerë në Ballkan , në të kundërtën do ta fshinin Dodigun , me një puhizë pordhësh të ftohta . Në Kosovë nuk e kemi dhe as mund të krijohet arkitektura e bosnjëzimit të Kosovës por e kemi rastin tipik të leopardizimit të territorit të vendit e që është shumë më vështirë të bëhet një zgjidhje , qoftë edhe me lëshime territoriale. Kjo është merita kryesore e kriminelit juridik , Marti Ahtisari . Të ishte Zajebnica vetëm me komunat e Kosovës së pushtuar veriore , do ta bënim një zgjidhje më të lehtë kurse , Zajebnica e leopardizuar e bënë Kosovën shumë të cenueshme duke e mbajtur në destabilizim të përhershëm. Ky është sherri më i madh për Kosovën dhe shkaku se serbët e Kosovës sikur edhe Serbia asnjëherë nuk do të pajtohen me asgjë që iu jepet , tash kanë më shumë të drejta dhe priviligje se vet shqiptarët që janë shumicë absolute . Kosovës i duhet një zgjidhje radikale ndryshe do të shndërrohet në një vend me konflikt të ngrirë që i përshtatet Serbisë dhe në asnjë mënyrë Kosovës. Konflikti i ngrirë i përshtatet politikanëve kosovarë për ta marrur apo qëndruar në pushtet dhe në asnjë mënyrë zhvillimit të Kosovës. Për këtë arsye angazhimi i Shqipërisë është i pashmangshëm për faktin se jo më larg se 10-15 vjeçarin e ardhshëm , Kosova do të bëhet pjesë e Shqipërisë . Ndoshta edhe më shpejtë ! Listat e zeza të SHBA-ve aspak nuk e dëmtojnë Serbinë madje vetëm sa e forcojnë lidhjen e Serbisë me Rusinë , Kinën , Indinë , Turqinë kurse te shqiptarët , në Kosovë dhe Shqipëri e nxisin një luftë brendashqiptare me ç’rast energjia shpenzohet në luftë midis një populli sikur që ishte dhe është gjendja në Shqipëri ku , nga një Parti Demokratike e Shqipërisë u bënë dy Parti Demokratike e që aspak nuk e ndihmon , as Shqipërinë , as demokratizimin e as luftën kundër korrupsionit. Në këtë drejtim nuk ka fare dallim midis Berishes dhe Bashës , midis Ramës dhe Metës ( i pushkatuari i radhës nga listat e zeza ) ! SHBA –të e sidomos BE –e shumë kanë investuar në Vuçiqin për ta larguar aq shpejtë aq më parë që opozita e sotme në Serbi është më radikale se vet Vuçiqi sa i përket Kosovës. Albin Kurti nuk do të ketë presion të madh për bisedime shkaku se janë festat e fundvitit , do të ketë zgjedhje në Serbi , Mal të Zi ( apo formohet një qeveri tjetër ) dhe Maqedoni të Veriut. Në Kosovë nuk ka asnjë arsye e as vullnet nga opozita të ketë zgjedhje të reja . Ndërkombëtarët do të vendosin për këtë. Pasi të sigurohen adresat për mandat të ardhsëm të qeverisjes në këto shtete , vetëm atëherë Albin Kurti do t’i nënshtrohet një presioni për vazhdim të bisedimeve dhe do t’i ofrohet , sikur gjithë shqiptarëve mundësia e vetme , Lëre ose e merr çka të ofrohet ! Për këtë arsye mendoj se përkundër shumë gabimeve të qeverisë Kurti 2 , opozita , shoqëria civile dhe të tjerët duhet ta përkrahin qeverinë Kurti 2 100% , deri të arrihet një marrëveshje me Serbinë. Është çështje tjetër nëse Qeveria Kurti 2 vetrrëzohet ! Ky do të ishte fundi politik i Albin Kurtit sepse nuk do të kishte mundësi të tretë  të qeverisë me Kosovën ! Kosova nuk është më as prioriteti i 500 –të i komunitetit ndërkombëtar përveç ëndrrave që i shohim me sy të hapur !

Ku “ rrëshqiti “ Albin Kurti :  Në zgjedhjet e fundit parlamentare Albin Kurti dhe LV –ë morën aq shumë pushtet e që nuk kishin mundësi ta mbushnin me resurse të kualifikuara , profesionalisht , politikisht e , më së paku kombëtarisht ! Kjo i bie sikur aeroplanin luftarak , në vend që ta mbushni me kerozinë të pastër , e mbushni me  naftë të Rafinerisë së Ballshit ku raporti është 60 % ujë dhe 40 % naftë të varfëruar. Përjashtuar disa ministrave , shumë prej tyre janë katastrofë elementare , ambientale , politike , profesionale e për kombëtare as që e vë si kriter. Nga bërthama e dikurshme e LV –së , ka mbetur një numër i papërfillshëm që trajtohen si raste sociale ndërsa kanë ardhur mbetjet dhe stërmbetjet e atyre që në kohën më të vështirë për Albin Kurtin dhe LV-në , pa asnjë kriter dhe pa asnjë moral e kanë pushkatuar Albinin dhe LV-në , si lëvizje etnocentrike dhe nacionaliste ! Këta i ka shpërblyer Albini duke i bërë ambasadorë , negociatorë , ministra , kryetarë bordesh dhe pozita tjera udhëheqëse . Kur Albin Kurti doli nga burgu i Pozharevcit , të gjitha rrugët ia hapi Adem Demaçi , Behxhet Shala , Shashivar Makolli , Muhamet Mavraj dhe shumë të tjerë. Sepse kemi besuar se Kosovës i duhet ndryshimi. Muhamet Mavraj , me gazetën “ Epoka e Re “ i ka dhënë hapësirë Albin Kurtit në kohën kur asnjë medium nuk ka pasur guxim ta bëjë këtë , madje vetëm e kanë luftuar . Për këtë arsye Muhamet Mavraj e solli gazetën buzë falimentimit . Ky është sot respekti i Albin Kurtit për Muhamet Mavrën ? ! Muhamet Mavraj më ka dhënë hapësirë në çdo kohë të shkruaj për gazetën “ Epoka e Re “ për Albin Kurtin dhe LV –në në kohën kur mediat tjera publikisht më denonconin , për t’iu hyrë nën bisht ambadasorëve të fuqishëm , si mbrojtës i Albin Kurtit dhe i LV –së. Shkrimet e mia në “ Epokën e Re “ në atë kohë , në aspektin material e kanë dëmtuar shumë këtë gazetë dhe kush e vlerëson sot për këtë ? ! Këta injorantët e LV –së që janë LV –ë për aq sa unë jam anëtar i partisë së Hamit Karzait apo Zhan Mari lë Penit sot po paraqiten më LV –së se vet Albin Kurti dhe të tjerët e , në fakt janë mercenarë të stërpërdorur që nga koha e ish – Jugosllavisë , Serbisë , UNMIK-ut dhe EULESH-it . Nga viti 2004 , KMDLNj –në e kanë dëmtuar pikërisht ngjarjet e marsit sikur edhe Albin Kurti dhe LV –ë . Kjo histori po përsëritet e sot , disa eksponentë të LV-së duan ta dëmtojnë KMDLNj –në . Për këtë një herë tjetër , me emra dhe mbiemra ! Nuk ma ha mendja se Albin Kurti qëndron prapa kësaj . Po flasë për përkrahësit e hershëm e kohërave më të vështira për LV –në dhe Albin Kurtin . Së voni , një zonjë e vërtetë e shkronjave në gjuhën shqipe që para zgjedhjeve të fundit parlamentare , nuk la shkrim pa përdorur në përkrahje të Albin Kurtit dhe LV –së , përjashtuar këtu bombën atomike që nuk e kishte në dispozicion , Kimete Berisha , tash , kur ka një qëndrim ndryshe , falangat e islamit verbal të rrjeteve sociale të një pjese të LV-së po e persekutojnë duke mos lënë mjet pa keqpërdorur kundër një zonje që , para së gjithash është reale , mendon ( shihe ti , paska shqiptarë që mendojnë ) me kokën e saj, dhe nuk pranon asnjë post për ta korruptuar intelektualizmin e saj për të shprehur mendimin e saj , dikur lavdërues për Albin Kurtin dhe LV –në e tash kritik – zhgënjyes për Albin Kurtin dhe LV –në. Albin Kurti do të duhej ta ftonte Kimete Berishën si këshilltaren kryesore dhe të lirohet nga këshilltarët që ia bajnë çantën , fjalimin dhe rrahin shuplakë , ende pa e filluar fjalimin. Albin Kurti , nuk po e them LV –ë se vet Albini është LV –ë, pa Albinin nuk ka LV –ë , nuk ka Listë Guxo , nuk ka Presidencë e as presidente , duhet të vendosë kontrollë të rreptë vetëm në përmbushjen e parimeve dhe premtimeve dhe në asnjë mënyrë të vendosë kontrollë në qëndrimet e opozitës dhe kundërshtarëve politikë që e kundërshtojnë por që e duan Kosovën dhe qytetarët e saj duke kontribuar për një jetë më të mirë , në të gjitjha aspektet. Në këtë kontekst mendoj se Albin Kurti duhet të përkrahet , duhet të ndihmohet dhe nuk duhet as që të mendohet që të rrëzohet qeveria Kurti 2. Askush nuk duhet t’i gëzohet dështimit të Albin Kurtit e as qeverisë Kurti 2 për faktin se çdo dështim do të jetë dështim i Kosovës dhe se me çdo dështim pazari i Kosovës do të ulet më shumë e që nuk është interes i askujt përveç Vuçiqit dhe Serbisë. Thirrja në miqësi të përhershme me Amerikën ( kjo miqësi nuk është e garantuar as me gruan apo burrin në një lidhje martesore ) e lëre më në politikë ku mbizotëron 100 % interesi politik – dashuria politike , është përpjekje e pandershme për të fituar politikisht . është impotencë e veprimit politik , mungesë e shtyllës kurrizore dhe përpjekje e pamoralshme për ta luftuar apo diskredituar kundërshtarin politik , në rastin konkret Albin Kurtin , kryeminister i Kosovës . Mos e shani , mos e sulmoni për aq kohë sa ka nevojë për përkrahjen dhe ndihmën tuaj , nëse ka nevojë. Nëse nuk ka nevojë përsëri ia kushtoni himinin e Liverpulit : “ you never walk alone “ sepse askush i vetmuar nuk ka arritur një qëllim që është interes i të gjithëve !

13 dhjetor 2021 Prishtinë                  Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura